*Arshi PIPA: “Shqipëria ka nxjerrë gjeneralë dhe burra shteti, por tepër rrallë dijetarë të njohur botërisht .Profesor Stavro Skëndi hyn ndër këta të rrallët.”/
*Prof. Sami Repishti: Prof. Stavro Skendi, Dekan i shkollës së albanologjisë”./Nga Vangjel SIMAKU/Shekulli i njëzetë ishte ende në agimet e tij dhe Shqipëria ende vuante në natën otomane, kur më 21 gusht 1905, në Korcë, lindi Stavro Skëndi. Ai rridhte nga një familje luftëtarësh të vjetër, apo thënë ndryshe “shtëpi pushke”, trimëria e të cilës përjetohej në vargjet e një kënge ku thuhej: “Skëndajt dhe Agarajt e kanë dyfekun baraj”.
Origjina e saj ka qenë nga Lekli i Tepelenës dhe vetë një prej paraardhësve të Stavros ka pas qenë këshilltar i Vezirit të Janinës. Skëndajt, një familje me një histori që u ngjan legjendave, ndoshta edhe pse shumë pjesëtarë meshkuj të saj u kthyen në legjendë. Skëndajt, pas vdekjes së Ali Pashës, ndiqen egërsisht nga turqit dhe detyrohen të dalin maleve kacakë. Njëri prej tyre Nini ( Kostandini ) martohet e vendoset në Shtëpëz, ku i lindin gjashtë djem dhe një vajzë me emrin Tana. Por fatkeqësite vijnë njëra pas tjetrës në këtë familje. Dy djem të Ninit vriten për hasmëri ditën e Pashkës, njëlloj si në baladat e dhimbshme shqiptare. Njëri prej djemve Nika merr hak për vëllezërit e tij, dhe për shtatë vjet detyrohet të bëjë jetën e kacakut. Ai pat porositur të motrën, Tanën që sa herë familjes t’i afrohej ndonjë rrezik t’i binte fyellit njëlloj si në këngën që këndohet edhe sot:
“Tanë, moj Tanë,
Ngre babanë nga gjumi ,
Qen’ e mirë na e vranë,
Dash’ Kicon për helli e kanë.a”
Kështu kacaku Nika zbriste fshehurazi në fshat, sa herë e lajmëronte Tana. Dhe Jorgji, biri i tij do të lindte, kur Nika ishte ende maleve.
Për t’i shpëtuar vrasjeve dhe hasmërive, Jorgji, si djalë i vetëm i Skëndajve, kur u rrit, do të vendosej në Stamboll. Këtu i ndihu fati dhe hapi një dyqan këpucësh, ku punësoi edhe cirakë. Por malli për tokën e të parëve e digjte si prush dhe herë pas here vinte në Shqiperi. Këtu njihet dhe martohet me Marigonë, vajzën e vetme të Nikollë Spicerit ( Kondili ), me origjinë nga Zhapa e Labovës.Kondilajt qenë një familje e shkolluar dhe vetë Nikolla pat studiuar për farmaci në Odesë të Rusise. Ai ishte vendosur më pas në Korce, hapi një farmaci dhe ishte zgjedhur edhe në kryesinë e Dhimogjerondisë, e cila kishte edhe funksione administrative. Nga martesa pati dy vajza dhe një djalë, Stavron .
Kur mbaroi Lufta e Parë Botërore, Jorgji largohet sërish drejt Stambollit dhe mori me vete të birin, Stavron , i cili do të niste studimet në “Roberts College”, ku studionin edhe shumë djem e vajza nga Shqipëria, që më pas do të bënin emër në historine e saj.
Një ditë, ndërsa qëndronte në një kafene, Jorgji Skëndi vdes papritur nga hemoragjia celebrale. Kjo ishte një humbje e madhe për djaloshin Stavro, një njeri me shpirt tejet të ndjeshëm.
Pasi diplomohet për matematikë tek ky kolegj me emër, Stavro Skëndi nisi studimet në Fakultetin e Studimeve Ndërkombëtare në Zvicër.
