Kosta Nake/
Ka kaluar një gjysmë shekulli nga kontakti intesiv me krijimtarinë poetike të Kadaresë dhe, sikur asgjë të mos kishte ndryshuar, të njëjtët sy do t’i përjetonin ndryshe të njëjtët vargje, ndikuar nga pesha e moshës dhe përvojës. Po mu në mes të periudhës ka ndodhur një transformim i madh, rrjedhimisht ka një zinxhir pasojash që kanë prekur poetin, lexuesin dhe vargjet. Një lexues i gjeneratës së re nuk mund të përjetojë më atë patos që përshkonte krijimtarinë e poetëve të rinj të viteve ’60, një patos që na bënte ta na dukej jeta e bukur edhe kur nuk ishte e tillë, kurse lexuesi i atyre viteve te kjo përmbledhje do të shohë xixëllonja, por do të vërë re mungesën e pishtarëve. Nuk është tragjedi, koha ka bërë që të zbehen me dhjetëra kryevepra të letërsisë botërore me po atë indeferencë që hoqi nga faqja e dheut edhe dinosaurët. Letërsia shqiptare, përveç errozionit të kohës, pati edhe një kalvar me kryqin e realizmit socialist në qafë, prandaj haraçi i mbijtesës ishte më i lartë. Kjo përzgjedhje është si një krasitje e rëndë në kërcunjtë prodhues të vreshtës, i mungojnë asaj dy poemat më të recituara të atyre viteve “Shqiponjat fluturojnë lart” dhe “Vitet ‘60”, por ka bërë që të dalin në pah poezitë që kanë shërbyer si embrione për veprat e mëdha në prozë. Sipas meje, më e mira vjen këtu poema “Anketë” (f.205-217), kurse përmbledhja ka arritur të ruajë tiparet kryesore të botimeve të hershme.
Së pari, ka ruajtur frymën atdhetare të korpusit poetik kadarejan.
Kjo frymë mori një përndritje me figurën e Gjergjit diell në duetin me Skënderbeun hënë që shekujt nuk kanë mundur ta zbehin. (f.288 dhe 305) Tashmë mund ta quajmë aksiomë se atdheun e ndjen me tërë plotërinë e vet kur je larg tij. Kadare këtë e ka thënë më shumë se gjysmë shekull më parë:
“Ata që shpikën shpejtësinë reaktive,
Larg atdheut sigurisht do kenë qenë ndonjëherë.” (f.45)
Poeti ka sjellë metaforikisht tokën shqiptare që ka prodhuar “më shumë heroizma se grurë”, ngarkuar me luftra që i fillonin të tjerët dhe krahasimi me nusen është domethënës:
“Mbi supet e Shqipërisë kohërat krisma hidhnin,
Ashtu si mbi supet e nuses orizin.” (f.179)
“Shqipëria nga ashpërsi e saj,
Pillte fëmijë të bukur,
Duke vënë në çdo fëmijë
Një ëndërr, një shpresë.” (f.182)
Një nga poezitë më të bukura të traditës poetike kadarejane, që ka ruajtur freskinë dhe madhështinë, është “Vallja shqiptare” (f.263)
Së dyti, përzgjedhja ka arritur të ruajë karakterin planetar të hapësirës që rrok vështrimi i poetit. Fati i Shqipërisë ra në shtratin lindor kur “Gadishulli i madh u gdhi Europë e u ngrys Azi”, kur “gjysmëhëna doli e mori në dorëzim gjithçka.” (f.271) Lidhja me botën oksidentale shënohet me një detaj kuptimplotë me kalanë e Tepelenës që hesht, por bëhet e pavdekshme me fëmijën që ble “Çajlld Haroldin”. Ajo do të shpaloset në të gjitha përmasat te poema “Shekulli XX” (f.48-56) karakterizuar nga lufta e ftohtë.
“Flokët e akullt
Tund sot mbi botë
Bushtra – lufta e ftohtë…
… plevit në brinjët e njerëzimit.”
