Mesazhi i veprimtarisë së sotme tek Restaurant AMICI në Cherry Hill NJ, me pronar atdhetarin Alex Shefit Daku.
Titulli i shkrimit janë vargjet e këngës që janë kënduar e këndohen më së shpeshti në gëzimet e manifstimet tona në vendlindje, por edhe në diasporë. Ato kanë ngritur peshë zemrat tona duke sjellë emocione të mëdha, dashuri e bashkim. Por jo vetëm kaq. Ato sjellin shpresë, fuqi e përparim të viseve shqiptare kudo brenda e jashtë Shqiperisë tonë të ndarë.
Këto vargje shprehin historikun e trojeve tona, të mbështjellë me emrin e atyre që na mbrojten nga çbërja kur ne sa kishim lindur si shtet. Dhe mbështetja amerikane na shoqeroi pa kursim në cdo hap e moment tjetër kur shqiptarët ngriheshin për emrin e lirinë e tyre. Tashmë ne e dimë, se kjo nuk ka qenë një mbështetje e thjeshtë por dicka vendimtare që ka përcaktuar fatet e Shqiperisë në historinë e saj, që nga luftërat e I-rë dhe e II-të botërore, deri tek pavarësia e Kosoves e shtet-formimi i saj. E megjithatë ne duhet të themi se një faktor i rëndesishëm për sigurimin e kësaj mbështetje përvec dashamirësisë pa kushte të udhëheqesve e popullit në SHBA, ka qenë dhe është kontributi i madh i Diasporës shqiptare këtu që nëpermjet emrave e figurave patriotike të njohura punuan e luftuan pa u lodhur për të kërkuar të drejtat e shqiptarëve që akoma janë të pa bërë bashkë. Me plotë gojën mund të themi se Diaspora shqiptare e hershme apo dhe e re në Amerike, ka kontribut sa ” një Mal” në cështjen tonë kombëtare, por misioni vazhdon.
Tashmë kanë kaluar vite e dekada dhe Diaspora shqiptare jo vetëm është rritur në numër e cilësisht kudo, por vecanërisht këtu në Filadelfia po shkohet drejt një Shqipërie të vogël “. Sigurisht jo fizikisht, por me bashkatdhetarët që përbëjnë komunitetin e këtushëm nga të gjitha trojet shqiptare prej rreth 30 mijë personash me shkollën shqipe “Gjuha Jonë” prej 20 vitesh, me Qendrën social – kulturore që gumëzhin në cdo kohë prej rreth 22 vitesh, me brezin e ri që avancon cdo ditë në shkollim, shkencë, bisnes etj, kemi sjellë Shqipërinë tonë në Amerikë. Shoqata Mbarëshqiptare Atdhetare – Kulturore ” Bijte e Shqipes “, prej rreth 22 vitesh po punon intensivisht cdo vit e më mirë, që ky komunitet të ndjehet sa më i bashkuar e i lumtur edhe këtu larg atdheut, të ndjehet krenar me gjuhën,
historinë e kulturën tonë kombëtare, duke i trashëguar ato ndër brezat e ardhshem.
Për ti shërbyer sa më mirë këtij qëllimi, me ndjeshmërinë e mbështetjen e më shumë se 500 familjeve shqiptare që patën mundësi të kontribonin, u ble para pesë vitesh një ambjent i ri për Qendër të komunitetit, i bukur, i bollshëm e me histori mbresëlenëse 250 vjecare. Shumë pengesa objektive e subjektive patëm gjatë këtyre viteve për ta restauruar këtë ambjent, ndërsa pak muaj më parë janë plotësuar të gjitha kërkesat ligjore dhe tashmë ka filluar edhe puna.
Por projekti i restaurimit të kësaj Qendre të re ku do të funksionojë edhe shkolla shqipe në përmasa më të mëdha në numër të nxënësve, kërkon përsëri kontribut financiar e punë nga bisneset e familjet shqiptare, të cilëve u është bërë thirrje nga këshilli drejtues i shoqatës që ta vleresojnë këtë proces duke shprehur bujarinë e humanizmin si deri më tani. Përvoja jonë është shumë konkrete.
