Që nga marrja e pushtetit nga xhonturqit, populli ynë do të kalonte tri vitet e tij më të vështira në historinë përfundimtare të pushtimit otoman.
Më 1909,1910,1911,shqiptarët patën përjetimet më të rëndat, me plot vuajtje njerëzore e kombëtare, shkaktuar nga ekspeditat e njëpasnjëshme shkatërrimtare dhe ndëshkimore të ushtrisë pushtuese turke, kundër shprehjes së pakënaqësisë së popullit tonë në trojet e veta etnike.
Të dërmuar nga reprezaljet e pareshtura perandorake, ata nga përkrahës të pa-rezervë, para marrjes së pushtetit, do të ktheheshin në kundërshtar të vendosur, pas ardhjes së xhonturqve në qeveri.
Madje, përpjekjet e pa suksesshme të elitës së atëhershme politike dhe intelektuale shqiptare, para refuzimeve kategorike xhonturke për njësimin e katër vilajeteve, krijimin e një shteti kombëtar dhe pranimin e tij si shtet autonom në kuadër të Perandorisë, siç ishte vepruar edhe nga shtetet tjera ballkanike, para arritjes së pavarësisë së tyre, detyruan deputetët shqiptar që gjendjen e tensionuar nga arenat e luftës, ta bartnin në Parlamentin perandorak otoman.
Atje dhe në atë kohë, siç dëshmohet edhe nga dokumentet historike, në seancën e tretë plenare të Parlamentit turk, mbajtur më 11 janar të vitit 1912, në emër të grupit të 25 deputetëve bashkëkombës dhe popullit shqiptar në përgjithësi, fjalën do ta merrte Hasan Prishtina, i cili me guxim dhe vendosmëri të rrallë, do të deklaronte; nëse edhe kësaj radhe nuk merrni parasysh kërkesat tona të arsyeshme, përsëritur disa herë këtu para jush, si përdorimin e lirë të gjuhës, njohjen e kombit dhe pranimin e shtetit autonom shqiptar në trojet e tij etnike, unë do të jem i pari, ai që me flamurin e lirisë në dorë, do ti prijë popullit tim, për çlirim nga Perandoria.
Sipas një shkrimi të Dr. Kristo Frashërit te “Ora e Shqypnisë” me titull “Hasan Prishtina: 11 janar 1912, fjalimi në Parlamentin turk”, i impresionuar nga fjalët e guximshme të tij, Ismail Qemali, menjëherë pas përfundimit të seancës plenare, do të shkonte në shtëpinë e Hasan Prishtinës, ku që të dy, thellësisht të brengosur, do të bisedonin kokë më kokë dhe gjerë e gjatë për gjendjen e rëndë në trojet shqiptare. (oraeshqypnise.blogspot.com /…/ hasan-prishtina-11-jan…)
Madje, pas shpërndarjes së Parlamentit turk, më 11 janar të vitit 1912,që të nesërmen më 12 janar të atij viti, Hasan Prishtina dhe Ismail Qemali do të takoheshin edhe një herë, në hotelin “Pera Palace”, ku do të merreshin vesh për mbajtjen e një tubimi të fshehtë me pesë-gjashtë deputet të besueshëm shqiptar.
Takimi do të mbahej mbrëmjen e po asaj date(12 janar 1912) në shtëpinë e Syrja Vlorës në lagjen Taksim të Stambollit dhe sipas vendit ku ai u mbajt, në histori do të njihej si “Kuvendi i Taksimit” në të cilin u mor vendim që të organizohej një kryengritje e përgjithshme kombëtare, për çlirimin përfundimtar të trojeve shqiptare nga Perandoria osmane.
Ndaj, nga Stambolli, Hasan Prishtina do të kthehej me urgjencë në Atdhe, në mënyrë që të niste sa më parë përgatitjet për organizmin e Kryengritjes, kurse Ismail Qemali do të ndërmerrte një udhëtim të gjatë nëpër kancelaritë Evropiane për marrjen e pëlqimit të tyre dhe përfitimin e mbështetjes për Shtetin e ri Shqiptar, pavarësia e të cilit parashihej të shpallej po atë vit.
