• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Search Results for: themistokli germenji

HISTORI- 97 VJETORI I MEMORANDUMIT TË BERATIT

April 23, 2016 by dgreca

Disa muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së Korfuzit, shpërtheu lufta botërore e viteve 1914-1918/

30 prill 1919 – 30 Prill 2016/

 Paria e Beratit kërkon: “Shqipëria të Qeveriset nën Mandatin Amerikan”/

– Presidentit amerikan Wilson lidhur me pretendimet greke mbi Shqipërinë, deklaron që “shqipëtarët janë të aftë për vetqeverisje”/

– Më 29 janar 1916, në Elbasan mbritën trupat bullgare dhe një forcë ushtarake e përbërë nga fuqitë e Ahmet Zogut/

– Krahasimi: Memorandumi i Aleksandrisë dhe Memorandumi i Beratit dhe qëndrimet e befasuese të fuqive të mëdha/

 Nga Harallamb Kota, studiues i historisë/

Xhonturqit  -Kundër Shqipërisë Sovrane/

Në kryeqytetin perandorak po frynin erërat e një politike të re, në favor të ruajtjes së teritoreve perandorake dhe në dëm të çështjes shqiptare. Më 3 shkurt 1913, xhonturqit ndryshuan politikat e tyre lidhur me aleancat ballkanike e europiane dhe si përgjigje, Sebia bashkë me  Malin e Zi e prishën armëpushimin. Menjëherë ushtria greke sulmoi në drejtim të Korçës dhe pas disa ditësh luftimi u fut në qytet. Prej këndej, iu drejtua përsë dyti Janinës. Qyteti mbrohej nga trupat ushtarake osmane, ku bënin pjesë edhe ushtarë të rekrutuar shqiptar. Më 12 prill 1913 Shkodra kështjella madhështore e Veriut, i dorëzohet ushtrisë malazeze. Garnizoni osman e braktisi mbrojtjen e qytetit, pasi mori urdhër nga “Shteti Turk” i qeverisur nga “Triumverati i Turqve të Rinj”. Fuqitë e Mëdha e kishin caktuar Shkodrën brenda kufijve të Shqipërisë. Esad Pash Toptani –gjeneral në ushtrinë  osmane, i caktuar me detyrën e zv/komandantit për mbrojtjen e qytetit, me tu larguar komanda turke, e dorëzoi qytetin në duart e malazezve dhe me ushtrinë e mbetur, për të shpëtuar kokën e tij, u vendos në Tiranë.

Pushtimi i Shqipërisë

Disa muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së Korfuzit, shpërtheu lufta botërore e viteve 1914-1918. Princ Vidi, i përballur me vështirësitë e brendshme, nuk ishte më zot i situatës dhe u largua. Largimi i sovranit në një moment kaq kritik e zhyti Shqipërinë në anarki. Qeveria greke përfitoi menjëherë nga kjo situatë. Ngaqë marrëveshja e Korfuzit nuk paraqiste më interes për të, ajo e hodhi poshtë. Venizellosi premtoi futjen e vendit të tij në luftë në krah të Antantës. Ushtritë greke depërtuan në Shqipëri dhe, në fund të vitit 1914, Korça dhe Gjirokastra ishin të pushtuara dhe u trajtuan përfundimisht të aneksuara, ndërsa administrata ushtarake u zëvendësua nga administrata civile. Pas pushtimit të Korçës dhe Gjirokastrës prej Greqisë, Italianët më 31 tetor pushtuan Shqipërinë dhe u vendosën në Ishullin e Sazanit përballë gjirit të Vlorës dhe më 26 dhjetor 1914, edhe brenda në Vlorë. Ky pushtim shkaktoi zhdukjen e asnjanësisë shqiptare, vendosur  nga gjashtë fuqitë e mëdha në Londër më 29 korrik 1913. Sipas Nuçi Kotës, Doktor i Shkencave Juridike, diplomuar në Universitetin e Sorbonës në Francë, më 22 Maj 1915, “Italia, duke prishur aleancën e saj me Gjermaninë dhe Austro-Hungarinë, u rreshtua në krah të Francës dhe të Anglisë.Ky ndryshim i qëndrimit italian solli si rrjedhojë një marrëveshje të fshehtë mes Qeverisë italiane dhe Qeverive franceze, angleze dhe ruse (paktin e fshehtë të Londrës), ku Italia zotohej: “Në rast se do të formohet në Shqipëri një “Shtet i Vogël Autonom dhe Neutral”, t’i ndajë krahinat veriore dhe jugore të Shqipërisë me Malin e Zi, Serbinë dhe Greqinë; pjesa e Shqipërisë së jugut, nga kufiri italian i Vlorës deri te Kepi i Stillos, do të jetë asnjanëse. Ky pakt i fshehtë, po të ishte zbatuar, do të kishte shënuar fundin e Shqipërisë, por nuk u zbatua. Presidenti Uillson, që nuk ishte në dijeni për këtë çështje, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës u futën në luftë, iu kundërvu me të gjithë fuqinë e bindjeve të tij dhe, të paktën në këtë pikë, doli fitimtar”.

 

Synimet serbo- malazeze mbi Shqipërinë

Me të hyrë në Shkodër, komanda ushtarake malazeze u vu në kërkim të Çerçiz Topullit. Në mesditën e datës 14 korrik 1915, malazezët e kapën në pabesi Çerçizin, sëbashku me shokun e tij Muço Qulli. Kapedanët u arestuan si austrofil dhe u mbyllën në një gazermë. Disa orë më pas u arestua edhe Sejfi Vllamasi bashkë me Koço Kotën, të cilët u mbajtën të izoluar në kazermat e ushtrisë. Natën e 14 korrikut 1915, duke u gdhirë dita e 15 korrikut 1915, patrioti dhe trimi legjendar, heroi i Mashkullorës Çerçiz Topulli, me shokun e tij Muço Qulli, u nxorën nga qelia dhe u dërguan në fushë të Shtoit, afër katundit Golem për tu pushkatuar. Vrasja e kapedan Çerçizit tronditi anembanë patriotizmën shqiptare. Komanda malazeze, u informua dhe mori masat e menjëhershme për asgjësimin e organizatës Krahu Kombëtar dhe të Komitetit për Shpëtimin e Kosovës. Njësitet operacionale ushtarake malazeze ndiqnin maleve Isa Boletinin dhe  Ded Gjo Lulin, ndërsa në qytet filluan arestimet masive të figurave patriotike shqiptare. Po atë ditë që u vra Çerçizi, u arrestuan edhe shumë figura të tjera të patriotizmës shqiptare, Preng Pasha, Aqif pashë Elbasani, Sotir Peci, Luigj Gurakuqi, Fejzi Alizoti, Eshref Frashëri, Kristo Floqi, e tjerë. Mbajtja e tyre në qeli dhe në kazerma, po sillte frikë dhe panik në komandën malazeze. Si pasojë u vendos internimi i tyre në Mal të Zi, në Cetinjë. Duke qenë nën presionin e fuqive ushtarake austrohungareze, komanda ushtarake malazeze nuk mundi të marë masa ndëshkuese karshi patriotëve shqiptarë, por u detyrua t’i nxjerë nga burgjet në liri. Më 15 shtator 1915, ushtria austrohungareze shpartalloi trupat ushtarake serbo- malazeze.  Për patriotët shqiptar, të cilët kishin qëndruar në Cetinjë në pritje për tu rikthyer në Shkodër, kishte ardhë ora e lirisë. Pas disa bisedimeve të bëra me komandën austrohungareze në Cetinjë, ata u kthyen në Shkodër. Më 24 shtator 1915, forcat serbo-malazeze, me ndihmën e bashkëpunëtorëve esadist, shtinë në dorë Ded Gjon Lulin dhe e vranë në Sheshëz afër Oroshit të Mirditës. Ushtria autro-hungareze më 17 janar 1916 hyri në Shkodër. Megjithatë, fuqi të armatosura malazeze që mbanin nën terror shqiptarët dhe kryenin masakra ndaj tyre, ndiqnin nga pas Isa Boletin me trimat e tij që vepronin në mbrojtje të bashkatdhetarëve të tyre. Pas luftimeve të përgjakshme më 23 janar 1916, Isa Boletini u vra në Podgoricë nga ushtritë serbo – malazeze. Para se të mbyllte sytë, ka dhënë këtë porosi: “Mos më leni në duar të shkaut. Më hidhni në hon, se atje dëshiroj me u preh”.

