


Protesta e sotme u parapri nga një numër i madh deklaratash të ambasadës amerikane dhe selive diplomatike të vendeve kryesore të Bashkimit Europian të cilat i kërkuan zotit Basha dhe drejtueses së LSI-së Monika Kryemadhi, të dënonin dhunën e ushtruar gjatë protestës të së shtunës dhe përgjëgjësit e saj. Në fjalën e tij, zoti Basha i mëshoi pikërisht fjalës “dhunë” e cila sipas tij ishte “përgjigja e vetme e Edi Ramës ndaj votës së lirë”. . ..
Në Shqipëri, protesta e sotme(13 Maj 2019) e opozitës është parashikuar në formën e një marshimi përpara “disa istitucioneve që simbolizojnë ato që krimi u ka vjedhur shqiptarëve”, tha zoti Basha, në fjalën e mbajtur përpara manifestuesve të mbledhur para godinës së Qeverisë. Ndalesa e parë e opozitës do të jetë përpara Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë “drejt institucionit që vetëm shtyp. Ne nuk duam një polici të krimit”, tha zoti Basha. Ndalesa e dytë do të jetë para Parlamentit “vendit që duhet të jetë tempulli i demokracisë me mesazhin se nuk e njohim Parlamentin e paligjshëm”. Më pas manifestuesit pritet të ndalen para Ministrisë së Brendshme “ku sundon një njeri që nuk e lidh asgjë me kushtetutën dhe ligjin, por vetëm servilizimi i verbër dhe shërbimi ndaj padronit të tij”, u shpreh zoti Basha duke njoftuar se ndalesa e fundit do të jetë përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës “ku mbahen me pa të drejtë vëllezërit e motrat tona”.Përpara se të niste marshimin, zoti Basha mbajti një fjalë në sheshin për godinës së Qeverisë, i cili dy netë më parë u kthye në një skenë të akteve të dhunshme ndaj godinave shtetërore, drejt së cilave u lëshuan një numër i madh bombash Molotov. Protesta e sotme u parapri nga një numër i madh deklaratash të ambasadës amerikane dhe selive diplomatike të vendeve kryesore të Bashkimit Europian të cilat i kërkuan zotit Basha dhe drejtueses së LSI-së Monika Kryemadhi, të dënonin dhunën e ushtruar gjatë protestës të së shtunës dhe përgjëgjësit e saj. Në fjalën e tij, zoti Basha i mëshoi pikërisht fjalës “dhunë” e cila sipas tij ishte “përgjigja e vetme e Edi Ramës ndaj votës së lirë”. Ai theksoi se “dhuna është e vetmja zgjidhje që ofron Edi Rama. Dhunë ndaj sipërmarrjes, ndaj administratës, dhunë ndaj të papunëve, ndaj të rinjve dhe vogëlushëve, dhunë ndaj vogëlushëve të Unazës. Jemi sot në këtë marshim për të thënë qartë dhe prerë: E refuzojmë dhunën e qeverisë dhe i përgjigjemi me besimin tonë tek vlerat europiane, me fuqinë e bashkimit dhe vendosmërisë. Nuk ka shqiptar që nuk e di se këtu kemi ardhur si rezultat i dhunës shtetërore, se dhuna shtetërore është produkt i dhunës zgjedhore. Sepse ajo është e vetmja mënyrë e Ramës për të marrë e për të mbajtur pushtetin”, deklaroi zoti Basha përpara mbështetësve të tij, të cilat sot nuk tentuan as t’i afrohen gardhit të punonjësve të policisë para godinës së Qeverisë duke u mjaftuar vetëm me lëshimin e shashkave dhe tymueseve.Në Shqipëri, ambasada amerikane i bëri sot thirrje kryetarit të Partisë Demokratike dhe drejtueses së Lëvizjes socialiste për Integrim Monika Kryemadhi të dënojnë dhunën në protestën e së shtunës dhe të sigurojnë se protestat e ardhshme do të jenë paqësore