Ishte koha kur Bajram Curri vepronte në Shkup, prej nga mbante lidhje të ngushta me të gjitha qendrat e vendit, dhe me tu njoftuar nga Hasan Prishtina për vendimin e marrë në “Kuvendin e Taksimit”, Shkupi do të kthehej në epiqendër të veprimit kombëtar, ku pa vonuar, ai me bashkëpunëtorët e tij do të formonin “Komitetin për Shpëtim” i cili kishte për detyrë organizimin e kryengritjes në të gjitha trojet shqiptare.
Për këtë qëllim,mbështetur edhe nga gjeneralët e tij,Bajram Curri, Isa Buletini, Zeqir Halili, Bajram Daklani e shumë prijës të tjerë të dalluar kryengritjesh,me nismën e Hasan Prishtinës nga 21 deri më 25 maj të vitit 1912, do të mbahej Kuvendi i Junikut,ku do të vendosej për shpalljen e Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare.
Menjëherë pas vendimit për nisjen e luftimeve, forcat kryengritëse, nga maji deri në fillim-gushtin e vitit 1912 do të çlironin shumicën e vendbanimeve më të mëdha dhe qytetet kryesore shqiptare.
Sukseset e një pas njëshme të Luftës së Përgjithshme, nxitën krerët e kryengritjes me në krye Hasan Prishtinën, që më 9 gusht të vitit 1912,ti paraqisnin Memorandumin e fundit komisionit qeveritar xhonturk, me një ultimatum prej 48 orësh, për plotësimin e kërkesave të shqiptarëve, para se kryengritësit ta çlironin edhe Shkupin.
Megjithatë qeveria kryeneçe xhonturke, nuk do tu kthente asnjë përgjigje atyre, ndaj luftëtarët shqiptar, tanimë të grumbulluar në Ferizaj, ndërmorën të gjitha masat e nevojshme paraprake për çlirimin përfundimtar të kryeqytetit të atëhershëm të Kosovës.
Me vendimin e Hasan Prishtinës,plani për çlirimin e Shkupit, do ti besohej Bajram Currit, ai ishte gjenerali që njihte më së miri kryeqytetin e Dardanisë, secilën pjesë dhe çdo rrugë e rrugicë të tij, ndaj pas çlirimit të Prishtinës, Bajram Curri me 6000 luftëtarë, ishte vendosur në Ferizaj, dhe priste sinjalin nga Hasan Prishtina për nisjen e sulmit.
Kurse për “Bajraktar” dhe arkitekt të ngritjes së Flamurit mbi Shkupin e lirë, ngjarjes më madhore që pas rreth 5 shekujsh sundimi turk,pritej të ndodhte ato ditë, zgjodhi Bajram Daklanin, i cili siç e thoshte edhe kënga; “ai e kishte adet, nga një Qaush me vra për vjet”, njëri nga prijësit më të besueshëm të kryengritjes, në radhët e udhëheqësve që kishin mësy Kryeqytetin Dardan.
Bajram Daklani, si udhëheqësi kryesor i luftës nga Krasniqja e Reka,bënte pjesë në grupin e rangut të prijësve madhor të kryengritjes së përgjithshme kombëtare, ndaj, Bajram Curri personalisht, do ta pajiste atë me një Flamur të madh Shqiptar dhe vinte në krye të 200 luftëtarëve, me detyrën që të hynte i pari nga të parët në Kryeqytet dhe vendoste Flamurin Kombëtar të fitores mbi Shkup.
Kështu edhe do të ndodhte kur më 12 gusht të vitit 1912,në krye të 200 bashkëluftëtarëve pararojë, nga Ferizaj do të futej triumfalisht në kryeqytetin e sapoçliruar të Kosovës, ku edhe sipas gazetës “Shkupi” të datës19 gusht të vitit 1912, pas 500 vjetësh sundimi turk, Bajram Daklani i pari do ta ngrinte lartë dhe me krenari, Flamurin Kombëtar të fitores.
