
KOSTA NAKE/
Tre poetë të mëdhenj ia kanë dalë t’i ngrenë nga një monument poetik Shqipërisë: Naim Frashëri me poemën “Bagëti e bujqësia”, At Gjergj Fishta me poemën “Lahuta e Malcis” dhe Dritëro Agolli me poemën “Nënë Shqipëri.” Duke i parë me syrin e njeriut që adhuron kuajt, te Naimi shoh një mërgimtar që vjen me karvan dhe sodit i përmalluar atdheun, te Fishta shoh një kalorës që një sup ka një hutë të gjatë dhe në brez një patllake, kurse te Agolli shoh një kalorës që ka hedhur në sup kosën, kurse te kaptelli i samarit ka vendosur një drapër.
Përmasat legjendare
Duke iu rikthyer “Lahutës së Malcis” gjëja e parë që duhet përsëritur është konstatimi i shumë studiuesve se ajo u dha shqiptarëve atë që Homeri i dha botës me “Iliadën”, skenat dhe bukuria e saj u ngrit në nivelin e këngëve për Rolandin dhe Sidin. Më tej, për të mos përsëritur të tjerët, nevojitet përimtimi vetjak i materialit që ofron vetë poema.
Ta fillojmë me më sublimen, Fishta si klerik i devotshëm, të paktën në dymbëdhjetë raste i drejtohet Zotit drejtpërdrejt si qasje frymëzuese dhe mbështetëse për të realizuar simotrën shqiptare të poemave të mëdha europiane e botërore të cilat mbollën, ushqyen dhe rritën ndjenjat atdhetare.
Komunikimi është i trajtave: “Ndihmo, Zot, si m’ke ndihmue” (f. 7), “Lul e lum për t’madhin Zot” (f. 89, 199, 244, 310, 356, 469, 501, 577), “Deh, o Zot, që nalt prej qiellit/ Punët e njerëzve i njeh mir’fillit” (f.181), “Falë i qofshim t’Madht Zot” (f. 296, 551).
Poeti ka shfrytëzuar dy forma të epikës popullore për formësimin e veprës së vet: epikën legjendare dhe këngën historike, tabloja plotësohet e zbukurohet me botën e magjishme të baladave.
Elementi legjendar, përveç komunikimit me Zotin, sigurohet me praninë aktive të Orëve dhe Zanave, të cilat jo vetëm i ushqejnë luftëtarët me një forcë mbinjerëzore (f. 214, 216), por marrin pjesë drejtpërdrejt në fushën e mejdanit për t’u siguruar fitoren shqiptarëve, Zana e Madhe zihet fytafyt me shtrigën që ndihmon malazezët (f. 507), madje zotohet për të marrë hakun për humbjet e pësuara. Komunikimi me to është i ngjashëm me Zotin, por, ndryshe prej tij, është më i shpejtë, më i drejtpërdrejtë dhe më rezultativ:
“Deh! Moj Zanë ma thuej një fjalë. (f. 38)
Deh! Moj Zanë, pash ato kroje.(f. 51)
Vallë, moj Zanë, a di me m’thanë, se… (f. 61)
Ehu! Moj Zanë, pash të dy sytë
Shkomi Osos tash te kryet… (f. 63)
Qani, qani, oj Zana, qani (f. 68)
Heshtu, Zanë, mos qesh me mue
Se mërzitshëm kam qëllue! (f. 83)
Deh! Oj Zanë, ty t’qofsha true! (f. 92, 179, 190, 514)
T’lshofsha bjeshkët, o mori Zanë. (f.107)
Eja e t’këndojm’, oj Zana e malit,
Eja e t’këndojm’, n’Lahutë t’Malcis (f.111)
Ik, moj Zanë, mos t’rrimë tue namë! (f. 277)
Behma këtu n’këtë Lissus t’vjetër…
Për me këndue n’Lahutë t’Malcisë
Si u end fati i Shqipnisë. (f. 516)
Sikur të mos mjaftonte komunikimi kolektiv me bashkësisë së Zanave, ato përmenden emër për emër gjatë kujdesit për Tringën: Beke, Berdone, Bjeshkë, Borë, Care, Cerrleke, Culinë, Çeke, Dake, Dalinë, Dare, Dike, Done, Fatale, Gale, Gere, Gile, Grace, Groshe, Jere, Lali, Lere, Lore, Lice, Loshe, Mele, Mile, Mine, Nare, Naze, Raze, Syne, Tale, Tere, Tile, Thrake, Vace.