Deklarata e ambasadës amerikane u bë sot pasdite para nisjes së protestës tjetër që opozita ka paralajmëruar për sonte në mbrëmje në Tiranë. Ambasada thekson se “forca dhe dhuna nuk kanë vend në një proces demokratik” dhe se ato dënojnë “dhunën e pranishme gjatë protestave të 11 majit në Tiranë dhe përgjegjësit e saj. Dhuna çoi në plagosje dhe dëmtime të pronës, përfshirë edhe dëmtim të vendbanimit së Ambasadorit të OSBE-së. Këto veprime të dhunshme ishin të paligjshme dhe jodemokratike”, thekson deklarata përmes së cilës i kërkohet drejtuesve të opozitës që “të bashkëpunojnë me çdo hetim që synon të identifikojë çdo person që i kreu ato dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë”.Ambasada nënvizon gjithashtu se “edhe autoritetet ligjzbatuese kanë përgjegjësi për të vepruar me vetëpërmbajtje, përfshirë edhe rastet kur iu përgjigjen provokimeve”. Sipas ambasadës amerikane “protestat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike dhe perspektivën e vendit për të bërë përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian. Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të zmbrapsen nga përplasjet dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv, që synon t’i japë fund ngërçit politik”, përfundon deklarata.Në linjë me qëndrimin e ambasadës amerikane, dhe deklaratat e ambasadave të disa prej vendeve kyçe të Bashkimit europian.
OSBE dënon dhunën në Shqipëri
Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) dënoi të hënën me forcë dhunën e ushtruar nga protestuesit në kryeqytetin shqiptar gjatë fundjavës.
Në një deklaratë të përbashkët të Kryetarit të Radhës së OSBE-së dhe Ministër i Jashtëm i Sllovakisë Miroslav Lajcak, të Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së Thomas Greminger, të Presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së George Tsereteli dhe të Sekretarit të Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Roberto Montella, thuhet se trazirat nuk mund të zëvendësojnë angazhimin politik demokratik.
Zyrtarët e lartë të OSBE-së dënojnë gjithashtu me forcë edhe kërcënimet dhe përpjekjet për frikësim ndaj Kreut të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, si dhe ndaj OSBE-së në përgjithësi. Deklarata u bën gjithashtu thirrje forcave të policisë që të tregojnë vetëpërmbajtje.
Drejtuesit e OSBE-së thonë se një zgjatje e mëtejshme e krizës do të dëmtonte prioritetet e politikës së brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Ata shprehen se ka ardhur koha për krijimin e një platforme vendore të dialogut, ku do të përfshiheshin të gjitha palët, partitë politike, shoqëria civile dhe akademikët, për të dalë mbi dallimet dhe për të punuar së bashku për interesin më të mirë të Shqipërisë.
Fleckenstein – Kukan: dialogu rruga e vetme
Ndërsa dy eurodeputetët, Knut Fleckenstein, relator për Shqipërinë në Parlamentin Europian dhe Eduard Kukan Kryetar i Grupit të Punës për Ballkanin Perëndimor në Komitetin për Punët e Jashtme iu drejtuan po pasdite me një letër qtetarëve shqiptarë. Ata shprehen se “me shqetësim të madh kemi parë imazhet e dhunës në Tiranë të shtunën e kaluar, më 11 maj.
E drejta për të protestuar është thelbësore në çdo shoqëri demokratike, por kjo kurrë nuk e bën dhunën një instrument te ligjshëm”, thekson letra duke shtuar se “Ne, deputetët e Parlamentit Evropian, anëtare te familjeve të ndryshme politike evropiane, u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestat e lajmëruara për ditët e ardhshme në Tiranë, të përmbahen nga të gjitha format e dhunës dhe të qëndrojnë larg nga ngjarje të dhunshme. Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të tregojnë përgjegjësi dhe vetëkontroll”.
