
Me një ceremoni festive dhe emocionuese, Shkolla Shqipe e QKSHA-Struga përmbylli vitin shkollor, duke e cilësuar atë si një vit të suksesshëm dhe të mbushur me arritje.
Nxënësit e shkollës, përmes një programi të përgatitur me kujdes, recituan poezi, interpretuan këngë dhe morën çertifikatat përfundimtare të vitit. U ndanë gjithashtu vlerësime dhe mirënjohje për kontributin dhe përkushtimin gjatë vitit shkollor.
Atmosfera u ngroh edhe më shumë nga prania e prindërve entuziastë, të cilët fiksuan çastet më të bukura me fotografi, ndërsa mësueset përshëndetën me emocion nxënësit e tyre.
Drejtoresha e shkollës, znj. Gonxhe Meta, në fjalën e saj përshëndetëse falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në suksesin e këtij viti shkollor, duke veçuar kryetarin e organizatës, z. Sinan Alimi, stafin administrativ dhe mësueset. Ajo shprehu mirënjohje të veçantë për gjithë stafin e organizatës për angazhimin dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm.
Gjatë këtij viti shkollor, nxënësit u përfshinë në aktivitete të shumta, si festa kombëtare, shfaqje artistike, ekskursione në natyrë dhe punëtori edukative si “Traditat e Gatimit”, arti figurativ dhe shumë të tjera që ndihmuan në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Shkolla Shqipe e QKSHA-Struga uron të gjithë nxënësit për pushime të mbara verore dhe mezi pret rikthimin e tyre në klasë me energji të reja dhe ide të freskëta për të vazhduar misionin e përbashkët: ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe, traditave dhe kulturës sonë të çmuar.