NGA PROF.DR BEG MUSTA */
Më 29 Prill 1914, therën, vranë dhe masakruan 217 burra në Hormovë. Arsyeja e vetme, zhdukja dhe largimi me çdo kusht i popullsisë myslimane shqiptare nga trojet dhe vatanet e tyre. Për këtë qëllim, forcat e errëta greke, kishin kohë që ishin përgatitur dhe kishin krijuar disa njësi, të quajtura “Legjione të Shenjta.“ Ato përbëheshin nga vullnetarë shqiptarë që ishin mobilizuar me forcë nga oficeret dhe nën oficerët grekë me mision të marshonin drejt Shqipërisë së Jugut, për të bërë masakra dhe krime çnjerëzore. Shumica e tyre ishin dyqanxhinj dhe zanatçinj të thjeshtë, hallexhinj dhe paqësorë, që shkuleshin me dhunë nga punët e tyre të përditësime dhe stërviteshin ushtarakisht për të masakruar shqiptarët.Në krye të planeve shoviniste greke, qëndronte Jorgo Zografos, një njeri i degjeneruar, kriminel, spiun dhe agjent i grekëve. Ky mobilizoi dhe vuri në dispozicion të tij, ushtarë, oficerë, municione, armë, thika, bajoneta dhe para të shumta. Nën thirrjet histerike “Ja vdekje, ja Greqi!”, të mbështetur me para, banda kriminale, gangsterë dhe burgaxhinj të sprovuar, nga e gjithë Greqia, u sulën me tërbim mbi fshatrat dhe popullsinë e Shqipërisë Jugut për të vrarë, therur, djegur dhe plaçkitur. Në përpjekjen e parë u ndeshën me forcat dhe çetën luftarake të Selam Musait. Sulmet ishin të ashpra. Ato vazhduan disa orë të zjarrta dhe pa ndërprerje. Selam Musai me 200 trimat që kish pas vetes, u qëndroi ballazi forcave të shumta greke dhe luftoi me trimëri deri në fund. Në ndihmë të tij shkoi çeta e luftëtarëve të Hormovës. Ajo i goditi fortë nga krahët dhe në shpinë. Në luftimet që u zhvilluan, pati shumë të vrarë dhe të plagosur nga të dy palët. Nga shqiptarët u vranë 12 luftëtarë dhe u plagosen disa të tjerë, midis tyre u plagos rëndë në sisë edhe vetë komandanti i çetës, Selam Musai. Nga pala greke mbetën të vrarë mbi 200 vetë. Luftimet dhe fitoret e shënuara në Tepelenë, në fshatrat Lekel, Hormove dhe Labovë u bënë një frymëzim dhe mbështetje direkt për rritjen e shpirtit dhe heroizmit luftarak të luftëtareve që vazhdonin qëndresën në malin e Cepos Në këto beteja, trimëri dhe heroizëm të veçantë treguan luftëtarët nga Hormova; Sheh Veipi, Malo Veliu, Bilbil Zekua, Begë Tena, Sako Shikua, Shaban Guçja, Sheme Bejua etj. Për këta burra dhe shumë luftëtarë të tjerë pjesëmarrës në këto beteja këndohen këngë, që sjellin jehonën e atyre viteve dhe ndriçojnë aktet dhe trimëritë e tyre heroike.Pas këtyre humbjeve dhe goditjeve të rënda që pësuan forcat andarte, synimi i tyre ishte masakrimi, djegia, shkatërrimi dhe vrasja e hormovitëve. Sulmet kundër Hormovës dhe popullsisë së saj shpërthyen të egra, hakmarrëse dhe të pa mëshirshme. Menjëherë nisën provokimet, shpifjet, përpunimi i opinioneve në dëm të popullsisë. Për të përligjur dhe justifikuar veprimet e tyre armiqësore dhe terroriste, nisën të trumbetonin me të madhe se gjoja hormovitët besonin më shumë te Islami se sa te Kryqi, çirreshin