Fleckenstein dhe Kukan theksojnë se “Si deputetë të Parlamentit Evropian, ne nuk synojmë interferimin në ngjarjet ne vend. Duam thjesht t’ju kujtojmë se vetëm institucionet dhe proceset demokratike, dialogu parlamentar, procedurat ligjore, zgjedhjet e lira dhe të drejta – janë rruga e vetme përmes të cilës shoqëria shqiptare mund të zgjidhë sfidat serioze që përjeton. Është koha e duhur që t’i dërgoni botës një mesazh të qartë se Shqipëria dhe shqiptarët janë të aftë për t’i zgjidhur konfliktet e tyre në mënyrë paqësore dhe demokratike”, përfundon letra e dy eurodeputetëve.(Sipas VOA)
***
Gjermania e shqetësuar për gjendjen në Shqipëri
Në një deklaratë ekskluzive për DW dy deputetët gjermanë të grupit parlamentar CDU/CSU dënojnë dhunën në protestë në Shqipëri dhe ofrojnë ndihmë në kapërcimin e krizës. Edhe Ministria e Punëve të Jashtme dënon dhunën.
Zëvendëskryetari i grupit parlamentar të Unioni Kristiandemokrat / Unioni Kristiansocial (CDU/CSU) në Bundestag dhe njëherazi kryesues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor, Johann David Wadephul (CDU), si edhe raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Bundestagut për Çështje të Jashtme, Christian Schmidt (CSU), kërkojnë nga pozita dhe opozita në Shqipëri që të hyjnë në dialog pa kushte. Në një deklaratë të përbashkët, të cilën ata ia dhanë ekskluzivisht Deutsche Welle-s të hënën (13.05) pasdite në Berlin, të dy deputetët e këtyre dy partive simotra me Partinë Demokratike të Shqipërisë, i dënojnë ashpër trazirat e dhunshme në Shqipëri dhe ofrojnë ndihmën e tyre për kapërcimin e krizës.
Deklarata e plotë:
“Ne i dënojmë ashpër trazirat e dhunshme. E drejta e ligjshme e lirisë së demonstrimit nuk duhet keqpërdorur duke përdorur dhunën. Kjo duhet garantuar nga të dyja palët: Si udhëheqësit politikë edhe organizatorët e demonstratave, ashtu edhe forcat e sigurisë, duke përfshirë edhe Ministrin e Brendshëm, duhet ta sigurojnë këtë. Të dyja palët duhet të kontribuojnë për çtensionim. Por, mjerisht po ndodh e kundërta. Çtensionimi përfshin edhe vetëpërmbajtje në përzgjedhjen e fjalëve! Por kush flet për “luftë”, bën të kundërtën! Kërcënimi që i është bërë ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchardt, në shtëpinë e tij, është për ne i papranueshëm! Dhuna nuk mund të tolerohet aspak si mjet politik.
Qeveria dhe opozita tani duhet të hyjnë në dialog urgjentisht dhe pa asnjë parakusht dhe të jenë të gatshme për kompromise. Të dyja palët janë njësoj përgjegjëse për paqen e brendshme dhe për krijimin e kushteve për çeljen e negociatave të anëtarësimit.
Ata që nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë menjëherë, janë duke e çuar veten drejt izolimit politik. Ne jemi të gatshëm për të ndihmuar në kapërcimin e krizës”, përmbyllet deklarata e dy politikanëve gjermanë,.
Opinioni i grupit parlamentar CDU/CSU për Shqipërinë është vendimtar për Po-në gjermane për çeljen e negociatave.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë në një deklaratë ekskluzive për Deutsche Welle-n bëri të ditur se po i “vëzhgon me shqetësim të madh zhvillimet në Shqipëri”, e sidomos “kërcënimin ndaj drejtuesit të zyrës së OSBE-së në Shqipëri”. Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë u bën thirrje organizatorëve të protestave që të heqin dorë nga kërcënimet dhe përdorimi i dhunës. “E drejta e demonstrimit është një element i rëndësishëm i kushtetutës demokratike. Dhuna, siç e pamë atë të shtunën e kaluar, është krejt e papranueshme”, përfundon deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ndërkohë nga Shqpëria pritet të martën(14.059 në Berlin ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, për disa takime me përfaqësues të partive të ndryshme për t’i bindur ata për ta mbështetur Shqipërinë për çeljen e negociatave. Cakaj do të takohet edhe me ministrin e shtetit për Evropën Michael Roth (SPD).(Sipas DW)