Prof. Dr. Musa AHMETI
Center for Albanian Studiues, Budapest
Njëri ndër albanologët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, kroati Milan Šufflay, përveç studimeve kapitale në fushën e historisë dhe albanologjisë, në vitin 1927, botoi së bashku me njërin nga paleografët më me famë botërore Viktor Novakun, librin: Aemilianus Šufflay, Victor Novak, Statuta et ordinationes capituli ecclesiae cathedralis Drivastensis. Në Biblioteka Arhiva za Arbanasku starinu, jezik i etnologiju. Istoriska Serija. Izdanje Seminara za Arbanasku Filologju Universiteta u Beogradu /Urednik, Henrik Barić/ Beograd, 1927, lib. II, fasc. 1, ff. [I-XVIII]-1-31 – [I-III]. Në fakt ata bënë editimin e dorëshkrimit të këtyre statuteve të panjohura dhe të pabotuara deri atëherë.
Transkriptimin e “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae cathedralis Drivastensis,” e shoqëroi një studim kritik, që për shumë gjëra është i patejkaluar edhe sot e kësaj dite. Natyrisht, studimet, hulumtimet dhe botimet e reja, në disa raste plotësojnë dhe korrigjojnë M. Šufflay-n, qoftë për disa ide, qoftë për disa fakte historike të cilat M. Šufflay i njihte.
Analiza e situatës historike, paraqitja e sfondit politiko-fetaro-kulturor tregon për skrupulozitetin dhe gjenialitetin e M. Šufflay-t, i cili më mirë se askush, futet thellë nëpër labirintet e mesjetës shqiptare. Gjykimet e tij të guximshme, në të shumtën e rasteve janë të drejta dhe të qëndrueshme. Me seriozitet, sy të mprehtë dhe kokë të ftohtë, ai i qaset zgjidhjes së rebusit mjaft enigmatik të mesjetës shqiptare, duke vënë në pah më shumë se një herë elementet dalluese dhe karakteristike të shqiptarëve të cilët janë autoktonë dhe duke dalluar elementin e ardhur, qoftë ai latin, grek apo sllav.
Duke bërë një sintezë të historisë së qytetit-komunë të Drishtit, M. Šufflay, arriti të nxjerrë në dritë zhvillimet shumë të rëndësishme të trevave shqiptare, jo vetëm të Veriut, por edhe të Jugut dhe Shqipërisë së Mesme. Mundësia për njohjen dhe leximin në origjinal të dokumenteve të mesjetës, e favorizon në masë të madhe M. Šufflay-n, sepse atij nuk i mungoi sensi për një ballafaqim të burimeve, dokumenteve dhe informacioneve të tjera me njëra-tjetrën.
Shumë herë i ashpër dhe i rreptë deri në ekstrem, M. Šufflay, nxori përfundime mjaft domethënëse, por jo çdoherë të qëndrueshme. Ndoshta, sikurse ka vepruar më se njëherë edhe në studimin e Statuta et ordinationes capituli ecclesiae cathedralis Drivastensis, ku hapur pranoi gabimin në gjykimin e tij për përmbajtjen e statuteve, duke i menduar ato si statute të qytetit e jo të katedrales, po të kishte në dorë burimet, dorëshkrimet dhe dokumentet që ne kemi sot në dorë, me siguri që ai do të mbante një qëndrim krejt tjetër dhe do të bënte një qasje shumë më të kujdesshme për familjen e Engjëllorëve të Drishtit: e theksojmë për familjen në përgjithësi, por edhe për pjesëtarët e familjes, në veçanti.
Pjesa dërrmuese e këtyre burimeve të shkruara, dorëshkrime, dokumente dhe libra pak të njohur ose fare të panjohur, ruhen në shumë arkiva e biblioteka të ndryshme të Italisë, Kroacisë, Spanjës, Austrisë, Hungarisë, Francës, Rusisë, Shkodrës, [te disa pinjollë të kësaj familje, si psh. Kamsi, në Shkodër], etj.
Deri me sot, nuk është bërë një punë sistematike, hulumtuese-studiuese, identifikuese për gjithçka ruhet për këtë familje. Është folur e shkruar shumë për disa nga dorëshkrimet e njohura të familjes Engjëllore nga Drishti, të cilat ruhen në biblioteka shtetërore dhe private. Një pjesë fare e vogël e tyre janë botuar, ndërsa pjesa më e madhe vetëm janë zbuluar dhe ende nuk janë botuar, presin studime dhe analiza të gjithanshme kritike të specialistëve nga fushat përkatëse për të bërë një vlerësim sa më real dhe të preciz si për të dhënat që ofrojnë ato ashtu edhe për saktësinë e trajtimit të tyre, origjinalitetin, autenticitetin dhe vlefshmërinë historike. Dorëshkrimet e pabotuara që na janë ruajtur nga familja fisnike Engjëllori prej Drishtit, përveç se janë të pabotuara, kanë si elemente të përbashkëta, [katër prej tyre, ato nga Vatikani (dy dorëshkrime), Firenca dhe Venediku] faktin se janë shkruar nga e njëjta dorë në fund të shekullit XV ose fillim të shekullit XVI.
