Nga Nikolla Lena/ Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, në mbledhjen e radhës, të zhvilluar një ditë më parë ka vendosur anulimin e koncesionit për Rijetezimin e Kalasë së Lezhës.
Në një konferencë për shtyp, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro bëri të ditur sot se procedura ka qënë që në fillim zgjidhet konkurrenti dhe pastaj vlerësohet projekti i tij.
Por ministrja theksoi se “ka ndodhur e kundërta: në vend që të fillohej procedura e përzgjedhjes së konkurentit dhe të paraqitej një projekt për t’u zhvilluar është miratuar projekti dhe më pas është filluar procedura për përzgjedhjen e subjektit”.
Ajo sqaroi se gjithë praktika, e zhvilluar ne dy faza te ndara secila nga njëra – tjetra, kishte te bënte me procedurën e miratimit te projektit teknik te rijetezimit te Kalasë Lezhe dhe me procedurën e ndjekur nga ish Ministria Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve, për përzgjedhjen e konkurrentëve, me qëllim rijetëzimin e kësaj zone.
”Procedura e dhënies me qira të Kalasë Lezhë në vetvete përmban një sërë shkeljesh të cilat konsistojnë në: mos legjitimimin e ish MK për të zhvilluar këtë procedurë, pasi MK nuk ishte administratore e Kalase se Lezhes kur KKR aprovoi projektin, dhe vetem pasi i kishte kryer keto procedura, Del VKM per kalimin e administrimit nga bashkia te MK; që nga koha që është zhvilluar procedura për përzgjedhjen e konkurrenteve për zhvillimin e rijetëzimit, nuk ka asnjë vendimmarrje të kësaj të fundit për miratim procedure, pra edhe kur u hap procedura e konkurrences ku u paraqit vetëm një kandidat, natyrisht subjekti i projektit të aprovuar tashmë më pare, nuk u mbyll e nuk kemi asnjë akt që të deklarojë fituesin; ky projekt nuk është hartuar në kuadër të procedurës së rijetëzimit parashikuar nga Legjislacioni në fuqi dhe Karta Restaurimit, ndërkohë që territori i brendshem cilësohet si një nëntokë me potencial të madh arkeologjik”, sqaroi ministrja.
Kumbaro deklaroi se KKR vendosi shpalljen absolutisht të pavlefshëm të aktit administrativ Urdhër të Ministrit nr. 27 date 1.2.2011 “Për rijetezimin e kalasë Lezhe”, si dhe Anulimin e procedurës se Rijetëzimit si një procedurë në hartuar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për sa argumentuar me lart.
Gjithashtu Ministrja Kumbaro bëri të ditur vendimet e marra për mbrojtjen e disa monumenteve, si më poshtë”
-Mbrojtje të parkut Gerladina të Burrelit, kërkesë që vjen nga vetë Bashkia
-Propozim për shpallje monument kulture, “Fortifikimin e një banese feudale” në rrugën Thoma Kalefi, Elbasan
-Propozim për shpallje ansambël historik parku Geraldinë në qytetin e Burrelit
-Propozim për shpallje zonë e mbrojtur rrënojat e kishës së Çiflikut, Sarandë.
-Propozim për shpallje zonë e mbrojtur Kalaja e Dorëzit.
-Propozim për shpallje zonë e mbrojtur Kalaja e Këlcyrës.
-Propozim për shpallje zonë e mbrojtur Qyteti në Triport, (Aulonë), Vlorë.
-Propozim për shpallje zonë e mbrojtur Kalaja e Kaninës, Vlorë.
-Propozim për shpallje zonë e mbrojtur Porto Palermo, Himarë, Vlorë.
-Propozim për shpallje zonë e mbrojtur Kisha e Ipapandisë, Dhërmi, Vlorë.
-Propozim për shpallje zonë e mbrojtur Kisha e Shën Stefanit, Dhërmi, Vlorë.