
Erion Muça/
Rritja e pagave nuk është kosto por investim kur shoqërohet me një platformë motivuese për punonjësit që të përkthehet në rritje dhe zhvillim për kompaninë.Rritja e pagave nuk rrit çmimet por shërben si tregues i solidaritetit social të punëdhënësit për ti akorduar vetes një marzh më të ulët fitimi momental përmes vlerësimit të punonjësit me qëllim kthimin në vlerë të shtuar nesër të vlerësimit që i bën përmes punës dhe rezultateve të tij.Rritja e pagave është vetëm një instrument ekuilibri social që synon të vë sadopak drejtësinë mes punës së realizuar dhe asaj të paguar e minimalisht të justifikuar.Rritja e pagave nuk është sforco por rrjedhojë e mungesës së ndjeshmërisë shumëvjeçare nga ana e disa sipërmarrjeve të cilat përmes kacidheve kanë shfrytëzuar si mos më keq kapitalin njerëzor, e kur sot janë të gatshëm ti ofrojnë miliona e përsëri nuk ja mbushin dot mendjen profesionistit se kanë ndryshuar duke kuptuar gabimin.Rritja e pagave nuk është lluks por kërkesë e kushtëzuar nga rrethanat e inflacionit dhe shtrenjtimit të jetesës, parë si një instrument të domosdoshëm që të gjithë të kenë mundësi të jetojnë normalisht përmes pagës që marrin e mos shohin emigracionin si shpëtim.Rritja e pagave duhet të vijë shumë nga emancipimi dhe ndërgjegjësimi jo nga detyrimi, rrethanat e pamundësia e gjetjes së punonjësve por si rrjedhojë e ngritjes në nivel modernizimi të konceptit që punonjësi është aset i rëndësishëm i çdo kompanie.Rritja e pagave duhet parë, matur e shoqëruar nga një sistem i moderuar progresiv përpjekjeje dhe mundimi nga ana e punonjësit për ta ndjerë dhe parë punën e kompaninë si të tijën duke ndjerë përkrahjen dhe mbështjen e punëdhënësit duke kthyer me përkushtim e rezultate prapa këtë trajtim social e dinjitoz që ka marrë, e këtu kujdesi në seleksionim, rekrutim, matje performance dhe rezultate duhet të jetë rigoroz.Rritja e pagave duhet të ketë efekt krijimin dhe rritjen e përgjegjshmërisë të punonjësve dhe nëse kjo nuk ndodh duhet të rritet vigjilenca, monitorimi por dhe penaliteti nga ana e punëdhënësit kur konstatohet që vlerësimi cilësohet thjesht si detyrë duke u kthyer në qasje abuziviste përmes neglizhencës nga ana e punonjësit e jo si gjest i sinqertë ndjeshmërie ndaj tij.Si përfundim, rritja e pagave nuk duhet të ndalet por promovohet si element motivues dhe stimulues për punonjësit, të cilët si rrjedhojë e ndershmërisë, përkushtimit dhe kontributit të denjë, kanë një rol jo vetëm deçiziv në suksesin e çdo kompanie por edhe në menyrën sesi modeli i ndërtuar do të duhet të sfidojë mentalitetin e tregut, lidhur me meritokracinë e munguar përmes fuqizimit në çdo kohë të parimit të të kundërtës së duhur lidhur me të.