Nga Rasim BEBO/
Pak kohë më parë, këtu në Amerikë, vdiqën dy çamë, të ardhur në Shqipëri rreth moshës 10 – vjeçare, pas masakrës së qershorit 1944. Safet Rojba dhe Rexhep Llaja, i pari nga Margëllëçi dhe i dyti nga Filati, shpresonin vazhdimisht të ktheheshin në vendlindjen e tyre, në shtëpitë e tyre në mallin dhe varrezat e tyre. Por nuk qe kismet dhe para se të mbyllnin sytë lanë amanetin, për Çamërinë e Çliruar dhe për gjithë Shqipërinë Natyrale. Ky amanet i hershëm i të gjithë çamëve, sot është vënë në qendër të lëvizjes së politologut Koço Danaj, i përkrahur nga SHBA.
Edhe poeti e shkrimtari Qamil Buxheli, deri para vdekjes, ëndërroi amanetin e tij për ÇAMËRINË, duke lënë këto vargje të pavdekshme:
ÇAMËRIA TRIME. “O Çamëria Trime! / O Çamëria Trime! / O motra Çamëri! / Evropa t’la jetime, / por s’iu përule ti. / Me burra e gra suljote, / me djem që tundin malet, / me vajzat shtojzovalle. / Ti çave trumundanat. / E theve çdo pusi. / O motër Çamëri! / O trimja Çamëri! / Një shekull zë e ngryset, / që kur si shqipe mali, / me zëmër të zhuritur, / për mbi folenë e prishur / qëndron edhe sot në qiell. / Rikthimin duke pritur! / Ti mbahu motër mbahu, / se dita shpejt do vijë. / Në tokën e pa sosur. / Me gjak e djersë brumosur. Me varret e të parëve. / Me gjuhën e shqiptarëve. / Me gjuhën prej bilbili, / Që i këndoi Naimi … / Do zbardhë dita motër. Pranvera do të vijë! … (Dodona, f. 515).
Dy pleq, rreth të tetëdhjetave, shokë të vjetër, Hasani me Dautin, u përgatitën: të veshur e mbathur mirë, me para dhe pasaporta të rregullta, me nga një bastun në dorë, u gjendën para sportelit të doganës greke në Kakavi. Pas një përshëndetjeje me fjalën, tungjatjeta, ata dorëzuan të dy pasaportat. Kur sportelisti, hapi dhe lexoi pasaportat, i shikoi të dy pleqtë me një urrejtje e neveritje pazakonshme dhe pastaj ulëriu: “Oqi Çamëria, pijene a podho !” (Ska Çamëri, shporruni këndej)… Ai u grisi pasaportat dhe ua hodhi në fytyrë.
Të vrarë shpirtërisht, atyre gati sa nuk u ra damllaja. U mbështetën te muri, pak metra larg sportelit dhe ashtu rrëshqitas, me kurriz te muri u ulën në tokë.
Hasani filloi të recitojë disa vargje pikëllimi (nga Qazim Shemaj): – Çamëria është atje ku ka qënë, ne jemi këtu, jemi çamë, si mundet të mohoj vendin tim e unë gjallë këtu? Kjo është toka e jonë. Mure të rënë, të rjepur, / dhe bluja e qiellit e mekur. / Një xhevze e ndryshkur anës vatrës. / që pjek kafe vreri erërave të natës./ Ca trandafila rebele, mbi një pllakëz mbi varr. / Të vetmet që vdekja ka harruar t’i marrë. / Gjithçka përmbysur, e djegur e shkretë. / Tek ngjitesh e ulesh në këtë tatëpjtë. /Asnjë portëz e mbyllur, por askush nuk të prêt! / Heshtja në heshtje! / Ha veten e vet! “. Dhe ne do ta pimë një kafe vreri për t’i tundur pesë deputetët çamë… – e mbylli recitimin ai.