Nuk dihen mirë arsyet pse ai detyrohet të lerë në mes studimet e të kthehet në atdhe. Më 1930-ë emërohet në Shkollën Tregëtare të Vlorës dhe pas tri vitesh në Liceun e Korcës, ku jepte lendën e matematikës.
Në kujtimet e ish- nxënësve të kësaj shkolle me reputacion të madh brenda e jashtë vendit ai ka mbetur si një pedagog i shkëlqyer, që e urrente brutalitetin dhe njëanshmërinë në vlerësim. Një ish-liceist, Spiro Katro do të shprehet:”I dashur, i sjellë, që dinte të respektonte nxënësit e vet pa dallim, nëse ishin të fortë apo të dobët. Nuk mbaj mend në asnjë rast, momente nervozizmi nga ana e tij; ishte i butë dhe për më tepër shumë korrekt në vlerësimin e nxënësve në matematikë. Duke ngacmuar kujtesën time, tashmë të plakur, më vijnë ndërmend fjalët e babait tim të dashur:”Të jini krenare që kini në lëndën e matematikës një profesor si Stavro Skëndi “.
Ndërsa një tjetër ish-liceist e karakterizon kështu:”Nuk e kam patur qejf matematikën, por kur këtë lëndë e jepte profesor Stavri, kënaqesha. I qetë, me atë buzëqeshjen e tij të ëmbël, e donim dhe e respektonim shumë. Na shpjegonte me shumë durim, nuk nevrikosej dhe nuk thërriste kurrq. I pëlqente natyra, e pëlqente dëborën…”
* * * *
Sidoqoftë Stavro Skëndi ishte jo vetëm intelektual, por edhe atdhetar i vërtetë. Shumë shpejt e shohim të marrë pjesë aktive në jetën politike të kohës. Më 10-ë, dhjetor 1938-ë, ai mbajti një fjalim të zjarrtë para monumentit të Themistokli Gërmenjit në Korcë. Krijon lidhje të ngushta me një sërë intelektualësh dhe patriotësh kudo në Shqipëri si; Kostaq Cipo, Nonda Bulka, Naum Stralla, Vasil Avrami, Thoma Turtulli, Jorgo Meksi,Vangjel Koca, Patër Anton Harapi, Lef Nosi, Spiro Kolea etj. Ai bie ndesh me pushtimin fashist të vendit dhe e kundërshton me zjarr atë. Thirrjet e gjakut stërgjyshor u kthyen tek ai; mbase duke shkelur një betim tëheshtur shpirti i tij u rebelua. Për idetë e tij antifashiste transferohet fillimisht në Berat e më pas do të pasonte një kalvar internimesh në Tiranë, Peqin, Gramsh, sërish në Berat, e prej andej për dy vjet në burgun famëkeq të Ventotenes në Itali, ku ishin burgosur edhe shumë atdhetarë të tjerë. Këtu miqësohet me antifashistë italianë si Sandro Pertini, Prof. Einandi dhe forcoi mëtej bindjet e veta antifashiste.
Më 1941-ë, kthehet nga internimi në Korcë, tashmë i burrëruar dhe hapi një librari – kartoleri me libra të shumë fushave, sa artistike e shkencore, sic pati bërë në Tiranë edhe Lumo Skëndoja. Librarinë nisën ta frekuentonin intelektualët e nacionalistët më në zë të Korcës. I formuar e me një kulturë të admirueshme perëndimore, Stavro Skëndi ra ndesh jo vetëm me fashizmin, por edhe me idetë e importuara komuniste, që kishin filluar të qarkullonin herët edhe në Korcën e tij. Ai nisi t’i shohë fashizmin e komunizmin si faqe të të njëjtës medaljeje, si dy ekstreme të rrezikshme, që e cuan njerëzimin në rrugë pa krye. Kështu ai do ta shohë veten e tij më pranë platformës së Ballit Kombëtar, i cili, të paktën në fillimet e tij u pozicionua kundër fashizmit. Pikërisht në këtë kohë edhe shumë intelektualë të kulluar u radhitën në rreshtat e kësaj organizate, e cila në një nga dhjetë pikat e “Dekalogut” të vet shprehej: “Luftojmë për një Shqipëri që do të dënojë pa mëshirë dhe në mënyrë shëmbullore antipatriotët, tradhëtarët, të shiturit, ngaterrestarët , servilët e spiunet, për një Shqipëri ku nuk do të ketë vend për dallkaukët, servilët, feudalët e të gjithë ata që pengojnë zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë së rilindur “.
