


Nga Ramazan Çeka/
Një nisëm e veçantë dhe një risi e re e “Mjeshtrit të Madh”, humoristit Shkodran, Sandër Ruçi.
Risia nis hapsirën e re të komunikimit me publikun, në ambjentet e shtëpisë së Sandrit, si një Oaz artistik që i shtohet Shkodër Loces tonë, qytetit të tij të zemrës. Në këtë inagurim të studios së re, Sandri bëri bashkë emra të mëdhenj të humorit, këngëtarë, poetë, simpatizantë, artëdashës, shumë miq dhe bashkëpunëtor të artit dhe kulturës, por dhe mediat që vlerësuan dhe nderuan këtë nisëm të veçantë të aktorit të njohur shkodran, humoristit, Sander Ruçi, këtij mjeshtri të rrallë, me një performancë gjithnjë e më të ndritur edhe pse jeton prej disa vitesh në Jacksonville, Florida të SHBA, asnjëherë nuk i ka shkëputur lidhjet me qytetin e tij të lindjes.
Duke u takuar me të gjitha kategoritë e njerëzve, ai u shpreh se, këto momente magjike që po kalon mes tyre, po më zgjasin jetën, ndaj i falenderoi me shumë përulje. Këtë respekt Sandri ia kthei me kënaqësi në këtë natë të inagurimit të RADIO “ESENCË”.
Festa me miq dhe me shokë vazhdoi si të ishte një spektakël.
Ai u rikthye në Shkodër jo vetëm për ta vizituar e për t’u çmallur me të afërmit, me shoqërinë e me kolegët, por edhe për të treguar se talenti i tij nuk ka shterruar, përkundrazi me një buqetë skeçesh, parodish, monologjesh humoristike dhe satirike u ngjit disa herë në skenën e Teatrit “Migjeni”, me recitalet e tij, duke sjellë një performancë që edhe nga ana regjisoriale kishte risi.
Është vërtetë bukur kur artistët punojnë për kontributin e punën e tyre. Ky është një tregues i vlerësimit të një karriere të gjatë, jo vetëm nga spektatorët si vlerësimi më i mirë, por edhe i institucioneve.
Në këtë nismë, krahas becgraundit të shumë llojshëm artistik, Sandri jo rastësisht është edhe para mikrofonit në Studio, pasi ai ka një eksperiencë rreth katër vjeçare në Radion lokale, siç është ajo e Radio Shkodrës, ku emisioni famëmadh humoristik “100 fjalë për nji parë”, që Sandri e ka udhëhequr me mjaft kompetencë, ka mbetë si një gurë i çmuar në arshivën e Radio Shkodrës.
Por Sandri nuk ndalet në rrugën e tij brilante. “Esencë” është radio më e re në Shqipëri që i shtohet Shkodrës dhe që Sander Ruçi të gjitha paisjet elektronike i ka sjellur nga Amerika dhe ka vendosur të vijë ndryshe këtë herë tek publiku, me aromen puro shkodrane.
Si president i kësaj Radio, Sandri e ka ideuar dhe realizuar mbi bazën e përvojës shumëvjeçare që ka fituar në SHBA, duke qenë zyrtarisht shtetas amerikan, kjo radio do jetë e hapur për larmi të pafund vlerash, ku humori është në krye të vëndit, me përjashtim të politikës që do ti mbyllet dera.
Atmosferen e kësaj mbrëmje, Shkodra e përjetoi me shumë emocion, kur Sander Ruçi deklaroi kthimin e tij në Shkodër, i cili kishte kohë që përgatitej për t’i dhuruar qytetit të vet, artëdashësve të mrekullueshëm shkodranë këtë Radio, e para e këtij lloji dhe mund të themi pa ndrojtje që ishte një arritje në rradhë të parë personale, pasi ai është autori i shumë materialeve letrare, regjisor dhe aktor brilant që natyrisht inagurimi i kësaj Radio, do bëjë të mundur që Sandri përmes gërshetimit edhe disa projektimeve përmes kësaj Radio do të pasqyrojë fragmente dhe kuriozitete nga jeta e njerëzve të ndryshëm që janë kushtuar artit dhe skenës.
Sandri si krijues që me karakterin e tij, zhdërvjellësinë, sigurinë aktoriale e mbi të gjitha talentin e tij ka një marrëdhënie komunikimi të habitshme dhe të pakrahasueshme me një tjetër, me publikun. Ai i bën për vete, i elektrizon dhe si të thuash, entuziazmon, e çon në këmbë edhe spektatorin më indiferent. Salla për aq orë e minuta që zgjat shfaqja, shpërthen me duartrokitje dhe ovacione të shoqëruara me të qeshura të çiltra, ku mund të shprehemi shkodrançe “Kam qesh me lot”.
Me talentin e tij të fuqishëm si aktor, regjisor dhe menaxher ai përfaqësohet denjësisht para publikut artëdashës Shkodran, duke dëshmuar e rrezatuar fuqishëm mesazhin frymëzues për gjithë bashkatdhetarët e vet dhe për gjithë miqtë e dashamirësit tanë se sa talente të shkëlqyer ka nxjerrë dhe vijon të nxjerrë nga gjiri i vet, të formojë dhe edukojë kombi i talentuar shqiptar.
Me këtë rast edhe ne i urojmë “Mjeshtrit të Madh” Sandër Ruçi suksese për për këtë risi të veçantë, dhuraten që i bëri Shkodrës, RADIO “ESENCË”, si një produkt i karrierës së tij artistike, duke e falenderuar për punën e palodhur dhe përkushtimin e madh që tregon herë pas here për publikun e mrekullueshëm shkodran, duke dhuruar edhe humor brilant e bashkëkohor me nivel të lartë artistik.
Shtator 2023