
Simon Mirakaj*/
Para se me fillu tregimin tim për Kampin e shfarosjes Tepelenë duhet me ba kryq e me lutë ZOTIN me më dhanë forcë me përballu emocionet sepse kujtesa do të shpalosë ngjarje shumë të dhimbshme e shumë tronditëse. Sidoqoftë e vërteta duhet thanë sa do e hidhur apo e dhimbshme të jetë sepse ajo i shërben të ardhmes. Në Shtatorin e vitit 2014 vendi jonë u vizitua nga Ati Shenjtë Papa Françesku i cili ndër të tjera tha: Për vizitën e parë në Europë zgjodha Shqipërinë, nuk e zgjodha si vendin ma të begatshëm po e zgjodha si vendin që ka vuajtur ma shumë nga komunizmi.
Ne erdhëm në Kampin e internimit Tepelenë prej internimit në Berat(Kala). Në kampin e Tepelenës erdhën edhe nga kampet e internimit Krujë, Cërrik, Kamëz etj. Ky kamp ishte buzë lumit Bençë. Kampi ishte i rrethuar me tela me gjemba, brenda kampit ishin gjashtë gazerma të ndërtuara nga ushtria Italiane në kohën e luftës Italo -Greke. Çdo gazermë kishte 500 veta, krevatët ishin pa ndarje çdo person kishte 60cm për t’u rrotulluar. Kampi ishte i përbame nga fëmijë, gra dhe të moshuar. Në këtë kamp internimi kishte familje nga gjithë Shqipëria, nga veriu e nga jugu. Nga mungesa e higjenës e ushqimit çdo ditë pothuajse hapej një varr. Ne fëmijëve na u dha e drejta me vazhdu shkollën në qytet(Tepelenë) e kishim të veshtirë sepse rruga ishte e përpjetë e nuk na mbanin gjunjët. Nënat nuk kishin çfarë të na jepnin në mëngjes me përjashtim të ndonjë kore buke që e kishin hequr nga goja e vet për ne, na ndihmonin dhe fshatarët duke na dhënë ndonjë copë bukë me pak gjizë, për hirë të vërtetës dhe ata ishin të varfër. Nuk ka më tmerr se sa me të kërku fëmija bukë e ti të mos kesh mundësinë me i dhanë jo nga paaftësia e saj por nga imponimi i diktaturës komuniste të instaluar në mënyrë ma të dhunshme. Ne prisnim me gezim motrat e nënat të ktheheshin nga puna se ato na sillnin manaferra, Gorrica e ndonjë gavetë me hirrë.
Natën nuk kishte qetësi se fëmijët si në kor bërtisnin o nanë dua bukë e nanat nuk kishin çfarë me ju dhanë veç lotë që binin mbi fytyrat e tyne e duke lëpirë lotët e nanave i zinte gjumi. Fëmijët e moshës 14 vjeç i nxirrnin në punë në mal me bajtë dru me bajtë pleh me bajtë gur. Në atë kamp të tmerrshëm vdiqën gjithsej 800 vetë nga të cilët 300 fëmijë. Tre herë i lëvizën varret, herën e fundit qëllimisht komanda e policia e kampit dha urdhërin që varrezat të vendoseshin buzë lumit. Dimrit lumi fryhej nga prurjet e mori e zhduku dhe varret, sot të gjithë janë pa varr. Nga fundi i muajit Mars fillimi i Prillit komanda e policisë hapi lajmin se mund të mbahej mesha e Pashkëve. Në kamp kishim pesë prifterinj, Dom Nikoll Mazreku, Pader Jan Gardiani, Pader Zef Hila, Ferdinand Pali, Pader Vitor Volaj. Priftat lajmin e pritën me gezim e vendosën që meshën t’a mbajë Dom Nikolli. Mesha do mbahej te gazerma qe kishte vetem muret anësore. Ndanë detyrat, Jan Gardiani do krijonte Korin, Ferdinand Palaj, Zef Hila, Vitor Volaj do rrëfenin katolikët. Pader Gardiani mblodhi fëmijët e i porositi të bënin ndonjë tufë me lule që gjendeshin në kamp. Tridhjetë gra ndër to edhe muslimane pastruan gazermën, disa u morën me gjetjen e ndonjë batanije që do vendosej