Ka shumë gjëra që duhen sqaruar, parë me sy kritik, rivlerësuar, ballafaquar me burime dhe dokumente të tjera, të drejtpërdrejta apo të tërthorta, për të nxjerrë përfundime të sakta, të qëndrueshme dhe të vlershme, qoftë për familjen, qoftë për pjesëtarët e kësaj familje, të cilët kishin ndikime të jashtëzakonshme në shumë zhvillime të kohës në shekujt XV-XVII. Pothuasje të gjitha dorëshkrimet [ato që janë më shumë se disa faqe] të cilat sot ruhen në origjinal dhe janë shkruar nga pjesëtarë të kësaj familje të madhe ose për këtë familje, mendojmë ne, duhen botuar. Botimi i tyre është me shumë vlera dhe interes, sepse aty ka të dhëna të shumta nga fusha të ndryshme, për të cilat njohuritë tona janë të pamjaftueshme për kohën kur ato u krijuan apo për kohën kur ato flasin.
Me mjaft interes është përpjekja e M. Šufflay-t për të zgjidhur “enigmën” siç e quan ai të dy “Palëve,” Dushmanit dhe Engjëllit. Por edhe këtu, kemi përshtypjen, që për shkak të mosnjohjes së burimeve të reja dhe literaturës më të fundit, ai u nxitua.
Me një vështrim të kujdesshëm, mund të pohojmë se bëhet fjalë vetëm për një person, dhe konkretisht për Pal Engjëllin, e jo për dy persona Pal Dushmanin e Pal Engjëllin. Dokumentet nga Padova, Trevizo, Venediku, Vatikani, Dubrovnikku, etj, nuk i japin të drejtë M. Šufflay-t, por as studiuesve e historianëve të tjerë, të cilët shkruajnë për “dy ipeshkvë.”
Një studim i kujdesshëm i dokumenteve origjinale që ruhen në ASV për Pal Engjëllin në të cilat gjejmë datën e emërimit të tij ipeshkëv i Drishtit, e pastaj edhe kryeipshkëv i Durrësit, hedhin dritë të re për këtë personalitet, duke mohuar ekzistencën e “dy ipeshkëve Pal.” Poashtu, nga këto burime saktësohet edhe vendi i ipeshkvisë e më vonë edhe kryeipeshkvisë së Krainës, e jo Krajës siç pretendonte M. Šufflay dhe shumë të tjerë pas tij.
Paulus Dussius ka qenë ipeshkv i Shasit më 16. XI. 1440 – 18. VII. 1446, C. Eubel, Hierachia Catholica…, vëll. II, f. 243; D. Farlato, Illyrici Sacri…, vëll. VII. f. 292; ndërsa B. Gams, Series episcoporum…, f. 406, shënon si datë të vdekjes së Pal Dushit 22. XII. 1445, por në mes të emrit e mbiemrit në kllapa shënon “Angelus” përkatësisht: Paulus (Angelus) Dusius. Ne mendojmë se Eubeli, Gamsi dhe historianë e studiues të tjerë gabojnë kush shenojnë se Pal Dushi dhe Pal Engjëlli, janë dy personalitete të ndryshme. Studimet dhe kërkimet shkencore më të reja, hedhin poshtë pohimet se kemi dy ipeshkv në atë kohë; ndërsa ishte ipeshkv i Drishtit më 22. XII. 1445-23. IX. 1457. C. Eubel, Hierarchia Catholica…, vëll. II. f. 145; D. Farlati, Illyricum Sacrum…, vëll. VII, f. 240-243; B. Gams, Series Episcoporum…, f. 406. C. Eubel, në f. 145, referenca nr. 1, shkruan: “Qui 11 Mart. 1454 promovetur in aepum. Craynen., ita tamen ut retineat eccl. Drivasten.” Ndërsa D. Farlati, vëll. VII, f. 242, shkruan se Paulus Dussius ishte ipeshkv i Crainensem dicti Episcopi Dumnenses et Macarenses” duke ju referuar vëllimit IV, të “Illyricum Sacrum.” Në këtë vëllim, në f. 91-183, nuk hasim asjëher emrin e Paulus Dussius, pra si duket nga këtu vjen ngatërresea e Pal Dushit me Pal Engjëllin. D. Farlati, Illyricum Sacrum…, vëll. IV, f. 91-183.
