Luan Rama
(Katër shqiptarë në Antologjinë e Poezisë Botërore)
Përfshirja në një antologji të Poezisë Botërore prej rreth 750 faqesh, me poetë të zgjedhur nga vende të ndryshme të botës, është padyshim një kënaqësi, pa nevojën e duartrokitjes, ndërkohë që Shqipëria ka poetë të mrekullueshëm që do duhej të ishin pjesë, por kjo përzgjedhje është bërë nga francezët dhe nga një shtëpi botuese me emër « Editions Carcateres ». Çdo poet është përfaqësuar me një poezi siç është përfaqësuar Visar Zhiti me poezinë « Elegji e pyjeve », Entela Kasi me poezinë « Nëse bota është e egër, Anja » dhe unë me poezinë « Elegji për kukullat e Detit Egjé », apo nga Kosova, Agim Gjakova, me poezinë « Gruas sime ». Një antologji e rrallë dhe e përgatitur me shumë dashuri nga Nicole Gdalia, Sylvestre Clancier dhe Jean Portante. Në parathënien e tyre ata shkruajnë se kjo antologji është « një buqetë imazhesh, tingujsh, muzikash e këngësh me instrumentet dhe vibracionet e tyre aq të ndjeshme… Eshtë një udhëtim i vogël rreth botës në shoqërinë e bukur të poetëve, ajo e poetëve autentikë, të këtyre « qytetarë të botës », krijues të harmonive. » Për morinë e poetëve të përfshirë nga të pesë kontinentet, kjo antologji duket e jashtëzakonshme, një ngjarje poetike që sapo ka dalë në treg me rastin e 70 vjetorit të kësaj shtëpie botuese në Rue Arbalet në zemër të Parisit. Kjo shtëpi botuese u themelua nga një poet i ri që konsiderohej “Remboja polak” i quajtur Bronislav Kaminski, një antinazist i flaktë që përfundoi në kampet e përqëndrimit në Mathauzen dhe që për fat shpëtoi gjallë. Ishte fati i tij që të vazhdonte jetën e poetit të ri në një botë të lirë e humaniste të cilës i këndonte dhe e ëndërronte. Në vitin 1949 ai erdhi në Francë ku vazhdoi jetën e tij dhe shumë shpejt themeloi shtëpinë e tij botuese « Les Caracteres » Ishte poeti i njohur Pierre Seghers që do të botonte fillimthi një libër të tij poetik « Shteg ngjyre » më 1950, ku ndër të tjera ai këndonte « Njerëz të të gjitha gjuhëve / të të gjitha ngjyrave / deklaroj se jam vëllau juaj, / ju të mjerë -.unë mbaj mbi vete mjerimin tuaj, / ju njerëz të buzëqeshur –mbaj mbi vete gëzimin tuaj, / ju të dashuruar – unë mbaj dashurinë tuaj ! » I quajtur tashmë Bruno Durocher ai vdiq në vitin 1996 në Paris por shtëpia e tij poezisë dhe vargjet e tij vazhdojnë shtegtimin e tyre letrar.Shfleton këtë antologji dhe ndalon në vargjet, portretet, në këto fytyra kaq njerëzore, poetë të gjallë dhe të tjerë ikur nga kjo botë, poetë që i bashkon i njëjti mision, ai për ta bërë botën më të bukur dhe më humaniste. Disa prej tyre kanë qenë në burgjet e diktaturave por hekurat e tyre nuk i penguan të këndonin siç ndodhi me Janis Ricos, Nazim Hiqmet apo me vërsnikun tonë shqiptar Visar Zhiti që na solli këngët e drithëruara e të fuqishme të burgut. Në këtë libër, Fernando Pessoa na vjen me trishtin e tij, ashtu siç na vjen Ezra Pound, James Joyce, apo Tagora me nostalgjitë e mrekullueshme të tij dhe këngën e botës. Janë aty Neruda me dashuritë e tij dhe poezinë « Asgjë, veç vdekja » ; është Lorka me dhimbjen dhe klithjen e tij, janë nobelistë të shumtë, janë Andrei Voznessenski , Andre Verdet, Lionel Ray, Ossip Mendelstam, Max Jacob, grekët Odhise Elitis apo Seferis që në poezinë tij « Kthimi i njeriut që i mohuan atdheun » këndon : « Çfarë këndon ti miku im i vjetër ? / Nga koha e mërgimit ti tashmë je kthyer / me imazhet e vjetra që të ushqyen / nën qiej të huaj / larg vendit tënd… » Këtu janë dhe vargjet e Durocher që këndon : « Doganieri më kërkon pasaportën /ndërsa unë i tregoj veç qiejt !» Gjithë këto poema e vargje të ngjajnë në këtë libër me një baladë të gjatë në mijra e mijra vargje ku zërat e poetëve ndjekin njëri-tjetrin si në një epope apo korr madhështor mozartian, një këngë e botës. Të ngjan me një fushë plot lulesh shumëngjyrëshe, të paqes, dashurisë, solidaritetit, të thirrjes për progresin njerëzor që vringëllimat e armëve dhe gjëmimet e luftrave të heshtin përgjithmonë. Kjo është balada e bukur e kësaj antologjie që na ofrohet me kaq dashuri!