Ndërsa Hasan Prishtina dhe udhëheqësit kryesor të kryengritjes; Bajram Curri, Isa Buletini, Idriz Seferi, Mehmet Deralla, etj., nga 13 gushti do të arrinin njëri pas tjetrit në Kryeqytetin Dardan, në të cilin do të vërshonin mbi 30 mijë luftëtarët shqiptar nga të gjitha anët e trojeve shqiptare, anipse shumica nga ta, pa armatim të duhur apo edhe vetëm me nga një thikë a kobure në brez, por ushtarë të vendosur të cilët kishin vendosur të luftonin me të gjitha mjetet, për çlirimin e vendit të tyre.
Pas çlirimit të kryeqytetit të Kosovës, Udhëheqja Shqiptare e luftës, si në Shkup ashtu edhe në qytetet e tjera të çliruara shqiptare do t`i shkarkonte të gjithë qeveritarët dhe administratorët turq, duke liruar nga çdo funksion edhe përkrahësit e mbetur fanatik të Perandorisë së shuar osmane, pushtueses së kamotshme të shqiptarëve.
Kurse Bajram Curri, pasi mori postë-telegrafin, ai me bashkëluftëtarët e tij, liroi nga burgu edhe rreth 1000 të burgosurit shqiptarë, të mbyllur pa të drejtë nga xhonturqit atje, qysh para çlirimit të vendit.
Pas çlirimit të Shkupit si kryeqytet i vilajetit të Kosovës, do të trazohej e gjithë qeveria xhonturke, madje kjo ngjarje historike për kombin dhe popullin shqiptar në tërësi, do ta rrëzonte edhe vet kryeministrin e atëhershëm të Perandorisë osmane, Seid Pasha-in, nga pushteti perandorak.
Fatkeqësisht, suksesit të kryengritësve shqiptar, nuk do tu gëzoheshin si pushtuesit otoman,ashtu edhe Rusia si dhe vendet hegjemoniste përreth, me ç ‘rast, sipas Dr.Hakif Bajramit, vetëm tri dit pas ngritjes së Flamurit Kombëtar në Shkup, më 15 gusht të vitit 1912,nga Beogradi në Shkup do të arrinin tre diplomat të lartë evropian, një rus, një anglez dhe një austriak.
Ata, në vend të urimit për çlirimin e vendit, do tu dorëzonin shqiptarëve një ultimatum, me të cilin kërkonin ndalimin e të gjitha luftimeve, çarmatosjen e menjëhershme dhe demobilizimin e të gjithë kryengritësve, me arsyetimin se shqiptarët do ta kishin të drejtën e gjuhës dhe shkollimit, por nuk do të pranohej ndryshimi i kufijve të Perandorisë me forcën e armëve.
Hasan Prishtina me gjeneralët e tij, Bajram Currin, Isa Buletinin, Idriz Seferin, Bajram Daklanin etj, do të ngulnin këmbë në të drejtën e çlirimit të vendit dhe formimin e shtetit kombëtar, siç kishin vepruar edhe popujt tjerë më përpara.
Ndaj ,sipas historianit Dr. Hakif Bajrami, në Shkup dhe rrethinë për 4 ditë me radhë, do të thirrej gjendja e jashtëzakonshme, kohë kur pas ndërrimit të kryeministrit turk, më 18 gusht të vitit 1912 do të arrinte edhe përgjigja e qeverisë perandorake, sipas së cilës, do të pranoheshin,12 nga 14 pikat e parashtruara në emër të popullit shqiptar, nga Hasan Prishtina.
Me këtë vendim, mjerisht vërtetohej edhe një herë më tepër se edhe në momentet e fundit, kur Perandoria otomane jepte shpirt, turqit ende refuzonin njohjen e kombit tonë dhe pranimin e shtetit autonom shqiptar, qoftë edhe në kuadër të Perandorisë së tyre, tashmë në grahmat e fundit të vdekjes.
