Ne Foto:Debati per skandalin ne komisionin parlamentar. Vokshi, debat me Spahiun/
Një ngjarje shokuese ka ndodhur në jetimoren e Shkodrës. Tre edukatore janë filmuar nga kamera amatore duke dhunuar fëmijët nën kujdestari.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Policisë së Shkodrës, që ka proceduar penalisht kujdestaret në fjalë. Kështu, pas publikimit të video-skandalit në një media audio-vizive në vend, Policia e Shkodrës ka shoqëruar edukatoret në komisariat, duke i marrë në pyetje dhe duke nisur proçedimin penal ndaj tyre.
Edvana Sulaj, Manjola Banisha dhe Albert Rekaj janë shoqëruar në komisariatin e policisë së Shkodrës. Kallëzimi ndaj punonjësve të cilët me gjakftohtësi dhunojnë jetimët e vegjël në moshë është bërë nga vetë drejtoresha e jetimores.
Ndërkaq, ditën e sotme, është nisur drejt Shtëpisë së Fëmijës Shkodër një grup i specializuar ekspertësh psikologë dhe punonjësish socialë, të cilët do të bëjnë një vlerësim më të plotë të situatës, jo vetëm për fëmijët e dhunuar, por edhe tek fëmijët e tjerë të qendrës.
Grupi i specializuar i ekspertëve jo vetëm do të vlerësojnë situatën por edhe do të kontrollojnë dhe vlerësojnë të gjithë stafin që përkujdeset për fëmijët në Shtëpitë e Fëmijës në rang Republike, pavarësisht asistencës sistematike që është dhënë në këtë drejtim nga ekspertët më të mirë vendas e të huaj përgjatë dy viteve të fundit.
Sakaq, Ministri Klosi i kërkon oganeve hetimore zbardhjen e menjëhershme të këtij akti skandaloz dhe organeve gjyqësore dënimin më shembullor të përgjegjësve për këtë akt të neveritshëm.