“Ende i kam të freskëta kujtimet e fëmijërisë e të rinisë për Prizrenin tim të dashur, të cilit ia kam kushtuar këngën time më të bukur: “Zambaku i Prizrenit” /
(Intervistë e Rajmonda Moisiut me kompozitorin e njohur prof. dr. sc. Akil Mark Koci)
Bisedoi:Raimonda MOISIU/
Prof. Dr. Sc. Akil Mark Koci, kompozitor dhe muzikolog, njëri ndër kompozitorët e parë që në veprat e veta përdori muzikën avangarde – atonale, i cili ndikoi shumë me shkrime, dhe me veprat e veta në rritjen e vetëdijes artistike të krijuesve shqiptarë, veçanërisht në tri dekadat e fundit, duke na sjellë vepra me tendenca të reja kompozimi dhe duke e plotësuar literaturën muzikore shqiptare dhe çka është më e rëndësishmja, ka ndikuar edhe në kultivimin e shijes së publikut. Ky krijues, deri më sot, edhe pse i ka 79 vjet jete, është në proces të realizimit të veprave të reja muzikore.
Kompozitori dhe muzikologu, z. Koci, që nga viti 1993 jeton dhe vepron në Londër, në Mbretërinë e Bashkuar, edhe pse në moshën e tretë, është mjaft aktiv në krijimtari. Me këtë krijues të njohur biseduam rreth jetës dhe krijimtarisë së tij, përherë aktive dhe të frytshme .
-Profesor Koci ju jeni një nga kompozitorët dhe muzikologët më të shquar të botës shqiptare. Sivjet kremtoni 79-vjetorin e lindjes dhe 56-vjetorin e krijimtarisë e të kompozimit të parë “Maca e vogël”, për korin e fëmijëve, kur edhe u ekzekutua dhe u botua. Kur e keni kuptuar se muzika është jeta juaj?
-Para se të përgjigjem në pyetjet tuaja, e nderuara Raimonda, le të më lejohet të them se po kënaqem me aktivitetin tuaj dhe gëzohem për punën që e bëni në të mirë të kombit, i cili, në këto kohëra të vështira, ka nevojë për të tilla siç jeni ju. Aktiviteti juaj i madh në lëmin e kulturës dhe të artit ndriçon kontributin që po i jepet zhvillimit dhe ruajtjes së pasurisë së mëdha që ka kombi ynë, shtimit të vlerave të tij shpirtërore dhe artistike. Ju falënderoj për ftesën që më bëtë për intervistën dhe do të mundohem të jap përgjigje në lidhje me pyetjet tuaja. Të falënderoj për respektin dhe fjalët e thëna për krijimtarinë time. Jam njëri prej shumë krijuesve që ka kombi ynë në dy shtetet tona dhe e artistëve të shumtë që jetojnë dhe veprojnë në diasporë. Ndaj, ne si krijues që veprojmë nën qiellin e huaj, jemi të detyruar t’i dëshmojmë vlerat me punë, jo vetëm veten si krijues, por edhe kombin të cilit i përkasim.
Rrjedh nga një familje Prizrenase dhe jam edukuar nga një babë (Marku) me tipare të forta autoritare me hierarki familjare-traditë shqiptare, i cili ka qenë i zellshëm në punë me sjellje të admirueshme në shoqëri dhe njohës i mirë i disa gjuhëve.
Këto aftësi e ndihmuan atë të punonte me shumë përkushtim nga vitet e dhjeta të shekullit të kaluar (1910), si përkthyes në Konsullatën e Austrisë në Prizren. Përkushtimi i tij ndaj traditës dhe edukatës së shëndoshë familjare ishte i madh dhe ai bashkë me nënën time, Paulinën (Tinën), e cila ishte një amvise e mirë, nënë e përkushtuar, me virtyte të larta kombëtare dhe krishtere e devotshme, na edukuan ne 12 fëmijëve, sa kishin lindur nga këta dy prindër. Pra, kam marrë edukatë nga prindërit e ndershëm, të cilët jo vetëm na flisnin bukur dhe qartë, por edhe kërkonin nga ne të thoshim vetëm të vërtetën, pa hipokrizi, të qëndronim larg intrigave, të kishim shpirt të pastër e të lirë dhe të mos harronim për asnjë çast identitetin tonë kombëtar në ato kohë të vështira për popullin tonë (Prej vitit 1938-41 kemi jetuar në Shkup). Pra, ndikimi i tyre ishte një frymëzim për aspiratat e larta arsimore dhe edukative për të ardhmen tonë… Kontaktet e para me muzikën artistike i pata që në fëmijëri. Aty nga mosha 10-vjeçare kam kënduar në korin e Konkatedrales së Prizrenit, të cilin e udhëhiqnin motra Angjelina dhe motra Ana; aty kam ndier kënaqësinë e muzikës dhe gjithnjë kam menduar se një ditë muzika do të jetë profesioni im jetësor, sepse për të parën herë kam ra në kontakt me veprat e kompozitorëve si janë Hajni, Moxarti, Bethoveni dhe të tjerët. Pra, falë kësaj edukate, muzika vlonte në ëndrrat e mia dhe kështu u orientova që profesioni im jetësor të jetë – muzika.