Gjatë gjithë poemës ky komunikim me Zotin dhe Zanat ka vetëm një përjashtim, kur i drejtohet hënës:
“Amanet, o mori hanë…
Amanet, a di me m’thanë
Se a t’ka ra ndo’i herë me pa
Kund mbi shekull një kësi kobi.” (f.328)
Elementi legjendar ilustrohet me detajet e mëposhtme: Një hije i shkon mbretit Abdul Hamit dhe i ankohet për knjaz Nikollën dhe pretendimet ndaj tokave shqiptare (f.74-76); fantazma (hija, Zana, Ora e Shqipërisë, e Mira) i shfaqet edhe Ali Pashë Gucisë. (f.105), Ora e Shqipnisë nxjerr rozmari dhe ia jep Ali Pashës për forcë të mbinatyrshme (f.109); Kanga XI “Lugati” është predominim i legjendës (f.147-158); Mehmet Ali Pasha i kthyer në lugat, bisedon me knjaz Nikollën, kurse Çun Mula bisedon me Zanën e Malit (f.184); Kanga XVI “Kuçedra” është me të gjitha tiparet e epikës legjendare: “N’atë Bigë t’Shalës ka dalë kuçedra’/Me shtatë krena e gjashtë palë kthetra…/Bishtin gjatë, me i mbrrijtë në zall…/Zjarr e surfull tue flakrue.” (f.199)
Më tej, Ora e Shalës bisedon me dragonjtë shqiptarë: “Mirë se ju gjej, burra të dheut!/Mirë se vjen, e Bukra e Dheut!” (f.215) Zana e madhe e Vizitorit kundron luftën që vlon në Nokshiq. (f.430) Zana e Madhe qan mbi trupin e Tringës (f.441) në trajtë elegjie (f.448). Në vajtimin për Tringën janë të pranishme edhe dy ujkonja. (f.453)
Elementi legendar përmbyllet me mitin i Floçkave dhe Kshetëzave, ku veçohet martesa e floçkës me një djalë kelmendas. (f.524-525)
Në rrafshin stilistik këto elemente të legjendës jepen përmes hiperbolave të shumta: (Kuçedra) asht lëshue ‘i qind pash n’ajri. Llesh Gjoni “me ‘i palë dana ‘izet pash t’gjata. (f.205) Trandë topuzin, njëqind okë. (f.208) Heshta e trashë sa ‘i mashkull qerrit. (f.209) Tue e ba djerrin hurdhë me gjak. (f.238) Kur kanë pa shqiptarët tue rra:/Kë ndrague, kë katalla,/Njen’ ari tjetri lua’,/ Të gjith’trima n’nam e n’za. (f.257) Një shkja ‘i pend buej/ Atë vendit s’mund ta luej./ Beter shtatit sa ‘i mullar. (f.268) Rrjedh der n’gju ai shkulmi i gjakut. (f.325) Sa shpejt Orët janë nisë e shkue,/Sa me t’shpejtë ato jan’ kthye,/Sa veton dy herë me sy…/Se sa i madh-o blini ishte,/Sa të madhe hije kishte,/Me mrizue nja treqind dele! (f.464) T’trashë mustakun porsa krahu,/ Si dy rrfe, që shkrep prej reje. (f.491) Njëzet pash, po, u shemb e ngeli. (f.502)
Fryma atdhetare
Fishta mblodhi dhe solli frymën heroike si element kryesor strukturor dhe artistik të ngjarjeve e krijimeve foklorike që prodhuan ato. Pavarësisht ngarkesës konceptuale legjendare, “Lahuta e Malcis” ka një kontekst të qartë historik, rrjedhimisht transformohet në një monument artistik që pasqyron luftën e popullit shqiptar për pavarësi nga Turqia dhe qëndresën luftarake kundër sulmeve të fqinjve për aneksimin e truallit kombëtar. Dyluftimet, betejat në grupe dhe lufta në tërësi janë shprehëse të një heroizmi historikisht të përcaktuar, me një frymëzim