

Gazetarja Dafina Buçinca, autorja e librit “Fëmijë në luftë”, në një rrëfim të dhimbshëm rreth luftës së Kosovës dhe masakrave të regjimit serb mbi popullsinë shqiptare dhe mbi të gjitha përjetimet e fëmijëve mbi genocidin që serbët ushtruan në Kosovë. Në rrëfim e saj dhënë Editorit të Dielli Sokol Paja, gazetarja Dafina Buçinca analizon detaje dhe fakte sesi regjimi e terrori serb i ushtruar ndikoi mbi fëmijët ua ndryshoi jetën përgjithmonë.
“FËMIJË NË LUFTË”…NJË DËSHMI E TERRORIT E KRIMEVE SERBE NË KOSOVË
Unë kisha lindur në kohën kur situata në Kosovë filloi të trazohet. Atë kohë filluan ato tubimet serbe që kishin për qëllim marrjen e autonomisë së Kosovës. Gjë që ndodhi dy vjet më vonë me ardhjen në pushtet të Sllobodan Millosheviçit. Pastaj largimi i dhunshëm i Babës nga puna, që na e vështirësoi shumë jetën, për të vazhduar me ato vitet e tensionuara në pritje të asaj që do të ndodhte. Ishim të privuar nga çdo e drejtë, madje ishim të detyruar t’i fiknim dritat në mbrëmje, të mos e ndeznim zjarrin në shtëpi, në mënyrë që të mos bëheshim shënjestër; shto terrin informativ, mungesat e ushqimit, shkuarjen në shkollë fshehurazi e shumë të tjera, derisa një ditë shpërtheu edhe lufta, që filloi me vrasjen e mësuesit, për të vazhduar me daljen në skenë të UÇK-së, largimin nga shtëpia, kthimin, largimin në male, jetën aty e deri te dita e çlirimit. Pra, e gjithë fëmijëria ime lidhet ngushtë me luftën. Kjo fjalë më ka përcjell gjatë gjithë jetës. Ja, edhe tash, pas kaq vitesh ne po flasim prapë për të, për luftën. Lufta filloi në Drenicë dhe duke qenë se unë jam lindur e rritur në Zabel, një fshat i vogël ky në mes të Drenicës, patjetër që ajo na përfshiu edhe neve, për të kaluar pastaj në tërë Kosovën. Për mënyrën se si e kujtoj unë atë dhe shumicën e atyre që e kemi përjetuar, flet romani im.
LUFTA NË SYTË E FËMIJËVE… PËRJETIME TË GJALLA
Është diçka që shpesh e mendoj, si do të isha unë, po të mos kaloja nëpër ato që kam kaluar, apo edhe si do të isha unë nëse do të lindesha në një vend krejt tjeter? A do të isha kjo që jam? Besoj se nuk do të isha kjo që jam. Femijëria lë gjurmë të pashlyera te secili dhe ndikon fort në formimin e individit e fëmijëria ka ndikuar edhe në krijimitarinë time, sepse në vend që të shkruaja p.sh., një roman dashurie, unë krijimtarine time lertrare e nisa me një roman autobiografik që flet për luftën.
MASAKRA E POKLEKUT, KRIM DHE GJENOCID SERB NË KOSOVË
Drenica ishte një nga zonat më të prekura nga lufta. Kur ndodhi masakra e Poklekut, ishim të tmerruar. E dinim se kjo po na priste edhe neve. Nga çasti në çast kjo mund të na ndodhte edhe neve. Por, për fat, në Zabel nuk ndodhi ndonjë masakër e tillë, ani pse ishim të rrethuar për shtatë javë radhazi. Ne arritëm të shpëtonim duke u organizuar dhe duke u larguar fshehurazi gjatë natës. Më vonë dëgjuam se po atë natë ishte planifikuar një masakër mbi ne. ”Shpëtuam për një fije floku”, kjo shprehje e përkufizon më së miri atë natë të tmerrshme plot ankth e frikë.
FIGURA E NËNËS DHE BABAIT NË ROMANIN “FËMIJË NË LUFTË”
Nëna dhe Babai janë prindër tradicionalë shqiptarë, janë të vërtetë sado që kjo mund të tingëllojë vrazhdë, por nuk do të isha e sinqertë më lexuesit nëse do t’i paraqisja ndryshe. Nëna paraqet femrën e nënshtruar, të përkushtuar 100% ndaj familjës dhe fëmijëve të saj, femrën që nuk ka as ëndrra as dëshira, edhe nëse i ka nuk guxon t’i shfaqë. Ajo është simbol i dashurisë dhe përkushtimit ndaj familjes. Ndërsa babai ishte njeri josentimental, ai i shfaqte ndjenjat e tij shumë rrallë dhe atë vetëm ndaj nesh fëmijëve, por jo edhe ndaj nënës. Ai madje as nuk e përqafoi atë në ditën që u ndanë për të mos u takuar kurrë më. Ai ishte i angazhuar në çështjen e çlirimit të vendit. Atdheu ishte mbi çdo gjë tjetër, atdheu ishte para familjes së tij.
FËMIJËT NË LUFTË SI MEMORIE E KOHËS, SI HISTORI…
Tragjedia jonë e shikuar me sytë e fëmijës flet shumë, fëmijët nuk flasin për luftën në piedestal, me diskurs e stil të lartë siç jemi mësuar të lexojmë e shohim deri tani, fëmijët nuk flasin për heronj, flasin për njerëz të zakonshëm që lufta, regjimi e terrori serb i ushtruar mbi ta ua ndryshon jetën përgjithmonë.
“FËMIJË NË LUFTË”, NJË HOMAZH PËR TË GJITHË FËMIJËT E KOSOVËS
Romani im është zëri i fëmijëve të luftës kudo në botë, veçanërisht është zëri i fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, të cilët kanë mbetur pa zë në liri. Për të cilët edhe 23 vjet pas luftës nuk është ndërtuar një memorial kushtuar atyre.
“FËMIJË NË LUFTË” NJË AKUZË NDAJ REGJIMIT SERB DHE KRIMEVE NË KOSOVË
Romani im “Fëmijë në luftë” është roman që përmes rrëfimit dëshmon për atë që ka ndodhur gjatë atyre viteve. Është ajo që unë dhe familja ime kemi përjetuar gjatë atyre viteve të tmerrshme për popullin tonë. Por, jo vetëm familja jonë, në roman janë të përfshirë edhe një numër i madh personazhesh, të cilët janë të vërtetë, janë historitë e tyre, jetët e tyre të humbura, për të cilat dikush duhet të japë llogari para drejtësisë.