Më shumë se një herë në këtë studim që po e botojmë të përkthyer në shqip, M. Šufflay është marrë me: “Urdhërin e Shenjtë Kalorsiak Konstantinian të Shën Gjergjit” që Engjëllorët e mbanin që prej shekullit XV deri në shekullin XVII, dhe po ashtu ata mbanin edhe titullin e Mjeshtrit të Madh të Urdhërit.
Po të mos dispononim me qindra faqe dokumente, dorëshkrime të pabotuara, por edhe literaturë të botuar të kohës, edhe ne do ishim të të njëjtit mendim me te, por, jemi të detyruar të shprehim rezervat tona përsa i përket qëndrimit të M. Šufflay-t për këtë urdhër dhe për drejtuesit e tij. E vërteta është se ky urdhër ka ekzistuar dhe ekziston edhe sot e kësaj dite, po për mëse 3 shekuj drejtohej nga Engjëllorët.
Burimet arkivore hedhin dritë duke nxjerrë në pah edhe emra shumë të nderuar që ishin të lidhur me “Urdhërin e Shenjtë Kalorsiak Konstantinian të Shën Gjergjit” siç ishte Gjon Françesk Albani (Giovanni Francesco Albani, më vonë papa Clemente XI) që në vitet 1690-1700, ishte protektor i këtij Urdhëri, pra gjatë kohës që detyrën e Mjeshtrit të Madhe e ushtronte Gjon Andrea Engjëlli, i cili këtë detyrë e dorëzoi më 27 korrik 1697.
Urdhëri i Shenjtë Kalorsiak Konstantinian i Shën Gjergjit është një Urdhër kalorësiak. Mendohet se është themeluar nga perandori Konstandini i Madh, për të mbrojtur Labarin, i cili me trupat e tij mori pjesë në Betejën e Urës së Milvianës, në vitin 312 pas Krishtit. Kjo fitore e madhe mbi forcat pagane të Maksentius-it çoi në konvertimin e Perandorisë Romake në krishtërim gjë që formësoi gjithë historinë evropiane të mëvonshme. Sipas historianëve të shekullit XVI dhe XVII, kjo ngjarje e madhe u festua me themelimin e një urdhëri kalorësish. Statutet e shekullit XVI thonë që rregullat origjinale u konfirmuan dhe u lëshuan nga perandorët Isak Engjëlli dhe Mihal Paleologu, por variantet më të vjetra të këtyre statuteve, që ne njohim, datojnë nga shekulli XVI.
Karakterin fetar urdhëri e mori më 17 korrik të vitit 1550, kur papa Juli III [1550-1555] e njohu Urdhëri me anë të bulës Quod Alias, duke i siguruar Andrea dhe Jeronim Engjëlli të Drishtit titullin e Mjeshtrit të Madh. Me rastin e kësaj njohjeje nga ana e papës, Kongregacioni i Koncilit do t’i siguronte një providani të jashtëzakonshme. Një dokument nga Camera Apostolice e Vatikanit, e vitit 1558, është dëshmi e pagesave të shumave jashtëzakonisht të mëdha për Andrea Engjëllin, gjë që dëshmon lidhjet e tij në nivelet më të larta si fisnik shqiptar, por edhe si Mjeshter i Madh i urdhërit që drejtonte.
Dokumenti është në gjuhën latine, dhe origjinali i tij ruhet në Instrumenta Miscellanea 6673, anno 1558; përkthimi i tij është: “Duke u dashur që të kemi të nderuarin zotin Andrea Engjëlli, dukën dhe kontin e Drishtit sipas fuqisë së të sipërpërmendurës Motu Proprio të Palit III, meqenëse të dy përmbajnë për furnizimin që është bërë në jetën e tij prej 100 dukatë floriri, të shpërndara në mënyrë të njejtë në çdo muaj, që filloi me furnizimin e të sipërpërmendurit zotit Lekë, vëllait të tij, d.m.th. nga korriku i vitit 1535, me një shumë prej 100 dukatë në muaj, shumë kjo që do të vazhdojë deri në fund të nëntorit të vitit 1558, që bëjnë 23 vjet e 6 muaj, dhe që në dukatë floriri bëjnë 28.200 dukatë.”