“Ballin e nxehtë mbështeta
Mbi rrudhat e meridianëve.” (f.86)
“Përleshen e shkulen për flokësh si gratë agjencitë e lajmeve..
Mbi botë flokë radiostacionesh shpupuris erë e sertë.” (f.93)
Ka një numër të madh emra shtetesh e qytetesh, autorësh dhe karaktere të veprave të tyre që mëtojnë të futin në vargje gjithë rruzullin tokësor: Europa, Azia, Suedia, Luksemburgu, Danimarka, Greqia, Çekosllovakia, Kosova, Vietnami, Madridi, Londra, Nju Jorku, Parisi, Moska, Pekini, Roma, Dubulti, Praga, Helsinki, Kopenhaga, Amsterdami, Stambolli, Frankfurti, Sahara, Suezi, Kulla e Babilonit, Sinai, Danteja, Eskili, Virgjili, Keopsi, Pushkini, Majakovski, Uollt Uitmani, Xhojsi, Skot Fitzxheraldi, Perandori Hiroito, Kleopatra, Kolombi, Karonti, Hamleti, Xhordano Bruno, Jezu Krishti, konti Çiano, Lin Biao, Çu En Lai, Moshe Dajani, Purgatori, Ledi Makbeth, Shën Mëria e Parisit, Ura e Qabesë, Leva e Arkimedit, sheshi Konkord, Shanz Elizeja, Luvri, sheshi Vandom, Monparnasi, Troja, Broduej, Avenju e Pestë, Orët e Kremlinit, Traktati i Varshavës, Pakti i Atlantikut, Kaizershtrasse, klubi Davidoff, etj.
Bota shikohet jo vetëm në bashkëkohësi, por edhe në thellësitë e historisë së njerëzimit, siç ndodh me kërkesën që poeti i bën Karontit:
“Ulu më trego
Për miliardat e shpirtrave
Që transportove në atë botë,
Për skllevërit, gratë e bukura, zyrtarët,
Heronjtë, kuzhinierët, carët.” (f.98)
Kryepoezia me tregues të shumtë të hapësirës kohore që do të rimerret edhe te proza e gjatë është “Laookonti” me deklarimin tronditës:
“Mua s’më mbytën gjarpërinjtë, po trojanët më vranë… (f.266)
Ma hodhën kufomën drejt mbi zhavorr,
Rapsodët aherë anembanë përhapën
Versionin fals të gjarpëronjve hyjnorë.” (f.268)
Kjo poezi i kalon përmasat e një legjende dhe u flet të gjitha kohëve.
Një vend të konsiderueshëm zënë në këtë përmbledhje poezitë me motive nga jeta studentore në Moskë shoqëruar me mjedise të shumta të saj: Instituti “Gorki”, Metro Arbatskaja, kinema “Central”, Tverskoj Bulvar, restorant “Leningradi”, “Kafe artistike”, etj.
Së treti, përzgjedhja ka mjaft detaje që mëtojnë të sjellin aluzivisht klimën politike përmes vargjeve me ngarkesa të tjera:
“Rruga është e gjatë.
Në të ka diell dhe ujq dhe natë.” (f.91)
“Gjymtyrët tona në çdo fushë
Parmendë e luftës mbolli varg.” (f.225)
Poezia “Kinemaja e vjetër” vjen natyrshëm në ditët tona sikur të jetë shkruar para pak ditësh:
“Bota ngjante e shkëlqyer,
Ndonëse ekrani ishte me arna.
Dhe ne ishim me arna,
Me arna ish Republika,
Koha, bërrylat, shtetet ishin me arna…” (f.131)
Madhështia e një poeti zbulohet në aftësinë për të parë tek e ardhmja më larg se bashkëkohësit e vet. Kishte një brez të butë në kufirin shtetëror përmes të cilit ngrihej kloni që ndante dy botë dhe që në vite u lag me gjakun e atyre që u përpoqën ta kapërcejnë për t’i shpëtuar përndjekjes, përjashtimit dhe për të prekur botën e lirë. Atëherë mund të mendohej që ai klon të lartohej duke përforcuar izolimin nga kapitalizmi, kurse poeti pati tjetër qasje:
“Por ti s’do plakesh
Tokë heroike,
Në mos ne,
Nipat tanë
Një ditë do të të mbjellin.
