TIRANË, 1 Qershor – Premiera e operës, “Pagliacci”, produksioni më i madh për këtë sezon artistik në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, u mirëprit nga artdashësit kryeqytetas. Për herë të parë në TKOB, sopranoja e njohur me famë ndërkombëtare, Inva Mula, përveç se protagoniste në rolin e Nedda-s, është edhe regjisore e operës.
Në rolet kryesore të operës Pagliacci interpretuan Nedda- Inva Mula, Mariana Leka, Canio – Walter Fraccaro, Davide La Verde, Tonio – Gocha Abuladze, Ylber Gjini, Silvio – Armando Likaj, Arlecchino – Klodjan Kaçani, Denis Skura (cover), Banorë të fshatit – Ogert Islami, Erlind Zeraliu.
Ndërsa emrat e tjerë që shoqërojnë produskionin janë dirigjenti Michelangelo Mazza, koncertmaestër: Lindita Kotorri, Etrita Ibrahimi, skenografi Bledar Gercaliu, kostumet, Elva Bella dhe as/regjisore Ada Gurra, udhëheqës Artistik: Alketa Haxhiu,
Pjesë e shfaqjes ishte edhe kori i TKOB, drejtuar nga mjeshtri Dritan Lumshi, apo edhe kori i Liceut Artistik “Jordan Misja” me të cilin punoi Irida Bega dhe artistët e Cirkut të Tiranës, që janë pjesë e shfaqjes.
Opera u dha premierë në 29 maj, si dhe u shfaq ne 31 maj në skenën e TKOB, ndërsa do të ngjitet në skenë edhe sot e nesër për publikun kryeqytetas.
“Pagliacci”, produksioni më i madh TKOB, ngjiti në skenë artistë me famë botërore, të cilët me artistët e TKOB-së ofruan për publikun një shfaqje jo vetëm të bukur, por me një mesazh të rëndësishëm, atë të dhunës ndaj grave.
Sopranoja e nohur Inva Mula, njëkohësisht regjisore e operës, shprehet për vënien në skenë te kesaj opere se “unë vetë jam një produkt i operas Pagliacci. Dikur në konservatorin Tchaikovsky të Moskës studentët e kantos vendosnin në skenë këtë opera dhe dy të rinj u dashuruan gjatë duetit të Neddës dhe Silvios, por me ndryshimin që ngjarja nuk rrodhi si në opera, por në një dashuri të madhe nga ato më të bukurat dhe pasionantet ku dy të rinjtë, studentë vazhduan ta përjetonin jo vetëm në opera por në 55 vitet që jetuan së bashku”.
“Nuk e di nëse unë zgjodha për të vendosur në skenë këtë opera, apo ajo më zgjodhi mua, për të mos qënë vetëm interpretuese por për ta konceptuar atë si një ngjarje në rrugët e qytetit tim të lindjes. Historia e Neddës mund të jetë edhe ajo e çdo vajze shqiptare ku fatkeqësisht jeta nuk ka vlerën që meriton dhe ajo mund të merret nga burri, i dashuri, ish bashkëshorti. Publiku mbas kësaj shfaqje do dalë duke reflektuar”, theksoi Mula.
Ne, vijoi Mula, sjellim një mesazh kundër dhunës ndaj gruas, çmojeni atë, nënën, motrën, gruan dhe vajzën shqiptare, vetëm kështu do rrisim breza që do të kontribuojnë në emancipimin e shoqërisë tonë. “Falenderoj të gjithë që më ndihmuan në këtë rrugëtim dhe i uroj të gjithë kolegëve një shfaqje të bukur”, tha ajo.
Opera Pagliacci
Sinopsis
Gjatë prologut ngrihet sipari; shfaqet Tonio me petkat e personazhit Taddeo që interpreton në komedi, dhe i drejtohet audiencës me arien (Si può?… Si può?… Signore! Signori! … Un nido di memorie). Ai i kujton publikut se edhe aktorët kanë ndjenja dhe se shfaqja që do të shohin është një episod i marrë nga jeta reale, e cila e ka prekur thellësisht kompozitorin.