-Keni studiuar në Prizren, Prishtinë dhe keni vijuar më tej studimet për muzikë në Sarajevë. Si do t’i krahasonit këto tri eksperienca të jetës suaj?
-Me ju thanë të drejtën, edhe pse jam në moshën e tretë, dëshiroj ta theksoj këtë, sepse thonë: rinia bukuria, kurse pleqëri është kryevepër, dhe ende i kam të freskëta kujtimet e fëmijërisë dhe të rinisë në Prizrenin tim të bukur, të cilit ia kam kushtuar këngën time më të bukur “Zambaku i Prizrenit”, këngë që është bërë sinonim jo vetëm i krijimtarisë sime, por edhe koncept i bukurisë, e bukuria është ndër më të vështirat e të gjitha estetikave të lashta, moderne dhe bashkëkohore, sepse ajo është cilësi estetike për Platonin; dhe e bukura ka qenë formulë e shkëlqimit të së vërtetës. Në Prizren kam kryer shkollën fillore, gjimnazin deri në vitin e katërt, kurse gjysmë matura ka qenë me tri vjet, por unë e vazhdova, kreva vitin e katërt dhe u regjistrova në vitin e pestë dhe, aty kah gjysma e vitit, vendosa të çregjistrohem dhe të shkoj në shkollën e mesme muzikore, sepse shihja se nuk kisha zgjedhur orientimin tim, dhe se për mua muzika ishte jeta ime. U lajmërova dhe më pranoi drejtori kompozitori ynë i parë në Kosovë, Lorenc Antoni, pas një provimi pranues. Atëherë kuptova se e kisha gjetur drejtimin tim të jetës. Dhe mu atëherë kompozova këngën e parë “Maca e vogël”, e cila edhe m’u ekzekutua nga kori i shkollës muzikore, ku këndoja edhe unë bashkë me kolegët e mi. Kjo ishte kënaqësi e pa përshkruar, kurse kjo këngë e kompozuar edhe u botua. Dhe, po e them edhe një herë, se ishte kënaqësi e pa përshkruar kur kolegët, në fakt kori i shkollës, e ekzekutoi kompozimin tim të parë!
-Si i çmoni disa nga konceptet e kulturës suaj muzikore si: kompozimi, muzikë dhome, muzikë baleti dhe operistike, violinë dhe orkestër dhe organizator i koncerteve recitale, apo muzikologji? Cila është tema juaj e preferuar dhe pse?
Kam bërë shumë kompozime që nga këngët për fëmijë e deri te veprat skenike siç është baleti. Nga sa kam krijuar deri tash del se më së shumti kam 5 balete, pra, krijime skenike dhe muzikë kamertale. Dua të theksoj se e kam shkruar baletin e parë në Kosovë me titull “Sokoli e Mirusha”, luajtur nga Ansambli i baletit të Prishtinës dhe nga Ansambli i baletit të Sarajevës, dhe kjo është vepra e parë skenike duke përfshirë edhe teatrin që është luajtur dhe vendosur në skenë jashtë Kosovës nga autorë kosovarë në kohën e ish- Jugosllavisë. Pra, ishte një nder dhe krijim, se isha krijuesi i parë shqiptar nga Kosova që m’u luajt vepra nga një ansambël i huaj jashtë Kosovës. Dua të theksoj se kjo vepër u luajt edhe në Bienalen e muzikës moderne nga Ansambli i baletit të Prishtinës në Bienalen e Lubjanës.
