Ilir Ikonomi
Studiues, Uashington
Pjesa 1
Fan Noli shkoi në Gjenevë dhe u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve falë një rastësie. Ai ishte nisur nga Bostoni për në Shqipëri më 21 korrik 1920 me synimin për të ngritur një kishë shqipe autoqefale dhe për të hyrë në politikën e brishtë shqiptare. Por qeveria e Sulejman Delvinës nuk e lejoji të zbriste në Durrës me arsyen se prania e tij mund të acaronte marrëdhëniet me Greqinë. Për të shlyer këtë “borxh” ndaj Nolit, qeveria e Delvinës e emëroi atë kryedelegat të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë.
Noli arriti në Gjenevë më 12 nëntor 1920. Detyra e tij kryesore ishte anëtarësimi i Shqipërisë në Lidhje. Në atë kohë, Jugosllavia dhe Greqia vazhdonin të mbanin trupa në disa pjesë të territorit shqiptar, me arsyen se, për shkak të luftës që shpërtheu në vitin 1914, kufiri verior dhe ai juglindor i Shqipërisë nuk ishin përcaktuar përfundimisht.
Lidhja e Kombeve u hap zyrtarisht më 15 nëntor 1920. Për fatin e mirë të Shqipërisë, komisionin që do të vlerësonte kërkesën e saj dhe të disa vendeve të tjera për t’u pranuar në Lidhje, e kryesonte Lordi Robert Cecil, delegat i Afrikës së Jugut, i cili e shihte me simpati Shqipërinë. Gjatë punës përgatitore Noli bashkëpunoi aktivisht me Lordin Cecil, për çështje të tilla si statusi juridik i shtetit shqiptar, sidomos kufijtë e Shqipërisë të vendosur në Konferencën e Londrës në vitin 1913 në linjat e tyre kryesore, të pranuar nga të gjashtë fuqitë e mëdha dhe të njohur nga të gjitha palët e interesuara, duke përfshirë Serbinë dhe Greqinë.
Por kur propozimi për Shqipërinë u shtrua më 4 dhjetor, ai nuk u pranua, me arsyen se statusi ndërkombëtar i Shqipërisë kërkonte një marrëveshje të re mes fuqive të mëdha.
Gjatë dy javëve që pasuan vijuan përpjekjet në prapaskenë, ku Noli luajti një rol me rëndësi. Lufta botërore, thoshte Noli, nuk e ndryshoi statusin ndërkombëtar të Shqipërisë. Ajo u sulmua nga vendet ndërluftuese pa asnjë provokim dhe u mbajt në një gjendje gjysmë vetëqeverisëse.
Më 17 dhjetor paradite, në seancën plenare të Asamblesë, Lordi Cecil paraqiti përsëri çështjen e Shqipërisë. Fjalimi i tij, i ndërtuar me argumente juridike dhe morale, sillte shembuj nga popuj dhe vende të tjera, për të provuar se Shqipëria ishte një shtet që e meritonte pranimin në Lidhje. Në fund, ai i ftoi të gjithë të kujtonin natyrën e zjarrtë të patriotizmit shqiptar. “Ndjenja patriotike në Shqipëri, – tha ai, – është po aq e fuqishme sa në çdo pjesë të botës, po aq e fortë sa edhe në Zvicër, në Francë, apo në çdo vend tjetër. Delegati i Britanisë, Fisher, ndryshoi qëndrim dhe shprehu idenë se pranimi i Shqipërisë do të ndikonte për ta qetësuar Ballkanin dhe prandaj bashkohej me propozimin e Lordit Cecil. Edhe të tjerët ranë dakord. Asambleja votoi 35 me 0 për ta pranuar Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve. Pro votuan edhe grekët, serbët dhe italianët.
Lordi Cecil dhe njeriu që frymëzoi përpjekjet e tij, Aubrey Herbert, duhej të kenë luajtur rol parësor për të bindur britanikët që t’i jepnin këtë fitore me rëndësi shtetit të brishtë shqiptar.
Fan Noli bashkëpunoi ngushtë dhe ndihmoi që Lordi Cecil të artikulonte imtësitë juridike që lidheshin me historinë e krijimit të shtetit shqiptar dhe me ekzistencën e tij gjatë luftës. Njohuritë e Nolit në terrenin e politikës ndërkombëtare dhe aftësitë e mira gjuhësore ishin një plus i madh.
Noli zbriti në Durrës mëngjesin e 8 prillit, vetëm pak ditë pasi kishin përfunduar zgjedhjet parlamentare. Atij iu bë një pritje prej heroi. Noli u emërua deputet i Vatrës në Parlamentin e ri. Ai mori pjesë vetëm disa javë në jetën parlamentare, sepse qeveria e emëroi të shkonte përsëri në Gjenevë ku do të shqyrtohej çështja e marrëdhënieve të Shqipërisë me Greqinë dhe Jugosllavinë, të cilat mbanin të pushtuara territore që ndodheshin brenda kufijve të caktuar në vitin 1913. Noli ishte njeriu që mund t’i mbronte më mirë se kushdo argumentet e Shqipërisë për çështjen e nxehtë të kufijve.
