
Arenc Leka/
Rrugët e ngushta të Tiranës përballen çdo ditë me një krizë të thellë infrastrukturore, të përkeqësuar nga mungesa e zgjidhjeve strukturore për qarkullimin dhe parkimin. Situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
Duke ndjekur nga afër transformimin urban të lagjeve si Meatpacking District në West Village, New York – nga zona industriale në hapësira të jetueshme, moderne dhe të integruara – më vjen natyrshëm të krahasoj rrugën që po ndjek qyteti i fëmijërisë sime, Tirana.
Ndryshe nga modeli i planifikuar i zhvillimit që ofron New York-u, Tirana sot vazhdon të rrotullohet në një vorbull destruktive të tipit: shkatërro dhe ndërto pa kriter. Shumë nga bashkëmoshatarët e mi që jetojnë jashtë vendit nuk e njohin më Tiranën. Ajo ka ndryshuar përtej njohjes – me vite shkatërrimi dhe ndërtime të shpejta, shpesh pa menduar për pasojat në qarkullim. Kudo shfaqen ndërtime të reja, disa prej tyre mbresëlënëse, por në të njëjtën kohë rrugët ngushtohen, kthesat bëhen të pakalueshme, dhe trafiku vazhdon të ngecet. Niveli i nervozizmit dhe tensionit mes drejtuesve të automjeteve është çdo ditë në rritje.
Kriza e Parkimit dhe Qarkullimit – Simptomë e Ndërtimit të Pakontrolluar
Ndërtimi pa kufij në një sipërfaqe të vogël, me rrugë të papërshtatshme dhe një rritje të shpejtë të popullsisë, ka sjellë një kaos të vërtetë në qarkullim. Kjo situatë kërkon prioritet absolut në agjendat e planifikimit urban.
Zgjidhjet që munden dhe duhet të zbatohen:
1. Parkime nëntokësore me sipërfaqe të gjelbëruara mbi to, të realizuara në hapësira ndërmjet pallateve ekzistuese. Shembuj të suksesshëm janë zbatuar pranë sheshit “Skënderbej”, Stadiumit, apo ish-stacionit të trenit.
2. Ndërtime shumëkatëshe (nën dhe mbi tokë) që të përdoren ekskluzivisht për parkim.
3. Heqja e makinave nga rrugët, siç kanë vepruar qytete si Montreali (17 km tunele) apo New York City, të cilat kanë spostuar parkimet rrugore në garazhe nëntokësore. Kështu, rrugët mbeten të dedikuara vetëm për lëvizje, jo parkim. Rruga e Durrësit sot është një shembull ku kjo mund të aplikohet më tej.
4. Riorganizimi i qarkullimit për automjetet furnizuese, duke lejuar hyrjen e tyre vetëm nga ora 04:00 deri në 06:00 të mëngjesit, ose pas orës 20:00 të mbrëmjes – në mënyrë që të mos rëndojnë trafikun gjatë ditës.
5. Zgjidhje infrastrukturore si në Boston, përmes rrugëve tunel dhe urave që lehtësojnë daljet nga qyteti në autostradë në mënyrë të menjëhershme. Tirana mund të përfitojë shumë nga zgjidhje të tilla për pikat problematike si: Diga e Liqenit, Hyrja në autostradën e Durrësit, Kthesa e Kamzës, Rruga e Aeroportit, Hyrja për në Elbasan, Ksamil, Lezhë, etj.
6. Shtimi paralel i infrastrukturës për biçikleta dhe motoçikleta, siç bëjnë me sukses vendet si Danimarka, Holanda, Zvicra, Austria.
Tirana është një qytet energjik, ku gjithnjë e më shumë njerëz përdorin biçikleta elektrike dhe motoçikleta për të shmangur trafikun e ngarkuar, sepse nuk dalin dot me makine.
Një Thirrje për Veprim – Tani!
Nëse Tirana aspiron të bëhet një qytet evropian i standardit të vitit 2030, qarkullimi duhet të jetë i lehtësuar Sot, jo Nesër. Cilësia e ndërtimit të pallateve sot ka arritur nivele shumë të larta – prandaj ndërtuesit duhet të marrin edhe përgjegjësinë për të ndihmuar në zgjidhjen e trafikut, të cilin vetë e kanë shkaktuar me dendësimin e popullsisë në zona me rrugë të ngushta dhe pa infrastrukturë të përshtatshme.
Tirana do të bëhet, por do të duhet kohë për të zhbërë shumë prej gabimeve arkitekturore të dekadës së fundit. Le të fillojmë nga më urgjentja: çlirimi i rrugëve dhe parkimeve.
Shpresoj në një ndryshim të madh dhe të mirë nga bashkitë e qyteteve – veçanërisht tani që sezoni turistik ka filluar dhe bashkë me turistët po hyjnë në vend edhe investimet. Le të lehtësojmë qarkullimin ditor, për një Tiranë më të jetueshme dhe më të denjë për qytetarët e saj!