
DIELLI
Ditën e Martë më datë 26 Tetor 2021 në orën 6 pm Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA në Selinë Qendrore në adresën: 2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458 Bronx-New York, organizon një takim bashkëbisedues me mysafiren nga Shqipëria, poeten Luljeta Lleshanaku, e cila këtë herë vjen si përfaqësuese e Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, ku edhe punon prej vitesh si drejtuese e departamentit të studimeve. Qëllimi i këtij takimi është që e ftuara të ndajë me vatranët dhe diasporën shqiptare në New York e më gjërë informacionin mbi punën e bërë nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, për transparencën e të shkuarës komuniste, por duke u ndalur konkretisht në rolin e pazëvendësueshëm dhe nevojën imediate të dëshmive të të mbijetuarve nga kampet dhe burgjet në diktaturë, një pjesë e madhe e të cilëve ndodhen në diasporë. Poetja Luljeta Lleshanaku do të ndajë eksperiencën e saj dhe do të referojë për të pranishmit fakte interesante dhe rëndësinë specifike në temën “Roli i dëshmisë, për zbardhjen e krimeve të komunizmit”. Përveç Vatranëve ftohet i gjithë komuniteti shqiptar në New York e më gjerë që ti bashkohet këtij takimi të veçantë në një kauzë po kaq të rëndësishme siç është zbradhja e krimeve të komunizmit në Shqipëri.