Kastriot Fetahu/
Duhet guxim i madh për të ndryshuar jetën – një ide që më parakalonte mendimet teksa lexoja faqet e romanit Porosia e Kullës. Autori, Pashko Camaj, herë pas here në mendimin tim dukej sikur vishte identitetin e një figure të madhe shqiptare, si Pashko Vasa. Mes tyre ka mjaft të përbashkëta, dy Pashkot e shquar shqiptarë. Që në hyrje të romanit, tronditesh nga të vërtetat e një djaloshi që guxoi të ëndërronte mbërritjen në SHBA.
A ngjason kalvari i njëzetvjeçarit Camaj me atë të Amirit te Khaled Hosseini? Shkrimtari Khaled Hosseini, në romanin e famshëm Gjuetari i Balonave, përshkruan emigrantët afganë duke kaluar kufirin e Pakistanit në një betoniere të hapur nga sipër. Duke bërë krahasimin, e gjitha i ngjan një gare: kush ka udhëtuar në kushte më të tmerrshme – Pashko njëzetvjeçar apo Amiri i Hosseinit?
Gjithsesi, dukshëm jeta e njeriut është shumë më e rrezikuar në një automjet me vetëm tre emigrantë të paligjshëm, sesa në një grup më të madh si në Gjuetari i Balonave.
Kjo të ngelet në mendje dhe të befason me ngjyrat e ankthit. Ditët e fundit e kam pyetur veten shpesh: se pse fati duket sikur na lidh me qytetarët e botës së tretë, kur nuk i përkasim asaj as gjeografikisht?
Nuk i kam dhënë ende përgjigje kësaj pyetjeje, sepse trishtimi të mbyt kur kujton se Amiri ishte një banor i fiseve Pashtun në Afganistan në gjendje lufte dhe më pas nën pushtetin e talebanëve, ndërsa Pashko Camaj një pasardhës i ilirëve dhe i Skënderbeut, në zemër të Evropës.
Duket sikur historia na ka trajtuar me ashpërsi gjatë shekujve të mbijetesës kombëtare – na ka vendosur si subjekte të një eksperimenti sociologjik të pafund, duke na caktuar të jetojmë në një univers alternativ.
Ashtu si zoti Camaj nuk mund të ndryshojë lojën e bejsbollit apo rrjedhën e muzikës country në SHBA sot, po ashtu djaloshi Pashko ishte i pafuqishëm të ndryshonte fatin e tij dhe fluksin e dritës së munguar të lirisë në vendlindje. Ndaj zgjodhi alternativën ekzistenciale të prekjes së fundit për t’u ngritur mbi të – si Nautilusi i Zhyl Vernit, nga thellësia e detit në sipërfaqe.
Edhe sikur të mos ekzistonte një e ardhme më e mirë, dukej sikur djaloshi Pashko kishte vendosur ta shpikte atë.
Në atë makinë, në bagazhin me disa vrima ku hynte pak dritë dielli e racionuar, djaloshi Pashko Camaj nuk mendonte dot nëse ishte i çliruar nga urrejtja për shkaktarët e fatit të tij, sepse nuk ishte ende i çliruar nga frika e atij udhëtimi kalvari misterioz. Pritja është një vrasëse e ngadaltë e njeriut kur nuk mbaron kurrë. Siç shkruan autori, ai udhëtim zgjati sa një përjetësi.
Shoferi i asaj makine, që “i ngjante më shumë kryqit të Jezusit”, kumtoi se rruga kalvar përshkohej për 30 minuta. Sa shumë janë nëse i krahasojmë me 4 minutat e romanit të Tacuo Jasuda, “Një lodër në orarin e udhëtimeve”…
Djaloshi Camaj ndodhej midis ankthit të jetës dhe ankthit të lirisë – i pari kishte destinacion Hadin, ndërsa i dyti Tokën e Premtuar, duke përjetuar brenda qenies së tij dy ekstremet e ekzistencës.
A ishte Pashko Camaj një subjekt i pastër ekzistencialist në këtë rrugëtim që ngjante me atë të Kristofor Kolombit pesëqind vjet më parë?
Për ekzistencialistët, nuk ndodh asgjë derisa të prekësh fundin. Pashko Camaj e kishte “dorëzuar” veten tek Zhan Pol Sartri në këtë tridhjetëminutësh – eklipsi më i madh në jetën e tij, ku regjisor ishte rastësia.
A është mëkat i abstenueshëm vendimi për të lënë vendlindjen?
Çfarë është një stuhi ferri me përmasa epike, më shumë sesa ky udhëtim në errësirën më të madhe të jetës – i ngjashëm me udhëtimin e shumë shqiptarëve në shekullin XXI?
Duket sikur rëndësia e kohës së zgjedhur vërteton thënien persiane: “Një gur i hedhur në kohën e duhur është më i vlefshëm se ari i dhënë në kohën e gabuar”.
Pashko Camaj provon në këtë roman, përmes një kohe më të shkurtër se francezi Henri Charrière, luajtur nga Steve McQueen në filmin Papillon, se rruga drejt lirisë dhe prosperitetit kalon gjithmonë në ngushticën midis Shilës dhe Karibdës. Në këtë rrugë, Odiseu arriti Itakën, ndërsa Camaj – Amerikën.
Thuhet se letërsia ushqen iluzionet, por autori i romanit Porosia e Kullës, Pashko Camaj, provon se doli nga kështjella e Ifit pa ndihmën e Abatit Faria – vetëm përmes vendosmërisë së tij të pathyeshme shqiptare, në kërkim të lirisë, duke krijuar një “Edmond Dantes” të ri nën firmën e tij.
Pashko Camaj, Porosia e Kullës u kry!
HARVARD CAMBRIDGE 12/14/2024