ALFONS GRISHAJ/
Kujtimi Im/
Kujtimi im, meteor i shuar/
Në gotën shampanjë e helmuar,/
Të asaj kënge të epur, të fikur,/
Në botën tekanjoze ikur./
Më le të shkretë, në vetmi/
Brengë në shpirt, pa melodi./
Humbën përqafimet tua,/
Frymë e zjarrit në prag u shua./
Tani, mbuluar në harresë,
Në ethe të natës, pashpresë.
Oh, ti, dashuri! Sot demon…
Grish një tjetër, unë në akuilon!
Dhe pse u shite origjinale,
Trup e shpirt tjetrit ia fale!
Mbaj kujtim të pafajësisë
Zjarrin, puthjen e rinisë.
Rrëgjakur vello e pendesës
Do e skuq lëkurën e zbehur,
Mbi bar kristalet e vesës
Shkëlqimin tim, boten e dehur.
———————————————————-
Kjo poezi u shkrua në Zejmen, 30 vite më pare …(Origjinali)
Botohet për here të parë. Kjo poezi u afishua tek “Gazeta e Murit” në PD Shkodër…E kopjuan shumë studetë të “ Luigj Gurakuqit” dhe të shkollave të mesme…Njëra nga ato studente pat qenë dhe gruaja ime , Mirela Grishaj…
Dashuria Platonike
Si petale trëndafili
Buzët kish kjo bukurosha
Zemërflakë e ndjek bandilli
I palodhur pret n’një qoshe.
Dhe kur bjen shi e dëborë
I përvluari rri e pret
Si fakir që shtrin një dorë
Sa monedh’ në dorë t’i prek.
Rrugës ecën si sorkalle
Arom lulesh erëmon
Me bisht syut si kunalle
Shikon hijen që e gjurmon.
Eh , përdit me shpresë djali
Se dikur do ketë mëshirë
Kurr buzëgaz çupa s’ i fali
Dhe në ankth e la pahir.
Me shpirt djaloshi ishte prekur
Zemër k’putur shkoi me ngut
Poshtë ullirit , frymëhequr
Lutej, por perri’ s’u duk.
Vonë lëndinës vajza doli
Porsi dielli shënd e verë
Dhe kur hija s’e përcolli
U pik’llua, u bë vrer.
Tek po kthente skaj ulliri
Pa një varr të zbukuruar
Dhe në foto, shkrirë si qiri
Hija që e kish gjurmuar!
Diamant rrodh pik’ e lotit
Nga qërpikët-hala pishe
Përdëllyer iu lut Zotit:
“Merrmi hiret që më vishe!”
Hapin ndali n’ atë qoshe
Kur e priste ai dikur.
Ç’e vajtoi kjo bukuroshe
E pastaj s’u pa më kurrë!
——————————————
Kjo poezi u shkrua në “Shën Vasi” Sarandë , rret 28 vite më parë, dhe u botua në vitin 1995 në vëllimin me poezi : “Hapësira.”
Më Fal Një Lule
Më fal një lule
zonjëza ime,
ta qaj botën për vdekjen e saj;
më fal një të puthur
jeta ime,
se do shkoj i lumtur
pa dhimbje e vaj.
*Kjo poezi (tip madrigal), u botua në vëllimin me poezi “Hapësira” 1995 , kushtuar Mirela Grishaj (Gruaja ime).
DY POEZI NGA AGIM Dëshnica
-PER ZANAFILLEN
DHE GJUHEN SHQIPE –
ILLYRI!
Rend historia me hapa shekujsh, Illyri!
Në kohëra dyndet mjegull e zymtë
dhe pluhur gri shtrohet mbi gjurmë.
Bëmat e ndodhitë fshehin, Illyri!…
Rendin lumenjtë, përherë zhurmshëm,
Të katër detet, dallgë shkumbore
hedhin në ranë e mbi shkëmbinj
dhe lart në gryka vikamë e erës,
jehona zërash, nga lashtësi e thellë
tok me gojëdhanat,
mbërrijnë dhe gjemojnë.
Mister e terr mbulon gjithçka,
si reja qiellin.
Ndaj pluhur e re fshijmë, Illyri!…
Zbulojmë themelet, vatrat e puset,
lexojmë mbishkrimet,
gjallninë e herëshme, paqen e luftën,
me djersë e gjak.