me të madhe për martirizimin e Çaush Priftit dhe hakmarrjet që duheshin bërë në mbrojtje të shpirtit të tij, për pjesëmarrjen e forcave të Hormovës në luftimet që u zhvilluan në Lekël, Kodër, Hormovë dhe në Labovë, bëheshin thirrje të hapura për largimin e hormovitëve nga trojet e tyre, etj. Këtyre intrigave, presioneve dhe kërcënimeve të hapura, populli i Hormovës vendosi tu përgjigjej publikisht. Me anë të një rezolute populli protestonte dhe dënonte publikisht skenarin ogurzi që përgatisnin forcat e errëta shoviniste greke dhe bashkëpunëtorët e tyre. Greket sapo morën vesh lajmin, nëpërmjet Thanas Lugatit, një spiun dhe agjent grek i maskuar si riparues vozash (valarat) nga fshati Bularat i Dropullit, që ndodhej si rastësisht në këtë mbledhje filluan përgatitjet, ofensivat dhe marshimet drejt Hormovës. Për të realizuar qëllimet e tyre, sidomos me hormovitët që njiheshin mirë për trimëritë e tyre, duhej shumë kujdes, dinakëri dhe forca të shumta.Andartët grekë, të përbërë nga 1500-2000 vetë, më 1 prill të vitit 1914, në orën 9 mbas dite (darkë) befas dhe në fshehtësi të plotë rrethuan Hormovën. Bllokuan rrugët, shtigjet e hyrjes dhe të daljes si dhe vendosën patrulla në çdo lagje e mëhallë. Situata u vendos nën darën dhe kontrollin e rreptë të forcave armike të cilat komandoheshin nga kapiteni Vasil Kollovoi nga Eotira e Greqisë. Të gjithë ishin ushtarë dhe oficerë të veshur me uniformë të rregullt të ushtrisë greke. Historia ka dëshmuar se në të gjitha kohrat hormovitët i kanë pritur armiqtë e tyre vetëm me plumba. Këtë, grekët e dinin mirë, prandaj sa herë dëgjonin zërin dhe emrin e tyre u kallej tmerri dhe frika. Ata e dinin mirë se këtë popull të egër e lumturonte vetëm arma që e duan të gjithë; meshkujt, gratë mandej edhe fëmijët. Këtë të vërtetë e ka pranuar edhe një nga njerëzit e afërt të Ali Pashës, kur ka shkruar se; hormovitët nuk e kanë lëshuar kurrë armën nga dora, edhe kur flenë e mbajnë të koka ose te brezi..Ishin këto arsyet që grekët e nisën aksionin e tyre me çarmatosjen dhe grumbullimin e armëve. Ishin hartuar listat shtëpi për shtëpi, emër për emër, do të kapeshin, vriteshin e do të thereshin në befasi dhe tradhti të gjithë burrat e fshatit. Urdhri ishte i prerë. Të kapeshin dhe të silleshin te sheshi i rrapit, të lidhur dhe të pa armatosur, të gjithë burrat e parisë së fshatit si dhe të mblidheshin të gjithë dyfekët dhe të gjitha armët, deri edhe te thikat dhe bixhaqet. Sipas urdhrit të komandantit, të parët e fshatit u kapën, u sollën duar lidhur te rrapi dhe u burgosën në xhami. Midis tyre ishin Malo Mullaj, Selman Qerimaj, e disa të tjerë. Torturat ishin nga më çnjerëzoret duke i shpuar me thikë, me sfungji, thyerje gjymtyrësh etj. I shtrinë për tokë në kurriz dhe barkas dhe i rrahën pa mëshirë me kamxhik. Rrëketë e gjakut mbuluan dhënë. Nga kjo barbari e egër, Adem Bërda, Ahmet Beqiri, tre burra të tjerë dhe një fëmijë 15 vjeç, mbetën të vrarë në vend. Të tjerët, tre ditë dhe