Shpëtim Axhami/
Me 10 Gusht 1988, 35 vjet më parë, u ekzekutua me varje në litar poeti disident Havzi Nela. Data 10 Gusht fare mirë e me të drejtë mund të quhet si DITA E POETËVE DISIDENT NË SHQIPËRI. Ishte poeti që çdo varg të tij e kishte mllëf për komunizmin dhe poeti i fundit vrarë ku diktatura komunizmi shumë shpejt do binte në të gjithë Europën Lindore.
“Deri kur durim, deri kur me shpresë?
Jo, jo mos m’i thoni, këto fjalë nuk i due,
Me durim dhe shpresë nuk dua të vdesë,
Se jeta dhe vdekja duhen meritue”.
Havzi Nela lindi më 20 Shkurt 1934 në fshatin Kollovoz të rrethit të Kukesit, fshat ky i gjendur në një prej zonave më patriotike, antikomuniste dhe besimtare në Zot të krahinës së Lumës.
Gjithë jeta e Tij ishte një kalvar vuatjesh, por himn e këmbanë shprese kundër regjimit komunist.
Në 26 Prill 1967, pasi u lexoi nxënësve të tij poezinë “Shko dallëndyshe” ( poezi nga Filip Shiroka)
“Udha e mbarë, se erdh prendvera,
shko dallendyshe tue fluturue….”
Havzi Nela, bashkë me bashkëshorten e Tij, duke rrezikuar jetët e tyre morën rrugën për të kaluar kufirin dhe arratisur për nē Prizeren.
Ndërsa kalonte vijën kufitare, ai shkroi në një copë letre.
“Lamtumirë, atdhe i dashtun, po të la, por zemërplasun …”
Më 6 maj 1967 jugosllavët, me marrveshje ogurzezë me qeverinë shqiptare, e sjellin në doganën e Morinës, bashkë me disa të arratisur të tjerë, në këmbim të disa atdhetarëve kosovarë që qeveria komuniste e Enver Hoxhës i’a dorëzoj policisë sekrete UDB.
Më 22 maj 1967 Havzi Nela u dënua me 15 vjet burg, kurse e shoqja me dhjetë vjet burgim.
Më 8 gusht 1975 e ridënojnë duke i shtuar edhe 8 vjet të tjera dhe Qëndroi në qeli deri në 19 dhjetor 1986 kur lirohet.
Më 19 dhjetor 1986 Havzi Nela lirohet nga burgu, i cili kishte filluar për të më 22 maj 1967, plot 21 vjet burg politik.
Më 12 tetor 1987 e interrnojnë në Arrën, në kushte c’njerëzore, ndërsa në 3 gusht të po këtij viti e arrestojnë.
Diktatura komuniste, në vitet e fundit të saj, në agoni e duke dhënë shpirt u hakmorr brutalisht mbi poetin që kurrë nuk e deshi dhe u pajtua me të, duke e dënuar me vendim kapital, varje në litar.
Mëngjesin e 10 gushtit 1988 Havzi Nela u gdhi i varur në mes të qytetit të Kukësit, me litar në qafë, duar të lëshuara e këmbë të bashkuara e një fllad i lehtë përkëdhelte trupin e tij lehtësisht.
Tmerri makabër vazhdon edhe me kufomën!
Pasi u ekspozua gjatë gjithë ditës, më 10 gusht 1988, në mesnatë terroristët komunistët e morën trupin e tij dhe e futën atë vertikalisht në një vrimë të krijuar nga heqja e një shtyllë druri.
Ai u privuar edhe nga detyrimi më njerëzor për tu shtrirë në banesën e fundit si të gjithë të tjerët kur ndërrojnë jetë.
Xhelatët, që tashmë dihem e as falje nuk kërkuan asnjëherë, kishin përfunduar aktin më ç’njerëzorë mbi atë që donte vec liri e liri nuk pa asnjeherë.
Ky krim, kryer vetëm për të për të mbjell tmerr e frikë e për të zgjatur edhe sado pak egzistencën në pushtet të tyre, u kthye përkundrazi hyjnisht, në fillimin e shkërrmoqjes së diktaturës ma të egër komuniste që ishte vendosur në Shqipëri, jeta e poetit shpejt do kthehej në liri.
Ai qëndroi në këmbë për pesë vjet dhe dhjetë ditë, deri më 20 gusht 1993, ku pas përpjekjeve të shumta u bë e mundur që të gjendej, në një vend mbuluar me gurë dhe shkurre pranë fshatit Kolsh, dy kilometra larg nga Kukësi.
Sot ajo liri dhe ato të drejta akoma nuk kanë ardhë ashtu si i donte poeti dhe ne të gjithë nuk kemi bërë aq sa duhet për të vlerësuar si duhet dhe sa duhet figura të tilla si Havzi Nela e shumë të tjerë që u sakrifikuan në emër të lirisë.
Qoftë i qetë në parajsë poeti disident Havzi Nela.