Mbi tokë, nën tokë, në kodra e fusha,
mure, shkallare, urat mes honesh,
tempujt e faljes, kubetë e gurta,
artin ndër vazo, stolitë prej ari,
edhe shtatoret dhe përkrenaret,
edhe parzmoret, edhe mburojat,
shpatat kalitur bronz e çelik,
për madhështinë e shkuar
dëshmojnë, Illyri,
në hapësirat e tua!
I FALEM GJUHËS SHQIPE!
I falem gjuhës shqipe plot magji,
që zanafillën ka në lashtësi.
Në rrjedha çiltërish, larg mizorive,
ndesh me murranat, pranë dashurive,
ku deti valët shtyn e hedh puhinë,
e brazdë e jetës çan nëpër djerrinë.
Në malësinë e kullave e gurrave,
shtruar këmbëkryq në log të burrave,
me doke e zakone, gjykime e shestime,
ku bardët me ngulm sodisnin yje,
dëgjonin të heshtur zogjtë në pyje,
rreth sofre me bukë e kripë e zemër,
në rite dhe sjellje, me besë e nder.
I falem gjuhës shqipe plot risi,
që zanafillën ka në Perëndi.
Pranë vatrës, te rrëfenjë e ngrohtë e nënës,
në shpirtin e trazuar të gojëdhënës,
ndër ëndërrime e nën peshë të halleve,
në lutje, ndër këngë, në vrull të valleve,
ndër telat ngazëllyes të lahutarëve
e gumëzhitje e rreptë e lodërtarëve.
Ndër sokëllima trimash majë brigjesh,
kur qark “ ushtojnë lugjet prej ortiqesh,
prej ortiqesh kah po bijnë ndër gropa “-1
dhe Bernardini ndër loke e etër,
lumnoi e qau me penë e letër.
Në shqip, mbi djep fatia engjëllore,
kumtoi me dhimbje dramën arbërore,
që mbijeton në çdo rrebesh e shqotë
dhe gjurmë të kaltërt drite lë në botë.
Kjo gjuhë burrash e shtojzovallesh,
rrjedh si Valbona teposhtë zallesh.
Kjo gjuhë bilbili, britmë sokoli,
kumbon te Naimi, Fishta e Noli.
Kjo gjuhë Ilirie me rrënjë në lashtësi,
në gaz e vaj – e gjallë! Përjetësi!
———-
P.s.
- Copëz vargu nga rapsodia e
famshme“Martesa e Halilit.”
FASLLI HALITI SJELL PERKTHIMET:
JACQUES PRÉVERT
1900 -1977
KORTEU
Një plak i artë me një orë në zi
Një mbretëreshë e munduar me një burrë anglez
Dhe me punëtorë të paqes me tutorë deti
Një Hussar i kompanisë me një budalla të vdekjes
Një gjarpër kafeje me një mulli me syze
Një gjahtar me litar me një kërcimtar kokash
Një marshall prej shkume në pension me një llullë
Një foshnjë e salindur me fustan të zi me një zotëri në pelena
Një kompozitor për në trekëndësh me një varëse muzike
Një koleksionist besimi me një rektor fuçi
Një mprehëse Coligny me një admiral prej gërshërësh
Një murgeshë e Bengalës me një tigër të San Vincenzo të Pavlit
Një profesor porcelani me një axhustator filozofie
Një kontrollues i Tryezës së Rrumbullakët me kalorës të të Kompanisë së Gazit në Paris
Një rosë në Shen Elenë me një Napoleon gatuar me portokall
Një gardian i Samotrakës me një Fitore varrezash
Një rimorkiator i një familjeje të madhe me një baba në det të hapur
Një anëtar i një prostate me një ipertrofi të Akademisë franceze
Një kalë i fuqishëm në partibus me një peshkop të madh cirku
Një kontrollues me zë të bardhë me një kor të vogël autobus
Një kirurg i tmerrshëm me një fëmijë dentist
Dhe gjenerali i perlave me një hapës të Jezuitëve.
Përktheu: Faslli Haliti
WEI-LI-BO
PEMA E MAGNOLIAS
E Lodhur nga dita e ëmbël
e pranverës
në gjumin e saj
pema e magnolias
hap duart e bardha.
Mbi rrezen e hënës
pushon shkëlqimi i luleve.
Përktheu Faslli Haliti