tre net mbetën pa bukë dhe pa ujë. Plagët e rënda të krijuara nga torturat, hormovitët i mjekuan me qepë dhe kripë. Në këtë kohë në Hormovë mbërritën atdhetarët dhe patriotët e shquar Petro Harito dhe Spiro Karajani, krerë të shoqërisë së fshehtë patriotike ”Kandili”. Pasi mësuan mbi ngjarjen dhe barbaritë greke ndaj këtyre njerëzve të pa fajshëm, shkuan në Hormovë dhe ndërhynë energjikisht për lirimin e tyre si dhe kërkuan largimin e menjëhershëm nga fshati të forcave greke dhe komandantit të tyre Vasil Kollovoi.Pas shtatë ditësh, në orën një të natës, në Hormovë erdhi sërish një fuqi e madhe ushtarake. Të gjithë me shalle dhe xhufka, në krye kapiten Capi. Te ky njeri, zoti çdo gjë e kishte krijuar të frikshme. Ai kishte dy sy të veshur me djallëzi, që në thellësi të tyre fshihej një plan kriminal dhe ogurzi. Ai shoqërohej nga pesë perona të tjerë që nuk ishte vështirë të kuptoheshin se ishin specialistë të stërvitur për krime dhe masakra të rënda. Nisën grumbullimin e burrave një nga një dhe grupe-grupe. Të parin morën sheh Veipin me Maliqin, pastaj me radhë Ganinë dhe Selman Qërimin, Begë Tenën dhe djalin e tij, Malo dhe Fejzo Velinë, Shaban Guçen, Hodo Tenën vetë të tretë, Muharrem Llacin, Qazim Imerin etj. Të gjithë i grumbulloi te sheshi i rrapit dhe i vuri në rresht për një, gati për udhë. “Gjer në Kodër do të shkojmë, u thotë Capi të rreshtuarve, për një mbledhje ju kërkojnë.”Dhe ata marshuan drejt vdekjes, pa shpresë dhe të bindur se një e keqe e madhe i priste përpara. Grumbullimi i burrave u bë në tre duar. Pas grupit të parë morën të dytët: Shikon, Zenon, Rifo Llacin, Alem Qyrdedin, Meto Guçen, Nerullahun, Sadushin, Hamzon, Qamil Gjinushin, Dervish Selmanin (harkabardhi), Hysenin, Hasanin, Dalanin, Malo Brahimin, Mustafain, Balilin (kthyer nga Amerika) Mustafa Haxhinë me gjithë djalë, Haxhi Resulin (leshrabardhi), Zilfon me vëllanë, Sadush Rudin me Lumanin, Sute Zenelin, Begë Seferin me Shahinë dhe të tjerë. Për të tretën herë u morën të gjithë burrat që u grumbulluan nga kontrolli i fundit që u krye shtëpi më shtëpi, kasolle më kasolle, përrua më përrua dhe deri ferrë më ferrë. Të gjithë përfunduan në Kodër. Aty gjetën dhe panë me sytë e tyre një llahtar dhe tmerr të vërtetë, një kasaphanë dhe qindra kasapë me bajoneta dhe thika në duar, një ushtri të tëre të armatosur gjer në dhëmbë. Panë se si vendi i “shenjtë” ishte i rrethuar cep më cep me mijëra ushtarë grekë dhe në çdo derë vendosur nga dy mitraloza gati për sulm. Mes ulërimave dhe thirrjeve histerike të oficerëve greke, “Pedhja mihi stohate tu dhiqio tu Çaush Hormova” (Djema mos harroni vrasjen e Çaush Hormovës”). u vranë dhe u therën me thikë në shtëpinë e zotit 217 burra. Gjaku i tyre u derdh lumë dhe skuqi shenjtorët dhe vendin e shenjtë, aty ku thonë se zoti është në këmbë dhe njerëzit luten “O zot, na shpëto”Forcat në përballje ishin, 5000 grekë të armatosur gjer në dhëmbë me 200 e ca burra hormovitë në mëshirë të zotit; të