Në kohën e pontifikimit të Gregorit XIII [1572-1585] në vitin 1576, njohja e papës Juli III i solli Urdhërit një të re shumë të madhe: karakterin fetar që e vendosi përfundimisht nën Rregullën e Shën Bazilit. Bashkë me Urdhërin e Maltës, Urdhëri Konstantinian i Shën Gjergjit janë të vetmit urdhëra fetaro-ushtarakë ndërkombëtarë që e kanë ruajtur këtë status të pandryshuar deri në ditët tona. Urdhëri i dedikohet propagandës së besimit, të mbrojtjes së kishës dhe përkrahjes së Selisë së Shenjtë. Anëtarët e saj zotohen për besnikëri ndaj papës dhe mbështetje të mësimeve dhe të dogmës së Kishës Katolike Romane.
I pari prej Engjëllorëve të cilit iu konfirmua titulli i Mjeshtrit të Madh ishte Ndreu, që mbante titullin Princ i Maqedonisë si dhe Dukë e Kont i Drishtit (1398-1479). Pas tij titullin e Mjeshtrit të Madh e trashëgoi i biri Pjetri (vdiq në vitin 1511) i cili ia la atë Ndreut II që është edhe autor i gjenealogjisë në fjalë, si dhe i shumë veprave të tjera, disa nga të cilat vihen në dyshim si falsifikate.
Titulli i Mjeshtrit të Madh ishte dhe vazhdon të jetë i trashëgueshëm, e si i tillë mbeti pa ndërprerje në duar të Engjëllorëve deri në vitin 1623. Në këtë vit Engjëllorët e Drishtit ia lëshuan Mjeshtërinë e Madhe, Marino Karaçiolit (Marino Caracciolo), princit të Avelinos, dhe më 23 nëntor të po atij viti papa Urbani VIII [1623-1644] ia konfirmon këtë dinjitet atij duke theksuar origjinën bizantine, që ruhet edhe sot e kësaj dite në kryqin e Urdhërit.
Megjithatë princi i Avelinos vdiq në vitin 1630, kështu që titulli i Mjeshtrit të Madh u kthye përsëri tek Gjon Andrea Engjëlli i Drishtit. Me breven Cum Sicut të 27 gushtit 1672, papa Klementi X [1670-1676] emëron një prokurator gjeneral të Urdhërit në Romë, dhe një kardinal protektor, kardinalin de Massimi. Ai vendosi gjithashtu që prokuratori gjeneral i Urdhërit të merrte pjesë në kapelën pontifikale dhe që të vendosej në rang pas prokuratorit gjeneral të Urdhërit të Shërbëtorëve të Marias.
Me anë të breves së 14 qershorit të vitit 1687 papa Inocenti XI [1676-1689] emëroi protektor të Urdhërit kardinalin Gaspero Kavaliero (Gaspero Cavaliero), i cili në vitin 1690 pasohet nga kardinali Gjon Françesk Albani (Giovanni Francesco Albani) që bëhet më vonë papa Klementi XI [1700-1721], që e përkrahu Urdhërin dhe Mjeshtrin e tij të Madh me privilegje të vazhdueshme gjatë gjithë pontifikatit të tij. Në fund të shekullit XVII, shtëpia e Engjëllorëve të Drishtit – dega e fundit e Komnenëve – po shuhej me Gjon Andrea Engjëllin e Drishtit që nuk la trashëgimtarë. Kështu me një akt kërkesë të 27 korrik 1697, u aprovua që titulli i Mjeshtrit të Madh të transferohej te Duka i atëhershëm i Parmës, Piacenza Francesco I Farnese (1697-1727) dhe më vonë te pasardhësit e familjes Farnese.
Nëse Skënderbeu kishte ndonjë lidhje me këtë Urdhër, dhe se çfarë lidhje ishte kjo, nuk dihet akoma dhe madje as që është hedhur si hipotezë. Megjithatë i çuditshëm është fakti që duka i Parmës, kur ishte Mjeshtër i Madh i Urdhërit, [Piacenza Francesco I Farnese (1697-1727)] huazoi nga Arkivi Sekret i Vatikanit shumë dokumenta origjinale, [rast shumë i veçantë ky në historinë e Arkivit Sekret të Vatikanit] papnore drejtuar jo vetëm familjes së Engjëllorëve të Shqipërisë por edhe vetë Skënderbeut. [Christina Maria Grafinger, Die Ausleihe Vatikanischer Handschriften und Druckwerke 18. Jahrhundert, vëll. II, Città del Vaticano: Biblioteca Apostolica Vaticana, 2002, nr. 30, 35, 36, 37, 39].
Natyrisht, që për këto gjëra që cituam përmbledhtazi këtu, do të shkruajmë më në hollësi në vëllimin e dytë të këtij libri, duke sjellë edhe dokumentet dhe burimet që kemi shfrytëzuar, duke bashkangjitur edhe faksimilet e shumë prej tyre.