ALEX DAKU gjithmonë në vijën e parë
I lindur në Radomirën rrëzë Korabit dhe i rritur në Tiranë, Alexi pasi mbaron shkollën e mesme në vendlindje, emigron për disa vite në Itali dhe përmes vështërsish arrin të futet në SHBA. Punoi si shef guzhine në një restaurant prestigjioz në Nju Jork për 5-6 vite dhe prej 11 vitesh udhëheq bisnesin e tij të ushqimit e Realstate në Cherry Hill të Nju Xhersit, në AMICI Resaturant dhe në Filadelfia. Pasuria e tij nuk është e madhe sa e disa bashkatdhetarëve ketu, por Alexi ka zemrën e shpirtin e madh. Kështu kanë qenë edhe paraardhësit e tij. Gjyshi Selim Daku, ish partizan në luftën për clirim e ushtarak për disa vite pas clirimit, shquhej për zgjuarsi, zotësi e xhymert. Po ashtu edhe babai i Alexit, Shefiti, i tillë e mbylli jetën. Efektin e dominimit të trashëgimisë, populli e ka perjetësuar me shprehjen shumë domethënëse: “Në mos rrjedhtë, do të pikojë “. Dhe kjo është shumë e dukshme edhe në rastin e këtij bashkatdhetari. Ai na mblodhi sot në restaurantin e tij të bukur ” AMICI në Cherry Hill, nëpërmjet një Ftese publike të shpërndarë nga shoqata “Bijte e Shqipes ” në FB, për një drekë me qëllim mbledhje fondesh për nevojat e punës në Godinën e re
Pasi uroj mirëseardhjen e qëllimin e kësaj dreke nëpërmjet të cilës e gjithë shuma monetare që do të grumbullohet nga pagesa e biletave të pjesëmarrësve do të kalojnë në llogarinë e shoqatës Bijte e Shqipes, z. Daku premtoi edhe një tjeter takim të tillë pas pak kohe, dhe ja kaloi fjalën kryetarit të kësaj shoqate z. Dritan Matraku. Pasi falenderon Alexin për këtë ftesë e organizim domethënës e kuptimplotë, z. Matraku i njohu pjesëmarrësit me bujarinë, mbështetjen e atdhedashurinë e dukshme të tij të shprehura ndër vite në nevojat e thirrjet e
ndryshme për kontribute në komunitet. Aleksi është një emër i njohur në këto drejtime, vazhdoi ai, ndërsa na ka bërë krenar të gjithëve ne bashkatdhetarët e tij vecanërisht gjatë periudhës të Covid 19 kur hapi dyert e këtij restauranti duke u shërbyer ushqim falas atyre që kishin nëvojë në atë kohë tepër të vështirë, apo duke dërguar e shpërndarë ushqimin në institucione të tilla si spitale, rajone të policisë etj. Prandaj në atë kohë emri i bisnesit të tij “AMICI Restaurant “ u bë i dukshëm e i falenderuar nga gazetat e stacionet televizive të ndryshme si këtu në NJ ashtu edhe në vendlindjen tonë, Shqipëri.
Për të gjitha këto cilësi, mbështetje e kontribute të vazhdueshme zotit Alex Daku iu akordua nga këshilli drejtues i shoqatës “CERTIFIKATE MIRENJOHJE “, e cila u dorëzua nga kryetari z. Dritan Matraku.
Në vazhdim ai i njohu pjesëmarrësit me ecurinë e punimeve të deritanishme në Qendrën e re apo punime që janë marrë përsipër nga bisnese të ndryshme, por edhe nevojat që kemi për të tjerë mbështetës për të përfunduar rindërtimi i objektit. Ai evidentoi kompaninë ” Ferko Plumbing “ që zotërohet nga Ferhat Ferko e cila përfundoi instalimin e sistemit te shkarkimit të ujrave nga jashtë objektit (ku vlera e shpenzimeve ishte mbi $30 mijë), dhe z. Altin Rrapushaj për fillimin e këtyre punimeve brenda tij. Gjithëashtu, Z. Mexhit Koboci, z. Roland Ismailanji dhe z. Albert Sula kanë marrë përsipër instalimet elektrike dhe kostoja tejkalon $25 mijë.
Më pas u ftua sekretarja e re e shoqatës, zonja e nderuar Julida Çepele e cila i dorëzoi bisnesmenit Ajet Pajollari Certifikatën e Mirënjohjes që këshilli drejtues i ka akorduar atij për mbështetjen e kontributet ndaj shkollës shqipe. Ndërsa zv. kryetari i shoqatës, z. Mexhit Koboçi ftoi z. Albert Sulaj dhe i dorëzoi atij vlerësimin nëpërmjet Certifikatës së Mirënjohjes që i ka akorduar gjithashtu ky këshill për kontribut të vecantë e marrje përsipër të punëve në Godinën e Re.