mbyllur në kishë, pa dyfekë, pa fishekë, pa topa, pa mitraloza, të katandisur kockë e lëkurë, pa ngrënë e pa pirë. Natën e parë shkuan në thikë 100 burra. Trimat Sako Shikua, Arif Llaci dhe Sute Zeneli, kapën rojet për gryke, i mbytën, u morën armët, shpërthyen portat dhe bashkë me Bege Seferin dhe Meto Elmazin, çanë rrethimin dhe vrapuan për të ikur por që në hapat e para rojet nga jashtë qëlluan mbi ta dhe i prenë në mes. Pas këtij akti barbar, Begë Tenaj, u bëri thirrje shokëve; “O djema t’u biem kriminelëve dhe të kapet i gjallë kapiten Capi!” I mbytur i tëri në gjak, u përlesh dhëmbë për dhëmbë me ushtarët dhe oficerët grekë por tani ishte vonë. Ushtria kishte fituar kohë dhe e rrethoi vendin me gardh pushkësh dhe kushdo që delte nga hormovitët në derë, i bëhej trupi shoshë nga plumbat. Begë Tenën e kapën dhe e lidhën. Para syve të tij i therën djalin! Begën e varën në litar, i prenë këmbët dhe pastaj e vranë, e shpuan me thikë në zemër !.Pas kësaj që ndodhi, kapiten Capi, urdhëroi masa sigurie të rrepta, të hapej çatia e kishës dhe të vriteshin nga lartë dhe dritaret dyzetë burrat e fundit që kishin mbetur brenda në kishë. Rrethinat, bregoret dhe bedenat u mbushën me gjak dhe kufoma njerëzish pa jetë. Mizoritë çnjerëzore të ushtrisë greke në Hormovë, tërhoqën vëmendjen e opinionit ndërkombëtare dhe tronditën gjithë botën duke akuzuar rëndë qeverinë greke dhe qarqet shoviniste kriminale në shërbim të saj.Lidhur me tmerret e kësaj ngjarje, Mufit Kaziu, shkruan ; Tri ditë pas ngjarjes, vizituam kishën e Ajodhimës në Kodër, aty gjetëm njerëz të mbërthyer me gozhdë nëpër mure, disa të varur në litarë, tetëdhjetë e dy veta i kishin therur si bagëti, u kishin prerë veshët, hundët, nxjerrë sytë, ngulur bajonetat në zemër etj”.Sipas të thënave, sheh Veipit, pas masakrës i kishin përplasur kokën pas shkëmbinjve për ti nxjerrë dhe marrë florinjtë e dhëmbëve.Dëshmitari tjetër okular i ngjarjes në vend, Kosta Papa Tomori, në librin e tij dëshmon se ; Kolonel Zira, i çoi hormovitët në Kodër, i ndau në tre grupe me nga 60 shpirt në çdo grup dhe pastaj urdhëroi 36 trupa greke nga më të zotët në bajonetë, të goditnin dhe të shponin pa mëshirë njerëzit që ndodheshin aty. Hormovitët të lidhur këmbë e duar u shpuan me bajoneta, pa mëshirë nga katilët. Pastaj i hodhën në një përrua fshati, ashtu gjysmë të gjallë. Këto duken si përralla, shton më tej ai, por janë të vërteta, se i kam parë me sytë e mi, dhe jam dëshmitarë okularë në këtë botë dhe në atë jetë përpara zotit. Gjeneral Çika, me orgjinë nga Borshi dhe me banim në Amerikë, në kujtimet e tij shkruan, “Aktet më barbare dhe çnjerëzore në historinë e racës njerëzore që ndodhën në kohët moderne ishin ato që kreu ushtria greke në fshatin Hormovë të Tepelenës. Në 14 Maj, gjeneral Leitnad Dever, në krye të Komisionit Hetimor Ndërkombëtar i shoqëruar nga kapiten Groot, mjeku major De Long, dhe Toger Meleq Frashëri, vizituan vendin e ngjarjes në fshatin Kodër dhe konstatuan