Ardhja e ushtrive austro –hungareze në Shqipëri.

Qendra e Korps Komandës austro-hungareze dhe e administratës qendrore shqiptare u bë Shkodra. Ushtria austro-hungareze mori në dorë administratën e mobilizoi disa batalione me ushtarë. Prefektura drejtohej nga një gjeneral me autoritet civil dhe ushtarak. U mbyll zyra e post-telegrafës, u suprimua gjykata penale dhe mbetën vetëm gjyqtarët civilë. Më 29 janar 1916, në Elbasan mbritën trupat bullgare dhe një forcë ushtarake e përbërë nga fuqitë e Ahmet Zogut. Ushtria austro-hungareze marshoi nga Shkodra dhe u vendos në teritorin e kufizuar deri me lumin Shkumbin. Matanë Vjosës, në krahinën e Vlorës ishin vendosur ushtritë italiane, ndërsa në krahinën e Korçës hynë forcat Franceze. Ushtria serbe, e përqëndruar në Durrës zbarkoi në Korfuz. Në kushtet e reja të pushtimit, qeveria e Durrësit humbi teritoret administrative dhe pushtetin mbi ato teritore. Si pasojë Qeveria e Esad Toptanit, quhej e rëzuar dhe Pashai u largua nga Shqipëria. Me të mbëritur ushtria austriake, disa krerë shqiptar më  3 mars 1916, morrën inisiativën për organizimin e një kongresi kombëtar në Elbasan, për krijimin e një qeverie provizore në emër të Ëidit, me kryeministër Aqif pashë Elbasanin. Mbajtja e kongresit nuk u pranuar nga komanda  ushtarake austro-hungareze, me justifikimin që veprime të tilla nuk lejohen në kohë lufte. Në të vërtetë, Vjena kishte planet e veta dhe i kushtoi një rëndësi të posaçme administrimit të Shqipërisë në kohën kur mungonte qeveria e vëndit. Ushtria austro-hungareze që zotëronte teritorin shqiptar nga Shkodra deri në vijën e Shkumbinit, avancoi me shpejtësi në drejtim të Vjosës dhe maleve të Korçës. Disa reparte ushtarake austrohungareze të mbështetura nga vullnetarë matjan, lushnjarë e myzeqar, nën komandën e Zogut, zunë Vjosën,   ndërsa pjesa tjetër e ushtrisë e ndihmuar nga vullnetarë shqiptar nën komandën e Sali Butkës iu drejtuan Korçës. Organizimi austrohungarez i qeverisjes lokale, funksionoi shumë mirë edhe në prefekturën e Beratit. Më pas, me ndërhyrjen e Aqif pashë Elbasanit dhe me mbështetjen e ministrit të Punëve të jashtme të Austro-Hungarisë në Shkodër, komanda ushtarake bëri emërimet e prefektëve në Berat, Durrës, Elbasan, të nënprefektëve në Fier, Lushnjë, Mallakastër, Skrapar, Peqin, Gramsh dhe disa kryetar komunash, duke formuar një administratë legale shqiptare në vend të asaj të Esad Pash Toptanit. Krahas administratës civile, u krijuan dhe njësi vullnetarësh shqiptarë, për të siguruar rendin, qetësinë dhe për të marrë pjesë në operacionet ushtarake. Vullnetarët shqiptarë edhe pse nën komandën austro-hungareze, ruajtën ndjenjën kombëtare dhe interesin publik kombëtar.

Ardhja e ushtrive Franceze në Shqipëri

Në teritorin juglindor të Shqipërisë, që sundohej nga ushtria greke, papritur situata pësoi një ndryshim të madh. Në tetor 1916, një ditë në befasi të plotë, zbret nga gryka e Mborjes një fuqi ushtarake franceze prej 400 kalorësish, të cilët hynë në Korçë si pa gjë të keq dhe menjëherë u dhanë ultimatum autoriteteve greke që të largoheshin nga Korça e të tërhiqeshin në Janinë. Në Selanik ishte instaluar Esat pash Toptani me një fuqi të vogël milicësh, që përfaqësonte sipas tij, “Qeverinë Shqiptare” të emigruar. Në Selanik ishte instaluar edhe Venizelua me një fuqi ushtarake të përbëra nga civilë anadollak dhe ushtarë me veshje të regullta, që kishte krijuar sipas tij një “Qeveri Vorioepirote”, aleate me anglo-francezët. Në këtë kohë çetat shqiptare të organizuara nga austriakët dhe që komandoheshin nga Salih Butka e Themistokli Gërmenji, në marëveshje edhe me Francezët thurnin plane për ta çliruar Korçën të okupuar nga grekët. Më 8 dhjetor 1916, Themistokliu me shokë, me një fuqi të armatosur prej 3000 veta hyri natën në Korçë. Më 10 dhjetor 1916 u shpall “Republika Shqiptare e Korçës”.

Çështja Shqiptare pas përfundimit të “Luftës Parë Botërore”