përpara për të sëmuret, një tjetër gjeti një çarçaf të bardhë si bora për elterin. Gazerma ishte mbushur plot me njerëz kishin ardhë dhe muslimanë. Mbi tavolinë u vendosën tufa me lule. Nja dhjetë ditë para Pashkëve kishte ardhë sapo i dalë nga burgu At Zef Pllumi, kishte sjellë nja gjashtë kokrra vezë të kuqe dhe teshat e nevojshme për Dom Nikollën që do mbante meshën. Perballë tavolinës u vendosen vezët dhe një tas ku ishin vendosë kore buke të laguna me ujë e sheqer për me i beku. Dom Nikolli hypi në altar e hapi meshën me këto fjalë: “Po çojmë këtë meshë në këtë gazermë të shkatërruar e të nxime, por ne do t’a konsiderojmë si katedralen e Shen-Pjetrit, do t’a konsiderojmë si ma të madhen katedrale të qytetërimit modern të ndriçuar me dritat më të bukura. Njerëzit shpërthyen në lot e duartrokitje e me duart lart duke ju lutur ZOTIT. Kori që ishte në të djathtë të altarit filloi me kendue këngën e Zojës së Shkodrës në kor ishin: Gjosho Vasija(i ndjeri), Karlet Luka(i ndjeri), Lek Pervizi, Suzana Topalli, Elena Merlika, Xhina Mirakaj, Motrat Markagjoni, Motrat Mirakaj, Motrat(vajzat e Nik Sokolit). Zani i tyre hyjnor kumboi deri në qiell. Erdhi momenti me marrë kungimin të cilën e morën dhe myslimanët të pranishëm. Pader Viktor Volaj mori shporten me vezët e Pashkëve që nuk e ditën nga i kishin gjetë e filluan me ja u shpërnda fëmijëve të cilët nuk kishin pa vezë me sy i futen ne gojë të pa qërume, ju desht nanave të tyne me jau heq nga goja e me jau qerue. Njerëzit u shperndanë duke uruar njëri-tjetrin për Pashkë.
Kampi i shfarosjes Tepelenë u mbyll mbas vdekjes së Stalinit. Ne na nisën për në kampet e internimit në Lushnjë. Jeta ndryshoi nuk kishte të vdekun prej urie, njerëzit filluan me punu sigurisht pune të rënda por paguheshin për punën që bajshin. Dhuna e terrori vazhdoi deri në shembjen e diktaturës komuniste. Në kampet e internimit (Lushnjë) u arrestuan 50 vetë duke u dënuar me akuza të rënda agjitacion e propogandë. U arrestu dom Mikel Koliqi në moshën 76 vjeç me akuzën e si agjent i Vatikanit e se ka pagëzuar një fëmijë e dënojnë 15 vjet burg. Ne nuk e kemi të lehtë me rrefye për tragjeditë e shkaktuara nga padrejtësia e diktaturës komuniste që po të ishte Shekspiri gjallë do i kishte Lakmi. Vuajtjet ma të mëdha i kanë kaluar nanat e motrat tona që ne me të drejtë i quajmë HEROINA. Ne e ndiejmë si detyrim ballafaqimin me të shkuarën duke mendu se ato tregime i sherbejnë konsolidimit të Lirisë e Demokracisë, pra i shërbejnë të ardhmes. Ne vazhdimisht kemi deklaru se ne duhet të jetojmë në paqë me njëri-tjetrin pavarësisht bindjeve politike. Ne vuajtjet tona nuk ja falim kujtë por kemi pritur që drejtësia t’a thotë fjalën e saj. Po e mbylli fjalen time me thirrjen e fjalën e fundit të martirëve të Kishës Katolike që para ekzekutimit thoshin: Rrnoftë KRISHTI MBRET. Rrëfimi im është marrë nga shkrimet e Gjosho Vasisë, Elena Merlika, Lek Previzit të cilët kaluan disa vite në këtë kamp shfarosjeje.
*Fjala në Katedralen e Shën Palit me rastin e 72 vjetorit të meshës së Pashkëve mbajtur në kampin e shfarosjes në Tepelenë, i ftuar nga Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë – Durrës Arjan Dodaj.