atdhetar dhe jo rajonal, me një vetëdijë kombëtare dhe jo personale apo fisnore. Kënga popullore e epikës historike u formësua qartësisht dhe u përkrye gjatë Rilindjes sonë Kombëtare, ajo shfrytëzoi prushin e rezistencës ndaj përpjekjeve aneksioniste sllave për të ndezur zjarrin e madh që ndezi Lidhja Shqiptare e Prizrenit, bashkim që shkëndijoi si autonomi nga Turqia dhe shkëlqeu me pavarësinë e 28 Nëntorit 1912. Etja për famë fillon e futet në hullinë e një misioni madhor, ndjenja e përjetimit epik të jetës ngjyroset kuq e zi, luftëtarët e Fishtës fillojnë me mëkimin e Zanave për ndeshje titanësh për mbrojtjen e bjeshkëve e të kullotave dhe transformohen në shqiptarë që i karakterizon gatishmëria për t’u flijuar për çështjen e atdheut.
“Për shqiptarët, si jemi na,
Turk a shkja të dy janë nja.” (f.128)
Fryma atdhetare ka një simbol – flamurin e Shqipnisë, që është “si fletë engjëlli t’Perëndisë.” (f. 8) Mbartës dhe përcjellës të saj janë “djem si Zana,/që ma t’fortë s’po t’i ban nana” (f. 49), trima që “s’i ka krajli as s’i ka mbreti,/s’i ka toka as s’i ka deti.” (f. 61)
Fryma atdhetare ka një burim të pashtershëm, trojet e shenjta ku kemi qenë autoktonë në jetë të jetëve, troje ku është shkruar historia jonë shumëshekullore:
“…Shqipnia
Një shportë fiqsh nuk ka qëllue,
Për m’ua nda miqve peshqesh;
Por asht toka e t’parëve tonë
Asht Atdheu, po, i Skënderbegut,
Asht Atdheu, po, i Mojs Golemit
E i atij Lekë Dukagjinit… (f.130-131)
Evokimi i figurave të shquara historike plotësohet duke shkuar edhe më në thellësi të shekujve me Bardhylin, Teutën, Klinikun, Gencin, Agronin, Hilën, Pleuratin, etj. (f. 520) Këto troje kanë histori dhe ajo është e lidhur ngushtësisht me bukurinë e natyrës që është ushqim për shpirtin dhe pasuritë mbi- e nëntokësore që janë kusht për ekzistencën:
“Toka arbnore, tokë me nam
(Ble me pash e shitë me pllambë,
Pashi argjend, pllamba flori,)
N’daç për bjeshkë e n’daç për vërri,
N’daç për dhen e n’daç për dhi,
Si për bukë, si për tagji
Si për punë, si për tregti. (f. 94)
Por shqiptarët kanë nevojë për një shkundje të madhe dhe kjo mund të realizohet me një gjuhë të ashpër dhe pa lëshim:
“Ehu! Mallkue qoftë ai në Shqipni
Qoftë mallkue, po, a plak a i ri,
Që për mbret e për liri,
S’çohet sot me armë mizore,
S’lidhet sot me besë arbnore.” (f. 53)
Thirrja e poetit është sinkron me atë të Pashko Vasës:
“Çohi, o bij të Skënderbegut,
Turq e t’kshtenë, mos t’u ndajë feja!” (f. 292)
“Për pa u ba gjaku der n’gju,
Kurr Shqipnin’ s’kem për ta lëshue.” (f. 95)
Lufta për mbrojtjen e tërësisë tokësore, shoqëruar me kërkesën për autonomi, lartohet me frymëzimin për ruajtjen e identitetit kombëtar nëpërmjet gjuhës:
“Nisë shqiptarët kanë me mendue…
Shqip me shkrue, po, e shqip me mësue…” (f. 527)