Më 30 tetor 1918, përfundoi Lufta I Botërore. Koalicioni i Boshtit, ku reshtoheshin: Turqia e xhonturqve, Autro-Hungaria, Bullgaria dhe Gjermania u mund. Ç’do të ndodhte me Shqipërinë?.  Lufta I  Botërore,  e varfëroi së tepërmi ekonominë shqiptare, vëndi u fut në kaos, ndërsa populli u zhyt në mjerim të thellë. Mijëra vetë vdiqën nga zija e bukës dhe epidemitë. Mjaft dyqane dhe ndërtesa u shkatëruan. Berati duke qenë qendër komande për ushtrinë austrohungareze, ishte bërë fushë luftimesh ndërmjet Italisë dhe Austrisë, me pasoja për ekonominë e prefekturës. Në krahinën e Korçës, kontrolli i grekomanëve dhe francezëve ishte tepër i lartë. Koço Kota i kthyer në Korçë në pragun e largimit të ushtrive austro-hungareze nga Shkodra, filloi organizimin dhe grumbullimin e korçarëve rreth vetes dhe shumë prej tyre i anëtarësoi apo i bëri simpatizant të organizatës patriotike “Krahu Kombëtar”. Edhe situata në Dibër paraqitej e tensionuar. Një ushtri franceze ardhur nga Manastiri pushtoi Dibrën. Sipas marëveshjes së lidhur me qeverinë jugosllave, francezët me tu larguar nga Dibra, do ja dorëzonin qytetin Jugosllavisë. Për të mbrojtur krahinën e Dibrës, u mblodhën fuqi shqiptare të komanduara nga Isuf Elezi. Ndërkohë, një ushtri serbe vrapoi të hyjë në Shkodër dhe pas disa luftimeve me austriakët hyri në qytet, ku ngriti flamurin e saj. Italianët kishin mbritur edhe ata në dyert e Shkodrës. Konflikti i mundshëm midis italianëve dhe serbëve për të sunduar Shkodrën u zgjidh nga Komanda Aleate dhe qyteti ju dorëzua ushtrisë franceze, e cila erdhi duke marshuar nëpërmjet vijës Gjakovë-Malësi dhe Kosovë-Shalë-Shkodër. Me largimin e austrohungarezëve dhe ardhjen e francezëve, situata qeverisëse në Shkodër ndryshoi. Në kushtet e reja, organizata “Krahu Kombëtar” u shfaq me emërin “Komiteti Kosovës” dhe kryesohej nga Hoxha Kadri Prishtina. Krahu Kombëtar i kërkoi komandës franceze, organizimin e një Kuvendi  për zgjidhjen e çështjes shqiptare, por sipas Sejfi Vllamasit,  koloneli francez Sardi de Fourtou nuk lejoi mbledhjen e një kongresi në Shkodër. Pas refuzimit francez, Fejzi Alizoti, Luigj Gurakuqi, Avni Dabulla e Preng Pasha, u nisën për në Lesh, e cila ishte zonë e okupuar nga ushtritë italiane, për të realizuar mbledhjen e kongresit në qytetin e Leshës. Por edhe italianët e refuzuan kërkesën e tyre.

Qeverisja e Shqipërisë nga “Komanda Ushtarake Italiane”.

Pas largimit të Austro-Hungarisë, vëndi qe i pushtuar nga italianët, me përjashtim të Korçës dhe Shkodrës, që kontrolloheshin nga francezët. Ndërkohë u hapën zëra për shpërbërjen e Shqipërisë në favor të Greqisë dhe Jugosllavisë. Për normalizimin e kësaj situate, në 1 nëntor 1918, Myfit Libohova i kërkoi komandës italiane në Shqipëri, të lejonte ngritjen e një qeverie shqiptare nën përkrahjen e Italisë. Ministri i jashtëm i Italisë, Sonino, kërkoi të thireshin në Romë Turhan Pasha, Myfit Libohova dhe Mihal Turtulli për të biseduar për krijimin e një qeverie të re shqiptare nën ndikimin e tyre. Mehmet Konica dhe Myfit Libohova, pas kthimit në Shqipëri nga takimi në Romë me qeverinë italiane, e thirrën Kongresin në Durrës që ishte ende kryeqytet i Shqipërisë. Më 25 dhjetor 1918 u krijua qeveria shqiptare e kryesuar nga Turhan Pasha.

Konferenca e Paqes dhe fati i Shqipërisë

Pak ditë pas formimit të qeverisë së re shqiptare, në fillim të janarit 1919, mori rrugën për në Romë ish-kryeministri shqiptar Ismail Qemali, i cilësuar për politikën italiane si anti-italian. Sapo hyri në tokën italiane, Profeti i shqiptarëve, u prek nga një sëmundje e rëndë dhe nuk mundi të mbërijë në Romë. Vdekja e tij e papritur, e ardhur pas kongresit të zhvilluar në Durrës, përhapi dyshime se mund të ishte helmuar. Mosmarëveshjet politike të patriotëve shqiptar dhe qëndrimet armiqësore midis tyre në përzgjedhjen e aleatëve, kishin krijuar terenin e përshtatshëm për fqinjin tonë jugor lidhur me pretendimet e tij ndaj teritoreve të cunguara shqiptare në vitin 1913.  Si pasojë, në “Konferencën e Paqes” që po zhvillohej në Paris, qysh nga 12 shkurti 1919, ishte diskutuar problemi grek, që kishte të bënte me synimet e hershme të tyre mbi Shqipërinë Jugore. Një komision i posaçëm nisi të shqyrtonte kërkesat greke.

Komiteti i Shpëtimit Kombëtar

Rreziku që vinte nga fqinji jugor, diktoi nevojën e organizimit të popullit për mbrojtjen e kufijve të cunguar etnik dhe historik nga sulmet pushtuese të forcave ushtarake greke. Në shkurt të vitit 1919, u formuan në Berat dhe në disa qytete të tjera të kësaj prefekture “Komitete të Shpëtimit Kombëtar”. Koço Kota bënte pjesë në radhët e intelektualëve beratas dhe ishte një nga inisiatorët e krijimit të tyre. Komitetet e Shpëtimit Kombëtar, morrën përsipër misionin e organizimit të forcave vullnetare popullore brenda Shqipërisë dhe bashkëveprimin e veprimeve të tyre, me inisiativat politike të patriotëve shqiptar, që vepronin pranë kryeqyteteve të Fuqive të Mëdha dhe në sallonet diplomatike në Konferencën e Paqes që po zhvillohej në Paris. Komitetet e Shpëtimit Kombëtar, krijuan lidhje me Shoqëritë Atdhetare në Korçë, Bukuresht, Sofje, Aleksandri, Amerikë dhe kudo ku kishte shqiptar, për të ngritur dhe bashkuar zërin në mbrojtje të kufijve të cunguar etnik të Shqipërisë. Për realizimin e këtij qëllimi, dr.Koço Kotta në fillim të shkurtit 1919 shkoi në Korçë për të krijuar lidhjet e Komitetit të Shpëtimit Kombëtar të Beratit me Shoqëritë Atdhetare të Korçës drejtuar nga Sotir Kotta dhe të Aleksandrisë në Egjipt drejtuar nga Llambi N.Kotta.