Në asnjë mënyrë nuk dëshirojmë të konkludojmë për burimësinë dhe origjinalitetin e tyre, pa bërë ballafaqime me burime të tjera analoge, dokumente dhe dorëshkrime origjinale të kohës, të cilat do të zgjidhin disa enigma qoftë për origjinën e familjes së Engjëllore, qoftë për pjesëtarët e kësaj familje të cilët vërtetë meritojnë një vëmendje të veçantë, por edhe kërkime e studime të hollësishme.
Nuk ndajmë mendimin me Paolo Pettën dhe ndonjë tjetër për pjesëtarët e kësaj familje fisnike feudale shqiptare, sepse, janë dorëshkrimet, dokumentet dhe literatura tjetër e cila dëshmon se ka nxitim dhe njëanshmëri në këto studime. Familjet fisnike shqiptare në mesjetë, ashtu si edhe familjet e tjera europiane kishin jo vetëm tituj të lartë fisnikërie, por gëzonin edhe privilegje të caktuara, të cilat herë pas herë i konfirmonin dhe i rikonfirmonin sipas nevojës me diploma përkatëse të lëshuara nga autoritetet më të larta të kohës siç ishin perandorët bizantinë dhe më vonë papati, përkatësisht Selia e Shenjtë.
Dëshirojmë të theksojmë me këtë rast, se do të merremi me shumë seriozitet edhe me disa shkrime të ndonjë autori shqiptar që ka shkruar për Statuta et ordinationes capituli ecclesiae cathedralis Drivastensis, pa i pasur asnjëherë ato në dorë, apo pa njohur përmbajtën e tyre, por, vetëm e vetëm duke dëgjuar copëra rrëfimesh, ka guxuar të bëjë pohime shumë të guximshme dhe të paqëndrueshme, si për vetë statutet ashtu edhe për rëndësinë dhe vlerën e tyre, apo ndonjë tjetër duke shkruar në ndonjë ministri si specialist “se ato (Statutet) janë burime kishtare dhe nuk kanë vlerë për botim,” gjë që të bën të mendosh se për çfarë specialisti apo historian–medievisti është fjala i cili bënë vlerësime të tilla të çuditshme, aq më parë, kur dihet se çdo burim, dorëshkrim apo dokument nga shek. XV, që është edhe origjinal, përbën një burim të dorës së parë për historiografinë shqiptare, veçanërisht tani, kur kjo histori ka nevojë të rishkruhet.
Duke dëshiruar që të japim një kontribut për medievistin, albanologun dhe historianin e shquar kroat M. Šufflay, sjellim në vijim një biografi të tij përmbledhëse dhe bibliografi të shkurtër. Themi të shkurtër, sepse M. Šufflay, ka botuar më shumë se tre mijë zëra bibliografikë, në gjuhë të ndryshme, pa llogaritur këtu dorëshkrimet origjinale që ruhen në Arkivin Shtetëror të Zagrebit, nga ku nën kujdesin tonë janë skanuar disa qindra faqe të këtyre dorëshkrimeve, të ruajtura në 13 CD, që i janë dorëzuar AQSH, Tiranë.
JETA DHE VEPRA E MILAN ŠUFFLAY-T (EMILIANUS DE SUFFLAY)
(Bio-bibliografi e kompletuar)
Milan Šufflay lindi më 8 nëntor 1879 në Lepoglavë të Kroacisë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, ndërsa gjimnazin klasik në Zagreb, ku u diplomua si nxënësi më i mirë i gjeneratës së tij. Studioi shkencat shoqërore në Universitetin e Zagrebit dhe doktoroi në vitin 1901.
Menjëherë pas doktoraturës, Šufflay iu vu punës për sistematizimin, mbledhjen dhe përshkrimin e dokumenteve mesjetare nga arkivat e qyteteve bregdetare dalmatinase për “Codex Diplomaticus,” (Diplomatičkom zborniku Kraljevine Hrvatske, Dalmacije i Slavonije 1101-1399). Këtu lindën kontaktet e para të studiuesit të ri me lëndën e vëllimshme dhe të pahulumtuar fare, që i takonte Shqipërisë. Në vitin 1902, Šufflay mbrojti me sukses titullin “profesor” në shkencat ndihmëse të historisë në Universitetin e Zagrebit me temën: “Hrvatska i zadnja pregnuća istočne imperije pod žezlom triju Komnena (1075-1180).”