AKTI I
Në orën tre të pasdites një trupë komedianësh zbret në qëndrën e një fshati të vogël në jug të Italisë. Fshatarët i bëjnë një pritje shumë të ngrohtë dhe gëzohen për shfaqjen e bukur që u premtohet se do të shikojnë në mbrëmje. Kur Nedda bën të zbresë nga rulota, Tonio i zgjat dorën për ta ndihmuar të zbresë por shtyhet nga Canio ( bashkëshorti i saj ) i cili e ndihmon vetë atë. Fshatarët i ftojnë të gjithë në tavernë për të pirë diçka. Canio dhe Beppe pranojnë, ndërsa Tonio qëndron në shesh. Fshatarët e ngacmojnë Canion duke i thënë se Tonio do t’i marrë gruan. Canio i thotë të gjithëve se ndryshe nga roli i bashkëshortit qesharak që luan në komedi, në jetën reale ai nuk do ta lejonte kurrë një situatë të tillë. Këmbanat e kishës, që lajmërojnë lutjen e pasdites fillojnë të bien dhe Canio dhe Beppe largohen duke lënë Nedda-n vetëm në shesh .
Nedda ndjehet e frikësuar nga zjarri me të cilin flet i shoqi (aria: Qual fiamma avea nel guardo) por qetësohet nga cicërimat e zogjve (aria: Stridono lassù). Tonio kthehet dhe me të gjetur Nedda-n vetëm, i shpreh asaj dashurinë por ajo i qesh ne fytyrë. I xhindosur, Tonio e sulmon dhe për tu mbrojtur ajo e godet me kamzhik. I fyer, Tonio betohet për hakmarrje.
Hyn në skenë Silvio, një djalë i ri, i dashuruar thellësisht me Nedda-n. Ai i kërkon asaj që pas shfaqjes të arratisen bashkë dhe megjithëse e frikësuar ajo pranon. Tonio i cili ka qënë duke përgjuar aty afër, shkon që ti rrëfejë Canios që Nedda e tradhëton dhe që dy të dashurit janë bashkë në shesh. Canio dhe Tonio mbërrijnë, Silvio arrin të largohet ndërkohë që Neda i premton se “do të jem përgjithmonë e jotja”. Edhe pse Canio e ndjek Silvion nuk arrin ta kapë e as të dallojë fytyrën e tij. Canio nxjerr thikën dhe kërcënon Neddan-n por ajo nuk pranon të tregojë emrin e të dashurit. Beppe i heq thikën nga dora dhe i kujton që shfaqja fillon pas pak ndërkohë që Tonio i thotë që gjatë shfaqjes do të dalë edhe emri i të dashurit. Canio-n e lënë vetëm të veshë kostumin e tij të Paggliaco-s (Aria: Vesti la giubba ).
Akti II
Nedda e veshur si Columbina, mbledh paratë e spektatorëve të cilët brohorasin ndërkohë që shfaqja fillon.
Pagliacco (Canio) nuk ndodhet në shtëpi dhe në mungesë te tij Columbina pret plot ankth të dashurin e saj Arlecchino-n (Beppe), i cili vjen dhe i kushton një serenatë poshtë dritares. Vjen Taddeo (Tonio) dhe i shpreh asaj dashurinë, por ajo e vë në lojë, ndërkohë që hap dritaren për Arlecchino-n që të hyjë brenda në dhomë. Ai i ulëret Taddeos dhe e përzë nga dhoma ndërkohë që audienca qesh. Arlechino i jep Columbinës një ilaç gjumi për të shoqin. Kur i shoqi të kthehet ajo do t’ia japë ilaçin dhe do të arratiset me të dashurin. Në këtë moment vjen Taddeo i cili thotë se Pagliaccio po kthehet dhe se dyshon tek e shoqja. E ndërsa Arlecchino arratiset nga dritarja, Columbina i premton “do të jem përgjithmonë e jotja”. Pagliacco mbërrin dhe kur dëgjon të njëjtat fjalë ai harron që është në rol, humbet kontrollin, dhe i kërkon Nedda-s që ti tregojë emrin e të dashurit. Plot ankth ajo e thërret me emrin e personazhit “Pagliacco” për ta kujtuar se janë në skenë por ai i përgjigjet me arien “No! Pagliaccio non son!”. Duke kënduar ai i thotë asaj se fytyra e tij është e zbehtë jo prej pudrës por prej turpit që ajo i ka shkaktuar. Spektatorët duartrokasin me zjarr performancën plot emocion. Nedda e cila vazhdon të luajë pjesën, i thotë se i dashuri është Arlechino. Canio i xhindosur e pyet Nedda-n sërish për emrin e të dashurit të saj por ajo betohet se kurrë nuk do t’ia tregojë. Canio rrëmben thikën mbi tavolinë dhe godet Nedda-n. Fjalët e saj të fundit janë: “Ndihmë Silvio”. Silvio nxiton të ngjitet në skenë por Canio e godet edhe atë duke i lënë të dy të vdekur në tokë. Foto:A.Dobi. Kortezi:ATSH