Në krijimtarinë time nuk bëj ndonjë veçim, por kur kompozoj, vendos se për çfarë lloj ansambli kompozoj; pra nuk e veçoj asnjë formë muzikore. Edhe në tema të caktuara nuk përqendrohem, por bazohem në tekstin, në karakterin dhe në përmbajtjen e saj. Duhet të theksoj se burimet e zhvillimit të muzikës serioze shqiptare në Kosovë i gjejmë, fillimisht, në qytetin tim të lindjes – në Prizren, mu në kishën katolike të Prizrenit “Zoja Ndihmëtare”, pastaj në vitin 1948 hapja e shkollës së parë muzikore, shoqëria kulturore-artistike “Agimi” dhe radiostacioni i parë Radio-Prizreni si inklinacion edhe shkolla e parë e ulët muzikore e më vonë edhe shkolla e mesme muzikore… Kam kompozuar gati në të gjitha format muzikore duke filluar që nga këngët korale për fëmijë e deri te baleti si forma më e madhe muzikore.
-Muzikantët e mëdhenj të së kaluarës kanë theksuar se që të “piqen” artistikisht krijuesit e rinj, është e nevojshme të lexojnë diçka rreth tyre dhe rreth aktivitetit të tyre? Ju e përfillni këtë mendim në krijimtarinë tuaj?
Çdo krijues duhet të përcjellë rrjedhat e artit me të cilin merret, e, pra, është e domosdoshme të ecësh me kohën, edhe pse duhet pasur kujdes, sepse krijimtaria nuk varet nga ecuritë e larushisë së artit, por duhet ndjekur thelbin e tij. Kështu, bie fjala, edhe me vizitën e shumë manifestimeve, me specializimet e shumta në botën e jashtme, kam kuptuar se nuk bën të jesh jashtë ngjarjeve, jashtë kohës dhe vendosa të ecësh rrjedhave të muzikës aktuale botërore dhe jam i pari, ose ndër të parët, që i kam sjellë në Kosovë në veprat e mia, trendët e muzikës bashkëkohore, kurse krijimet e mia në muzikën atonale janë veprat e para në krijimtarinë e gjithëmbarshme shqiptare.
-Ju kanë quajtur promotor i jetës muzikore dhe bashkërendues i shumë manifestimeve muzikore në Kosovë e Shqipëri dhe një ndër themeluesit e Shoqatës së Kompozitorëve, Pedagogëve dhe Artistëve të Muzikës, Akordet e Kosovës, Skenën muzikore, Ditët e muzikës Kosovare, Shoqatën e Muzikologëve të Kosovës, Institutin e Etnomuzikologjisë Shqiptare e tjera? A mund të na përshkruani momente nga evenimentet mbresëlënëse artistike që ju keni organizuar? Dhe, si jeni ndjerë që keni realizuar suksese të tilla?
Kemi pasur fatin që gjenerata jonë e parë të merret edhe me organizimin e jetës muzikore. Kështu unë me kolegët kemi formuar shumë manifestime, festivale, koncerte dhe evenimente të ndryshme muzikore. Po përmend vetëm disa: Akordet e Kosovë, Festivalin e solistëve dhe të koreve, Ditët e Muzikës Kosovare, Skena muzikore, Festivalin e koreve të pionierëve e të rriturve, lokale dhe krahinore. Në fakt, ajo ka qenë edhe fatkeqësia jonë, sepse me to duhet të merren ekipe të tëra, kurse për një krijues ajo është humbje kohe. E, tash kur ka 23 vjet që jetoj në Mbretërinë e Bashkuar, shoh se asnjë krijues nuk merret me punë organizuese. Mund të jetë ndonjë kompozitor kryetar nderi, por organizator jo, sepse ekzistojnë ekipe të veçanta kurse për krijuesin e mirëfilltë është humbje kohë dhe është punë që nuk i shkon përdore krijuesit. Megjithatë, ne kemi bërë një punë të madhe në afirmimin, në krijimin dhe në prezantimin e muzikës sonë të kultivuar jo vetëm në Kosovë dhe Shqipëri, por edhe në botën e jashtme. Kështu veprat e mia janë ekzekutuar në mbi 70 shtete, po ashtu edhe veprat e kolegëve janë ekzekutuar në shumë manifestime botërore. Duhet të përmend se Filigranët II janë ekzekutuar në Bienalen e muzikës avangarde në Paris, kurse, siç e cekët më lart, baleti “Sokoli e Mirusha”, që është baleti i parë në Kosovë, është vënë në skenën e Teatrit Kombëtar të Sarajevës si vepër e parë e një krijuesi shqiptar duke përfshirë edhe dramën dhe format e tjera. Pra, është vepra e parë, në përgjithësi, që është luajtur nga një ansambël i huaj jashtë Kosovës.
