Shkruar nga ANGELO PANEBIANCO-Corriere della Sera/
E përktheu per Diellin: Eugjen Merlika/
Është e nevojshme të pyetet se çfarë ka kaq të kalbur në sistemin tonë, që të shtyjë një numur kaq të lartë njerëzish të simpatizojnë Rusinë.
Sociologu francez Raymond Aron përmëndëte shpesh atë që ndoshta është I vetmi rast i dokumentuar i një takimi (në të vërtetë një ndeshje ballë për ballë) ndërmjet militantëve të lëvizjes së atëhershme studentore evropiano-perëndimore dhe mbështetësve të Pranverës së Pragës, një përpjekje për të liberalizuar një regjim komunist të shtypur nga autoblindat sovjetike më 20 gusht 1968. Në takimin – që u mbajt, me gjasë, ndonjë muaj më parë asaj dite fatale – morën pjesë studentë çekosllovakë e studentë gjermanë. Çekosllovakët folën për dëshirat (e çiltëra?) të tyre: të mos ishin më të shtypur nga Brss e nga partia komuniste, të shliroheshin nga policia sekrete, të mos kërcënoheshin nga arrestimet arbitrare, të kishin të drejtën e fjalës etj. U përqeshën e u shanë nga studentët gjermanë, u paditën se kishin synime”të borgjezëve të vegjël” dhe, akoma më keq se ishin lakenj të pavetëdijshëm të imperializmit amerikan, se pengonin luftën kundër sistemit të kalbur e kriminal kapitalist. Takimi u mbyll papritmas kur njëri nga studentët çekosllovakë tha: ”Duhet të ketë vërtetë diçka të kalbur në sistemin tuaj derisa prodhon të marrë si juve”.
E përshtatur në kohën tonë dh e shprehur me fjalë më të njerëzishme, pyetja bëhet: çfarë ka aq të kalbur në sistemin tonë që të shtyjë një numur kaq të lartë njerëzish të simpatizojnë Rusinë?Çfarë gjëje, në sistemin tonë të jetesës, krijon tek shumë prej bashkëqytetarëve tanë një ndijesi neverie, ndoti, aq të fortë sa që të ligjësojë simpatinë për Nënën e Shënjtë Rusi (dje në variantin sovjetik, sot në versionin putinian), ose për një botë që ende tani, pavarësisht nga të gjithë dallimet në krahasim me të shkuarën sovjetike, është krejt e ndryshme nga ajo perëndimore në të cilin kemi jetuar deri tashti? Përse aq bashkatdhetarë, sot e në të shkuarën, pësojnë joshjen fatale të “Despotizmit aziatik” (Federata ruse, si një kohë Brss, e akoma më heret perandoria cariste qëndron shaluar e në zgrip ndërmjet Evropës dhe Azisë)?
Besoj se të kërkohet përgjigje për këtë pyetje është politikisht më e rëndësishme dhe interesante se të kërkohet të dihet nëse ka patur apo jo kalim rublash (apo një përpjekje n’atë drejtim) ndërmjet rusëve dhe Legës.Të vërtetojë si kanë shkuar punët, i takon një gjykatësi në fund të një proçesi të rregullt. Për të tjerat, kjo e rublave është një ndodhi që ngacmon kryesisht përfytyrimin e atyre që, prej Duarve të Pastra e mbrapa, janë mësuar të mendojnë politikën si një luftë e pandalëshme mes rojesh dhe hajdutësh.
Ajo që duhet të pyesim është pra pse le liasons dangereuses (lidhjet e rrezikëshme) ndëmjet rusëve dhe legistëve nuk i shqetësojnë aspak zgjedhësit e mësipërm. Mungesë njoftimesh? Për një pjesë të tyre ndoshta po. Por për një pjesë tjetër sigurisht jo. Janë mjaft që i njohin lidhjet ndërmjet Legës dhe Rusisë e i miratojnë. Përse? Duhet mbajtur parasysh fakti se është pikërisht simpatia e thellë e shumë bashkatdhetarëve tanëpër Rusinë i ka lejuar Legës të forcojë ato lidhje.
Të kërkohet të shpjegohet simpatia për Rusinë është e barazvlerëshme shpesh me përpjekjen për të shpjeguar fuqinë e kundëramerikanizmit.Dy gjërat janë të lidhura: vlerësimi për Rusinë është pothuajse gjithmonë i bashkuar me armiqësinë për Shtetet e Bashkuara. Kundëramerikanizmi ka arsye të ndryshme në Vende të ndryshme evropiane. Në rastin italian sigurisht ka luajtur rol një paragjykim i lashtë me origjinë katolike kundrejt Vendeve protestantë. Por ka luajtur, mbi të gjitha, një armiqësi e fuqishme dhe e përhapur kundër atyre institucioneve të bashkëkohësisë perëndimore që janë ekonomia e tregut dhe demokracia përfaqësuese.
Natyrisht, një armiqësi e tillë nuk mundej të mos zbrazej mbi shoqërinë – simbol të asaj bashkëkohësie dhe Vendi udhëheqës i botës perëndimore. Për më tepër, në vartësi edhe mbi institucionet evropiane, të përceptuara me të drejtë si një kështjellë e dytë e asaj bote. Rusia, nga ana e saj, shihet si kampione e kundër bashkëkohësisë, e kundër – Perëndimit, e kundëramerikanizmit. Kur Putin, udhëheqës i një Vendi që demokracinë liberale nuk e ka njohur kurrë në gjithë historinë e tij, thotë se një demokraci e këtillë ka mbaruar, duke dashur të thotë se mënyra e jetesës perëndimore ka mbaruar, merr vlerësimin e atyre të shumtë që e kanë urryer gjithmonë botën së cilës i përkasin.
Me këtë është e qartë se nuk i jemi përgjigjur pyetjes: pse janë kaq të shumtë evropianët, e në rastin tonë italianët, të kundërt me shoqërinë e hapur e të lirë në të cilën jetojnë? Pyetje e vështirë. Për të rimarrë shprehjen e studentit çekosllovak, ku qëndron kalbësira? Ndokush mund të mendojë se është në karakterin “e panatyrshëm” të lirisë.
Në këtë vështrim shumë njerëz parapëlqejnë që të jetë dikush tjetër që të mendojë për ta. Shumë kanë thjesht frikë nga liria (prandaj duhet t’a zhvlerësojnë në vetë sytë e tyre: t’a përcaktojnë si diçka të rreme, gënjyese). Parapëlqejnë shumë më tepër despotizmin se sa shoqërinë e lirë. Simbas këtij shtjellimi, do t’a ruajmë këtë shoqëri vetëm nëse arrijmë t’i mbajmë në mbikqyrje të gjithë kundërperëndimorët e shtëpisë sonë.
Sido që të jetë, është një fakt që shemëri i Pjetrit të madh (cari aq i admiruar prej Putin-it, që modernizoi Rusinë për t’a bërë më agresive e të rrezikshme) mund të shfrytëzojë simpatitë e shtrira që gëzon. Do t’i shërbejnë atij dhe pasardhësve të tijnë garën që do të përcaktojë, ndërmjet fuqive të mëdha, zonat e ndikimit në kontinentin tonë të katandisur keq.
Corriere della Sera, 14 korrik 2019 E përktheu Eugjen Merlika