Kjo pikë, rreshtat e fundit të së cilës përkojnë me vargjet e njërës prej poezive të Nolit, do të ketë ngacmuar sedrën e ish – studentit të Robert College, i cili shihte të shprehur në të, ëndrrat e mbetura si testament nga rilindasit.
Këtu fillon tirada e anatemave ndaj Stavro Skëndit. Në rastin e tij asgjë nuk u mor parasysh: as origjina e familjes së tij, as të qenët pedagog në shkollën më të mirë të Shqipërisë, as burgosjet e internimet e herëpasherëshme si antifashist, as fakti se ai nuk qe njeri i pushkës si pararendësit e tij, por i mendjes dhe as arsyeja tjetër shumë kokëfortë, se para se të ndodhte krisja e parëmes Frontit Nacional-Cirimtar dhe Ballit Kombëtar në Mukje, (gusht 1943), apo ndarja përfundimtare mes tyre, (Konferenca e Labinotit, shtator 1943), Stavro Skëndi ishte larguar përgjithmonënga Shqipëria .
C’kishte ndodhur ndërkohe ?
Sërish i kanosej internimi nga fashistët italianë, këtë herë në Porto Romano. Ushtruan kontroll shtëpinë e tij, por ai i shpëton për mrekulli arrestimit, i fshehur pas një perdeje. Detyrohet të hidhet në ilegalitet dhe në verën e vitit 1943, udhëton për në Tiranë i maskuar me syze të errëta dhe i shoqëruar nga e motra, Dhimitra, por pa i shpëtuar dot blicit të një aparati fotografik, që u kthye kështu në dëshmitarin e largimit të tij përgjithmonë nga Shqipëria. Në hotel regjistrohet me tjetër emër. Të nesërmen kaloi në Bullgari dhe përmes saj në Stamboll. Sërish në vendin e ëndrrave rinore. Këtu lindën njohje të reja dhe mes tyre do të ringjallej edhe një idil i këputur dashurie me studenten spanjolle Daisy Franco, e cila u bë më pas gruaja e tij e ardhëshme .Në Stamboll qëndroi deri më 1946-ë, vit në të cilin u nis drej SHBA-ës.Ishte 41-ë vjecar, ndërsa udhëtonte drejt Amerikës, drejt “vendit të bekuar të lirisë” sic do të shprehej më vonë.Ishte një udhetim drejt një bote të re dhe të panjohur. Gjithsesi nuk duhej thyer zemra. Ai e dinte se aty jetonte prej vitesh një diasporë e kulluar shqiptarësh, shumë prej të cilëve me origjinë nga vendlindja e tij. Ai po vinte drejt tyre i sigurt; drejt Amerikës për t’u bërë përfundimisht qytetar i saj i dorës së parë.
* * * *
Megjithëse në moshë tashmë burrërore asgjë nuk e pengoi të nisë studimet universitare, falë ndihmës së American Council of Learned Societies, për të cilin sic do ta pohonte më vonë me mirenjohje: ” …më erdhi në ndihmë që të plotësoj studimet unversitare dhe më në fund të fitoj gradën më të lartë, që jepet në këtë vend të përparuar “.
