Opinion nga Asllan Bushati/
Shtatë muaj pas vizitës se Edi Ramës në Beograd ,erdhi vizita e Kryeministrit të Serbisë Aleksandër Vucic në Tiranë,vizita e parë e një kryeministri serb në Shqipëri. Kjo ndodhi në një kohë tensionesh të theksuara në rajon dhe të një aktiviteti ndër kryeministror për bashkëpunimin rajonal sponsorizuar nga Gjermania dhe Ausrtia. Por jo vetëm kaq, kjo vizitë përkon edhe me vizitën e pritëshmë të Vucicit në Uashington në javët e ardhëshme, ku ai do të takohet me Zevëndës Presidentin Bajden, senator, kongresmenë e shtetarë të lartë amerikan.
Media shqiptare në vija të trasha thotë se vizita ishte e pritëshme, normale dhe se do ti shërbejë të dy vendeve dhe rajonit në ecjen përpara drejt BE-së. Ashtu qoftë dhe ne mbetemi me shpresë se një gjë e tillë do të ndodh, megjithëse jemi tërësisht skeptic se nuk pamë të theksohet asnjë vecanti e dukëshme. E thënë shkurt ajo ishte një vizitë protokollare e dy kryeministrave në të cilën nuk u nënshkru asnjë document, por që u takuan se ju a kishin thënë të tjerët të takoheshin. Madje nuk u arrit të nënshkruhej edhe një mini marveshje për njohjen reciproke të diplomave, e cila në esencë ju shërbente shqiptarve të Luginës Preshevës të shkolluar në Shqipëri , për tu punësuar në Serbi si ata qe kanë diploma nga universitetet serbe.
Por larg akrobacive të politikës dhe fasadës së medias, unë dua të shpreh hapur mendimin tim se si e pashë, e degjova dhe e përceptova vizitën e Vucicit në Tiranë. E thënë pa doreza, pa diplomacy dhe pa pendesë, pohoj, se prapa syzeve të tij, unë pashë dyzimin e një njeriu në eksplorim, qe donte të shihte me sytë e vet se ato që i kishin thënë udhëheqësit e mëparëshëm jugosllav e serb për Shqipërinë ishin apo nuk ishin të verteta ? Prapa syzeve dhe hijerëndësisë së tij, unë pashë tërë poshtërsitë e shpirtit të një njeriu bashkëpunëtor të Milloshevicit e Sheshelit, që ka kryer gjenocid kundër shqiptarëve. Pashë mendjemadhin gjak ftohtë që shpërfill gjakun e derdhur shqiptar që në 1913-tën e deri në gjenocidin e më vonëshëm në Kosovë. Pashë njeriun që i paragjykon shqiptarët si para ardhësit e tij edhe për mirësjellje nuk denjon tu kërkojë minimalja të falur familjarëve që nuk u janë këthyer eshtrat e të dashurve të tyre nga varrezat massive që ai ka bërë në 1998-1999 me shokët e tij.Pashë njeriun lider të serbëve që s’ka asnjë lloj pendese për gjenocidin e kryer mbi shqiptarët. Madje guxon dhe të shes mend duke filozofuar se:” nga e shkuara nuk mund të ikim, por të shikojmë nga e ardhmëja”.
Në deklaratën që Vucic bëri para gazetarëve , u përpoq të vinte balancë me vizitën e Ramës në Beograd, por në të vërtetë, nuk tha asnjë gjë as të re dhe as të rëndësishme, por vetëm se përsëriti të njejtat gjëra si në takimin e Beogradit.Ai pati nevojë për këtë vizitë, megjithëse pa bereqet, para ardhjes tij në SHBA. Vizita ishte më shumë se gjithcka propagandë mediatike .Kurse, shtypi serb e përcolli vizitën e Vucicit në Shqipëri, me mentalitetin e shekullit 18-19-të, kur thotë se Vucici e këndoi me zë të lartë himnin serb përballë Edi Ramës, dhe i tha hapur e në sy se : “Kosova e Metohija janë Serbi”. Po ashtu ,Vucici kishte vënë gravatë blu për të treguar mencuri përballë kryeministrit shqiptar.Mirë që media serbe nuk foli edhe per ngjyrën e të mbathuave që kishte veshur Vucici.
