Rafaela Prifti/
“E kthyer në shpresë dhe frymëzim për brezat e tjerë, 11 Shtatori 2001 është bërë simbol i bashkimit, dinjitetit dhe krenarisë së çdo qytetari në SHBA,” thotë gazetari veteran në Nju Jork Beqir Sina në përkujtim të 22 vjetorit të kësaj dite.
Me momente heshtje, manifestime, ceremoni solemne dhe homazhe, Amerika sot përkujton goditjen nga terrorizmi në Nju Jork, Virginia, Shanksville, Pensilvani. Ky shkrim është bazuar te të dhënat përkujtimore për Mon Gjonbalaj, Roko Camaj dhe Simon Dedvukaj,
Mon Gjonbalaj, punëtor mirëmbajte me kompaninë ABM, mbante veshur çdo ditë uniformën e punës në kullën e Jugut të Qendrës Tregtare Botërore (World Trade Center’s South Tower) Në mëngjesin e 11 shtatorit Moni ishte në katin 86 të kullës. Pas përplasjes së aeroplanit UA 175, nuk kishte më mundësi shpëtimi për Monin. Në ato momente, babai i katër fëmijëve arriti t’i telefononte të birit Sal Gjonbalaj dhe t’i thoshte që të ishte i fortë dhe të kujdesej për familjen. Djali rrëfen se babai kishte dëshirë të punonte dhe vazhdoi të shkonte në punë edhe pasi e kaloi moshën e pensionit. Në 31 tetor Gjoni kishte 66 vjetorin e lindjes. Pothuajse gjysmën e viteve të jetës së tij, Moni ishte anëtar i sindikatës ndërkombëtare të punëtorëve të shërbimeve (SEIU), degës 32 BJ. Mon Gjonbalaj e kryente me përkushtim punën dhe e donte vendin e punës, për të cilën familjarët thonë se ishte për të si “shtëpi e dytë.” Ai kishte lindur në Shqipëri dhe emigroi në Amerikë. I lidhur me vendin dhe njerëzit, edhe si shtetas amerikan shqiptar, Moni shkoi për të dhënë ndihmën e tij në Kosovën e pasluftës.
Një nga artikujt personalë dhuruar nga i biri në vitin 2016 për koleksionin e muzeut të 11 shtatorit është uniforma e punës e Mon Gjonbalajt. Vizitorët që vijnë në kompleksin përkujtimor shohin krahas fotografisë dhe të dhënave jetësore edhe xhaketën e punës së tij në vendin ku janë lidhur përjetë ai dhe 2,989 të vrarë nga sulmet terroriste. (të dhënat nga Tara Prout 9/11 Memorial Exhibition and Registries Manager) Paraqitja e artikujve personale të viktimave që dhurohen nga familjarët janë pjesë e ekspozitave që freskohen herë pas here nga komisioni përkatës.
Libri për fëmijë i titulluar Risky Business (Punë me Rrezik) i kushtohet Roko (Rrok) Camajt. Puna e pastruesit të dritareve të Kullave Binjake të Manhattanit i shkonte për shtat Rokos që nuk frikësohej prej lartësive marramendëse të Nju Jorkut. Duke qenë aq lart mbi tokë, ai ndjente afërsinë me qiellin dhe thoshte “jam veç unë dhe qielli.” Në sulmin terrorist të vitit 1993, Roko arriti të shpëtonte një punonjëse të kullës e cila kishte mbetur e bllokuar tek pjesa e shkallëve të ndërtesës. Roko Camaj, babai i tre fëmijëve, humbi jetën në 11 Shtator 2001. Atë mëngjes në orën 9:15 ai i telefonoi të shoqes Katrina nga kati i 105 i kullës së jugut ku ai bashkë me 200 të tjerë kishin mbetur të bllokuar. Në pjesën e memorialit për të shkruhet se Roko erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1969 nga Mali i Zi. Camaj nisi punën për Shërbime të Mirëmbajtjes tek Kullat e Qendrës Tregtare në 1973. Në librin City in the Sky (Qyteti në Qiell) i cili citohet në memorial thuhet se 43,600 dritaret e kullave pastroheshin me një pajisje të posaçme me mekanizëm çikriku. Por dritaret e kateve të epërme të kullës jugore kishin panele më të mëdha për të pasur pamje më panoramike të platformës të Obzervatorit. Për këtë arsye, ato laheshin me dorë dhe ai që mund ta bënte këtë ishte Roko Camaj.
Simon Dedvukaj kishte ardhur nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara. I riu 26 vjeçar punonte si përgjegjës i mirëmbajtjes në Qendrën Tregtare dhe ishte anëtar i sindikatës ndërkombëtare të punëtorëve të shërbimeve (SEIU), Degës lokale 32 BJ. Shtatë vëllezërit dhe motrat e tij thonë se ai sakrifikonte veten për të ndihmuar të tjerët. Në pjesën e memorialit për Simon Dedvukaj shkruhet se ai udhëtoi në Shqipëri për tu njohur me një vajzë nga vendlindja për të cilën familjarët kishin dhënë pëlqimin për martesë. Elizabeta dhe Simoni do festonin përvjetorin e parë të martesës në tetor 2001. “Djali i Marash Kolë Mirit, Simon Dedevukaj – stërnipi i kryetrimit DedëGjoLulit, i cili udhëhoqi kryengritjet e para për pavarësinë e Shqipërisë, është një nga tre heronjtë shqiptarë që vdiqën më 11 shtator 2001. Ai, vdiq në moshën 26 vjeçare, duke u bërë një prej viktimave të sulmit terrorist,12 vjet më parë, teksa po punonte në katin e 95 të Kullës veriore në Qendrën Ndërkombëtare të Tregtisë, në tragjedinë, ku humbën jetën afro 3 mijë njerëz të pafajshëm,” kujton gazetari Beqir Sina.
Në kompleksin kushtuar 11 shtatorit 2001 janë emrat, fotot, përshkrime dhe artikuj personal të tyre për familjarët, komunitetin dhe vizitorët nga mbarë vendi dhe bota.