
NGA MARJANA BULKU/

Miqësitë e vjetra janë një ushqim jo i pakët shpirtëror i njeriut në kushtet në të cilat na ka vendosur lëvizja e lirë dhe sistemi global që përjeton sot bota. Ne ishim mësuar të jetonim pranë e pranë duke i siguruar vetes pak hapësira por shumë kënaqësi që vijnë nga njohjet e sigurta ndër breza .Ne ishim mësuar në atë varfërinë materiale e cila nuk ndjehej aspak e tillë kur miqësitë e pastra ta mbushnin shpirtin me ndjesi që bota e sotme post moderne pak ose aspak i njeh.Dhe kur rikthehesh prapë tek miqësitë e vjetra edhe pse distanca gjeografike dhe koha na ndan jo pak , vlera e tyre ka shumëfish peshë dhe efekt në jetën tonë, aty ndjen se hapësira e madhe që sheh dhe prek nuk e ka tjetërsuar aspak peshën e miqësisë , përkundrazi.Ishte viti 1994 kur mikja ime e fëmijërisë dhe rinisë Enela do ta linte jetën studentore për të ndërtuar atë familjare diku larg Shqipërisë por në zemër të Europës. Dhe ndarjet kanë edhe mallin edhe magjinë brenda dhe të gjitha bashkë me kalimin e viteve rriten ndërkohë kur vetë jeta jonë përjeton metamorfoza të shumta përmes të cilave konstante është miqësia, ajo e pastra , e kthjellta transparentja , ujëkulluar porsi liqeni pranë të cilit ecëm e biseduam gjatë gjatë, përgjatë vizitës time atje ,në Stanberg, Gjermani, një prej zonave më të pasura në burime natyrore vetëm 30 km larg Mynihut.Tingujt e muzikës i shkojnë aq shumë përshtat liqenit aq sa duket sikur dalin nga ajo kthjelltësi e kristaltë që të qetëson syrin ndërsa bisedat e ngrohta përshkojnë tej e për tej çdo udhë e kryqëzim jete. Teksa Herlini, djali i madh i Enelës dhe Petritit të cilët mund të konsiderohen si emigrantët më të hershëm shqiptarë të vendosur këtu , luante në piano dhe këndonte në gjuhën shqipe ” lulja e majit” nuk ke se si të mos emocionohesh. Në 25 vite jeta e një familje përjeton stinë ngjyrash , lulzimesh, vyshkjesh por kjo e shpërthimit të fëmijëve është më e bukura pranverë jete.Ne flasim pafundësisht për ta , dëshirat, profesionet e tyre që marrin udhë e formë pas studimeve, por asnjë përshkrim prindëror nuk mund të jetë më i bukur sesa komunikimi me këtë brez që padyshim është tejkalimi ynë në edukim, formim , aq sa ke qejf ti dëgjosh madje edhe të debatosh me ta. Enela dhe Petriti janë brezi i parë i emigrantëve shqiptarë në Mynih dhe largimi nga Shqipëria për ta nuk ka qenë i lehtë , sidomos për Petritin.Ai është larguar në vitin 1990 me Ambasadat. I kujtojmë ato momente guximi të jashtzakonshëm që do ti prinin ndryshimeve të mëdha në Shqipërinë e mbyllur në errësirën e burgut të vet. Ai ka mbetur po ai shpirt i lirë , si atëherë , me iniciativën e lirë përherë në kërkim të lirisë ekonomike e cila në Shqipëri vazhdon të mbetet ëndërr pa shtigje. Ndërsa Enela, romantike ëndërrimtare, e dashuruar pas të bukurës në veshje e stil, në sjellje e komunikim, êshtë po aq sportive dhe praktike , bujare dhe me shpirtin paqësor po me atë hapin metrosh ku për ta ndjekur të duhet të vraposh. Më rrëfen për vitet e para tē emigrimit …dhe unë imagjinoj studenten plot ëndra udhëve të një Europe që për çdo shqiptar mbeti ëndërr. Ajo është një guidë fantastike jo vetëm për shkak të profesionit por edhe të shijeve dhe klassit që e ka karakterizuar gjithë jetën. Janë vetëm tri ditë shëtitëse tej e përtej gjërave më të bukura që ofron Mynihu , por në mendjen time mbeten bisedat e ngrohta në oxhakun e ndezur , deri në mesnatë, tingujt që përshkonin tej për tej shtëpinë , oborrin e jeshiltë shumë pranë pyllit ku bletët prodhojnë mjaltin më të mrekullueshëm në botë . Ndaj kur ikën prej aty , diçka ka mbetur prapë aty… dëshira për tu rikthyer prapë e prapë ngjit edhe prej mjaltit prodhuar mjeshtërisht , natyralisht në gji të asaj natyre magjike.Në pamundësi për ta bërë ditëlindjen tënde spektakolare siç ti Enelë ma bëre gjatë Ditëve Shqiptare në Bavari më lejo të them gëzuar përmes rrëfimit që natyrshëm nuk mundet ti shprehë të gjitha ndjesitë që lindin nga miqësitë e vërteta! Pastë vetëm ditëlindje për miqësitë që e zbukurojnë jetën tonë !21 qershor 2019…