Do të jetë pak vonë,
Do të kenë ikur vitet,
Por prap një dorë grurë
Do t’arrish ti të pjellësh.” (f.162-63)
Alegorik është bilbili që këndon, por ik i trishtuar sepse nuk ia vë veshin njeri:
“O i vogli bilbil, o i ngratë,
Ti s’ke faj, s’di ç’ndodhi këndej.
Shtatë shtete të egra na vunë bllokadë,
Si në eposet e mëdhenj.” (f.174)
Edhe pse nuk arriti të qarkullojë te lexuesit, poema “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” ishte një dalje e guximshme jashtë mjedisit të mbushur me slogane për Shqipërinë e lulëzuar:
“Pashallarë të kuq. Bejlerë me tesera partie
Baron-sekretarë. Bosë të naftës. Varg.
Në kortezh të zymtë, nën himne liturgjie
Çojnë tabutin e revolucionit për në varr.” (f.279)
Pas shtatë vitesh ky kortezh do të pasohej me një shkallëzim të ri dhe me një mëdyshje vetjake:
“…dimri po afron me grinë e tij funebre.
Me ngricë, me acar dhe një plenum në mes.” (f.321)
Ndarja përfundimtare me diktaturën duket se vjen te poezia “Varri” dhe paralajmërohet te poezia “Kohë e pamjaftueshme”:
“Mih e gërmo ditë e natë.
Thellohu hon dantesk.
Me emrin varrmihës do ta ndërroja
Prej kohësh emrin poet.” (f.339)
“I munduar gjer në çast të fundit
Nga mosthënia, nga pengu tragjik,
Një shenjë ndoshta të pakuptueshme
Do t’u bëj të gjithëve e do t’ik.” (f.349)
Së katërti, përzgjedhja ka ruajtur më të plotë poezinë me motive erotike duke mbajtur edhe ngarkesën kryesore. Dashuria mund të zbulohet si një pritje e bukur ose si një transformim natyror:
“Hamej, merrini këto valixhe.
Të rënda?
Janë mbushur me pritje.” (f.88)
“Që ti të vije kaq e bukur,
Me këta flokë, me këtë hap,
Toka të egrën klimë zbuti
Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.” (f.199)
Dashuria e viteve të hershme rinore duket e përmbushur në romantizmin e vet:
“Zemra ime i ngjante një hani,
Hapur në çdo kohë e për këdo,
Por hyri një ditë kjo vajzë mes tufanit
Dhe të tjerëve portën ua mbylli ajo.” (f.210)
Heroi lirik ndihet gjithë kohës “si një kambanë që tingëllon nga çdo vështrim vajze” (f.71), por paraprihet nga një ndarje që simbolikisht ndihmohet nga bora që nuk shkrin, nga drurët që nxijnë si hajdutë, nga pellgu që është tharë, nga makina që s’ndalon dhe do ketë shkaqe të tjera të mëdha e të vogla që do mbajnë të tendosur linjën e ndarjes dhe do të rezultojë me një “mollë mbi komodinë, përgjysmë e ngrënë” (f.74).
“Bora s’ka ndërmend të shkrijë.
