Shkruar nga Avni ALCANI
Ekzistojnë disa teori për origjinën e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Sipas njërës prej tyre, shqiptarët vijnë nga Kaukazi, për shkak se atje jeton ende një popull dhe një vënd që quhet Albani. Kjo teori nuk ka gjetur përkrahje pasi nuk ka asgjë shkencore dhe asnjë fakt historik apo linguistik që të dëshmojë se shqiptarët e Shqipërisë vijnë nga Albania e Kaukazit. Në një tjetër teori gjuha shqipe është e afërt me gjuhën armene, pasi të dyja janë gjuhë unike dhe se kanë disa fjalë të përbashkëta. As kjo teori nuk ka gjetur mbëtetjen e studiuesve. Një teori tjetër pretendon se gjuha shqipe vjen nga vendet balltike, pasi edhe në këto gjuhë ka disa fjalë të përbashkëta, që nuk i kanë gjuhët e tjera, por që nuk ka gjetur mbeshtetje, për shkak se fjalë e përbashkëta janë të papërfillshme për t’u analizuar nga ana shkencore.
Por teoria e cila ka mbështeje të gjërë nga gjuhëtarët albanologë është se gjuha shqipe ka afërsi dhe lidhje me gjuhën dako-rumune. Ithtari më i flaktë i teorisë se shqiptarët vijnë nga Trakia, apo Dakia antike (diku mes Rumanisë dhe Bugarisë së sotme), është albanologu gjerman Gottfried Schramm (1929-2017), i cili, në librin e tij “Anfänge des albanischen Christentums: die frühe Bekehrung der Bessen und ihre langen Folgen” (Origjinat e krishterimit shqiptar: Konvertimi i hershëm i Bessians, Freiburg im Breisgau 1994), ka shkruar se shqiptarët rrjedhin nga Besianët, që, sipas tij, ishin“një popull i hershëm trak që u shty drejt perëndimit në Shqipëri nga atdheu i tyre malor origjinal në bullgaro-serbët e sotëm”. Po sipas tij, ka qenë përdorimi i shqipes së hershme (d.m.th. i gjuhës Bessiane) si gjuhë liturgjike në një manastir të gadishullit të Sinait në shekullin e 6-të (pas Kr.), e cila përhapi krishterimin në gadishullin e Ballkanit, që e bën këtë teori interesante për t’u studiuar. Libri i tij shkaktoi bujë kur u botua, sepse binte ndesh me teorinë mbizotëruese të origjinës ilire të popullit shqiptar. Teoria e Schramm-it është kundërshtuar dhe vijon ende të jetë e refuzuar në masë të madhe nga studiuesit. Në të njëjtin libër Schramm shkruan se nuk ka asnjë dokument historik dhe asnjë të dhënë shkencore që të ketë pasur një dyndje të madhe të shqiptarëve nga viset malore të Trakisë në brigjet e Adriatikut, në një kohë që, shumë më përpara shekullit të 6-të, dëshmitë historike flasin për dyndjet e sllavëve në vendet e Ballkanit.
Ekzistojnë rreth 250 fjalë të përbashkëta të fondit themeltoar (jashtë atij indoevropian), si dhe shumë elemente gjuhësore të përbashkëta ndërmjet dy gjuhëve shqiptaro-dako-rumune. Mund të përmend dy prej tyre, si shtrung-u, gëlbazë-a etj. Kemi gjithashtu të përbashkët mbiemrat e nyjshëm, të cilat nuk ekzistojnë në gjuhët e tjera të familjes indoevropiane. Një ngjashmëri është Rotacízmi, dukuri në gjuhësi i kalimit të n-së në r midis dy zanoreve në fjalët e disa dialekteve, e cila është në të dy gjuhët, në shqip dhe në dako-rumanisht.