Fatkeqësisht, kjo tokë e bekuar ka nxitur orekset e fqinjve dhe është përdorur nga Fuqitë e Mëdha për të shuar babëzinë e atyre shovinistëve, një padrejtësi që e bën poetin të mos përmbahet, njëkohësisht na bën edhe sot të kuptojmë sa aktuale janë edhe pas më shumë se një shekulli:
“Uh! Evropë, ti kurva e motit,
Që i re mohit Besës e Zotit,
Po, a ky asht sheji i qytetnisë:
Me nda tokën e Shqipnisë
Për me mbajtë këlyshat e Rusis?” (f.167)
Që te poema madhore e Fishtës është kristalizuar e kthyer në diamant vlerësimi i heronjve:
“O ata t’lumtë, që dhanë jetën,
O ata t’lumtë që shkrinë veten…
Që për erz e nder t’shqiptarëve
Derdhën gjakun tue luftue…
Lehtë u qoftë mbi vorr ledina…
E der t’ketë n’det ujë e ranë,
Der sa t’shndrisin diell e hanë,
Ata kurr mos u harrofshin,
N’kangë e n’valle por u këndofshin. (f. 71)
Me siguri At Gjergj Fishta ka ndjekur udhën e Gavril Darës së Ri që nga moria e këngëve arbëreshe ringriti Motin e Madh të Shqipërisë. Në poemë përmenden më shumë se 220 emra luftëtarësh, disa prej tyre dalin madje nga dy ose tri herë në poemë, disa kanë edhe portretin e tyre.
Bec Patani: “‘i zog petriti” (f. 343), “Ballin gjanë si fush’ mejdani/Vetullat zi si penda e korbit/Syrin zjarr si flakë agzotit/Si ajo rrfeja nëpër re/Dredhë mustakun kacadre,/ Shtatin ardhë porsi harbia/Gishtat drejt porsi namlia…” (f.316-317)
Çoku i Mar Kolë Dinit prej Kabashit të Dukagjinit: “E ka ballin si sini/ e ka synin si duhi/ i ka shpatullat si një ari,/ trim i çartun, trim si Zanë.” (f. 28)
Mar Lula “i pari i Shalës, një syzjarr, një zog sokoli, burrë i zoti, i pushkës e i fjalës,” (f.126) “…kaleshan, mustaqezi, larg përmendë ai për urti, për urti, për trimëni.” (f.194)
Oso Kuka: “‘i burrë shkodran,” (f.44) “‘i rrfe prej qiellet,/ Shok nuk ka kah vran e kthiellet.” (f.26) “Shtatin div e syn’n si zgjeta, n’jelek arit.” (f. 27) “rrfe mizore” (f.41) “Kaleshan i qimezi,/ Gjak e zjarm asht syni i tij;/ Edhe i ka një parë musteqe/ Kaçurrel e leqe-leqe.” (f. 46)
Tringa – trëndafili i kuq poemës
Në një mjedis me vetëm me burra luftëtarë, Zanave legjendare u bashkohet edhe Tringa, një zanë tokësore që përfton një paralelizëm me këngën legjendare të Gjergj Elez Alisë dhe përbën një nga pikat kulmore të veprës. Tringa nuk asgjë më pak se Zanat:
“Ardhë shtatit si breshana
Synin yll, ballin si hana,
Diçka njethë si molla n’rrem,
Si ajo lulja shpërthye n’gem…
…Kaq gja t’mirë Zoti e ka falë.” (f.368-369)
“Me atë shtat filiz çetine,
Me ato vetulla si fiskaja,
Me ata sy kokrra qershije,
Me ata dhambë si gurt e zallit
Fill mbas shiut kur t’u bjerë dielli.” (f.435)
Gjergji i legjendës rimishërohet te figura e Curr Ulës i cili është plagosur rëndë dhe nuk ka fuqi as t’i largohet rrezikut, as t’i dalë për zot motrës që mund të bjerë në duart e shkjeve. Po ndërsa Gjergji gjen forca të ngrihet e të përballet me bajlozin si fitues, Curri vdes. Tringa e merr në sy rrezikun dhe kujdesin për vëllanë e vazhdon edhe kur armiku hyn në oborrin e shtëpisë.