Ti siç duket nuk më pret.” (f.31)
“Drurët nxijnë tek-tuk si hajdutë,
Sikur ruajn’ mos vish ti që tutje.” (f.32)
“Por pellgu është tharë… siç duket,
Që veten të mos shoh në vetmi.” (f.33)
Ndarja mund të vijë edhe për shkaqe që nuk varen nga dyshja e dashuruar:
“…një mbrëmje dimri
Letër te lisi ti nuk le…
Isha nata e fundit e lisit,
E bëri shkrumb një rrufe.” (f.113)
Po ka dhe një opsion tjetër dashurie, as ndarje, as bashkim “si këta binarë që s’piqen asgjëkundi.” (f.60)
Brenda së njëjtës poezi përftohet antitezë mes pritjes së bukur dhe ftohjes:
“Të shoh tek po vjen drejt meje…
Sikur shkel mbi yje,
Mbi piedestalin e takave të larta.” (f.76)
“Jemi një kinoafishe e dashurisë që ka marrë era,
Jemi dy libra me fletët e para të grisura,
Lexuar nga të tjerë.” (f.77)
Së fundi, por jo pak më e rëndësishmja, përzgjedhja nuk ka humbur asgjë nga detajet që rrezatojnë artin elitar. Interesante është se vëzhgimi i qiellit, retë dhe shiu fillojnë te krijimtaria poetike dhe do të vazhdojnë si një tipar i qëndrueshëm edhe te proza. Qëndrimin e vet ndaj zhvillimeve që po ndodhnin në lëvrimin e poezisë e ka pasqyruar edhe te poezia “Sfidë”:
“… as që na shkon ndër mend që vjershat
T’i mjelim si delet
Nga sisët e rimave.” (f.125)
Krahasimet janë zotëruese në lëvrimin e figurave stilistike.
“…nuk bien flokë dëbore nga qielli,
Por mijëra letra, që kurrë s’i mora.” (f.42)
“Ditët shkunden një nga një
Si pendët e shqiponjave.” (f.101)
“Do të kujtoj…
Dënesën e mbytur, rëzuar mbi supin tim,
Si një dëborë të pashkundshme.” (f.105)
“Pas dritares sime
Të varen në tela
E të tunden nga era
Kanotierat e reve.” (f.115)
“Duart të vjen t’i zgjatësh e t’i ngrohësh
Mbi këto qytete
Si mbi mangallë të largët.” (f.141)
Ja dhe dy similituda në aliazhe me metaforat:
“Si barinjtë tanë, kur mbajnë në qafë
Një dele të bardhë që e çojnë në vathë,
Ashtu mbaj në qafë
Një shall plot figura.” (f.142)
“Një rrufepritës…
Rri gati si bishë
Dhe, kur rrufeja i sulet
Nga kaçubet e reve
Si një tigër i verdhë,
Ai tendoset i gjithi,
Hedh kthetrat,
E kap,
Në trupin metalik
E përlan menjëherë.” (f.153)
“Qielli me çarçafët e zhubrosur të reve,
Si një shtrat pasionesh vigane.” (f.189)
Metaforat janë shprehja më e lartë e artit poetik:
“…dora jote mbi telat mbolli lule,
Pastaj prej tyre shkundi
Fletë të verdha.” (f.127)
“Koha qëlloi dikur këtu me shpatë
Dhe hapi këto plagë.” (f.157)
“Mbi gjokse pellgjesh tani tundet
I arti medaljon i hënës.” (f.164)
“Hija e mendimit dhe hija e pushkës
Kryqëzohen dhe përplasen në muzg.” (f.177)
“Në vendet bosh t’orkestrave dirigjon era
Koncerte të verdha fletësh.” (f.187) ëëëëëëëë
Kadare është poet i vargut të lirë, por kjo nuk përjashton edhe vënien në kontroll të tij si te poemthat “Ikja e Moisi Golemit” dhe “Kënga e millonait” shkruar me strofa 8-vargëshe, me vargut 6-rrokësh të disa lirikave popullore, ku trokut të kalit i përgjigjet edhe një rregullsi e theksave ritmikë në rrokjet një, tre dhe pesë:
“Ik e ik përpara.
Mbrëmja nxin e nxin.
I ndërgjegjes troku
Prapa oshëtin.
Kalin tënd për freri
Ajo seç ta ze.
Ti në vrap e sipër
Shpatën vrulltas ngre.” (f.117)
“Herë nxin mielli,
Herë mërzia zbardh.
Thesi ja u mbush,
Koka ty t’u var
Tani mielli i dasmës
Mbi supe të ra,
Të mbuloi krejt
Porsi mjegulla.” (f.123)
(“Vjersha dhe poema” të Ismail Kadaresë, Vepra 7, Onufri 2008)