Amerikanët: Shqipëria e aftë për vetqeverisje

Për të qartësuar situatën lidhur me pretendimet greke mbi Shqipërinë, Presidenti amerikan Ëilson emëron konsullin e SHBA në Torino, Josef Haven, si delegat për të bërë hetimet e nevojshme në Shqipëri. Qeveria e Turhan Pashës dhe Komanda ushtarake italiane e mirëpritën ardhjen e tij dhe i vunë në dispozicion gjithçka mundën për mbarëvajtjen e misionit që konsulli kishte marë përsipër. Konsulli qëndroi disa ditë në Vlorë. Në shtëpi të Ali Asllanit, ai bisedoi me Qazim Kokoshin. Në takim morrën pjesë edhe gratë vlonjate. Konsulli Haven konstatoi i kënaqur që jo vetëm burrat por edhe gratë që mbanin kostume popullore shqiptare, u fjalosën me të, në gjuhën shqipe. Qazim Kokoshi i parashtroi konsullit amerikan, se shqiptarët dhe vlonjatët nuk pranojnë asnjë dominim Italian.   Pas Vlorës, në të gjitha krahinat e Jugut të Shqipërisë, ku konsulli udhëtoi dhe i shkeli fshat më fshat, konstatoi se popullsia autoktone ishte shqiptare dhe fliste vetëm në gjuhën shqipe. Në Tepelenë, n/prefekti Qazim Koculi, kishte mbledhur të gjithë fshatarët me kostume popullore shqiptare, të cilët demostruan për çështjen shqipatre dhe shprehën simpatinë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Gjirokastër komisioni i drejtuar nga Thoma Papapano dhe Jorgji Meksi, kishin organizuar një pritje të nxehtë. Populli i veshur me kostume popullore shqiptare, i lutej konsullit ti transmetonte presidentit amerikan Ëillson, se dëshira e shqiptarëve është që të jetojnë më vehte si kombet e tjerë.  Në Përmet pritja e organizuar nga patriotët Dhimitër Kacimbro dhe Koço Tasi, u bë më madhështore dhe populli i kërkoi konsullit që ti jepej Shqipërisë vetqeverim i plotë. Pritje madhështore u organizuan edhe nga populli shqiptar në Leskovik e Kolonjë. Pas këtij udhëtimi, konsulli amerikan Josef Haven i tha Mborjes: “Pretendimet greke janë krejt të kota”. Në zonën franceze të pushtimit, konsulli Josef Haven e filloi inspektimin nga Korça, ku qëndroi tre ditë. Autoritetet franceze të pushtimit, kishin ndaluar çdo manifestim popullor në favor të çështjes shqiptare. Korçarët, midis të cilëve kishte edhe nga ata që kishin qenë në amerikë dhe e flisnin mirë gjuhën amerikane, u paraqitën me shumë përfaqësi dhe kërkuan pavarësinë e Shqipërisë me të gjitha kufitë e saj, duke shfaqur edhe simpatinë e tyre të veçantë për Amerikën. Në vijim të misionit të tij, konsulli amerikan shkoi në Pogradec, ku nga takimi me major Mortier, u entuziazmua nga vlerësimi që ai kishte për shqiptarët. Mortier u shpreh kundra grekëve, serbëve dhe italianëve dhe kundra politikës franceze që i përkrahte ata. Pas Pogradecit, Konsulli amerikan Josef Haven shkoi në Delvinë, ku u prit nga n/prefekti Leonidha Frashëri, një nga patriotët më të dalluar shqiptar. Edhe këtu kërkesat e popullit ishin për pavarësinë e Shqipërisë. Në fshatin Himarë, u shfaqën disa persona për protektoratin Italian, ndërsa në Vuno populli i kryesuar nga vëllai i Spiro Kolekës, kërkoi me këmbëngulje vetqeverimin e plotë të Shqipërisë. Mbas disa ditësh konsulli amerikan Josef Haven, i shoqërua nga Tefik Mborja, inspekton Durrësin, Tiranën, Shkodrën dhe Krujën. Nga Kruja konsulli amerikan Erikson u kthye në Vlorë. Misioni i tij kishte përfunduar. Në raportin që përpiloi dhe ja dërgoi presidentit Ëillson, konsulli Josef Haven çfaqi mendimin që: “Shqipëria është një vend që qeveriset vetë, sepse i ka të gjitha elementet e duhura që i nevojitet për vetqeverim”.

 Memorandumi i Aleksandrisë dhe Memorandumi i Beratit

Qëndrimi i Presidentit amerikan Ëilson lidhur me pretendimet greke mbi Shqipërinë, dhe deklarimi i tij që “shqipëtarë janë të aftë për vetqeverisje”, nxitën besimin e popullit shqiptar tek politika proshqiptare Amerikane. Patriotët shqiptar në pragun e mbajtjes së Konferencës së Paqes në Paris, hartuan dhe paraqitën para Fuqive të Mëdha dy dokumenta historike të asaj periudhe: Memorandumi i Aleksandrisë dhe Memorandumi i Korçës.  Nisur nga rëndësia historike dhe përmbajtja atdhetare e dy Memorandumeve, dokumentat po i citojmë të plotë.

MEMORANDUMI  ALEKSANDRISË

Shqipëria Natyrale

Adresuar: Konferencës Paqes në Paris !

Konferenca e Paqes, nuk i përfilli kërkesat e drejta të delegacionit shqiptar, për të ruajtur pavarësinë dhe tërësinë tokësore të shtetit shqiptar dhe për të rishikuar kufijtë në favor të tij, duke përfshirë brenda tyre ato territore shqiptare që ishin shkëputur më 1878 e 1913.

Memorandumi i Aleksandrisë u pregatit në Kajro nga N.Kasneci e A.Zako Çajupi. Më 8 dhjetor 1918, Komisioni i zgjedhur nga Mbledhja P.Shoqërive Shqiptare të Egjiptit,  anëtar i të cilit ishte edhe Llambi N.Kotta, i mbledhur në shtëpinë e Filip Shirokës, e miratoi tekstin dhe e firmosi memorandumin. Memorandumi, i hartuar në favor dhe interes të mbrojtjes së të drejtave të shtetit shqiptar të pavarur dhe Sovran, nga ambiciet dhe synimet antishqiptare që shtetet shoviniste fqinje i kishin paraqitur Konferencës së Paqes, iu dërgua ambasadorëve të Shteteve Aleate, Anglisë, Francës, Italisë dhe SHBA me seli në Kajro, me lutjen që  ta dërgojë secili në Ministritë e Punëve të Jashtme të shteteve që përfaqësojnë dhe kësisoj të arijë në duart e delegatëve të tyre në Konferencën e Paqes. Krahas Memorandumit, Komisioni hartoi edhe telegrame, që ju dërguan: Presidentit të SHBA z. U. Uillson;  Ministrave të Punëve të Jashtme të Francës, Anglisë, Italisë e SHBA;  Shoqërisë “Vatra” në Amerikë, Shoqërisë “Bashkimi” në Shkodër;  z.Mehmet bej Konitza në Londër, Pandeli Cale në Lozanë, Pandeli Evangjeli në Bukuresht, Kol Rodhe dhe Tefik Mborja në Romë, Kristo Luarasi në Sofje, Sotir Kotta në Korçë; filo-shqiptarëve Herbet në Londër, Miss Durham në Boston dhe Nerve në Paris. Dy anëtar të komisionit, Llambi N.Kotta e Leonidha Naçi shkuan në Skënderie për tu marrë vesh me vëllezërit shqiptar të atjeshëm.

 

MEMORANDUMI  BERATIT

Shqipëria nën Mandatin Amerikan

Adresuar: Shkëlqesisë së tyre Komandos Franceze në Shkodër !