Në vitet 1902/3, në Vjenë në Österreichisches Institut für Geschichtsforschung u specializua për paleografi latine, diplomatikë, kronologji dhe notariat, tek profesorët e mirënjohur O. Redlicha dhe A. Dopscha. Në këtë vit, ai u rregjistrua tek prof. K. Jireček për “Studimet albanologjike në Kolegjin e Vjenës”, studime këto që nuk arriti t`i përfundonte. Në vitin 1904, botoi studimin e habilitacionit me titull: “Die Dalmatinische Privaturkunde. Dr. Milan v. Šufflay. In Kommission bei Carl Gerold’s sohn/ Buchhändler der Kaiserlichen Akademie der Wissenschaften. Sitzungsberichte der Kaiserlichen Akademie der Wissenschaften in Wien. Philosophisch – Historische klasse. Band CXLVII. (Vorgelegat am 20. Mai 1903.). Wien, 1904.“
Në vitet 1904-1908, dr. Šufflay punoi si asistent në bibliotekën kombëtare Szeczeny të Budapestit. Këtu thelloi njohuritë në fushën e ballkanologjisë dhe sidomos të albanologjisë. Ai arriti të vendosë kontakte të shumta me intelektualë dhe shkencëtarë me famë botërore, kontakte këto që do t’i shfrytëzonte më vonë, gjatë gjithë punës së tij shkencore. Në Budapest, Šufflay arriti që në revista dhe gazeta të ndryshme të botonte një numër të madh punimesh shkencore me vlera të jashtëzakonshme. Në revistën Szazdok, botoi dy punime për mesjetën kroate, ku me argumente shkencore tregoi se dokumentet e Rabit të shek. XI dhe XII për mbretin kroat Zvonimir ishin falsifikat. Kjo gjë më vonë do t’i kushtonte shumë, sepse do të shpallet tradhëtar i popullit kroat, dhe studentët e tij do t’ia bojkotonin leksionet! Në vitin 1908, ai u emërua profesor i rregullt për shkencat ndihmëse të historisë në Universitetin e Zagrebit. Së bashku me Talocin dhe Jirečekun, në vitin 1913 dhe 1918, ai botoi kryeveprën “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, vol. I-II. Në vitin 1918, me kërkesën e tij doli në pension, e pastaj botoi “Die Kirchenzustände im vortürkischen Albanien. Die Orthodoxe Durchbruchszone im Katholischen Damme.“ Në: Vjesnik Kr. hrvatsko-slavonsko-dalmatinskoga zemaljskog arkiva. Urfedjuje dr. Ivan Bojničić pl. Kninski. Zagreb: Tisak Kralj. Zemaljske Tiskare, 1915, viti XVII, f. 1-70, që do të ishte pjesa e tretë e Historisë së Shqipërisë, të cilën kishte planifikuar që së bashku me Talocin dhe Jireçekun, ta shkruante në pesë vëllime. Po këtë vit, botoi edhe studimin tjetër: “Politische Schicksale des Themas Dyrrhachion. Në: Vjesnik Kr. hrvatsko-slavonsko-dalmatinskoga zemaljskog arkiva. Urfedjuje dr. Ivan Bojničić pl. Kninski. Zagreb: Tisak Kralj. Zemaljske Tiskare, 1915, viti XVII, f. 273-300.” Në vitin 1920 vazhdoi botimet e tij me romanin, “Konstantin Balšić”, me temë nga mesjeta shqiptare. E firmosi me pseudonimin Alba Limi.
Në dhjetor të vitit 1920, Šufflay u burgos. U dënua me tre vjet e gjysmë burg të cilat i kaloi në Mitrovicën e Sremit. Në vitin 1924 botoi në të përditshmen zagrebase, “Obzor”, romanin fantastiko-shkencor: “Na Pacifiku 2255 – metagenetički roman u četri knjige”. Po në këtë vit botoi edhe: “Städte und Burgen Albaniens hauptsächlich während des Mittelalters. Vorgelegt in der Sitzung am 24. April 1918. Akademische der Wisenschaften in Wien. Philosophischen-historische Klasse. Denkschriften, 63. Band, 1. Abhandlung. Wien – Leipzig: Hölder-Pichler-Tempsky A.-G. Kommisions-Verleger der Akademie der Wissenschaften in Wien, 1924,” dhe “Nacionalne maglice. Sredovječna plemena Albanije i Crne Gore. Në: Obzor. Zagreb, 20, 24-25 shkurt dhe 4 prill 1924, viti LXV, nr. 49, f. 4; nr. 53, f. 3; nr. 54, f. 3; nr. 62, f. 2,” si dhe “Sredovječni dinaste Albanije i Crne Gore. Državne jezgrice, në Obzor, Zagreb, 16-19 prill 1924, viti. LXV, nr. 105, f. 4; nr. 106, f. 1; nr. 107, f. 4; nr. 108, f. 11.”
