
Në Kishën e Shën Tomës në New York u mbajt meshë falënderimi në nderim të diplomatit të shquar amerikan, mikut madh të kombit shqiptar Ambasadorit të ndjerë Frank G. Wisner II. Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë krahas kryetarit të Vatrës Dr. Elmi Berisha, kryetarit të Prishtinës z.Përparim Rama, atdhetari Jim Xhema, patrioti Harry Bajraktari dhe familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore e atdhetare të cilët nderuan figurën dhe trashëgiminë e jashtëzakonshme të Ambasador Wisner.
Në këtë ceremoni solemne, u theksua roli i pazëvendësueshëm që diplomati Wsner pati në mbështetjen e çështjes shqiptare dhe në procesin e shtetformimit të Kosovës.
Kontributi i Ambasadorit Wisner në Kosovë ishte i gjithanshëm dhe me ndikim afatgjatë. Ai ndihmoi në ndërtimin e themeleve të shtetit të ri, përkrahu zhvillimin e institucioneve demokratike dhe punoi pa u lodhur për integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare. Si Përfaqësues i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara në bisedimet për statusin e Kosovës në vitin 2005, ai luajti një rol kyç në negociatat që çuan në shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Përkushtimi i tij ndaj parimeve të lirisë, drejtësisë dhe paqes ishte i palëkundur, dhe ai mbrojti me vendosmëri të drejtën e popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Në mesin e të pranishmëve, në shenjë mirënjohjeje për të nderuar jetën dhe veprën e Ambasador Wisner kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dëshmoi mirënjohjen e thellë që populli i Kosovës ndjen për Ambasadorin Wisner i cili do mbetet përgjithmonë në kujtesën kombëtare si një mik i çmuar dhe një mbështetës i palodhur i kauzës shqiptare.
Federata Vatra me rastin e 110 vjetorit të themelimit e nderoi dhe vlerësoi me “Mirënjohje” ambasadorin Frank G. Wisner për veprimtari të jashtëzakonshme e kontribut në shërbim të kombit shqiptar.