Dr. Dorian Koçi
Imzot Noli, idetë dhe vizionet e tua për Shqipërinë ende shqetsojnë “shakaxhinjtë e përparimit” që nën petkun e historianëve, kritikëve , estetëve përpiqen të zvogëlojnë veprën tënde. Fan Noli iu duk i çuditshëm në shoqërinë shqiptare , si i rënë nga qielli kur u thoshte shqiptarëve se pasuria nëntokësore që gjendej në tokë të bejlerëve u përkiste të gjithëve dhe shteti do bënte më të mirën për ta shitur e për të përfituar të gjithë. Iu duk i pafuqishëm ky njeri që thoshte që do t‘u jepte tokë dhe ndërsa fuqitë e Vrangelit dhe bateritë serbe rrihnin kryeqytetin për të sjellë Zogollin, ai luante klarinetë dhe lutej që “fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë”. E deshën shumë pak fqinjët se do t’u vinte kufirin tek thana, ndaj u bënë të gjithë bashkë me Pashic, Musolin e qeveritarë grekë për të mos e njohur e për ta përmbysur. Mirëpo këtë mëri të fqinjëve, ata të tjerët që kishin rendur në Beograd nga zemërimi popullor i vrasjes së Avni Rustemit e quanin “legjitime”, politikë të drejtë dhe sukses të tyre. E cilësuan aventurier, sepse kërkonte të sillte qytetërim dhe barazi në një vend që s’kish ndryshuar për qindra vite me radhë. Gëzonin dhe fërkonin duart që ai s’i njihte dredhitë e vogla orientale të mësuar në oborre pashallarësh dhe që u jepnin përparësi që pushtetin e tyre ta shisnin për përparim. Disa historianë e quajnë sot këtë gjë, zotësi të kundërshtarëve të tij, zgjuarsi që buronte nga natyra e tyre popullore. Në fakt nuk është çudi që prej shekujsh në Shqipëri adhurohet i ligu dhe hileqari, që ka mundësi të ta hedhë dhe poshtërojë tjetrin sesa vizionari dhe misionari që mundohet të mbjellë farën e ndryshimit. Fati i personazhit të quajtur Plug të Konicës në “Katër Përralla nga Zuzulandi” ka ndjekur gjithmonë fatin e idealistëve në Shqipëri.Gjithsesi Fan Noli s’u mërzit kurrë me vendin e vet e mbeti fisnik deri në palcë. E deshi Shqipërinë më shumë se vetja dhe përherë i vinte keq për teatrin mizerabël që kishin ndërtuar “dallkaukët” dhe “kopukët” dhe “turmat pa tru”. I paepur vazhdoi të kulturonte veten dhe kombin e vet me përkthimet dhe letërsinë që krijonte, duke u dhuruar shqiptarëve vargje të mrekullueshme dhe vepra të klasikëve i bindur se një ditë fjalimi i Mark Antonit te “Jul Qesari” do të kuptohej nga brezat që vinë. Ndjekjet e atyre që s’e deshën e përndoqën deri në Amerikë, ku hapnin fjalë se peshkopi që kish synuar reforma në vendin e vet ishte Peshkop i “kuq”, një akuze që i tejkalonte dhe përndjekjet e Komisionit MacCarthy dhe që shumë “studiues” të sotëm i përsërisin herë pas here si “pafajësisht” për të baraspeshuar traktatet e bashkëpunimit me të huajt që nënshkruan të tjerë. Imzot Noli ju mbeteni gjallë në ndërgjegjen e kombit, një maratonomak që përcjell lajmin e fitores të së mirës mbi të keqen, të së drejtës mbi padrejtësinë, të përparimit mbi prapambetjen.RRENT, OR MARATHONOMAKRent, or rent, rent e u thuajSe u çthur ordi e huaj,Se betejën e fituamDhe qytetin e shpëtuam!Rent, or rent,Rent, or Marathonomak!Kap një degë prej dafineDhe vërtitesh ndaj Athine,Nëpër fush’ e brek mi brekKëmba tokën as t’a prek,Hip’ e zbrit,Petrit, Marathonomak!Ke një plagë, po s’e the,Djers’ e gjak pikon për-dhe;Do që ti të jesh i pari,Për triumfin lajmëtariFlamur-gjak,Kuqo, Marathonomak!T’u tha gryka, po s’të pihet,T’u mpi këmba, po s’të rrihet,Se mileti po të pret,Ankthi zëmrat ua vret,Vrer e tmerr,Shpejt, or Marathonomak!Kurrë kaqë s’dogji djelliDhe si plumb s’rëndovi qjelli,Kurr’ aq ëmbël’ e bukur s’ftojHij’ e lisit edhe kroj;Turru tej,Tutje, or Marathonomak!Vapa mbyt e pluhri nxinFerra çjerr e guri grinAfsha gjoksin përvëlonSyrin avulli verbon;Ur’ e prush,Furr’, or Marathonomak!Gryka si gjyryk të çfrynPrej Vullkani flag’ e tymSe ç’vëngon e se ç’gulçon,Zëmra brinjët t’i çkallmonMe tokmak,Mbahu, or Marathonomak!Nëna, motra, nusja dalin,Ngrehin krahët të të ndalin,Mos, se s’janë veç NajadaMagjistrica dhe Driada;Lark, or lark,Lark, or Marathonomak!Hajde, ja Akropolia,Ja qyteti e njerëziaQë të pan’ e që të çquanDhe fuqinë t’a rishtuanHa dhe pak,Hajde, or Marathonomak!Ja, arrive, ua the:Ç’gas e ç’helm qe kjo myzhde!”E fituam!”, brohoriteDhe për tok’ u-përpëlite;Vdiq, or vdiq!Vdiqe, or Marathonomak!Rent kudo, dyke bërtitur,Nëpër shekuj faqe-ndritur,Se i vogli shtrin viganinDhe i shtypuri tiranin,Veç e tok,Tok, or Marathonomak!