Nga Dr. Zejnepe Alili – REXHEP/
Fjalim i mbajtur nga Dr. Zejnepe Alili – REXHEPI, para bashkatdhetarëve në Koblenz të Gjermanisë, me rastin e themelimit të Lidhjes së Krijuesve Shqiptarët të Mërgatës, në Kuvendin e Parë zgjedhor./
Bashkatdhetarë, të nderuar!
Është një emocion i veçantë, që ndodhem në mesin tuaj!
Të dashur miq, krijues, të nderuar kuvendarë, ju përgëzoj për misionin tuaj madhor!
E me respekt të thellë, i përshëndes nismëtarët e këtij Kuvendi, tejet të rëndësishëm për unitetin e krijuesve dhe vlerave tona të përbashkëta. Ky manifestim, të gjithë neve, na bën që të ndihemi edhe më krenarë për mirëqenien tonë, që përmes identitetit kulturor të ruajmë identitetin kombëtar. Ju jeni atdhetarë dhe atdhetari nuk flet, por vepron, duke e mbledhur shpirtin dhe dijen e kombit, sepse për krijuesit e Mërgatës shqiptare, atdheu është “metaforë e dhimbjes dhe krenarisë kombëtare”.
Po ashtu, kam kënaqësinë e veçantë, të gjithë bashkëkombasve kahdo që ndodhen, në trojet etnike shqiptare apo si pjesë e Mërgatës, t’u përcjell urimet më të sinqerta nga Universiteti i Tetovës dhe shqiptarët e Maqedonisë, duke ju uruar 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit. Manastiri, qyteti i konsujve, 105 vjet më parë, ashtu sikurse edhe ju sot, hapi portat e mikpritjes së delegatëve që e përzgjodhën këtë qytet për të mbajtur Kongresin e Alfabetit Shqip.
Gjuha shqipe, ndër gjuhët më të lashta të familjes indo-evropiane, u bart nga njëri brez tek tjetri, për të arritur deri në ditët tona. Në këtë ecejake historike, gjuha e banorëve më të vjetër të Ballkanit, shqipja, u përball me sfida të jashtëzakonshme: pra, me sisteme të ndryshme shoqërore, që vendoseshin në trojet tona dhe e ndalonin përdorimin e saj, si dhe qendrat e relegjinioneve të shumta, të cilat e “mallkonin” gjuhën dhe shkrimin shqip.
Në frymëzimin e çdo krijuesi, atdheu dhe gjuha e kanë konstitucionin e vet shpirtëror, mbajnë vulën e kohës dhe shprehin identitetin e vet social e historik. Të paktën, këtë e mësojmë në ecejaket e shekujve, qysh atëherë kur murgu Brokard, theksoi lashtësinë e veprave shqipe, ndërkaq Pal Engjëlli, duke hedhur poshtë tezat armiqësore për shqipen si “gjuhë e mallkuar”, formësoi “Formulën e pagëzimit”, për të dëshmuar se shqipja është gjuhë e bekuar Perëndish”. Po këtë rrugë të vështirë e vijuan edhe: Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi e të tjerë… dhe sfidat e tyre të shumta u kurorëzuan me vlera të krijimtarisë letrare, që natyrisht erdhën nga përpjekjet e së kaluarës. Sukseset tona të sotme, u detyrohen përpjekjeve të paraardhësve tanë dhe gati një shekull më vonë, edhe Pavarësia e Kosovës.
Vlerat letrare shqiptare u kultivuan dhe u bartën shekuj me radhë nga vetë krijuesit, të cilët në rrethana të sundimeve të huaja, ishin burim frymëzimi për breza të tërë rreth kauzës kombëtare shqiptare. ”Atdheu”, ”gjuha”, ”flamuri” dhe ideali për ”liri”, mbeten lajtmotiv i krijuesve shqiptarë, që synonin ëndrrën shekullore, e ajo bëhet realitet më 1912, me lindjen e Shtetit të Pavarur Shqiptar.
Edhe letërsia e Rilindjes, u ngjiz si një koleksion simbolesh kombëtare që dekadë pas dekade e trevë pas treve, sinkronizonte një ide, një ideal e një synim. Kështu, ndjenja atdhetare e Pashko Vasës përbëhej nga slogani: Feja e shqiptarit është shqiptaria, i cili mbetet një mesazh i fuqishëm që i reziston kohës. Pason “Lahuta e malsisë”, ku Gjergj Fishta përmes një Kumti drithërues i këndon fatit të atdheut si në epopenë homerike. E në projektin e unifikimit të gjuhës dhe simboleve kombëtare vazhdojnë parreshtur: vëllezërit Frashëri, Asdreni, Noli, Konica…, e për shumë Rilindës të tjerë: atdheu i lirë është esenca e idesë së Pavarësisë.
Andaj, edhe nisma juaj, për të mbajtur Kuvendin e Parë të Krijuesve Shqiptarë të Mërgatës, nënkupton bashkëveprimin kulturor kombëtar, që në esencë përkon me idenë e Rilindësve, të cilët pikësynim kishin veprimin e unjësuar intelektual, për të rritur potencialet kombëtare rreth një qëllimi, si në sferën politike, ashtu dhe kulturore. Kjo dëshmon se në çdo kohë, vlerat krijuese shqiptare, pavarësisht hapësirave ku krijohen, reflektojnë variacione të ndjeshme atdhetare, ku qartë përvijohet ekspozeja e tërë kombëtare.
Atdheu, në frymëzimin e krijuesit e ka konstitucionin e vet shpirtëror, e mban vulën e kohës dhe shpreh identitetin e vet social e historik, duke e përvijuar fatin e tij. Arti letrar, krijohet dhe ekziston me vetë idenë e ruajtjes së identitetit të sotëm, me një trashëgimi nga e kaluara drejt së nesërmes e të përjetshmes. Kjo edhe i përjetëson simbolet e koshiencës kolektive të depozituara në kujtesën njerëzore.
Të dashur bashkatdhetarë, mbështetja për njëri-tjetrin, dhe dashuria pa kushte për atdheun do ju mbajë larg getoizimit…, me dëshirën që të shkëmbeni sa më shumë kulturën shqiptare me popujt ku bashkëveproni…, me këtë akoma më shumë do të mbrohet sovraniteti kombëtar!
Dashuria për atdhenë nuk matet me asgjë, ajo është si një ëndërr e pafrenuar. Se kur do të ndalet së shtegtuari kjo ëndërr, e të zërë vend në një Shqipëri me tjera përmasa gjeografike, nuk dihet, por një gjë është e sigurtë, se do të portretizonte zemrën e botës për të gjithë krijuesit shqiptarë. Uroj që Kuvendi i ardhshëm, t’ju gjejë edhe më të bashkuar se kurrë. Respekt e mirënjohje për traditën, historinë, dhe kulturën tonë!
Edhe një herë urime Ditën e Alfabetit Shqip!
Urime edhe festat tjera të Nëntorit!
Ju falemnderit!
E zgjodhi, Neki Lulaj