Kështu, më 195-ë, Stavro Skëndi merr doktoraturën në gjuhësi nga Universiteti i Kolumbias, me një tezëtepër interesante mbi epikën gojore shqiptare dhe sllave (Albanian and South Slavic Oral Epic Poetry ), e cila u botua më 1954-ën, dhe u ribotua më 1969-ë. Në këtë aspekt sic pohon prof.Arshi Pipa:” …ai u bashkua me mendimin e shkollarëve të njohur si Alois Schmaus, Max Lambertz, Fulvio Cordignano, simbas të cilëve cykli epik i kangëvet kreshnike shqipe, asht versioni shqipar i kangëvet kreshnike boshnjake, tue nenvijue njikohësisht anën origjinale ethnike të versionit shqiptar .”Kaq mjaftonte që të shkaktohej menjëherë një reaksion jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Amerikë. Sikur të mos mjaftonin sulmet e sistemit komunist të instaluar në Shqipëri dhe të vetë udhëheqësit komunist ndaj tij, por në garë me të do të vihej edhe shkrimtari Ismail Kadare.Ky tek “Autobiografia e popullit në vargje ” atakon direkt Stavro Skëndin ku pohon se : …”ngaqë s’ka mundësi ta shesë vëndin e tij, sic ka bërë më parë (!!!), po përpiqet të nxjerrë në ankand thesaret poetike të tij, e shpie origjinën e ciklit në shek 16- 18 duke i mohuar kryekëput shqiptarësinë”.
Secili që lexon këto rreshta, i vjen keq që një shkrimtar i përmasave të Kadaresë ka rënë në pozitat e partizanizmit. Në fakt nuk është ky rasti i parë. As ka vepruar kështu ai edhe me At’Gjergj Fishtën, apo me Koliqin e Konicën, që nuk iu ka kursyer epitetet më të zeza? Jo vetëm Kadareja, që shkruante nën trysninë e sistemit në Shqipëri, por edhe në Amerikë pati shumë nga ata që nuk e kuptuan veprën e Stavro Skëndit. Studiuesi Fron Mazi është shprehur mes të tjerash: “…kur flet me studiues shqiptarë e amerikanë qe e njohin veprën e Skëndit , e quajnë atë një perfeksionist. Nje shqiptaro- amerikan është shprehur kështu: “Skëndi ka qenë pa dyshim një nga studiuesit më të mëdhenj të Ballkanit. Ai ka shkruar për një grup të vecanë.Problemi që ndeshnin shumë shqiptarë në veprën e tij është se ajo u dukej e ftohtë. Skëndi nuk glorifikonte asnjëherë. Ai jepte vetëm fakte dhe bënte analiza që ishin teëer shkencore e në mjaft raste kritike. Fatkeqesisht shumë nga pjesa më e paarsimuar e shqiptaro- amerikanëve e interpretuan atë sikur ishte antishqiptar “.
Po profesor Skëndi si ka vepruar në këtë rast ?
Gjithnjë buzagaz e gjakftohtë, ai i priti goditjet ndaj tij me fisnikëri, kur edhe pohonte:“…shqiptarët këtu në Amerikë, më janë sjellë kurdoherë mirë. Kur njerëzit e regjimit poshtë bënin lloj – lloj cpifje dhe intriga që t’i ftohnin prej meje ata nuk u tundnë”.
Natyrisht ishte koha ajo që do t’i vinte notën e do t’i jepte të drejtë shumë prej përfundimeve të tij. A nuk e pohon këtë fare qartë Peter Prifti kur thotë: “…po ta shohim punën shkencore të prof.Skëndit në tërësi dhe me objektivitet, duhet të pranojmë se ai i ka bërë një shërbim të shënuar letërsisë shqiptare dhe cështjes kombëtare në botën e jashtme”.
Pasi mori doktoraturën, ai punoi për gati një vit si lektor në Universitetin e Torontos në Kanada e , pastaj si pedagog ne Programin mbi Evropen Qendrore e Lindore ne Universitetin e Kolumbias. Me logjikë të ftohtë ai analizoi dhjetëvjetëshin e parë të regjimit totalitar në Shqipëri në veprën “Albania ëith the Slav Orbit.Advent to poëer of the Communist Party”. Por edhe kjo vepër nuk u prit mirë në fillim, bile edhe nga “VATRA” dhe Fan Noli, për të cilin Skëndi ushqente respekt të vecantë dhe kjo për arsyen e vetme se “asokohe cdo lloj kritike ndaj komunistëve interpretohej si antishqiptarizëm . ”
Por natyrisht vepra më madhore e tij, që e bëri atë një historian me autoritet është “The albanian National Aëakening 1878-1912 “. Për këtë vepër me vlera, Arshi Pipa është shprehur: “Kjo vepër botue më1967-ë, asht fryt i kërkimeve të autorit për disa vjet me rradhë në arkivat e Vjenë, Romës dhe Parisit. Kjo asht një pikturë objektive e gjendjes shoqnore, politike e kulturore e periudhës së Zgjimit dhe qorton gabimet dhe partizaninë ideologjike të veprës sovjetike mbi të njëjtën periudhë nga I.G. Senkovich, mbi të cilën bazoheshin tekstet e Universitetit të Tiranës, n’atë kohë”.
