Flamur VEZAJ/
Kjo është motoja me të cilën *Albanian’s Fighting Cancer* mblodhi së bashku komunitetin shqiptar të Massachusetts në një mbrëmje gala të organizuar në “New England Conservatory”, ku për më shumë se dy orë, në sallën “Jordan Hall” të këtij institucioni të rëndësishëm dhe historik të Bostonit, interpretoi tenori i famshëm shqiptar nga Kosova, Rame Lahaj, i shoqëruar nga kompozitori dhe pianisti Genc Tukiçi.
Pikërisht në këtë mbrëmje të bukur shqiptare në mes të Bostonit dhe nën tingujt e pianos së mjeshtrit Tukiçi dhe zërit virtuoz të tenorit Lahaj, organizata me misionin e saj fisnik *Albanian’s Fighting Cancer* festoi 5-vjetorin e saj!
Në emër të *AFC*, në skenën e bukur të Jordan Hall foli presidentja dhe një nga themelueset e kësaj organizate të rëndësishme për komunitetin shqiptar, znj. Roberta Panariti. Ajo kujtoi qëllimin e krijimit të *AFC* dhe renditi punën e palodhur të gjithë bordit drejtues në misionin e tyre fisnik për të ndërgjegjësuar komunitetin shqiptar në parandalimin dhe ndihmën ndaj të prekurve nga sëmundjet kancerogjene. Sipas znj. Panariti, *AFC* prej 5 vitesh, me ndihmën e komunitetit shqiptar të cilët kanë kontribuar me dhurimet e tyre, jo vetëm ka ndihmuar pjesëtarë të komunitetit për të përballuar shpenzimet për trajtimin e sëmundjeve kancerogjene, por ka ndërtuar dhe ndihma spitalore në Kosovë dhe Shqipëri. Ajo theksoi se e gjithë puna e bordit të *AFC* është vullnetare, duke i bërë thirrje komunitetit që të vazhdojë të dhurojë për *AFC*, pasi çdo fond dhe qindarkë do të shkojë për njerëzit në nevojë, këtu në SHBA, Kosovë dhe Shqipëri!
Për të përshëndetur këtë event të rëndësishëm, tashmë të organizuar çdo vit nga *AFC* në skenën e famshme të Jordan Hall, u ftuan drejtues të organizatave të rëndësishme në Boston dhe më gjerë. Në emër të fondacionit “Kosloski Family” foli znj. Fotoni Allteni/Kosloski, e cila vlerësoi lart punën e *AFC* ndër vite. Z. Sokol Lushollari foli në emër të *MassBesa*, duke premtuar vazhdimin e bashkëpunimit me *AFC*! Ndërsa në emër të *Vatrës*, dega në Boston, që ishin edhe promotorë të këtij eventi, foli kryetari, Z. Mentor Maksutaj. Ndër të tjera, ai kujtoi se Fan Noli, një nga themeluesit e *VATRA-s*, diplomoi 86 vite më parë në këtë institucion të rëndësishëm të muzikës në Boston, siç është *New England Conservatory*. “Ne sot, tha z. Maksutaj, jemi bashkuar të gjithë këtu pranë *AFC* për të dhënë ndihmën tonë, sado të vogël, para kësaj organizate me mision fisnik që për 5 vite ka ndihmuar dhe vazhdon të ndihmojë njerëzit e komunitetit tonë të ndërgjegjësohen dhe të luftojnë sëmundjet kancerogjene. E ne si *VATRA* do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtësisht për të gjitha projektet në vazhdim!”
Skena e sallës Jordan Hall në Boston më pas vazhdoi me meloditë e pianos të luajtura nga kompozitori i famshëm shqiptar Genc Tukiçi, që shoqërohej nga tenori Rame Lahaj me zërin e tij virtuoz!
Në një repertor të zgjedhur me kujdes, tenori Lahaj disa herë ngrohu sallën e mbushur me shqiptarë, të cilët e shoqëronin me këngë të kompozuara nga Çesk Zadeja, si “O ju male”, apo kompozime të bukura shqiptare si “Moj e bukura more”, “Me ka shku mendja me u feju”, “Kroi i fshatit tonë” e shumë të tjera. Nuk munguan kompozimet e italianëve të famshëm si Giacomo Puccini dhe Giuseppe Verdi, apo ato të kompozitorit spanjoll Pablo Sorozábal. Të dy së bashku, Lahaj dhe Tukiçi, ndezën sallën disa herë me shoqërimin e këngëve të tyre!
Në fund të koncertit, vetë tenori Rame Lahaj vlerësoi lart punën e *AFC* dhe shprehu falënderime për ftesën! Ai tha se ndihet i nderuar që është në Boston, në këtë sallë të bukur të “Jordan Hall” të *New England Conservatory*, dhe do të jetë i pranishëm sa herë të ftohet për kauza të tilla të rëndësishme për jetën! Edhe pianisti Genc Tukiçi vlerësoi shumë punën e *AFC* dhe tha se me dëshirë të madhe do të pranonte të bëhej edhe qytetar i Bostonit, që të mos largohej nga ky komunitet i shkëlqyer!
Në fund, eventi u mbyll nga Dr. Agim Aliaj, anëtar i bordit të *AFC*, me fjalët e bukura: “Në emër të shqipes u mblodhëm bashkë, në emër të shqipes do të jemi të bashkuar, dhe në emër të shqipes do të vazhdojmë misionin e *AFC* me moton ‘Nga të gjithë për të gjithë!'”