Emir Kurtishi
Jurist
Se janë data simbolike, fatkeqësisht sot duhet t’ju kujtojmë. Për mua gjithmonë këto festa, më janë dukur festa koti, sepse Zoti ju ka falur në mënyrën më të përsosur, ashtu siç jeni, gabime simpatike të natyrës. Shënimi i datave është shpikje e njerëzve, andaj edhe s’mund të jenë të përsosura. Në një ditë e vetme është pak për t’ju kujtuar. Por, edhe 365 ditë për t’ua kushtuar juve, prapë si numra janë pak! Ato që nuk ua njohin rëndësinë dhe vlerën, e kanë injoruar vetën dhe janë të humbur në këtë botë. E di që nuk e keni lehtë, sidomos ju. Jeta juaj është shndërruar në proces gjyqësor kafkian, pa epilog, pa fund. Vendimi i plotfuqishëm s’duket në horizont
Jeta juaj, ankthi i kapitenit të anijes. Valët e jetës, jo rrallë herë ju përplasin në shkëmbinj të ashpër dhe therës, ku dilni të gjakosura. Por, unë e di që ju jeni më të fuqishme se burrat dhe notuese të afta që dini fare mirë spirancën ta vendosni thellë brenda në det, të reflektoni dhe ta përcaktoni drejtimin drejt bregut parajsor të jetës. Urimi tradicional, i zakonshëm dhe tepër modest do duhej të ishte që t’ju urojmë shëndet, me të drejtë, sepse lufta nuk vazhdohet e vetme e aq më tepër po qe se nuk gëzoni shëndet të plotë. Ky element esencial jetësor do t’ju shërbejë për t’i përmbushur detyrimet që dalin nga kontrata jetësore e lidhur me Zotin e Madhërishëm. Ne nuk ju meritojmë, e di. Jeta juaj njëmend është bërë një çështje gjyqësore, por bota pa ju nuk do të kishte shijen që e ka tani. Sido që të jeni, për ne jeni argumenti përfundimtar!
Gëzuar, të gjithëve! 🌹