Mbas punëvet të Gjirokastrës, të cilat u pregatitën e u bënë vetëm prej Mufid beut, jashtë dëshirës e mendimit të popullit, duke u bashkuar me vendimin e fundit të Guvernës Provizore në Durrës, e cila kundërshtoi rreptësisht protektionin Italian në Shqipërinë e lirë, e shohim të arësyshme edhe ne populli i Beratit të çfaqim pranë Shkelqesisë s’Uaj ndjenjat atdhetare, duke Ju lutur të kini mirësinë e të ia paraqitni Qeverisë Madhështore e Mirdashëse, kërkesat e popullit të qarkut të këtushëm. Me këtë rast shpresoim se do të pranoni nderimet e të përzemërta e të qiruara:

I-Populli shqiptar duke u mbështetur në parimet kombëtare qi u vunë në veprim, dëshiroi t’i njihen të drejtat e tij qi ka, për të rojtur në sinisië Ballkane i lirë e indepandant, pranoi nji qeveri provizore e dërgoi delegate të posaçëm në Konferencë të Paqes, vetëm për të mprojtur indepadancën e plotë e tërsiën toksore të Shqiprisë me kufit e sajë etnografike e kombëtare.

II-Delegatët shqiptarë qi u dërguen në Konferencë të Paqes, kanë në dorën e tyre nji program të nënshkruar e të pëlqyer prej të gjith antarëve të qeveris së Durrësit, qi ky program tregonë kompetencën e tyre dhe e përfytëron idealain e kombit shqiptar, qi ka për independencën të papërkufizuar për vendin e tië.

III- Në kioftë se shtetet e mëdhenj qi po mëshirokan për liriën e popujve të vegjël, e sidomos për ne shqiptarët qi jemi populli ma i vjetër e ma i famshëm dhe mjerisht më i piklluar e më i përgjunjëzuar i Europës; nuk mundet ti pushojnë intrigat e Ballkanit dhe në e shohin të domosdoshme qi shteti shqiptar të mbetet nën mandate të nji Guvernes së madhe, atëherë nadëshirojëm mandatin amerikan, qi kështu të mundim të sigurojëm e t’i apim nji frymë kombëtare zhvillimit e lulëzimit të vendit tonë. Shtojëm se ket deshirë e vërtetojën edhe dokumentat qi janë dhanë konsulit amerikan qi shetiti Shqipërinë.

 Nenshkruesit e Memorandumit

Paria e Prefekturës Berat

Nëshkrue:

1-Hekur be Vrioni:             Kryepari i Katundariës

2-Zarif Aga Haznatari:       Kryetar i klubit “ B A S H K I M ”

3-Fevzi Ruli:                      Advokat

4-Themistokli Kassapi:      Notablë i krishter

5-Kostaq (Koço) Kota:       Inspektori i Arrësimit

6-Salih Gjuka:                     Direktori Arsimit

7-Adem  Shehu:                  Sekretari i Arësimit

8-Islam be Vrioni:               Notabël muhamedan

9-Melek be Frashëri:           Kapitanë,

10-Xhevdet Mehqemea:      Advokat

11-Zejnel be Prodani:          Notabël

12-Teki be Selenica:            Notabël

13-Zoj  Tonçi:                     Tregtar

14-Todi  Naska:                   Nëpunës  drejtësie

15-Bektash H.Berberi:        Zanatli

16-Gaqe papa Zaharia:        Direktori i Kancelarisë së Prefekturës

17-Emrullah Psarizi:           Sekretari i Perlimentares

18-Hajredin Kuçi:               Notabël

19-Andon Capo:                 Tregtar

20-Hysni aga Kafasi:          Këshilltari i Perlimtares

21-Nuri Osman Smundja:   Sekretari i Drejtësisë.

Nji kopje për Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës.

 

Nënshkrue Fevzi Ruli  d.v.

Berat 30.04.1919

Filed Under: Histori Tagged With: 97 VJETORI, Hrallamb Kota, I MEMORANDUMIT TË BERATIT

SHUHET KORÇARJA QË E DESHTE AQ SHUMË DARDHËN

April 11, 2016 by dgreca

-Homazh për Margarita Panin/

Shkruan: Fuat Memelli/Boston/
Rrallë ndodh që një vajzë e lindur dhe rritur në qytet, të ketë një dashuri aq të madhe për fshatin e burrit, sa Margarita Pani ( Papaagjiri). Dashuria e bashkoi me dardharin, Sotir Pani dhe ajo u lidh pazgjidhshmërisht me fshatin e tij, gjatë jetës 58 vjeçare që kaluan së bashku. Si në fillim kur jetonin në Korçë e më pas në Tiranë, dëshira e saj për të kaluar pushimet, ishte Dardha. Ky fshat me bukuritë e tij, me klimën e pastër dhe ujin e ftohtë, me pyjet dhe lulet, me njerzit e saj të dashur, u bë vendlindja e dytë e Margaritës. Kur shkonte në Dardhë, si një fshatare e vjetër, përvishte krahët dhe bënte gjithë punët e fshatit. I gatuante edhe lakrorët, si gjithë dardharet. Një lakror me saç, i gatoi edhe ish ambasadorit amerikan, Rajerson, kur ai shkoi në Dardhë në vitin 1993 dhe fjeti në shtëpinë e tyre. Për thjeshtësinë dhe fjalën e ëmbël që kishte, dardharët e deshin si vajzën e tyre. Tok me të shoqin, ajo punoi për ngritjen e muzeut familjar në shtëpinë e tyre, kushtuar dy patriotëve të shquar, Josif e Vasil Pani, përkatësisht gyshi dhe babai i Sotirit.( Vasili ka qënë 15 vjet kryetar i Vatrës.)

Por, cila ishte Margarita ose Ritka, siç e thërrisnin shkurt? Kishte lindur në Korçë, në vitin 1935. Ishte vajza e Kristaq Papaargjirit, mjeshtër i gdhendjes së gurit, i shpalluar “Artist i Popullit” dhe “Qytetar Nderi i Korçës”. Një rrugë në këtë qytet, mban emrin e tij. Shumë punime guri në këtë qytet si te parku i Rinisë, te lulishtja ku është monumenti i Themistokli Gërmenjit, te busti i Mihal Gramenos, te lëndina e Lotëve, shumë shtylla guri të gdhendura , etj, mbajnë autorësinë e tij. Margarita kishte mbaruar shollën e Mesme Pedagogjike në Korçë dhe Institutin Pedagogjik në Shkodër. Kishte punuar mësuese në shkollën e Progrit në Devoll e më pas kur u transferua në Tiranë, në shkollën “29 Nëntori”. Për punën e saj , ishte vlerësuar me medaljen “ Naim Frashëri”.

Në vitin 1996, Margarita bashkë me Sotirin , ardhën në Boston, ku më parë kishin mbritur edhe dy djemtë e tyre, Andrea e Vaska. Për 20 vjet, ajo jetoi në Boston por me mëndje dhe zemër, ishte në atdhe. Sa herë shkonte në Shqipëri, krahas të afërmve, takonte edhe shoqet e saj mësuese si dhe ish nxënësit, të cilët i deshte aq shumë. Herën e fundit, ishte para dy vjetësh. Nuk qëndroi  shumë, pasi pati një krizë zemre, nga e cila vunte prej vitesh. Kish dëshirë të shkojë përsëri në Tiranë e në Dardhë, por nuk mundi. Zemra e ndërpreu jetën e saj më 29 mars të këtij viti. 150 shqiptarë që jetojnë në Boston dhe qytete të tjerë të Amerikës, e përcollën Ritkën në banesën e fundit. Midis shumë buqetave me lule, njëra ishte prej shoqeve të saj mësuese nga Tirana. Ceremonia mortore, u krye nga Hirësia e tij, Peshkop Ilia Ketri, me origjinë nga Sinica. Shiu nuk rreshti atë ditë. Dukej sikur edhe qielli, derdhte lotë për Margarita Panin….

