
Nga Mimoza Dajçi/
Në udhëtimin tim si Sekretare e Përgjithshme e Ish-të Persekutuarve Politikë për Degën e Tiranës, dhe gazetare e kësaj dege, kam pasur privilegjin e madh të njoh nga afër njerëz që mbartnin mbi shpatulla historinë më të dhimbshme, por edhe më krenare të kombit tonë. Mes tyre, figura e Osman Kazazit mbetet e gdhendur pashlyeshëm në kujtesën time. Osman Kazazi është një nga figurat më emblematike të qëndresës antikomuniste dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Osman Kazazi nuk ishte vetëm një njeri që kishte kaluar dekada në burgjet dhe kampet e internimit të regjimit komunist, ai ishte vetë mishërimi i qëndresës stoike, dinjitetit njerëzor dhe shpirtit të patrembur shqiptar. Biseda dhe bashkëpunimi me Osman Kazazin ishte një histori e gjallë, ishte një iniciativë shpirtërore dhe me shumë vlerë historike.
Në çdo takim pune, konferenca të ndryshme për shtresën ish të persekutuar politike, fjala e Osman Kazazit përcillte fisnikëri të rrallë. Megjithëse kishte vuajtur një nga kalvaret më të gjata të dënimit politik në Shqipëri, tek ai nuk shihej kurrë mllef apo urrejtje, por vetëm dëshira për të vënë në vend drejtësinë, për të nderuar kujtimin e atyre që nuk ia dolën dhe për t’i lënë brezave të ardhshëm të vërtetën e pamohueshme të historisë.
Puna pranë tij dhe bashkëvuajtësve të tjerë ishte një shkollë më vete patriotizmi dhe humanizmi. Çdo bisedë me të ishte një leksion i gjallë se si liria nuk falet, por fitohet dhe mbrohet me çmimin më të lartë. Në foto të ndryshme të veprimtarisë sime pranë të Persekutuarve Politikë të Shqipërisë, mes disa ish-të persekutuarve politikë, ndodhet edhe figura Simbol i Qëndresës Historike – Osman Kazazi, gjë për të cilën ndiej krenari dhe përgjegjësi.
Ato foto nuk janë thjesht imazhe të kapura në letër, janë dëshmi e gjallë e një epoke solidariteti, ku njerëz që përballuan stuhinë më të egër të historisë u bënë bashkë për të kërkuar dinjitetin e humbur. Aty shihet qartë forca e atij brezi që nuk u përkul kurrë, dhe për mua mbetet një nga kujtimet më të shtrenjta të angazhimit tim shoqëror e njerëzor.
Me vendosjen e pluralizmit në Shqipëri në fillim të viteve ’90, Kazazi nuk zgjodhi urrejtjen apo hakmarrjen. Ai u bë Kryetari i parë i Shoqatës së Ish të Dënuarve dhe të Persekutuarve Politikë të Shqipërisë (1991-1993), duke u kthyer në zërin kryesor të institucionalizimit të diktaturës dhe integrimit të viktimave të regjimit në shoqëri. Qëndresa e tij është vlerësuar lart si brenda ashtu edhe jashtë vendit, për sakrificat dhe vlerat e tij njerëzore është vlerësuar edhe nga Vatikani me “Dekoratën e Artë”.
Ndërkohë që në anën tjetër e të kundërt të historisë kemi kryeministrin shqiptar Edi Rama, që akoma nuk ka shlyer kompesimin financiar për vujatjet e shtresës së ish të burgosurve dhe ish të persekutuarve politikë të Shqipërisë. Dëmshpërblim njerëzor që i detyrohet si qeveri kësaj shtrese dhe trashëgimtarëve të tyre. Premtim ky i mbajtur (dhe i parealizuar) nga ana tij në New York përpara diasporën shqiptare.
Osman Kazazi iku nga kjo jetë duke lënë pas testamentin e madh të qëndresës. Për mua, njohja dhe bashkëpunimi me të mbetet një nder i madh jetësor. Historia e tij dhe e gjithë të persekutuarve politikë duhet të mbetet e gjallë, sepse vetëm duke nderuar sakrificën e tyre mund të ndërtojmë një të ardhme me të vërtetë të lirë dhe demokratike.