-Po, si dirigjent me Orkestrën Simfonike keni punuar, në rast se po, kur e si ndodhi kjo?
Mjerisht asnjëherë dirigjuar, pos që gjatë studimeve kam punuar në Sarajevë si mësimdhënës i lëndës së muzikës, ku kam pasur obligim për të përgatitur korin e fëmijëve pranë shkollës ku punoja. Kjo më ka ndodhur edhe pasi u diplomova dhe fillova punën si kryeredaktor i programit muzikor dhe formove korin e parë të fëmijëve pranë Radio-Prishtinës në vitin 1962
-Ju gjithashtu keni dhënë koncerte në Evropë?
Jo, asnjëherë nuk kam dhënë koncerte, do të thotë nuk kam dirigjuar me ansamble; janë ekzekutuar veprat e mia në 70 shtete qofshin përmes radios, televizionit, koncerteve live nëpër festivale, bienale, por me dirigjue – asnjëherë nuk kam dirigjue!
-Kush janë disa nga kompozitorët e mëdhenj nga Epoka e Artit të muzikës botërore, në regjistrimet e të cilëve ju gjeni veten?
Janë të shumtë, kryesisht kompozitorët e shekullit të kaluar.
-Mekanizmi juaj kompozues është mbresëlënës. Në çfarë moshe keni filluar të mendoni në lidhje me teknikën, si ta përmirësoni atë dhe cili nga këta mekanizma në kulturën tuaj muzikore është më i vështirë për ju?
-Si ta përcaktoj këtë moment, por kthesa ime ka qenë pasi vizitova disa nga festivalet në botën e jashtme: Bienalen e Zagrebit, të Parisit, të Varshaves, të Opatisë Donaushingen e shumë e shumë të tjera nepër botë, pra edhe si pjesëmarrës dhe vendosa që të kompozoja në frymën e muzikës bashkëkohore, ndaj edhe veprat e mia u ekzekutuan në shumë manifestime të tilla.
-Dhe gjatë kësaj karriere mbresëlënëse, a jeni ndjerë ndonjëherë nervoz apo i lodhur… Një nga aspektet më interesante të punës suaj duhet të ketë qenë, me siguri, sfida e koordinuar me instrumentistët. Cili është sekreti i komunikimit të ideve tuaja me ta në një vepër muzikore?
T’ju them të drejtën nervoz jo, sepse punoj me dëshirë, por më lodhin dhe më bëjnë nervoz çështje të tjera, si, bie fjala, kur dimë se muzika si art ka luajtur një rol të madh në çdo shoqëri, pastaj në edukimin e brezave, por tani e ka humbur primatin, nuk e ka atë rol që kishte dikur; mësohet në shkolla sa për të thënë se e kemi lëndën e muzikës. Nuk ka veprimtari siç kanë qenë dikur koret, grupet e këngëtarëve, solistët, orkestrat që organizonin gara dhe manifestime të llojeve të ndryshme. Tash muzika në vend që të luajë rolin edukues, është shndërruar në biznes. Pra, konstatoj se muzika si e tillë, ia humb shijen receptuesit, e lëre më të edukojë, siç ka qenë dikur. Aspak më e mirë nuk është gjendja në Shqipëri. Po të ishin gjallë mendjet e ndritura, të cilat nuk i kanë munguar kombit tonë gjatë shekujve, padyshim do të habiteshin me të tilla marifete. Kompozitori dhe pianisti Xhorxh Enesku ka thënë: ”Muzika nuk buron nga asgjë… ose në qoftë se të kënaq shpjegimi, buron nga ndjenjat… Harmonitë, thellësitë e gjërave, janë jashtë analizës… Muzika është shprehje e pastër e një gjendjeje shpirtërore”. Ja, pra, kur t’i analizojmë këto thënie, do të shohim se sot s’kemi si të pajtohemi me gjendjen e mjerë që e kemi në këtë fushë.