Në këtë punë titanike prof.Skëndin e ndihmonte mjaft fakti i të qënit poliglot. Ai zotëronte në mënyrë të përsosur anglishten, frëngjishten, gjermanishten, italishten, rusishten, serbo-kroatishten dhe greqishten. Duke u udhëhequr nga parimi i Aristotelit: “Mik e kam Platonin, por më tepër kam mik të vërtetën “vepra e Stavro Skëndit dallohet kështu si vepër e një dijetari të paanshëm, i cili “pa ngurrue i ra ndesh ideologjive të ndryshme, tue përfshi nacionalizmin shqiptar, kur ato i shmangeshin të vërtetës objektive” ( A . Pipa )
Kurse prof. Sami Repishti është shprehur: “….me kalimin e kohës nga fusha e aksionit politik Stavro Skëndi hyri në fushën akademike, atje ku mendjet njerëzore përpiqen të kuptojnë atë, që aksioni vetë nuk e shpjegon.Beteja e mendimit politik u zgjerua, u transformua në një përqafim të tërësisë së përgjithshme, që përjashton dallimet e kohës dhe të hapësirës”.
Është kjo arsyeja që Sami Repishti do ta cilësojë Stavro Skëndin: ” Dekan të shkollës së albanologjisë”.
Me kohë emri i prof.Skëndit u bë i njohur jo vetëm në Amerikë, për shkak të botimeve të tij serioze e me vlerë dokumentare, por edhe nga pjesëmarrja e tij dinjitoze në shumë aktivitete me vlerë akademike në Europë e gjetkë. Kjo vepër akademike me kalimin e kohës ” …ka zgjeruar konceptin e kombit tonë që nga elementet fillestare të historisë, të gjuhës së folur e të vullnetit popullor deri tek faza e pjekurisë si komb i plotësuar dhe si traditë politike , nga koncepti i kombit si burim pikënisjeje deri tek koncepti i kombit si qëllim suprem ” ( S. Repishti )
Në Amerikë prof. Skëndi do të gjente atmosferën e përshtatëshme për të zgjeruar horizontin e tij në fushën e shkencës ballkanistike, duke u përpjekur të zgjidhë shumë nyje të ngatërruara të politikës e kulturës ballkanike. Sic mund ta gjykojmë dhe nga bibliografia e pasur e veprës së tij, nuk ka patur tema lidhur me Ballkanin që të kenë kaluar pa u prekur nga syri i tij vëzhgues. Sic pohon edhe vetë: “Si Shqipëria, ashtu edhe popujt fqinjë kuptohen më mirë nëse shikojmë zhvillimin e tyre nga një prizëm ndërballkanik. Jo sepse popujt e Ballkanit nuk kanë karakteristika të vecanta, por të tjerat janë të përbashkëta, sepse janë formuar gjatë sundimit turk “.
Ishte viti 1970-ë, kur prof.Skëndi do të tërhiqej nga puna e tij si profesor i gjuhës dhe kulturës ballkanike në Universitetin e Kolumbias dhe pas dy vjetësh ky universitet e shpalli; ” Profesor Emeritus “. Gjatë viteve 1972- 1973, ai punoi si bashkëpunëtor në Institutin për Studime të Avancuara në Universitetin e Princentonit, një institut ky tepër prestigjioz, ndërsa instituti i njohur i Gugenheimit i jep cmimin “GRAND “.
Më 1980-ë ai botoi veprën tjetër madhore me tri pjesë ” Balcan Cultural Studies ” e cila sipas disiplinave përbërëse ndahet në tri pjesë: Histori, Folklor, Gjuhësi. Sic vë në dukje Arshi Pipa: “Në të tria këto lamije, Skëndi u dallua si shkencëtar i paanshëm, pa ngurrue me i ranë ndesh ideologjive të ndryshme, tue përfshi nacionalizmën shqiptare, ku ato i shmangeshin të vërtetës objektive .”