Veprimtarinë botuese në fushën e albanologjisë e vazhdoi me botimet: “Povijest sjevernih Arbanasa (Sociološka študija) në “Arhiv za Arbanasku starinu, jezik i etnologiju” /Urednik H. Barić/ [Séminar de Philologie Albanaise-Seminar za Arbanasku filologiju], Beograd, 1925, libri II (1924), f. 193-242” dhe “Srbi i Arbanasi (Njihova simbizoa u srednjem vijeku), Sa predgovorom prof. Univ. u Beogradu, Beograd, 1925, f. III-IV 1-142,” kurse më 1926 botoi: “Vjerske prilike u Albaniji kroz vjekove, Katolički Sjever i pravoslavni Jug u muslimanskoj državi në Obzor, Zagreb, 11 qershor 1926, viti. LXVII, nr. 154, f. 2-3.” Në vitin 1928, botoi librin me ese: “Hrvatska u svijetlu svjetske historije i politike”. Po këtë vit, u emërua profesor i rregullt në Universitetin e Budapestit, por për shkak se nuk i dhanë pasaportë, u detyrua ta refuzojë këtë emërim. Problemet me policinë ishin pjesë përbërëse e jetës së dr. Šufflay-t.
Sipas disa të dhënave më të reja të zbuluara në Arkivin Shtetëror Kroat në Zagreb, dr. Milan Šufflay ishte njëri ndër shkencëtarët e rrallë në botë që u përcoll hap pas hapi nga policia, e madje jo vetëm ai, por edhe personat me të cilët kontaktonte, duke përfshirë këtu edhe anëtarët e familjes së tij të ngushtë dhe të gjerë. Një mbikqyrje e tillë kishte filluar në fund të vitit 1922, gjë që mund të dëshmohet nga dokumentet arkivore. Fillimisht vëzhgohej vetëm ditën, ndërsa më vonë 24 orë pa ndërprerje. Për çdo të re nga mbikëqyrja i raportohej drejtpërdrejt kryeministrit, Petar Zhivkoviç, e më vonë pasardhësit të tij, Milorad Srshkiçi në Beograd dhe vetë mbretit, në mënyrë që të kishin parasysh veprimtarinë dhe lëvizjet e shkencëtarit të madh.
Në vitin 1929, Akademia Vjeneze e Shkencave i propozoi dr. Šufflay-t që të vazhdonte vjeljen e lëndës arkivore për vazhdimin e botimit të ”Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia,” vëllimet III-V. Këtë iniciativë e përkrahu edhe qeveria e Mbretërisë Shqiptare, e cila shprehu gatishmërinë e saj për të hequr shpenzimet për një ndërmarrje të tillë kaq serioze dhe të vlefshme. Dr. Milan Šufflay, u ftua të vizitojë Shqipërinë. Pas shumë peripecish rreth marrjes së pasaportës, ai arriti në Shqipëri më 12 janar të vitit 1931.
Në mbrëmjen e 18 shkurtit të viti 1931, aty rreth orës 20.00h, në rrugën “Dalmatinska” nr. 6 (në Zagreb), dr. Milan Šufflay goditet për vdekje nga pusia. Plagët ishin të rënda dhe ai vdiq të nesërmen, më 19 shkurt. Kishte vetëm një ditë që ishte kthyer nga Shqipëria, ku kishte qenë për vizitë disaditore. Vrasësit ishin Branko Zwerger, Lubomir Bellosheviqi dhe Stevo Veçerina. Ata deklaruan që kishin marrë urdhër nga Beogradi për të likuiduar dr. Šufflay-n.
Paanshmëria, korrektësia dhe simpatia e madhe ndaj popullit shqiptar, lidhjet e afërta me Shqipërinë, pranimi dhe argumentimi në mënyrë shkencore i tezës së prejardhjes së drejtpërdrejtë të shqiptarëve nga ilirët, si dhe autoktonia e tyre në trojet shqiptare, ishin shkaqe që e shtynë Beogradin drejt një veprimi të tillë.
Menjëherë pas atentatit, policia konfiskoi të gjitha dorëshkrimet që ndodheshin në apartamentin e tij. Një pjesë e mirë e këtyre dorëshkrime, mesa duket janë humbur përgjithmonë, sepse edhe sot e kësaj dite nuk u është gjetur ndonjë gjurmë. Megjithatë, pavarësisht nga ky fakt, M. Šufflay na ka lënë shumë studime të papërfunduara në dorëshkrim, një pjesë e mirë e të cilave ruhet në Arkivin Shtetëror të Kroacisë në Zagreb.
