Ambasadori amerikan Donald Lu, i pranishëm në Konferencën Gjyqësore Kombëtare, iu drejtua gjyqtarëve të ndershëm të Shqipërisë duke thënë se duhet të kenë besim, pasi ndryshimi po vjen.
“Të ndershmëve u them që të kenë besim pasi ndryshimi po vjen. Ju meritoni të promovoheni në bazë të meritës dhe përvojës. Të ndershmit e dinë se ndryshimi i sistemit të drejtësisë nuk do të jetë i lehtë, duhen reforma të mëdha e të menduara”, tha Lu. Në vijim Ai shtoi se “nuk është se nuk ka politikanë të korruptuar në SHBA, por rreziqet e ekspozimit janë të mëdha”. “Në Shqipëri ka gjyqtarë të korruptuar dhe gjyqtarë të ndershëm. I them të korruptuarve se nëse keni marrë para’ në shkëmbim të një vendimi gjykate, qoftë edhe një herë, jeni të korruptuar. Nëse ulni kokën dhe mbani një orë që kushton më shumë se makina ime, jeni të korruptuar. Nëse është ky rasti, iu rekomandoj që ta lini këtë profesion menjëherë”, theksoi Lu. Në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani theksoi se “parimi i pavarësisë së gjyqësorit është i padiskutueshëm”: “Gjykata mbi pushtetet e tjera është standardi që dua unë të arrij. Gjyqësor i besueshëm është që t’i shërbesh komunitetit sipas nevojës”. Më tej, Manjani deklaroi: “Nuk besoj që korrupsioni më i madh është në radhët e gjykatësve. Ky fenomen është i përhapur edhe në sektorë të tjerë, por ne kërkojmë nga gjykata të ndëshkojë korrupsionin, të vetin po e po, por edhe të të tjerëve. Për këtë arsye duam një pushtet gjyqësor mbi pushtetet e tjera. Shpresa e vetme për një shtet të pakorruptuar është gjykata”. Kreu i Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori tha për reformën në drejtësi se nuk duhet të eksperimentohen modele të reja, në kushtet e presionit të momentit.
“Duhet të ishte më gjithëpërfshirës dhe besimi i tij në të gjitha nivelet e gjyqësorit duhet të ishte më i madh. Apeli jonë drejtuar institucioneve shtetërore është se ne kemi nevojë dhe jemi të interesuar për hartimin e një kuadri ligjor e kushtetues, që inkorporon standarde ndërkombëtare në drejtësi dhe adopoton modele që kanë treguar se janë të suksesshëm”,është shprehur Zaganjori. Ai tha se gjyqtarët do të mbështesin forcimin e shtetit ligjor duke kërkuar më shumë përfshirje të gjyqësorit në reformën në drejtësi.