Por shoqata “Bijte e Shqipes “sic thamë më sipër, ka 22 vite jetë. E në këtë morì vitesh janë evidentuar e vlerësuar shumë bashkatdhetar të tjerë të fushave e moshave të ndryshme, të cilët jo vetëm kanë lartësuar veten e familjet me arritjet e tyre, por të gjithë komunitetin e shqiptarinë anë e mbanë. Në veprimtarine e sotme ishin të ftuar edhe trashegimtar të familjes Risilia që falë asaj ne kemi sot qendrën ekzistuese të komunitetit por edhe shkollën shqipe, të cilët i kemi falenderuar e vlerësuar në cdo rast. Por sot kishim edhe një emër tjetër, që e rrit edhe më shumë frymën e deritashme të bashkimit e besimit për të cuar më tej misionin tonë :
Dr. Neurokirurg GENTIAN TOSHKEZI
Njeriu i ditur është edhe i thjeshtë. Prandaj Dr. Gentin e gjen gjithmonë pas punës me miqtë e shokët e tij, me pjestar të komunitetit, në kafe e biseda ndihme për to. Ai ka lindur në Lushnje ndërsa ka mbaruar me Medalje Ari, Universitetin Shteteror në Tirane për mjekësi në vitet ’90 -të dhe është specializuar për Neurologji. Ne studimet e specializimet e mëpastajme në Paris, Vjenë, Bruxel e Amerikë, fiton specialitetin si Neurokirurg. Ka punuar në spitale me emër në Boston e Nju Jork, ndërsa para 7-8 vitesh vendoset në Filadelfia me familjen pasi fiton të drejtën për të punuar në specialitetin e tij në spitalin më të madh këtu “ Jefferson Hospital”, ndër më të njohurit në Amerikë. Duke vlerësuar aftësitë e profesionale e njerëzore, në vitin 2020 shpallet në dhjetëshen e mjekëve më të mirë të këtij spitali në të gjithë Amerikën. Para pak muajsh është përzgjedhur si Drejtor i Departamentit të Neurokirugjisë në spitalin e Merylandit. Eshtë vlerësuar para një viti nga shoqata “Bijte e Shqipes”me Certifikatën “Nderi i Komunitetit “, ndërsa nga Presidenti i Republikes të Shqiperise mban Medaljen : “Kalorësi i Skenderbeut “. Vleresimet në shqip janë më të pëlqyeshme për Dr. Gentin.
Në përshendetjen e tij në drekën e sotme tek Restaurant Amici, ai shtoi krenarinë shqiptare duke përmendur emrat e këngëtarëve të mëdhaja shqiptare në Amerikë : “Operacionet neuro – kirurgjikale që ne zhvillojmë, zgjasin zakonisht 4-5 ore, thotë Dr. Genti . Prandaj vendosim radion në emisionet muzikore, per te punuar më qetësisht. Një ditë me rastisi dicka e rrallë. Në emisionin muzikor në radio dolën për të kënduar tri këngëtaret tona të mëdhaja Dua Lipa Bebe Rexha e Rita Ora . Pjestaret e ekipit po habiteshin kur unë po thoja për të parën “Eshtë shqiptarja ime“, pastaj për të trea radhazi të njëjtën shprehje, por me krenari të madhe …”
Ishte një atmosferë e bukur e krijuar pas kësaj përshendetje të doktorit, pasi cdo ditë e me shumë po shohim që geni shqiptar i përhapur në të gjithë botën, po rritet e shkëlqen më së miri, duke qenë një garanci e zhvillimit, konsolidimit e trashëgimisë tonë kombëtare.
–
,
Duke u kthyer në këtë shkrim tek ai që na ftoi në këtë drekë fondmledhëse, z. Alex – Astrit- Shefit Daku mu kujtua një burrë i mencur shumë vite të shkuara nga i cili mbaj mend thelbin e bisedës me të: “… Lutu e dhuro për paraardhësit tuaj. Dhe ne se nuk ke mundësi ti ndjekësh në veprën e tyre, të paktën mos i bëj pis me jetën tënde …”. Alexi dhuroi sot për “Bijte e Shqipes“, përvec $ 7,300 dollar të grumbulluar nga dreka, edhe $200 të tjera dhuruar nga nëna e tij Lavdija.
Të lumtë Astrit !
Shpresojmë që shumë të tjerë si ju, ti japin frymë unitetit e besimit ashtu si më parë, për të përfunduar Qendren e Re dhe Shkollën Shqipe të komunitetit tonë, duke i dhënë më shumë jetë “Shqipërisë së Vogël ” në Filadelfia.
Nga: Tajar Domi*
• Ish kryetar i shoqates ” Bijte e Shqipes
Filadelfia, me 1 Tetor 2023