Poeti e ka dhënë me vërtetësi figurën e saj duke hedhur dritë mbi frikën e natyrshme që pushton një femër të pambrojtur përballë një armiku si Gjur Kokoti, shkjau që donte të digjte shtëpinë e Tringës dhe nuk do të nguronte të bëjë punën e hamshorit:
“Si ajo suta shoqesh nda,
E n’blerim t’ njethtë ajo ra.
Lëshohet zhgjetë e turrshëm futet
Brendë në breshtë, tue u dridhë prej tutet,
Kur gjuetari n’të t’ ketë shti,
Për pa mund në tokë’ me u shtri,
Njëkështu bredhë ka Tringa në shpi.” (f.374)
Dialogu motër e vëlla është i njëjtë me atë të legjendës së Gjergj Elez Alisë:
Curri: Mori shpia mbetshi shkret!/Urth e lmashk për rreth u mblofshin!/ Brevë e gjarpën n’ju u përftofshin!/Si kaq shpejt ju me pikue.
Tringa: Jo, mor vlla,…/Se ato cirka shiu nuk janë,/Që n’për hatlla pikojnë n’ votër,/Por jan’ lot’t e s’ate motër.
Curri: T’paskam lanë pa ngran’ pa pi…/Huj për burrë ndoshta me t’ra?!
Tringa: Kurr ma randë se sot folë s’m’ke! (f.377-378)
Po kaq bukur, natyrshëm e tokësore tingëllon deklarata e Tringës:
“Unë t’rijtë tim nuk po e baj fli,
Për t’m’ dal kanga n’Male t’ Mëdha
Po për erz, për fe, për vlla.” (f.384)
Tringa e vret agresorin, por edhe ajo kthehet në një trëndafi të përgjakur nga arma e Vasil Ndrekës.
Këtu mbaron historia dhe fillon legjenda, sepse Zanat vajtojnë mbi trupin e Tringës me një tekst të gjatë elegjiak (f.448, 452-453), ato e veshin e stolisin kufomën si virgjëreshat e Malcis, me një varg floriri dhe me një palë rruaza, kurse varrin ia shtruan me lila e drandofilla. (f.462-463) Tradita përcillet me sjelljen e blinit nga Trojani për ta mbjellë te koka e varrit të saj dhe historia vazhdon me betimin e Zanës së Madhe për hakmarrje. (f.464-465)
Fundi i poemës nuk ka nevojë për koment, por vetëm për ta cituar:
“…N’Shqipni pa nda
Rrahin topat ndër kala;
Përse flamuri kuq e zi,
Sot ma s’pari, bukuri,
Porsi fleta e Engjllit t’Zotit,
Po valvitë mbi tokë t’Kastriotit,
Si valviti dikur motit;
E der n’qiell ushton brohoria
Kah gërthet fusha e Malcia:
Për jetë t’jetës: Rrnoftë Shqipnia!
Edhe kështu, mbas sa mjerimi,
Mbas sa gjakut e shëmtimi,
E për inat t’shkjeve t’Ballkanit
Për gazep t’atij sulltanit,
Si premtue kish Perëndia:
Prap zojë në veti duel Shqipnia.” (f.596)