Në Bruksel, në disa kancelari europiane dhe këtu në Uashington e shohin me shqetësim rrezikun e rreshqitjes graduale të Serbisë në prehrin e Rusisë. Kjo është dukuri e herëshme,por kohët e fundit ajo u duk në dekorimin e Putinit, marrjen pjesë në paradën e Moskës, lufta për gazsjellësin rus, paisja e ushtrisë serbe me teknikë luftarake ruse,koordinimi i veprimtarisë së shërbimeve të fshehta etj. Në këtë prirje pro ruse të Serbisë, perendimorët shohin si kartë të tyren vetëm Vucicin. Në këto kushte ata duke harruar dhe Srebrenicën dhe Kosovën, gjykoj se i kanë premtuar atij dhe vendit të tij ti ofrojnë postin e lidershipit në Ballkan në të ardhmen vetëm që ai të mbetet në sferat perendimore. Kjo ide në gatim e sipër, nuk përkon me interest shqiptare, prandaj hapur duket ta kundershtojme. Por kush ta beje këtë , Rama me qeverinë e vet?
Rama foli dy tri gjëra të sakta në Beograd dhe pastaj filloi të tërhiqet në pafundësi. Dha një deklaratë për bashkimin kombëtar shqiptar në Ulqin dhe nga shuplakat e ndërkombëtarëve tërhiqet sikur s’ka thënë asgjë. Leshon një tollumbace për Maqedoninë e pranimin e saj në Nato dhe përsëri tërhiqet. Kurse në konferencën për shtyp me Vucicin , sulmon Greqinë duke shkaktuar një skandal diplomatic gjë të cilën duhet ta bënte në një kohë tjetër të përshtatëshme. Duke parë veprime të tilla herë herë foshnjarake të Ramës dhe qeverisë së tij , ndërkombëtarët hezitojnë t’ja besojnë pozicionin e lidershipit në rajon Shipërisë por po mendojnë për Serbinë.Kjo ndodh sepse Rama me vepra tregon se s’ka fuqinë dhe kapacitetin e lidershipin në rajon. Ai po bëhet gjithnjë e më i pa besueshëm per Brukselin dhe Uashingtonin megjitheëse është në avantazh se është në Nato dhe se Shqipëria nuk ka sulmuar askënd në rajon sic ka bërë Serbia. Madje Rama shkoi aq larg sa duke folur për të ardhmen midis Shqipërisë dhe Serbisë solli si krahasim Francën dhe Gjermaninë e pas luftës Dyrë Botërore sikur Rama e Vucici të ishin Sharl Degoli dhe Adenauri.Marrzitë s’kanë të sosur, sepse edhe sikur në të ardhmen marrdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë të jenë të përsosura, Rama e Vucic nuk kanë peshë në politikën rajonale e aq më pak në atë europiane sa t’ju imponojnë të tjerve idetë e tyre politike. Se kush do të loz rol madhor në të ardhmen në rajon e përcakton SHBA-ja dhe Brukseli.
Si përfundim mendoj se vizita e Vucicit ne Tirane, nuk ishte as e rëndësishme ,as dobipruese për shqiptarët dhe aq më pak vendimtare për të ardhmen e rajonit, sic përpiqen ta paraqesin disa syresh. Në këndshikimin tim ajo ishte vizitë rutinë dhe e fryer mediatike që i shërben më shumë Serbisë për të shpëlarë të shkuarën e ndotur dhe Vucicit për forcimin e pozitave të tij politike brenda dhe jashtë Serbisë.