Sa për sekretin e komunikimit – nuk komunikoj shumë, por punoj shumë, sepse gjithnjë kam besuar, besoj e do të besoj dhe do të punoj për të mirën e muzikës kombëtare, që është dhe ka qenë motoja e krijimtarisë së kompozitorëve tanë. Sido që të jetë ne nuk kemi ndonjë traditë të madhe, siç kanë popujt e tjerë në lëmin e muzikës së kultivuar. Për 60 vjetët e fundit është krijuar një fond i mirë i muzikës kombëtare, por, mjerisht, ende vazhdon ai avazi vjetër komunist në Shqipëri se nuk kemi koncerte të përbashkëta dhe krijimtaria e gjithëmbarshme e të dy shteteve nuk konsiderohet si muzikë dhe krijimtari shqiptare, por si muzikë e Kosovës dhe e Shqipërisë!
-Shpesh ju ka rastisur të bashkëpunoni e të bëni prova, kur janë ekzekutuar veprat tuaja, me artistë që nuk i keni njohur apo nuk keni dëgjuar më parë për ta. Si arrini ju të frymëzoheni me ndjenjën e “esprit de corps”?
Po, para 30 vjetëve kur më janë ekzekutuar veprat e mia në Këln, Shtutgard, Nju York,Opati, Zagreb, Beograd, Sarajevë…, nuk zinin besë se jam shqiptar nga Kosova, sepse kam një shprehje muzikore që dallonte nga kolegët e mi kosovarë dhe kam bërë një kthesë me të cilën janë befasuar edhe ata, por që nuk jam larguar nga prirjet avangarde, edhe pse ky nocion nuk ekziston, sepse është tejkaluar ai, por tani ekziston post modernia që bashkë dyzon të gjitha shprehjet, pra, ka një pluralizëm shprehjesh dhe mendimesh në krijimtari. Para ca kohe m’u ekzekutua një vepër në Londër dhe duke dëgjuar në prova veprën time, njëri prej kompozitorëve të njohur anglezë i thotë djalit tim, Arbrit, po babai yt para 30 vjetësh paska kompozuar më mirë se ne tani!
-Dua t’ju pyes se në ç’raport ka qëndruar folklori me rrjedhat e reja që janë në krijimtarinë botërore, kur dihet se folklori ynë, shqiptar, është mjaft i begatshëm?
Folklori duhet të jetë nxitje, preokupim, por jo dogmë, ligj, domosdoshmëri, sepse citimi i temave muzikore të huazuara nga folklori, krijon një ilaritet që nuk është në të mirën e folklorit, e as të krijuesit. Kanë kaluar ato kohëra kur folklori përfaqësonte frymën e një populli, sepse po të bazohemi vetëm në të, ku mbetet roli i krijuesit, ku është imagjinata e tij! Nga ana tjetër, nuk do të largohemi nga tabani kombëtar në aspektin e tingëllimës popullore, as kur të citojmë dhe të marrim tema popullore, por duhet të kem një qasje tjetër!
– Ju jeni ndër kompozitorët më të njohur shqiptarë: si e vlerësoni muzikën tonë?
Ju falënderoj për kompliment! Kam kolegë që janë, po ashtu, të çmuar dhe cilësorë. Sa i përket muzikës klasike, kemi mjaft vepra cilësore, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, por kemi edhe krijime “të dyshimta”, që e zhvlerësojnë krijimtarinë e mirëfilltë muzikore, pra si i thonë “muzikë tallave”, që nuk bëjnë gjë tjetër por turpërojnë kombin, madje, çka është më interesante, sot “tallavat” emetohen më shumë se muzika e krijuar nga krijuesit tanë në radio dhe televizion – pa kurrfarë kriteri!
-Ç’mund të na thoni në lidhje me kulturën muzikore dhe atmosferën artistike në Shqipëri? Po në vende të Europës si në Kroaci, në Britani të Madhe deri në SHBA – në Nju – York? Ҫfarë do të dëshironit të kishte bota shqiptare nga kultura muzikore e këtyre vendeve?
Një edukatë më të madhe muzikore në aspektin estetik, sepse kemi forca dhe krijues që ekzekutohen në manifestime prestigjioze në mbarë botën.