Dy pikat e refuzuara, ishin kërkesat për njohjen e kombit dhe pranimin e shtetit. Ato ishin kërkesat kryesore dhe kishin domethënie të veçantë për ardhmërinë e Shqipërisë dhe Popullit Shqiptar në përgjithësi, për të cilat, më shumë se për gjithçka tjetër kryengritësit gjatë gjithë kohës kishin luftuar dhe ishin përpjekur pa reshtur duke dhënë çdo gjë nga vetja. Ndaj, mospranimi i tyre vinte tërësisht në pikëpyetje edhe ekzistencën e shqiptarëve në Ballkan.
Madje “mikja jonë e madhe“Turqia, “dashurinë” e saj të pashuar për popullit tonë e ka ruajtur pothuajse të njëjtë si dikur, të plotë dhe të pa lëkundur qysh nga shekujt e gjatë nën pushtimin e saj. Ajo, nga atëherë,nuk ka ndryshuar fare mendje as qëndrim ndaj këtij kombi dhe njëjtë si para shumë shekujsh, as tani nuk ua njeh gjuhën as pranon kombësinë miliona shqiptarëve, të cilët ende, edhe sot e kësaj dite, ndoshta si i vetmi popull në Turqi dhe rajon, jetojnë pa të drejta kombëtare dhe pa asnjë shkollë të vetme në gjuhën e tyre.
Perandoria turke edhe në muajt e fundit të vitit 1912,dhe pothuajse fundin e vet ekzistencës si perandori, në vend sa ta njihte dhe pranonte Shtetin tonë të Pavarur, vazhdonte edhe më tej, me kokëfortësi të deklaronte se si tokat shqiptare i takonin Perandorisë së saj.
Ndaj, pretendimi turk mbi trojet tona, u kthye në fatkeqësi për shqiptarët dhe pretekst për Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe Bullgarinë, të cilat, në emër të “çlirimit” të popujve ortodoksë nga shteti “osman” të ndihmuara poashtu nga Rusia ,në tetor të vitit 1912, do ti shpallnin luftë Turqisë, për të pushtuar me forcën e armëve, tokat shqiptare.
Atëbotë, edhe të ashtuquajturat Fuqi të Mëdha si Rusia dhe Franca nuk pranonin krijimin e asnjëfar shteti shqiptar, sado i vogël dhe i kufizuar qoftë ai, kurse Anglia dhe Italia, nuk pajtoheshin me formimin e një shteti të pavarur në hapsirat e kufijve të Shqipërisë etnike në Ballkan.
Ndaj, megjithëse më 28 Nëntor të vitit 1912, Shqipëria do të shpallte Pavarësinë kombëtare dhe kërkonte njohjen e shtetit të sapo-shpallur si dhe tërheqjen e ushtrive pushtuese të shteteve fqinje, të cilat pothuajse kishin zaptuar të gjitha trojet tona kombëtare nga të katër anët, Fuqitë e Mëdha, për rreth një vit, gati sa heshtën fare.
Kurse pas një viti, po ato do ti shpërblenin -jo shqiptarët, por agresorët me më tepër se gjysmën e trojeve tona të pushtuara që më parë duke pranuar vetëm rreth gjysmën e mbetur të tyre, si gjysmë-shteti shqiptar, sipas vizatimit famoz më datën 29 korrik të vitit 1913, nga ambasadorët e Fuqive vendimmarrëse në Konferencën e Londrës.
Megjithatë, që nga koha e shpalljes së Pavarësisë u dashtë shumë mund e përpjekje, madje edhe luftëra të brendshme e të jashtme për mbrojtjen e këtij shteti edhe aq sa ai ishte, nga armiqtë e shumtë të cilët synonin zhdukjen e tij.
Madje, edhe përpjekjet e brendshme pa ndihmën e miqve të mëdhenj e besnik nga jashtë, siç u dëshmua disa herë gjatë historisë nuk do të mjaftonin pa ndërhyrjen e tyre ,siç ishte rasti me mbështetjen e vendosur të Presidentit Wilson Widrow në konferencën e Paqes më 1919 në Parisë, kohë kur ende tentohej copëtimi edhe i asaj pjese të mbetur brenda kufijve të Shqipërisë londineze.