Jehona e vrasjes ishte e madhe. Reaguan me shkrimet e tyre “Tribuna” Romë, “Berliner Tagblat”, “New York Times”, “Frankfurter Zeitung”, “Arbënia” Tiranë, “Vullneti i Popullit” Tiranë, etj. Me një memorandum të veçantë reaguan edhe kolosët e shkencës e të letrave si Albert Einstein, Heinrich Mann, dr. Josef Bajza, dr. Max Hildebert Boehm, dr. Karl Fritzler, dr. Zenon Kuziela, dr. Martin Spahn, dr. Branimir Jeliq, Josip Milkoviq, Lumo Skendo, Faik Konica, si dhe “Ligue Internationale des Droits des L’Homme,” “Federation Universitaire Internationale.” Kështu, me vdekjen e Šufflay-t, albanologjia humbi njërin nga mbështetësit kryesorë që kishte në atë kohë, studimet e të cilit edhe sot e kësaj dite janë me vlera të larta dhe pothuajse të pazëvendësueshme.
[Për më shumë për M. Šufflay-n të konsultohen: Lumo Skendo, Profesori Milan Shuflaj dhe histori e Shypris. Vullneti i Popullit. Tiranë. 25 janar 1931, viti II, nr. 234, f. 3; Aleksandar Stipčević, Milan Šufflay kao albanolog. Kolo. Zagreb, 1991, viti III, f. 119-122; Oscar Radni, Milan Šufflay. L’Europa Orientale. /Rivista storica e politica, publicata a cura dell’Istituto per l’Europa Orientale/. Roma, 1932, ann. XII, nr. 3-4, f. 169-177; Musa Ahmeti, Millan Shuflaj – emër i nderuar për shqiptarët. Flaka. Shkup. 19-20 gusht 2000, viti LV, nr. 6599, f. 15; i njëjti, Profesori Milan Shufflay dhe histori e Shqipris. Informatori. Zagreb. Janar 1997, viti V, nr. 1, f. 14-15; i njëjti, Shuflaj – në dritën e të dhënave më të reja për jetën dhe veprën. Ekskluzive. Zürich-Tiranë-Prishtinë nëntor, 2000, viti I, nr. 9, f. 78-81; i njëjti, Veliki hrvastki povjesničar dr. Milan Šufflay kao albanolog. Zagreb, 1999; i njëjti: Emilianus de Sufflay and his contribution in Researching the Albanian History. Në: Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia. Vindobonae: Typis Adolphi Holzhausen, 1913-1918, vëll. I-II. [Ribotuar në vitin 2002 nga DPA dhe Ekskluzive, Tiranë-Prishtinë, nën përkujdesjen e dr. Musa Ahmetit], vëll. I-II, f. m-sh; Darko Sagrak-Musa Ahmeti, Dr. Milan pl. Šufflay. Izabrani eseji, rasprave i članci. Zagreb, 1999. vëll/ I; Darko Sagrak, Dr. Milan pl. Šufflay hrvatski aristokrat duha. Zagreb, 1998. [Naklada: Darko Sagrak i “Hrvatska Uzdanica”]; Zekeria Cana, Millan Shuflaj. Me rastin e 100-vjetorit të lindjes. Shpalime historike. Prishtinë, 1985, f. 95-109; Antonin Fishta, Dr. Sufflasy nder vepra të veta. Hylli i Dritës. Shkodër, 1931, viti VII, nr. 3 [Marc 1931], f. 170-176; Franz Mach, Zur Geschichte Albaniens im Mittelalter. “Acta et diplpmata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”. Collegerunt et digesserunt Dr. Ludovicus de Thallóczy, Dr. Constantinus Jireček et Dr. Emilianus de Šufflay. Volumen I, (Anno 344-1343 tabulamque geographicam continens). Vindobonae 1913, typis Adolphi Holzhausen. Fremend-Blatt. Wien. 25. VI. 1913, nr. 172, f. 15-16; Imre Szentpètery, Die dalmatinische Privaturkunde von Milan v. Šufflay. Wien, 1904. Carl Gerold’s Sohn. 8-r., 2, 166, l. (Sitzungsberichte der kaiserlichen Akademie der Wissenschaften in Wien. Philosophisch-historische Klasse. Bd. CXLVII. Szàzadok Budapest, 1907, viti XLI, f. 75-77; Petar Strčić, Šufflay žrtva diktature. Vjesnik. Zagreb, 19 shkurt 1991, viti LII, nr. 15599, f. 14.]