-E mo, Hasan, – ia ktheu Dauti, – shikon si futen shumë grekë në Shqipëri pa asnjë pengesë, kurse për ne u bë kiameti, të shkonim në shtëpitë tona… Ku qëndron Traktati i Miqësisë, pse nuk ka reciprocitet, “me lejon – të të lejoj”. Ç’është kjo përulje kaq e madhe. Ku është “shteti”? Kjo qeveri me kuptimin e plotë, është, si ka thënë Dritero Agolli, kohë më parë: “shkërdhatokraci”, bashkë me Akademinë e Shkencave. Ku janë këto penat e ndritura të kombit shqiptar që heshtin për këto evenimente shumë të rëndësishme, kur greku ka arritur të thotë “ÇAMËRIA NUK EKZISTON”. Kur sot në Shqipëri nga 35-40 mijë çamë që erdhën si pasojë e atij genocidi të llahtarshëm grek të qershorit 1944, kanë arritur afërsisht në gjysmë milioni çamë të shtuar në rrugën natyrale, pra, rreth 15 herë më shumë dhe në parlament përfaqësohen nga 5 deputetë…
Dauti i kujtoi Hasanit, se zgjedhjet e fundit Parlamentare, si dhe ato lokale, e konfirmuan, PDIU-në, si forcën e katërt politike në vend. Po çfarë kanë bërë për Çamërinë?… Asgjë dhe më keq akoma, ata tallen me elektoratin çam, duke ulur dhe ngritur për 70 vjet, ende të pa miratuar Rezolutën Çame nga Parlamenti Shqiptar.
-Prit more Hasan, – i thotë Dauti!- Ministri i jashtëm grek, u shpreh para qeverisë se “Çamëria nuk ekziston” dhe ata pesë deputetët çamë heshtën, u tërhoqën me kapistër kali për elektoratin e PD e PS dhe dalin në sipërfaqe me një demagogji të gënjeshtër dhe mashtruese, se gjoja nxorën nga pluhuri i harresës tekstin e Rezolutës Çame, të aprovuar më 8 prillin e 2004-ës… – Kështu e mbyllën muhabetin të dy pleqtë dhe me zëmër të thyer u kthyen në shtëpitë e tyre, por jo të Çamëri.
Servet Pëllumbi, ish kryetar i Parlamentit, thotë: “Më 8 prill 2004 u njohëm në mënyrë të detajuar me Rezolutën Çame dhe e mbështetën të gjithë, grupi ynë i parlamentit ishte dakord për ta miratuar. Por kjo rezolutë pengohej nga Brenda, prej Fatos Nanos dhe Sali Berishës, të cilët ishin dy bariera kryesore që sabotuan rezoluten (sipas diktatit nga Athina). Kur pa pritur mbërriti një telefonatë nga kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano. Ishte një urdhër i prerë, që u jepej deputetëve socialistë, të tërhiqeshin nga votimi pro i rezolutës. Kështu ata gjatë votimit u larguan dhe nuk morën pjesë. Kjo ishte një thikë pas shpine për Çamërinë dhe çamët. Unë, thotë Sabit Brrokaj nuk e zbatova atë urdhër dhe qendrova e votova prorezolutës çame. Fatos Nano më quajti “tradhtarë të PS-së”. Unë e quajta spiun të grekut. “
Rezoluta Çame që u hodh në votim në Parlament, më 8 prill 2004 nuk fitoi, rezultati ishte 53 pro rezolutës çame dhe 55 kundra, me 108 deputetët që kanë qenë të pranishëm në atë séancë. Do të fitonte Rezoluta Çame, po të kishte qëndruar Sali Berisha, Jozefina Topalli me të vetët, por këta u larguan para votimit. Kryetari i parlamentit në atë kohë, Servet Pëllumbi, deklaroi se kjo rezolute nuk ishte aprovuar. Këtu duket hapur marrëveshja e Sali Berishës me Fatos Nanon, për kundra rezolutës Çame, në shërbim të hapur me grekun. Dhe jo vetëm kaq, po filluan edhe të tallen me Rezolutën Çame. Këta zotërinj, në pragun e zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, u duheshin deputetet çamë, prandaj urdhëruan kryetarin e komisionit të jashtëm, Fatos Beja, të nxjerrë nga arkivi i Kuvendit, votimin e datës 8 prill 2004, duke bërë diversion para deputetëve të këtij komisioni se, kjo rezolute ishte miratuar, por nuk ishte botuar në Fletoren Zyrtare, pasi kreu i parlamentit në atë kohë, Servet Pëllumbi kishte deklaruar, se kjo rezolute nuk ishte miratuar.