Kanë qenë të shumtë studiuesit dhe albanologët rumunë, të cilët i kanë studiuar përkimet gjuhësore shqiptaro-rumune. Njëri prej tyre, Nicolae Iorga (1871–1940), historian, kritik letrar, albanolog, poet dhe dramaturg rumun, që ka pohuar se shqiptarët janë “fis të një gjaku” me rumunët. Akademiku Grigore Brancus (1929-2022), gjuhëtar, filolog dhe albanolog i shquar, ka shkruar: “Po ju tregoj njërën nga ngjashmëritë më të dukshme: Rotacizmi i n-së ndërzanore, i panjohur në gegërisht, i cili është një element karakteristik i toskërishtes. Themi rum. arină (rërë) nga lat. arena, e cila përdoret në formën ariră, me rotacism në malet Apuseni, ku ende ruhet kjo formë e rotacizuar. Kurse në jug të Shqipërisë, te toskët, përdoret rërë. Në veri, te gegët, thuhet ranë, me një a hundore, së cilës i përgjigjet në jug zanorja ë. Ka dhe shumë shembuj të tjerë: toskërishtja ruan një paskajore të shprehur me një strukturë me pjesore e tipit për të shkruar, e cila i korrespondon me një strukturë të ngjashme në dako-rumanisht, i ashtuquajtur supin: de scris (are de scris=ka për të shkruar). Në veri të Shqipërisë nuk e kemi këtë strukturë, por një strukturë me parafjalë dhe me pjesore: me shkrue. Unë i kam studiuar me detaje të gjitha këto struktura, të cilat pasqyrohen edhe në hartat e atlasit që është botuar së fundmi. Por, është shkruar shumë mbi këto dukuri. Kam bërë edhe unë hulumtimet e mia dhe kam mbledhur një material të madh mbi veçoritë që mbështesin fisërimin që në origjinë të rumanishtes me shqipen, i parë nga perspektiva e nënshtresës së përbashkët gjuhësore” . “Elementi i përbashkët rumuno-shqiptar, shkruan Brancus, duhet të jetë ngjizur në këtë zonë të takimit trako-ilir. Thënë ndryshe, ekziston mbi themelin ilir një përbërës gjenetik trako-dak, qysh nga periudha e formimit të gjuhës. Kjo përbën pjesën e përbashkët rumuno-shqiptare, domethënë elementet trako-dakë në shqip. Ekzistojnë shumë fjalë rumanisht nga substrati i kësaj gjuhe që gjegjëset e tyre gjenden në shqip, me forma identike apo të ngjashme, me kuptime identike apo të ngjashme… Sipas mendimit tim, është dhe fakti që ngjashmëritë më të shumta me rumanishten i ka shqipja e jugut dhe afritë më të forta strukturore në lidhje me elementin rumun ballkanik, në përgjithësi, me dako-rumunët, i kanë arumunët e Shqipërisë”.
Studiuesit rumunë, të tillë si Vatasheku dhe Mihaesku, duke përdorur analizat leksikore të gjuhës shqipe, kanë arritur në përfundimin se shqipja u ndikua shumë nga një gjuhë romanike e zhdukur, e cila ishte e dallueshme nga rumanishtja dhe gjuha dalmate. Për shkak se fjalët latine të përbashkëta vetëm me gjuhën rumune dhe shqipe janë dukshëm më të vogla se ato që janë të përbashkëta vetëm me romancën shqipe dhe perëndimore, Mihaesku argumenton se “gjuha shqipe ka evoluar në një rajon me kontakt shumë më të madh me rajonet e romancës perëndimore sesa me rajonet rumune, dhe e vendosi këtë rajon në Shqipërinë e tanishme, Kosovë dhe Maqedoninë Perëndimore, që përfshin në lindje deri në Manastir dhe Prishtinë”.
Fatkeqsisht studiuesit shqiptarë, ndryshe nga ata rumunë, nuk i kanë marrë seriozisht përkimet gjuhësore shqiptaro-rumune. Njëri shkak duhet të ketë qenë se mos i largonte ata nga teoria e prejardhjes ilire të shqiptarëve, teori e cila ka mbizotëruar për gati 150 vjet në shkencën e albanologjisë. Akademiku dhe studiuesi i mirënjohur shqiptar, prof. dr. Ardian Vehbiu, gjatë një interviste të fundit që ka dhënë gjatë muajit nëntor 2024, është shprehur: “Ka një gjë interesante në ballkanologji që shqipja dhe rumanishtja janë shumë të afërta me njëra-tjerën. Aq të afërta sa një linguist, një nga themeluesit e balkanologjisë si disiplinë, ka thënë: “Këto dy gjuhë janë e njëjta gjuhë, por me leksik të ndryshëm, se gramatikën e kanë njëlloj”. Rumunët e kanë studiuar shumë marrëdhëniet e rumanishtes me shqipen, por ne, nga na e jonë, mund të bënim më tepër. Por është e çuditëshme se sa ngjashmëri që ka, ngjashmëri në fjalët e fondit autokton, ngjashmëri në trajtimin e huazimeve latine etj. D.m.th., po të futesh të studiosh pak rumanisht habitesh se si ka mundësi që e kemi kaq të afërt. Kur u organizuan kongreset albanologjike erdhën linguistë dhe historianë rumunë dhe i parashtruan tezat e tyre. Ata qenë të hapur dhe nuk kishte censurë, por, tezat thrake nuk u panë me shumë simpati. Edhe Arshi Pipa, që ka studiuar në librin e tij për standartin e gjuhës shqipe, thotë se teza trake iu pëlqente këtyre të jugut, por se kishin frikë ta thonin me zë të lartë”. (“Nga albanologjia në letërsi”. Bisedë me Ardian Vehbiun)
Libri i Gottfried Schramm Nicolae Iorga (1871–1940) Grigore Brancus (1929-2022)