Akademik Vasil S. Tole/
Me themelimin e Konservatorit Shtetëror të Tiranës në vitin 1962 dhe krijimin e katedrës së kompozicionit erdhi natyrshëm diplomimi i kompozitorëve të parë nga shkolla jonë.
Në këtë proces emancipues për muzikën tonë, Feim Ibrahimi ishte jo vetëm një nga studentët e parë të kompozicionit të diplomuar në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, por u bë edhe një nga aktorët më të rëndësishëm të muzikës sonë i cili e mbështeti dhe e konsolidoi këtë proces kulturor novator në muzikën shqiptare. Freskia dhe larmia e mjeteve shprehëse që i sollën krijimet e tij muzikës sonë, duke filluar me “Koncertin për piano”-1971 ishin mbresëlënëse. Ishin tingëllime dhe konceptime të reja të cilat rridhnin nga vështrimi ndryshe i trashëgimisë muzikore popullore në raport me zhvillimet ndërkombëtare të muzikës.
Muzika e Ibrahimit erdhi dhe u bë më dinamike, e drejtpërdrejtë, gjë që solli një rivlerësim të ritmit si parametër i barabartë me melodinë dhe jo më poshtë saj nga rëndësia. E mbështetur në tërësi mbi bërthamë motivesh të shkurtra, gjuha muzikore e këtyre veprave u krijua si një përbashkim mes tipareve pentatonike të melodisë, harmonisë që natyrshëm nuk e parakuptonte tonalitetin, por që prirej drejt polimodalitetit dhe në disa raste sillte atonalen në rrugë shqiptare në muzikën tonë, krahas formave të reja të trajtimit të polifonisë së jugut.
Pa humbur asnjëherë orientimin kombëtar të muzikës së tij, ai u përpoq në vijimësi që ta përsoste këtë proces të nisur tashmë edhe në ballafaqim me modele të ngjashme që vinin nga përvoja evropiane dhe botërore. Kjo ishte sfida dhe zgjedhja e tij: të ishte njëherësh kompozitor shqiptar e bashkëkohor njëherësh. Feimi e artikuloi me kurajë dhe publikisht qëndrimin e tij krijues duke thënë se “aktualiteti ynë nuk mund të pasqyrohet në muzikë denjësisht pa një kërkim të thellë dhe në fushën e gjuhës muzikore dhe të mjeteve shprehëse, që muzika jonë të jetë moderne, e kohës, si në përmbajtje, ashtu dhe në gjuhë”.
Sjellim ndër mend trajtimet kompozicionale shumë origjinale të trashëgimisë muzikore popullore te “Tokata” për piano (1968); “Rapsodia shqiptare” Nr. 1-1973 dhe Nr. 2-1975, në “Vallen epike”-1974, tek “Variacionet mbi një temë popullore për flaut dhe orkestër”, “Koncertin për oboe dhe orkestër”-1981 etj.), kjo përmes shfrytëzimit krijues të gjithë hapësirës melodike, ritmike, harmonike e polifonike shqiptare, brenda një vepre apo në vepra të ndryshme.
Eshtë domethënëse ajo që Feimi i shkruan muzikologut grek Leocakos në vitin 1996, mbi lidhjet e pandashme të muzikës së tij me trashëgiminë folklorike, ku i pohon se të gjitha temat e koncertit për piano nr. 2 janë pothuajse citime të melodive popullore, por mbi të gjitha tema e kohës së tretë është fjalë për fjalë një këngë e krahinës së Myzeqesë, zona Fier, Lushnje. “Unë kam transformuar vetëm karakterin vallëzues” – shkruan Ibrahimi.
Prej vitesh, formimi i tij, interesat muzikore e kompozicionale vepra muzikore etj., e kishin dhe e kanë pozicionuar figurën shumëdimensionale të Feim Ibrahimit në pararojë të kërkimeve muzikore dhe artistike të muzikës shqiptare të viteve ’70, ’80 të shek. XX e më pas. I paharruar profesori dhe miku ynë Feim Ibrahimi!
▪︎ Për më shumë mbi Feim Ibrahimin ndiqni bisedën në studio për personalitetin dhe krijimtarinë e Tij të gjerë https://www.youtube.com/watch?v=6EDyXEcC938