Kontribut të madh në këtë drejtim do të ipte Vatra në Amerikë e cila nga atje me zjarrin e pa shuar kombëtar, ngrohte zemrat e të gjithë shqiptarëve me përpjekjet e saj, jo vetëm duke zhvilluar fushatën e mirënjohur nga qershori i vitit 1917, për shpëtimin e Atdheut gjatë luftës së parë botrore, por edhe duke lobuar deri tek kryetari Amerikan Winston Wodrow.
Kohë kjo- kur Fan Noli i frymëzuar nga takimi me Presidentin Winston dhe premtimet e tij për mbrojtjen e Shqipërisë, do të shkruante vargjet famoze të mbetura testament në histori, të cilat edhe sot e kësaj dite me dëshir dhe besim këndohen nga shqiptarët kudo:
“Mbahu Nëno mos ke frikë
Se ke djemtë në Amerikë”.
Megjithatë,Fuqitë e Mëdha pas Luftës së Parë Botërore kërkonin rishikimin e kufijve dhe ndarje të reja në Ballkan, ndaj në qershor të vitit 1919, në prag të mbajtjes së Konferencës së Versajës,Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Woodrow Winston,në emër të shqiptarëve edhe Hasan Prishtina do ti dërgonte një letër për mbrojtjen e Shtetit Shqiptar ende të pa mëkëmbur si duhet, i cili rrezikohej me copëtime të mëtejme,nga Greqia dhe Italia që tanimë kishte pushtuar Vlorën.
I entuziazmuar nga përpjekjet e pareshtura kombëtare, patrioti Sotir Kolea,në gazetën dyjavore shqiptare,”L`Albanie”, e cila botohej në gjuhën frënge në Lozanë të Zvicrës, do të shkruante;populli ynë nuk do të gjente përfaqësues më besnik se sa grupi i atdhetarëve të udhëhequr nga Hasan Bej Prishtina”.
Kështu që,festa jonë-28 Nëntori, përveç si festë gjithëkombëtare, është edhe një ditë nderimi dhe mirënjohjeje të veçantë ndaj mikes tonë të madhe- SHBA-s, me falënderimet më të mira,si për Presidentin e28-t, të saj, Winston Wodrow, i cili më 1919 në Konferencën e Versajës, mbështeti vendosmërisht Shqipërinë dhe garantoi ekzistencën e saj,ashtu edhe për Presidentin Bill Klinton dhe George W. Bush, si dhe Shtetin mik të Amerikës në përgjithësi.
SHBA edhe në kohët më të reja ndihmoi Dardaninë e vjetër dhe shpëtoi popullin e saj shqiptar nga tërbimi serb,e cila në krye të NATO-s, me sulmet 78 ditëshe-ajrore nga 24 marsi i vitit 1999, gjunjëzoi Serbinë dhe detyroj tërheqjen e saj si okupatore nga Kosova.
Poashtu,edhe mëvetësinë Kosova do ta arrinte vetëm pas deklarimit të Presidentit Amerikan George W. Bush,me rastin e vizitës së tij më 10 qershor të vitit 2007, në Shqipëri, i cili garantoi të gjithë shqiptarët, se ajo së shpejti do të jetë e pavarur.
Ndaj, 28 Nëntori,ashtu siç është një festë gëzimi për të gjithë ne, është edhe një ditë falënderimi me pietet për miken më të madhe të popullit tonë-SHBA-t, si dhe një datë kujtimi për të gjithë ata të cilët që nga vitit 1878,e këtej luftuan për lirinë dhe dinjitetin e të gjithë shqiptarëve, mbajtën gjallë shpresat e tyre se një ditë edhe ne do të jetojmë në një shtet të pa varur dhe të përbashkët kombëtar,duke dhënë jetën dhe sakrifikuar çdo gjë nga vetja që ne sot të jetojmë të lirë. Gëzuar!
Gani Bajram Qarri,28 Nëntor 2014 Cyrih