***

PS: Federata VATRA dhe Gazeta “Dielli” i percjellin ngushellimet me te thella Sotir Panit dhe te gjithe familjes Pani. Shpirti ne Paqe Margarites!

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Fuat Memelli, homazh, për Margarita Panin

GENC XHEVAT KORTCHA, SHQIPTARI I MADH I MICHIGAN-it

March 4, 2016 by dgreca

“Shpirt i njeriut sa i ngjan ujit ! Fat i njeriut sa i ngjan erës”/

Johann Wolgang Goethe/

Shkruan: Eugjen MERLIKA/Itali/

Ka vetëm pak ditë që u nda nga familja, rrethi shoqëror e miqësor, por edhe nga bota shqiptare, Genc Xhevat Kortsha (Korça). Keqardhja është e madhe tek familjarët e tek miqtë e shumtë, të shpërndarë në të gjithë globin, të një jete, lavdi Zotit, të gjatë e në lëvizje. Por keqardhja dhe dhimbja janë të përmbajtura, sepse respektojnë një rend gjërash që është thelbi i filozofisë  së të qënit tonë në këtë botë, atë të ardhjes dhe ikjes prej saj pa vullnetin tonë. Genci, mbas furtunave të kaluara në Vendin e lindjes, prej të cilit u largua pa mbushur tridhjetë vitet, e në të cilin la prindërit dhe vëllanë më të vogël, gjeti në “tokën e premtuar”, në SHBA-s sendërtimin e personalitetit të tij profesional e njerëzor në të gjithë përbërësit e tij. Ai mori me vete qetësinë dhe prehjen shpirtërore që burojnë nga ndërgjegja pa hije në gjykimin e fundit dhe besimi se shkon në amëshim, në një tjetër botë ku rrezaton ngado drita e Krijuesit, një bindje që mbeti e palëkundur në gjithë rrjedhën e jetës së Tij.

Duke hedhur e zezë mbi të bardhë  këto pak fjalë të thjeshta, kam para meje një tufë letrash që, fatmirësisht, kam shkëmbyer me Të në këta vite të një jete të zakonshme, por pa prangat e padukëshme që ndrydhën mendimin dhe qënien tonë për gati gjysëm shekulli…. “Ky letërkëmbimi ynë është si biseda midis dy brezavet me përvojë të ndryshme, un pjesë e brezit që u formua para dhe gjatë luftës së dytë botërore, ti brez i pasluftës. Të përbashkët kemi përvojën komuniste, tëndja shumë më e thellë se e imja, e pastaj kemi të përbashkët përvojën dhe vitet në mërgim. Kemi mjaft për t’i thënë njëri tjetrit dhe letrat e tua i pres dhe i lexoj me gëzim…” Kështu më shkruante miku i familjes më 28 tetor 2001.

Në vitet e fundit nuk shkruanim më letra të gjata, por mbaheshim gjithmonë në kontakt telefonik, apo nëpërmjet njoftimesh të shkurtëra elektronike. Sot që dij se nuk do t’a dëgjoj më zërin e Tij, ndjej një zbrazësirë të madhe në zemër e në mëndje. Do të më mungojë një njeri i dashur me të cilin ndaja dertet, jo vetëm familjare. Ai ishte bërë një bashkudhëtar i shqetësimeve të mij, një bashkëbisedues i urtë për Vendin tonë, problemet e tij, rrugën e tij, të shkuarën ku përfshiheshin edhe fatet e veprat e të parëvet tonë, për të cilët ndjenim dhimbjen e thellë por edhe krenarinë e ligjëshme. Do të më mungojnë komentet e Tij mbi shkrimet e mij, gjykimi i thellë dhe analiza e hollë lidhur me çdo temë të bisedës, inkurajimi atëror, fjala e Tij e ngrohtë si një fllad përkëdhelës….

Sikur t’ishte vetëm për t’afërmit e familjes apo për miq si un e të tjerë zbrazësira që la i ndjeri, nuk do t’i shkruaja këta rreshta. Genc Kortsha ishte një pasuri shqiptare, jo në mall e gjë, por në mëndje, atdhedashuri e karakter. Ishte një nga ata, për  të cilët kombi ynë mund të krenohet me aftësitë dhe sukseset në rrugën e tij.

I ardhur në SHBA-s kur i kishte kaluar tridhjetë vitet, si shumë bashkatdhetarë të Tij, i u vu punës me ngulm e zell për të vazhduar studimet e ndërprera më se dhjetë vite të shkuara. Studjoi duke punuar. Nuk vazhdoi mjekësinë, që ishte pasioni i Tij i rinisë, mbasi afatet e diplomimit ishin të gjata, por zgjodhi Kiminë industriale, që do t’i hapte rrugën e karjerës administrative në Vendin në të cilin askush nuk ndihet i huaj e, në të cilin, aftësitë të bashkuara me fuqinë e karakterit, gjejnë shpejt a vonë fushë veprimi e rrugë të hapura. Kështu edhe Genc Kortsha, në sajë të studimeve serioze të kryera në Wayne State University, u diplomua me përfundime maksimale, aq sa të meritonte “Çelësin e Artë”, një vlerësim epror ndërmjet 10.000 të diplomuarve amerikanë t’atij viti. Në sajë të punës së Tij cilësore e të ndershme mundi të përparojë në karjerë, deri sa të zerë vëndin e njërit nga Drejtorët ekzekutivë, atë të të Higjenës Industriale në General Motors, një gjigand botëror i industrisë së automobilëve dhe segmentëve të tjerë si mbrojtja ushtarake, telekomunikacionet, satelitët ekonomikë etj. Për 13 vjet mbajti këtë funksion e roli i Tij spikati edhe përtej Shteteve të Bashkuara, mbasi ndihma e Tij qe shumë e rëndësishme në funksionimin e institucioneve të tilla simotra në Vende si Britania e Madhe, Italia etj. Madje në këtë ndihmesë zyrtare që Ai i dha Italisë, lindi edhe miqësia vetiake me Vittorio Prodin, Drejtorin e Higjenës Industriale për Vendin e tij, e cila u ruajt përgjatë gjithë kohës.

Me vullnetin, përkushtimin e fuqinë e mëndjes arriti të jetë titullar i një istitucioni të rëndësishëm të Vendit me ekonominë më të përparuar të planetit, President i Akademisë së SH.B.A-s të Higjenës Industriale. Pak shqiptarë, ndoshta asnjëri, kanë arritur në lartësi të tilla në jetën e tyre profesionale. Por jeta e Tij intelektuale është e pasuruar me librin autobiografik “Shtegëtimet e një njeriu drejtë LIRISË”, me studimin e thellë historik “Histori apo ideologji”, me shkrime e artikuj të ndryshëm, kryesisht të profilit historik.

