Prof. Milazim Krasniqi/
Po të mirrej lëvizja jonë për pavarësi në periudhën e okupimit (1945-1999) me tema margjinale si targat e veturave, dokumentet e udhëtimit, larja në liqen, sot mund të ishim “republika e tretë” në Jugosllavinë e Zhablakut. Po e kujtoj shkurt politikën tonë të pavarësimit, veçmas për të rinjtë, të cilëve propaganda partiake, sidomos e LVV, ua ka shpërlarë trurin. Ja një skicë e mundshme e rrugës që kaluam:
E para, rezistenca antiserbe e antijugosllave filloi që në ditët e para të ripushtimit të Kosovës nga Serbia e Jugosllavia, që kishin ndërruar kostum nga monarkiste në komuniste. Goditja ndaj lëvizjes iredentiste shqiptare ishte e pamëshirshme, por ajo kurrë nuk u shua, sado që u dëmtua rëndë dhe u dobësua në faza të ndryshme. Në një periudhë ajo u modifikua nga një lëvizje mirfilli iredentiste në një lëvizje integriste, si një rrugë e ndërmjetme për të kaluar sërish në projektin e bashkimit kombëtar e mandej të pavarësimit të Kosovës.
E dyta, demonstratat e vitit 1981, një vit pas vdekjes së themeluesit të RFSJ-së, Josip Broz Titos, e shpërfaqën konfliktin e madh ndërmjet shqiptarëve dhe nacionalizmit serbomadh dhe krizën kombëtare që ishte konservuar në ish federatën jugosllave. Represioni i tmerrshëm i regjimit komunist serbo-jugosllav, ndikoi për një homogjenizim edhe më të madh të shqiptarëve, të cilët definitivisht e kuptuan se nuk kishte shanse për barazi në shtetin jugosllav. Prandaj, kërkesa për një republikë të Kosovës brenda federatës jugosllave ishte kërkesë këmbëngulëse, për të siguruar një mekanizëm më të sigurt për të arritur barazinë kombëtare. Përgjigja serbe e jugosllave ishte e egër dhe si e atillë e pamundësoi gjetjen e një zgjidhjeje të arsyeshme për atë konstelacion. Ndodhi e kundërta: Memorandumi serb i ASSHA lancoi projektin e Serbisë së Madhe, me eliminimin e subjektivitetit federal të Kosovës.
E treta, në realitetet e konflikteve të reja legale kulturore, Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, e udhëhequr nga Ibrahim Rugova, nga shkurti 1988, filloi një konflikt publik kulturor e politik me shkrimtarët serbë, nga i cili doli fitimtar. Lidhja e Shkrimtarëve të Jugosllavisë është institucioni i parë federativ që u shpërbë, pa dyshim edhe me meritën konkrete të shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës, bashkë me ata sllovenë e kroatë, që nuk e pranuan shantazhin dhe nënshtrimin përballë nacionalizmit serbomadh.
E katërta, më 23 dhjetor 1989 u formua Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila e filloi procesin e afrimimit ndërkombëtar të Kosovës dhe të homogjenizizmit e mobilizizmi kombëtar të shqiptarëve për Kosovën si republikë e barabartë me të tjerat ose republikë më vete. Uragani LDK e ndryshoi për disa muaj narrativën për Kosovën më botë dhe solli një emancipim politik të ri, brenda aspiratave euro-atlantike, gjë që më parë nuk ishte parë as në ëndërr. Shqipëria ishte ende në humnerën e vet staliniste, por Kosova filloi të rrezatojë pak dritë demokracie edhe për të.
E pesta, më 2 korrik 1990, nga pjesa shqiptare e Kuvendit të Kosovës, ndonëse të dominuar nga komunistët, u shpall Deklarata Kushtetuese, e cila kërkonte barazimin e Kosovës me republikat e tjera në federatën/konfederatën jugosllave.
E gjashta, më 7 shtator 1990 u miratua Kushtetuta e Kosovës, e cila e formalizonte Kosovën si republikë.
E shtata, në fundshtatorin 1991 u mbajt referendumi që e shpallte Kosovën republikë në organizimet e reja të federates-konfederatës. Ndërsa në maj 1992 u mbajtën zgjedhjet parlamentare e presidenciale që e finalizuan shkëputjen faktike me ish Jugosllavinë.
Të gjitha këto ngjarje kanë qenë të vështira, sepse krahas represionit serb ishte edhe presioni ndërkomëbtar që të mos lëvizej drejt pavarësimit. Raporti i Badenterit nuk i dha Kosovës të drejtën e shprehjes së vullnetit të vet. Në vitin 1993 a 1994 u intensifikuan presionet për të dalë në zgjedhjet lokale në Serbi. Ka qenë një presion abnormal i ambasadorëve të disa shteteve evropiane, në Gjermanisë në rend të parë. Në vitin 1995 presionet patën njëfarë suksesi, që u shprehë me marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Shën Exhidio për arsimin. Ishte një gabim i madh.
E teta, pas Konferencës së Dejtonit, u vërejt se lëvizja jonë ishte e dërrmuar nga problemet dhe presionet. Stafetën e rezistencës e mori lëvizja e armatosur, Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Pas sukseseve të saj dhe shkaku i barbarive serbe kundër civilëve shqiptarë, u organizua Konferenca e Rambujesë, ku lëvizja jonë e unifikuar, paqësore-ushtarake, në fakt rrezikoi me pranimin e marrëveshjes, ndonëse vegza e referendumit e arsyeton edhe atë koncesion. Pastaj ndodhën bombardimet e NATO-s kundër Serbisë-Malit të Zi dhe ngjarjet kaluan në rrafshin ndërkombëtar, te Marrëveshja Ushtarake-Teknike dhe rezoluta 1244 e KS të OKB-së.
E nënta, pavarësia e shpallur më 17 shkurt 2008 ishte finalizim i një rruge të vështirë, por të ndjekur në mënyrë këmbëngulëse e vizionare, krahas fatit të mbarë gjeopolitik, pas fitores spektakulare të Perëndimit mbi Rusinë. Kjo rrugë duhet të mbahet mend. Duhet të nderohet. Duhet të mirëmbahet…