Artan Nati/
Në peizazhin e gjerë të politikës, ku idealet përplasen dhe pushteti është qëllimi final, arti i manipulimit të masave është kthyer në një art të sofistikuar të kryer nga politikanët.
Është një lojë ku e vërteta shpesh bie në prapavijë, dhe linjat midis realitetit dhe trillimit mjegullohen në një tymnajë të errët propagande. Politika nuk është për ata që janë të ndershëm dhe racional, pasi politikanët përdorin një sërë taktikash, nga mashtrimi deri te paratë e pista, të gjitha këto në një përpjekje për të kontrolluar narrativën dhe për të lëkundur opinionin publik.
Pse liderët dhe politikanët tanë janë narcisistë? Mjerisht, kjo është natyra e bishës politike në Shqipëri. Në mungesë të rregullave të qarta demokratike është domosdoshmëri që të kesh tipare narcisiste për t’u ngjitur në majë të shkallëve qeveritare. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për njerëzit e ndershëm dhe të aftë të mbijetojnë në politikën shqiptare, të paktën deri tani. Përveç kësaj, një tjetër pasojë fatkeqe në të jetuarit në këtë shekull është se shoqëritë tona në Ballkan, por edhe më gjerë kanë arritur të vlerësojnë dhe madje të idealizojnë narcisizmin. Fakti është se të qenit karizmatik, manipulues, dinak dhe mungesa e ndjeshmërisë janë në thelb kërkesat e tyre të punës, por për të qenë të drejtë dhe jo shumë gjykues, jam i sigurt se edhe politikanët kanë shumë tipare pozitive, por në kushtet e shoqërisë tonë ata nuk shkojnë shumë larg.
Narcisi ishte fëmija i Cephissus, perëndia greke e lumenjve dhe nimfës Liriope. Cephissus përdhunoi Liriope, dhe kështu lindi Narcisi. Liriope projekton te djali i saj një përzierje dhimbjeje dhe dashurie. Prandaj ai rritet pa qenë në gjendje konceptualisht të përjetojë dashurinë pa dhimbje. Kur Narcisi më në fund beson se gjen dashurinë, ai e bën këtë duke vështruar në një lumë, një simbol i babait të tij grabitqar dhe përfundimisht bie në dashuri me një reflektim në një pellg uji, tragjikisht duke mos kuptuar ngjashmërinë e tij dhe i mahnitur prej tij, ai filloi rrihte gjoksin e tij në agoni dhe dëshpërim për t’u mbajtur larg kësaj d
ashurie të reflektuar duke shkaktuar vdekjen e tij dhe në vend të tij mbiu një lule që mbante emrin e tij. Çrregullimi i personalitetit narcisist, shpesh i referuar si “narcisizëm”, është një gjendje komplekse e shëndetit mendor dhe kurrë një zgjedhje personale. Ka shumë arsye pse një narcisist luan viktimën dhe lloji i narcisizmit me të cilin ata jetojnë mund të jetë i ndryshëm.