Në Gjenevë, seanca e Këshillit të Lidhjes së Kombeve do të mbahej më 25 qershor. Qeveria shqiptare donte që problemi i kufirit të vendosej nga Këshilli i Lidhjes, ku mundësia e zgjidhjes në favor të Shqipërisë ishte më e madhe. Në atë kohë, çështjet e mbetura nga Konferenca e Paqes shqyrtoheshin në Paris nga Konferenca e Ambasadorëve të Aleatëve Kryesorë dhe Fuqive Shoqe, e krijuar në janar 1920.
Noli përgatiti një dosje të tërë me dokumente që do t’i paraqiteshin Këshillit të Lidhjes. Në seancën e 25 qershorit ai foli i pari. Ishte një fjalim me tone të zbutura dhe në një frëngjishte të shkëlqyer, siç raportonte gazeta The New York Times. Gazeta përmendte se tre delegatët e Shqipërisë ishin të feve të ndryshme dhe se Fan Noli, që fliste në emër të tyre, kishte mbaruar Harvardin dhe kishte qenë peshkop në Boston.
Fjalimi i tij i bëri përshtypje të thellë Këshillit. Noli tha se, ndonëse kufijtë e Shqipërisë ishin caktuar në vitin 1913, ajo nuk po arrinte t’i nxirrte fqinjët, Greqinë dhe Jugosllavinë, jashtë territorit të vet. Për Jugosllavinë, ai përmendi se trupat e saj kishin pushtuar një të gjashtën e të gjithë territorit të vendit, që përfshinte një popullsi prej 150 mijë banorësh. Kjo, tha Noli, i ka shkaktuar një ankth politik dhe ekonomik shtetit të ri shqiptar. Sipas tij, disa incidente kishin bërë që 40 mijë banorë të atyre zonave të braktisnin vatrat. Noli tha se këta refugjatë, që përbënin një barrë të rëndë financiare, ishin një kërcënim për marrëdhëniet e mira me Jugosllavinë.
Përsa i përket Shqipërisë së jugut, Noli tha se qeveria e tij ishte në zotërim të të gjithë territorit të përcaktuar me kufij në vitin 1913, me përjashtim të 26 fshatra në zonën e Korçës që mbaheshin të pushtuar nga grekët.
Noli argumentoi se e gjithë politika e brendshme shqiptare gjendej e paralizuar për shkak të pranisë së trupave të huaja në territorin e saj.
“Kufijtë e Shqipërisë, – tha Noli, – u caktuan nga gjashtë fuqitë e mëdha. Qeveria shqiptare mendon se pasuesi i atij koncerti evropian është Lidhja e Kombeve dhe jo Konferenca e Ambasadorëve. Pra, çështja shqiptare duhej të diskutohet nga Lidhja e Kombeve.
Përfaqësuesi grek, Ilias Frangulis, tha se kufijtë jugorë të Shqipërisë, megjithëse u hodhën në hartë në vitet 1913-1914, nuk u përcaktuan kurrë në terren. Ai i mëshoi fort dobësisë së njohur të Shqipërisë, faktit që gjatë luftës botërore ajo u përfshi nga anarkia, aq sa autoriteti i qeverisë qendrore thuajse u zhduk.
I dërguari serb, Michel Jovanoviç, pranoi se vendi i tij vazhdonte të mbante të pushtuar një pjesë të territorit në lindje të Drinit të Zi dhe në veri të Drinit të Bardhë. Ai kujtoi se në vitin 1914 dhe 1915, shqiptarët kishin ndërmarrë sulme kundër vendit të tij dhe, qysh në atë kohë, ushtria serbe kishte pushtuar zonën strategjike matanë Drinit të Zi dhe Drinit të Bardhë. Përfaqësuesi serb tha se, pas mbarimit të luftës, ata e kishin ripushtuar këtë zonë në mënyrë që sulme të tilla të mos përsëriteshin.
Noli nuk vonoi të përgjigjej. Ai tha se nuk ishte e saktë që kufijtë e Shqipërisë ishin përcaktuar në mënyrë aq të mjegullt, siç u përshkrua nga parafolësit. Po ashtu, nuk ishte e saktë që traktati i fshehtë i Londrës i vitit 1915 qe botuar ndonjëherë zyrtarisht. “Nga pikëpamja ndërkombëtare, – tha ai i indinjuar, – traktati i fshehtë i Londrës nuk ka asnjë vlerë juridike.
Argumenti moral i Nolit rreth të drejtës së Shqipërisë për të mos patur trupa të huaja brenda kufijve të saj, kishte rënë në vesh të shurdhër. Gazeta The New York Times, që njihej për raportime të paanshme, nuk i fshehu tonet e simpatisë për çështjen që mbronin delegatët shqiptarë, duke u dhënë hapësirë komenteve të Nolit. “Nëse trupat greke dhe jugosllave detyrohen të largohen nga territori ynë, – i tha Noli gazetës, – Shqipëria mund të bëhet një ndër vendet kryesore në atë pjesë të Evropës, sepse popullsia e saj është shumë punëtore dhe merret krejtësisht me bujqësi”.