bedena të mbushura me trupa njerëzish të therur dhe masakruar shtazërishtMë 14 qershor të vitit 1914, ne Tepelenë erdhi ambasadori amerikan dhe takoi popullin e Hormovës të grumbulluar ne kalanë e Tepelenës. Përpara tyre mbajti një fjalim të rëndësishëm, mbushur me tone ngushëllimi dhe keqardhje. Pastaj takoi dhe pa një për një dhe fytyrë për fytyrë të gjithë njerëzit e pranishëm, numëroi 163 gra, përveç vashave dhe fëmijëve, mori me të shkruar nëmurin e vetëve që ishin vrarë në masakër.Gazetat e kohës shkruanin; “Në Hormovë, fëmijëve të vegjël u presin gishtërinjtë e duarve, ndërsa të mëdhenjve u fusin gozhdë në këmbë dhe në gji”.Një i krishterë që ishte kthyer nga Amerika dhe në ato ditë ndodhej në Shqipëri, gjatë bisedimit me shqiptarët në Amerikë, theksonte se “ Duhet ta dinë shqiptarët e Amerikës se ata që hyjnë këtej janë ushtarë grekë dhe jo “Epirotë”, siç duan të thonë gazetat greke.”Kurse një tjetër gazetë njoftonte; “kisha ishte mbushur me kufoma, kudo gjendeshin opinga, feste të bardha të skuqura nga gjaku, tesha të ndryshme etj. Një njeriu, pasi i kishin prerë veshët, hundën dhe i kishin nxjerrë sytë, i kishin marrë shpirtin duke i ngulur bajonetën në zëmër”. 16) Plagët dhe dëmet që shkaktuan këto luftëra ishin të shumta dhe të mëdha. Edhe sot pas 100 vjetësh ende nuk janë mbyllur. Në Hormovë përveç 217 burrave që u therën me dorë, 1140 të tjerë; burra, gra, pleq dhe fëmijë vdiqën rrugëve nga malaria dhe sëmundje të ndryshme. Nga 1500-1600 vetë që ikën nga fshati në pranverën e vitit 1914, vetëm 360 frymë mbijetuan dhe u kthyen të gjallë në vatanet e tyre. Në Klos, në një vend të quajtur “ Mirash “ mbeti një Hormovë e dytë. Gjënë e gjallë, dhëntë, dhitë, lopët, qetë, kafshët e ngarkesës e çdo gjë tjetër i theri dhe i hëngri ushtria greke. Në Hormovë u rrëmbyen 5000 krerë bagëti të imta, 1500 gjedhë, 400 kafshë pune , u dogjën 98 shtëpi etj. Ngjarja që ne kujtomë, është një nderim në respekt dhe mbrojtje të shpirtrave të 217 burrave, që u martirizuan, u therën dhe u vranë barbarisht nga forcat kriminale greke dhe bashkëpunëtoret e tyre. Njëkohësisht përbën një apel të fortë për ne dhe brezat që vijnë dhe na kujtojnë të hapim sytë dhe të jemi vigjilentë, të mos biem në befasi, të mos harrojmë kurrë ato që kanë ndodhur dhe të mos lejomë që masakra dhe tragjedi te tilla të përsëriten. Greku ndërton varre ne kujtim të ushtarëve të rënë gjatë luftës italo-greke, ndërsa ne u kemi harruar emrat dhe varret bashkë dhe nuk dimë ku i kanë. Prandaj është detyra jonë, nipërve dhe stërnipërve të tyre, që gjërat ti vendosim aty ku duhet. Të organizojmë vazhdimisht aktivitete dhe ceremoni në kujtim të shpirtrave të tyre, të shkruajmë skenën tragjike që ata përjetuan dhe të ngremë sa më shumë simbole dhe përkujtimore që ata të mbeten nderi dhe krenaria jonë e lavdishme.
*29 Prill 1914 ,Hormove ,, Masakra greke kundrejt shqipetareve ,, ne foto gra te veja dhe femije jetima, c’fare bene barbaret grek kunder nesh