Shpëtim Idrizi del si flamurtar duke shkundur Parlamentin Shqiptar për demaskimin e shtrembërimin dhe fshehur (gjoja) miratimin e Rezolutës çame te 2004-ës. PDIU-ja me Shpëtim Idrizin, bëjnë një përflakje të pështirë, për të u tallur më shumë me elektoratin çam, se do të krijohet një komision hetimor, për të sqaruar dhe zbardhur rrethanat dhe përgjegjësit e fshehjes së rezolutës së miratuar. PDIU vazhdon të mbetet e mendimit, se miratimi i rezolutës, është beteja e parë e fituar në luftën e saj për zgjidhjen e çështjes çame. Më tej, vazhdon demagogu Rama: “… se çështja Çame nuk meriton vetëm të trajtohet, por meriton të çohet përpara drejt zgjidhjes, sepse ky është një detyrim shtetëror tashmë që buron nga vetë rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë”. Ndërsa hipokriti Sali Berisha thotë: “Çështja Çame duhet zgjidhur me përputhje me Traktatin e Miqësisë që ekziston mes dy vendeve. Kjo është ngritur në të gjitha takimet, … nga kryetari I PD me autoritetet më të larta të vendit mik, me të cilët është takuar… Ku Shqipëria ka bërë të qartë se nuk ka asnjë pretendim territorial…Traktati i Miqësisë ka një klauzolë ku çështja e pronësisë së shqiptarëve të Greqisë dhe të grekëve në Shqipëri do te zgjidhen mbi bazën e procedurave teknike”. Hajde dhe merru vesh me këta dallkaukë. Kur Greqia e ka të ligjëruar, se Çamëria nuk ekziston dhe nuk pranon asnjë marrëveshje historiko-shkencore për Çamërinë. Ajo e ka bërë rezolutën e saj, një dekadë më parë në OKB-se, EB, Kongresit Amerikan dhe e ka ligjëruar se “Çamëria nuk ekziston” Kurse ju zotërinj të PD, PS, dhe PDIU-së, po talleni me Rezolutën e pa miratuar, të kthyer në një “paçavure” dhe mashtroni duke shkruar: “Aprovimi i saj nga kryesia e kuvendit dhe dërgimi për botim në fletoren Zyrtare, erdhi pas përfundimit të hetimeve nga administrata e Kuvendit të Shqipërisë, ku u konkludua se rezoluta e vitit 2004 ishte e miratuar. Ish-kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli e dërgoi draftin e miratuar për botim, pas kërkesës zyrtare të dy deputetëve të PDIU-së z. Shpëtim Idrizi dhe z. Dashamir Tahiri. (gazeta “ÇAMËRIA”, 13 tetor 2013). Zotërinj deputetë Çamë, përpara se ta kalonit këtë “Rezolutë të miratuar” në raftet e fletores Zyrtare për gjumë, ju duhet t’ia paraqitnit parlamentit për ta parë dhe aprovuar si një dokument i kërkuar për 70 vjet “REZOLUTE ÇAME” dhe Parlamenti bashkë me dosjen e masakrave greke t’ia dërgonte menjëherë OKB-se, BE, Kongresit Amerikan. Kur ju nuk e kërkuat këtë nga Parlamenti, si fuqi e katërtë që jeni në Parlament, atëherë ju gënjeni, ju mashtroni. Jeni deputet të pabesë, jeni vetëm për të bërë biznes. Ju shkelët amanetin prindërve tuaj, Ju shkelët mbi gjakun e masakrës greke që u është bërë familjeve tuaja dhe gjithë Çamërisë. Ju jeni kthyer në shërbëtorë të grekut, më keq se Fatos Nano dhe Sali Berisha.
Kërkoni ta shlyeni këtë turp, shkoni në Çamëri me 100 djem çam dhe atje do mësoni si të veproni. Rasim Bebo, Adison Çikago, qershor 2014