Në fushqn e gjuhqsisq, gjithmonq sipas prof. Arshi Pipqs, Skqndi u shpreh kunder imponimit të të ashtuquajturës ” gjuhë e njehsuar ” , mendim i cili gjeti përkrahje edhe nga kolosët e gjuhësisë shqiptare, Eqrem Cabej dhe Aleksandër Xhuvani .
Tepër i rëndësishëm në llojin e vet paraqitet edhe studimi krahasues i kompletuar “Kacic’s Razgovor and Fishta’s Lahuta e Malcis “. Sipas prof. Skëndit, At’Fishta u frymëzua kur shkroi kryeveprën e vet nga shkrimtari i hershëm dalmat Andrija Kacic Mioshic, poet dhe publicist dalmat i periudhës së iluminizmit, që njihet sidomos me veprën e tij “Razgovor ugodni naroda slovinkoga ” (Bisedë e këndshme e popullit sllav ), një përmbledhje më proze e poezi për historinë serbo- kroate.Duke krahasuar veprat e dy franceskanëve, Skëndi gjente pikëtakime në mendësinë e popujve fqinjë shekullore, duke theksuar se të dyja këto vepra madhore ia kanë dalë ” të glorifikojnë historinë dhe shpirtin e paepur të heronjve dhe popujve të tyre. Ato nuk janë thjesht histori; ato janë histori dhe legjendë.”
Shenjë e respektit që gëzonte vepra e profesorit të nderuar te diaspora shqiptare e Amerikës dhe me gjerë, është darka e shtruar në Neë York, Sheraton Hotel me 4 tetor 1980-ë, për nder të 75 vjetorit të tij të lindjes. Në të morën pjesë shumë të ftuar nga Nju Jorku e vise të largëta të Amerikës. Të shumta qenë përshëndetjet e të pranishmëve dhe po aq të shumta letrat e telegramet e dërguara prej atyre që s’mundën dot të vinin. Në parathënien e broshurës të botuar me këtë rast marrim vesh që Eduart Lico, i cili celi edhe darkën, mes të tjerash të ketë thënë se ” …profesori që po nderojmë sonte, të cilin ne enjohim, si njërin prej historianëve tanë më të shquar, është njëkohësisht edhe një edukator i dorës së parë që ka patur Shqipëria.”
Kurse kryetari i Shoqërisë” VATRA” , Andrea Elia, në letrën që dërgoi me këtë rast duke perifrazuar një thënie të Faik Konicës, shprehej se ” …për të arritur njeriu një shkallë të tillë diturie, studimi i fakteve të peshuara, shkrimi me hollësi etj, duhen t’i bëhen një sëmundje që s’ka shërim, një martesë pa ndonjë posibilitet, një udhëtim i pasosur.
Profesor Stavro Skëndi i ka patur këto cilësi në mendjen e trupin e tij, ndryshe nuk do të kishte mundur të na nderonte me kaqë vepra të shenuara.”
fave S.C. says
:.Po, kaame lexuar disa liibra ne Manhattan,eshte e sakt cf’ar shkruane,edhe bene, qofta se zulimet e me vonshme nxjerrin te Dena te reja,konkluzioonet e Prof .SKENDOS Jane paraprijse.,Stdimet edhe per shqiprainni jan te Sakta sidomos per periudhe 50 vjecareper Sa behet fjale per kenget ”KRESHHNIK”maje krahu”ashtu eshet Ato jan legjend bashke me kenget e Jugut ”ISO”Askush ne ballkane ase ne Europe nuk n e ka ne origjin keto kenge si shqiptaret ne juge e ne veri.Kjo eshte nje pike referimi per lashtejsin I Ilirve gjuhes dokeve ,vzakoneve,gjuhes folklorit. ,Historianet, gjuhetaret e mizikologet I Kane studjeuar e vazhdojn te studjone lashtesin e tyre me te gjitha karakteristikat .
Nuke eshte vone qe shkencat europjane te pranojn ruajtjen e vacant te ketyre kengve.