Duke folur për shkollimin e sukseset në punë e karjerë të Genc Kortshës, më kujtohet një fragment i një letre të Tij të qershorit 2001 : “…. Më pat thirrur Tonin Jakova, kur ishte sekretar i parë i partisë në Shkodër, për të më përgëzuar se munda të zhduknja tifon e morrit brënda tre muajvet. Kur i thanë që të më jepte bursë për të shkuar në universitet, të kryeja mjekësinë, u zgërdhí (si thotë Shkodra) dhe tha se mua do të më vinte rradha të shkonja për mjekësi kur të ndërtohej universiteti në Trush!” Zoti desh që ndihmës mjeku i talentuar të mos priste “universitetin e Trushit”, por të diplomohej në një universitet amerikan, duke i lënë sekretarit të parë dhe kastës së kuqe të kolegëve të tij në Shqipërinë komuniste turpin e një epoke të qelbur, e cila flijoi në altarin e marrëzisë ideologjike, që njihej me dyfjalëshin “luftë e klasës”, mijëra talente shqiptare në gjysëm shekullin e saj të kataklizmës njerëzore.

Do të ndalem në pak çaste të jetës së Tij, të rrëfyera nëpërmjet letrave vetiake që janë, për mendimin tim, matësi më i saktë i vërtetësisë dhe sinqeritetit të njeriut, sepse shkruhen jo për konsum publik, por për një shok të zemrës apo mendimevet. Ja si kujton mbas 65 vitesh, një jetë njeriu, një nga periudhat më të rëndësishme, më vendimtare e më mallndjellëse të jetës së Tij Genci, në një letër të datës 24 janar 2007 :

“Në Fiume isha i huaj. Megjithatë në shkollë shkoja mirë dhe, megjithëse na rrethonte një konflikt global, ne të rinjtë jetonim në një flluskë sapuni fosforeshente që na jepte ndjenjën e paprekshmërisë. Mesatarja 8 më siguronte bursën universitare dhe prisja nga vetvetja të merrnja nota të mira e pra, në fund të 6 vjetëve të dilja mjek. Fortuna e jetës desh ndryshe. Nuk e vijova dot mjekësinë, dhe m’u desh të arratisesha nga Shqipëria që Babai më kishte mësuar t’a doja me gjithë zemër….”

Ai ishte pjestar i atij brezi, mes dy luftërave botërore, që provoi rrënimin e ëndrrave dhe të projekteve për jetën, si pasojë e luftës së dytë. Por nëse shokët e shoqet e liceut të Fiumes vazhduan një jetë deri diku normale, në tërësinë e vështirësive të mëdha të pasluftës, Ai u kthye në Shqipëri, ku e përfshiu vorbulla e luftës civile. Babai, Xhevat Kortsha, që 17 vjeçar luftëtar me armë në dorë në çetën e Themistokli Gërmenjit e Spiro Bellkamenit, ish studenti i shkëlqyer i Universitetit të Vjenës, më pas Drejtori i parë i Gjimnazit shtetëror të Shkodrës, ishte një pjestar i rëndësishëm i Mërgatës antizogiste të viteve 1924 – 1939. Në mërgimin e gjatë kreu falas përkthimet e rreth 5000 faqesh të dokumentave të arkivave të Ministrisë së Jashtëme Austro – Hungareze, që lidheshin me Shqipërinë, duke i bërë një shërbim të paçmuar historiografisë dhe diplomacisë shqiptare. Vetëm ajo punë kolosale do t’i mjaftonte për të patur një vend nderi në Panteonin shqiptar, por Ai u burgos sepse kishte marrë pjesë në Qeverinë e mikut të Tij të zemrës, Mustafa Krujës, në rolin e Ministrit t’Arsimit, për të përhapur shkollën shqipe në “Tokat e lirueme” e për të hequr italishten, si gjuhë e detyruar, në shkollat fillore shqiptare, kusht ky i vënë për të pranuar postin e Ministrit.

I kthyer në Shqipëri, Genc Kortsha, studenti i liceut klasik të Fiumes në dy vitet e fundit të tij, mbasi kishte filluar shkollën në Gratz të Austrisë, mori pjesë me rininë e Ballit Kombëtar në veprimtarinë politike. Ja një episod, i përshkruar prej Tij, në një letër të datës 1 mars 1999 :

“Kur u vra në Tiranë Aziz Çami, luftëtar i Luftës së Vlorës, atentator kundër Zogut në

 Austrí dhe udhëheqës i Ballit, ne, një grup të rinjsh, shkuam në Komitetin Qëndror të Ballit. Aty gjetëm Hasan Dostin. I paraqitëm një listë komunistësh dhe kërkuam lejë që t’i vrisnim. Na foli me insistim dhe ashpërsi, duke na treguar se si një akt i tillë do të na kthente ne, t’ardhmen e Shqipërisë, në kriminelë, kur Shteti kish polici, gjyqe dhe ligje, të cilëve u takonte t’i zinin e t’i dënonin vrasësit e Aziz Çamit. Atëherë kërkuam që këta emra t’i a jepshim policisë. Kësaj rradhe na foli edhe më ashpër. Si kish mundësi që ne të bëheshim spiunë, ne ajka e rinisë ? Dualëm të bindur se, po të vriteshim nga komunistët, kërkush nuk do të na e merrte hakun. Hasan Dosti, jurist i dalluar, njeri me ndërgjegje e me nder, por në krye të një organizate që po luftonte për vdekje kundër komunistëvet ? ”

Është dëshmia e një episodi, domethënës për të kuptuar dinamikat e ngjarjeve të luftës civile në Shqipëri dhe pasojat e tyre mbi zhvillimet e mëvonëshme që njihen. Nuk dua të bëj këtu interpretimin e episodit, që mund të jetë i ndryshëm e i varur nga këndvështrimi i përceptimit, por më duket se pyetja, që bën autori i letrës, është  kuptimplote për të gjithë. Do të vazhdojë veprimtarinë e Tij me armë, këtë herë në një tjetër front, n’atë të qëndresës së Kosovës së bashkuar me Shqipërinë. Ja çfarë më shkruan në një letër të datës 12 maj 2011 :

“Nuk e di nëse e din ti se një batalion vullnetarësh ballistë (Batalioni Besnik Çano) luftoi në Morinë të Kosovës gjatë verës 1944. Edhe un bëja pjesë në  këtë njësi. Isha ndihmës mitralier dhe përgjegjës për çështjet shëndetësore… Pak muaj më vonë, erdhi në Tiranë në burg një fis i familjes Dani (Mynir Tirana) dhe më mori në hetuesi. Më pyeti nëse do të kisha vajtur vullnetar në Kosovë, po t’i kisha ditur lidhjet e ngushta dhe të ngrohta që na lidhnin me shokun Tito dhe me popullin jugosllav. U mendova. T’i thosha  se nuk do të kisha vajtur, do të ishte gënjeshtër dhe përulje nga ana ime. T’i thosha se “po”, sigurisht, do të m’a zgjaste qëndrimin në burg. I thashë “po” dhe bëra edhe pesë muaj të tjerë… “

Rreth nëntë  vite më mbrapa, i arratisur nga Shqipëria, mbasi kishte ndenjur në malësitë e Pukës, i ndjekur nga forcat e mbrojtjes, mbas peripecish të mëdha, Genc Kortsha kalon  në Jugosllavi e, prej andej, kapërcen kufirin me Austrinë, gjithmonë si i arratisur. “Mua kur u arratisa nga Jugosllavia e dola n’Austri më muarën në pyetje anglezët. Një toger më tha se isha tradhëtar me që, gjatë luftës kisha luftuar kundër komunistëve që ishin aleatë me Perëndimin. I thashë t’i ruante ato fjalë për ndonjë ushtar anglez se detyra ime ishte t’i ndiqja interesat e Vendit tim e jo t’Anglisë. Nëse ai e bëri se donte të më trondiste nuk e di, por edhe sot e kësaj dite jam i bindur se e meritonte përgjigjen.” Kështu e përshkruan, në një letër të datës 1 mars 1999, përballimin e Tij me një tjetër hetuesi, jo me atë të Sigurimit të Enver Hoxhës, të Koçi Xoxes e të Mehmet Shehut, por me atë të “aleatëve” të tyre të kohës së luftës. Të gjitha këto ndodhí, përtej kontekstit të çastit politik në të cilin zhvillohen, dëshmojnë një karakter të fortë, i cili përbën bazën kryesore, mbi të cilën ngrihet godina e personalitetit të individit, që ndikon më pas edhe në qëndrimet e familjeve, të rrethit miqësor e familjar, të vetë shoqërisë.

