I biri i gjeneral-leitnant Teme Sejkos, ish-komandant i Flotës Detare Shqiptare i pushkatuar nga regjimi komunist, Rajmond Sejko, i mbijetuari i vetëm i Familjes Sejko, së bashku me djalin, vajzën dhe nipin e tij, shkuan në Filat si shtetas amerikanë dhe vizituan shtëpinë e gjyshit, Mehmet Sejko, një nga personalitetet e rralla të Çamërisë, kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” të Filatit, protagonist i hapjes së shkollave shqipe dhe firmëtar i Memorandumit që i bënë çamët Fuqive të Mëdha në vitin 1919 për bashkimin e trojeve shqiptare me Shqipërinë.
“Shpirti i babait tim Teme, i xhaxhallarëve Taho e Sulo Sejko, i vëllait tim Sokolit dhe i nënës Shpresa, nuk janë të qetë , tha Rajmondi për “Diellin”. …Por as ne të gjallët nuk jemi të qetë, përderisa viktimat e familjes Sejko janë pa varr. Përderisa nuk kemi ku t’i qajmë, se shtëpinë e vatanin na e kanë marrë. S’më mbante vendi derisa më në fund munda të shoh shtëpinë e gjyshit tim në Filat dhe, së bashku me djalin dhe nipin tim, të bënim këtë vizitë, si një përshpirtje për gjithë njerëzit tanë. Shtëpia na mahniti ashtu hijerëndë, mes shkëlqimeve të hirta drithëruese, me muret e saj të qëndresës. M’u duk më e bukura në botë. Sikur na lutej të hynim brenda. Qëndronte aq solide dhe e pavdekshme në pritje të të zotëve, edhe pse çatia kish rënë me kohë. U çmalla gjatë me shtëpinë dhe m’u duk se për disa çaste dremita pak. Muzgu ra ngadalë si një psherëtimë. Gjethet u drodhën. Gjerdanë ëndërrash më erdhën radhë. Dhe vetëm njëra më përmendi: Shihja çamët që ktheheshin varganë – varganë drejt shtëpive”!
***
Rajmondi është ishte vetëm 11 vjeç, kur nisi tragjedia e familjes së tij. Ajo fillon me arrestimin e vrasjen e babait të tij, Teme Sejko, më pas vazhdon me të vëllanë Sokolin e më tej me të ëmën Shpresa, e cila i dha fund jetës në pamundësi për të duruar persekutimin ekstrem të diktaturës komuniste, mbi djemtë e saj dhe të shoqin. Shpresa Sejko vendosi t’i japë fund jetës, kur komunistët arrestuan djalin e saj, tashmë i vetëm pas vrasjes së Sokolit, Rajmondin. Kur Rajmondi u arrestua, e ëma Shpresa u vetëvra.
Për Rajmondin, e enjtja e zezë e 28 korrikut ‘60, ishte fillimi i fundit të Teme Sejkos që pak nga pak e ditë pas dite, solli një tragjedi të tmerrshme.
I mbijetuari i vetëm i familjes Sejko ndalon pak si për të sistemuar mendimet dhe vazhdon i mallëngjyer me momentet, kur ka humbur të dashurit e vet: “I pari, iku babai, Temja. Pas një procesi maratonë thanë se e pushkatuan. E pushkatuan, po mbeti pa varr. I dyti, im vëlla, Sokoli. E vranë edhe atë me plumb. E pushkatuan si sabotator natën për ta lënë pa varr. E treta, ime më, Shpresa. E dërrmuan tragjeditë e njëpasnjëshme dhe i dha fund jetës me dorën e saj. E mira nënë, mbylli sytë ditën e arrestimit tim. Ikën të gjithë pas njëri tjetrit. Nuk m’u dha rasti të përcjellë asnjërin për në banesën e fundit…” Por, Rajmond Sejko ka edhe një tjetër peng: “Ende nuk di ku pushojnë eshtrat e tyre”.
Prandaj, rikthehet herë pas here nga Amerika, ku jeton prej vitesh dhe gjurmon pa pambarim në kërkim të vendvarrimit të të atit dhe vëllait.
Arben Iliazi