-Vërejmë fenomene të shëmtuara sot në muzikën shqiptare – si plagjiatura, deformim muzikor dhe komercializim që po zvetënojnë muzikën e mirëfilltë shqiptare dhe muzikën popullore. Liria që synojmë shpesh duket si e çoroditur. Si mund të ndihmojë shoqëria shqiptare që t’i zhdukë këto fenomene të shëmtuara?
Po ç’të them tjetër pos të kultivojë vlerat e mirëfillta e të qëndrueshme të etnosit kombëtar – ta përfillë vlerën dhe artistiken, dhe ta luftojë mediokritetin!
-Sipas mendimit tuaj, çfarë është qëllimi maksimal i artit?
Kompozitori i njohur Igor Stravinski ka thënë: ”Dua të dëgjoj muzikë të mirë, sepse ajo është vlera më e madhe e artit muzikor, pra muzika e mirë ka kuptim të gjerë dhe secili duhet ta zgjedhë atë sipas kritereve estetike.
-Çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen në punën tuaj?
Kjo është relative. Më pëlqen kur realizoj ndonjë vepër të mirë, edhe pse tani jam koncentruar në shkrime, kam botuar mbi 15 libra dhe, natyrisht, kam bërë edhe mjaft kompozime; nuk më pëlqen kur çmohen nga “muzikologët” krijuesit e dobët, që e shkatërruan, në emër të së resë, muzikën dhe krijimtarinë muzikore!
-Cili është ndryshimi, ndaj të cilit kemi nevojë, qoftë si individë qoftë si shoqëri njerëzore?
Ndryshimet janë të shumta duke filluar që nga edukata muzikore, që është larg së vërtetës e deri te prezantimi i veprave të dobëta si “krijime” muzikore, të cilave duhet t’u thuhet njëherë stop, porse kjo gjë është jashtë kompetencave tona, sepse ato “krijime” i udhëheqin ata që më së paku ia duan të mirën artit tonë muzikor – e kam fjalën për turbo-folkun dhe disa këngë të muzikës së lehtë.
-A po punoni në ndonjë projekt tash për tash? Bën ta thoni këtë shtruar para opinionit?
Po, si jo, artisti kurrë nuk pushon së punuari dhe ai del në pension vetëm kur shkon në amshim! Kam ca punime dhe porosi të kompozimeve këtu në Londër dhe në Zagreb, kurse edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, si duket, më kanë harruar dhe as nuk më informojnë për festivalet që mbahen në këto dy shtete!
-Kur jeni ndier krenarë për punën tuaj? Dhe pse?
Kur Orkestra simfonike e Radio Lubjanës, me dirigjentin e njohur Samo Hubad, ma ka ekzekutuar një vepër simfonike; kur e kam pasur premierën e baletit të parë në Kosovë “Sokoli dhe Mirusha”; kur kam zënë vendin e 6 në Bienalen e Parisit ndër më shumë se 200 kompozimeve; dhe kur Ansambli Accezantes nga Zagrebi ma ka ekzekutuar kompozimin Superstrukturat në më shumë se 30 koncerte anembanë botës.
-Sa ju mbështet familja në karrierën tuaj artistike?
Pa mbështetjen e saj asnjë krijues s’mund të bëjë gjë! Sidomos kam pasur mbështetjen nga bashkëshortja ime e ndjerë, soliste e muzikës popullore, Xhejlane Broqi, e cila më ka përkrahur dhe ka qenë frymëzim imi. Në atë kohë, derisa ishte gjallë, kam kompozuar 5 balete, mjaft vepra simfonike dhe shumë vepra muzikore, që janë ekzekutuar në 70 shtete, qoftë në koncerte live, qoftë përmes radios dhe televizionit. Pra koha kur ishte ajo gjallë, ka qenë koha më produktive në lëmin e krijimtarisë muzikore, kurse tani merrem me shkrime muzikologjie. Dhe, prapë po e theksoj, kam arritur të botoj mbi 15 libra!
-Mesazhi juaj për talentet e reja?
Punë dhe vetëm punë!
Kanë thënë për prof. Akil Kocin…
Shumë kanë thënë dhe janë shkruar për krijimtarinë time, por mendoj se nuk është vendi t’i ceki këtu; po të bëja një gjë të tillë do të ishte jo modesti, por që të gjitha ato ekzistojnë në 15 librat e mi të botuar!
Ju falem nderit!
Bisedoi: Raimonda MOISIU