Tragjedia e Narcisit nuk është një fenomen i ri për shoqërinë shqiptare. Në fakt ne si komb kemi kaluar një tragjedi me pasoja që i vuajmë edhe sot. Komunizmi ynë i importuar nga sllavo-komunistët gjeti zbatim te narcisistët komunistë dhe më keq akoma te narcisisti malinj Enver Hoxha. Enver Hoxha si prototip i narcisistit malinj kishte një lloj çrregullimi të personalitetit në të cilin tiparet narcisiste përzihen me sjelljen antisociale, shpesh duke përfshirë agresionin dhe sadizmin. Narcistët tipik si Hoxha priren të kenë një ndjenjë të fryrë të rëndësisë së vetvetes dhe janë të preokupuar me fantazitë e fuqisë, suksesit ose bukurisë. Ashtu si Narcisi, Hoxha u rrit pa dashuri nga babai, të cilin kurrë nuk e përmend në kujtimet e tij dhe si pasojë ra në dashuri me veten, pushtetin dhe me fantazitë e tij, duke shkatërruar jetën e shumë intelektualëve, shtresës së pasur dhe përvojës parlamentare të shtetit shqiptar. Dhe pikërisht rënia në dashuri me vetveten dhe idealet komuniste solli shkatërrimin e sistemit komunist dhe jetës së shumë familjeve dhe pas këtij shkatërrimi mbiu lulja e demokracisë ashtu si mbiu lulja e Narcisit mbas vetëvrasjes së tij. Dhe lindi demokracia, por duhet thënë se kombi ynë, ashtu si Narcisi, ishte rritur pa dashuri dhe ishte në dhimbje të thellë si pasojë e komunizmit dhe si pasojë kjo dhimbje solli pasoja vetëshkatërruese, duke zgjedhur në krye të shtetit, të partive dhe institucioneve të vendit narcisistë të tjerë, jo aq të rrezikshëm si të komunizmit, por mjaft të dëmshëm që të shkaktonin në vend tragjedira si ajo e 97-tës dhe më tej vrasjet e 21 Janarit si dhe dhunën e madhe në vend, si edhe vjedhjen e korrupsionin masiv në vend dhe kjo si një formë e hapur narcisismi, për të grumbulluar pushtet, para dhe lavdi për vete, duke rënë në dashuri me veten në kurriz të varfërimit të njerëzve të thjeshtë. Kjo formë udhëheqje solli në krye të të gjithë institucioneve të vendit narcisistë dhe sociopath duke pasuar dhe me një klasë oligarkike dhe kriminale me tipare të theksuara narcisiste. Ata e shohin botën të ndarë në të fuqishmit dhe të pafuqishmit, ose të dhunuarit dhe abuzuesit. Dhe ata kurrë nuk duan të ndihen të pafuqishëm ose të keqtrajtuar përsëri. Ata duan fuqinë që kishin prindërit e tyre, por edhe më shumë. Sa më shumë që të jetë e mundur.
Mediat, që dikur shiheshin si roje të demokracisë, shpesh e gjejnë veten të ngatërruar në këtë rrjetë manipulimi. Politikanët, si kukullat, paguajnë mediat për të përhapur propagandën e tyre, duke i kthyer ata në shërbëtorë që shpërndajnë narrativa të krijuara me kujdes.
Burimet dikur të besueshme të informacionit përforcjnë mesazhet e atyre që janë në pushtet, ndërsa mbytin zërat kundërshtarë. Në këtë simfoni të orkestruar, e vërteta bëhet e pakapshme dhe qytetarët lihen të lundrojnë në një det dezinformatash. Mediat në Shqipëri nuk thirren me emrat e tyre, por me emrat e kryetarëve të partive që financojnë ato.
Duhet thënë se qeveritë janë një e këqe e domosdoshme në shoqëri, ne kemi nevojë që ato të vendosin rregulla dhe rend, por ato gjithashtu bëjnë dëm për mendimin tim. Duket sikur në Shqipëri si në kohën e komunizmit, por edhe në këto 34 vite demokraci vendi ynë është drejtuar nga narcisistët. Gjithashtu në botën perëndimore, në dekadën e fundit apo më shumë, ne kemi parë gjithnjë e më shumë tipare të narcisizmit në politikë. Mendoj se koha do të na tregojë se si toleranca dhe pranimi i narcisizmit nga shoqëria jonë moderne do të formësojë botën tonë.
Të gjithë kemi pak narcizizëm, duke menduar se jemi më interesantë se sa jemi në të vërtetë. A janë shumica e politikanëve në nivelin më të lartë të spektrit të narcizmit? Ndoshta më i lartë në krahasim me profesionet e tjera. Mendoj se çelësi është t’i mbajmë përgjegjës zyrtarët tanë të zgjedhur dhe të flasim për mënyrën sesi narcisizmi mbizotëron në politikë dhe se si kjo ndikon të gjithë ne. Historia na ka treguar herë pas here se ka rreziqe që lidhen me vënien në pushtet të njerëzve me tipare të larta të narcisizmit malinj dhe patologjik. Ne duhet të mësojmë nga kjo dhe të jemi shumë të ndërgjegjshëm se kush na përfaqëson në qeveri; ne nuk duam të përsëriten mizoritë e shkaktuara nga liderët me narcisizëm malinj dhe patologjik.