Në një fragment të një tjetër letre të Tij përshkruhet një episod kujtese migjeniane, që hedh dritë mbi formimin e brëndshëm të personazhit, por edhe mbi të vërtetën e “parajsës socialiste”, që ende sot kujtohet me “mall” në disa nga shkruesit e shumtë dhe pa emër të rrjeteve sociale.

“ Kam edhe disa kujtime që më janë rrënjosur në mëndje. Isha në punë të detyruar. Bukën e ndaja me nënën që s’kish triska e kur më zinte urija hanja pak  bukë që mbanja në xhep. Një ditë një grua që punonte në gropën e gëlqeres kish sjellur tre fëmijtë me vete. Dy çupat loznin me guraleca, ndërsa djali trevjeçar i shikonte me sy bosh, pa shprehje. Atë ditë un punonja me karrocë dore. I lypa leje s’ëmës dhe e vura djalin e vogël në karrocë dhe e shëtita disa herë rreth oborrit. Nuk buzëqeshi. Atëherë i dhashë bukën rezervë nga xhepi. E mori dhe e shikoi nënën, gjene pa shprehje. Për t’a fshehur sa isha prekur nga kjo foshnje që s’kish më forcë as të gëzohet, i thashë s’ëmës : “Po ky djalë a s’di të buzëqeshë?” “Duhet të jesh beqar” m’u gjegj. “Fëmijtë e uritur nuk qeshin. Akoma s’e ke kuptuar?”

Shpirtmadhësia e bujaria ishin tipare thelbësore të karakterit të Genc Kortshës, ndoshta edhe shtysa të fuqishme, për  të përqafuar fenë e Krishtit, së cilës i qëndroi besnik deri në minutën e fundit të jetës tokësore.

“Karakteri i jep shkëlqim rinisë dhe përnderim lëkurës së vyshkur dhe flokëve të bardha.” Këto fjalë të filozofit e poetit të madh amerikan Ralph Waldo Emerson i shkojnë për shtat edhe Genc Kortshës, që fitoi respektin dhe vlerësimin më të madh në të gjitha mjediset, ku studjoi, jetoi, vuajti, punoi e kaloi vitet e Tij, në Vende të ndryshme të botës, gjithënjë duke ruajtur në zemër dashurinë për Vendin e lindjes dhe shqetësimin për fatet e tij. Në këtë drejtim, n’atë të konsideratës së mirë që gëzonte, madje deri në sferat e larta të Shtetit amerikan, besoj se vlen të vihet në dukje fakti i pranisë së tij në një delegacion të  nivelit të lartë të Ministrisë së Punës, i cili më 1992 erdhi në Shqipëri me urdhër të Sekretarit të Shtetit, Xhejms Baker.

N’Itali kthehej herë pas here për të takuar shokë e shoqe të shkollës e të njohur të vjetër, mbasi “Vjetët kalojnë, distancat janë të mëdha dhe miqtë bëhen gjithënjë e më të dashur”, më shkruante në gushtin e vitit 2002. Në këtë Vënd të thesareve kulturore e të viteve të rinisë kish krijuar një lidhje pune e më pas një miqësi të sinqertë me familjen Prodi e Bolonja, vënd banimi i saj, përbënte pothuaj se gjithmonë një ndalesë të itinerarit të Tij, siç qe edhe Latina, vënd banimi i familjes Merlika. Me Romano Prodin, ish Kryeministër i Italisë dhe ish Kryetar i Komisionit Evropian, Genc Kortsha ka shkuar në një takim vetiak edhe te Papa Gjon Pali II, edhe ky një tregues i prestigjit të madh që gëzonte shqiptari i njohur i Michigan-it në botë.

Nga mezi i tetorit 2001 Ai u ftua në St. Petersbourgh (Florida), në një miting të Akademisë Amerikane të Higjenës Industriale, për të tërhequr Çmimin Henry Smith 2001, për merita si ish President i asaj Akademie. Fjala e Tij u prit me shumë interesim dhe një profesor i Universitetit të Michiganit e mori tekstin në fjalë për t’a përdorur si tekst leximi për studentët e tij. Përkonte ky veprim me përvojën e Tij të gjatë  si profesor nw General Motors Institute, nw Wayne State University, në University of Michigan, madje edhe deri në të famëshmin Universitet të Harwardit.

Me pak penelata ky qe portreti i Genc Kortshës, Shqiptarit të madh të Michiganit, që plotësoi rrethin e Tij tokësor më 18 shkurt 2016, sapo mbushur moshën e respektueshme të 92 viteve. Duke perifrazuar Plutarkun e madh, po i mbyll këto shënime me shprehjen : “Anija e Tij mbërriti në port”.

Shkurt 2016

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika, Genc Xhevat Kortsha, i michiganit, Shqiptari i madh

MBI TË GJITHA POLITIKANËT DHE HISTORIANËT DUHET TË JENË ATDHETARË DHE TË MORALSHËM

March 3, 2016 by dgreca

(Ese për analistin ing. MËRGIM KORÇA)/
Nga Thanas L. GJIKA/
Ing. Mërgim Korça, në letrat shqipe, është një nga analistët vërtet të lirë të periudhës paskomuniste, i cili me veprat e tij ka zgjeruar dhe zgjeron horizontin e lexuesve, ka hapur dhe hap rrugë të reja për zgjidhje problemesh të mbetura pezull para shoqerisë sonë të djeshme e të sotme. Ai ka shkruar shumë artikuj nëpër forume e gazeta të ndryshme, shumicën e të cilave i ka botuar dhe në tri përmbledhjet e mirëpritura Histori të Pashkruara (268 f, 2005), Hedhje Drite Rreth Shtrembërimesh Historike (247 f, 2008) dhe Çështja Kolaboracionizëm e të tjera, t’i Gjykojmë (515 f, 2014). Po ashtu ai ka mbajtur në TV Miçigan biseda dhe intervista të ndryshme, kumtesa në sesione shkencore, si dhe disa DVD me intervista të kryera prej tij me z. Seit Demneri, ish shok klase i Ramiz Alisë në gjimnazin e Tiranës, etj. Në këto vepra bëhen përpjekje këmbëngulëse për të sqaruar faktin se cili ka qenë morali dhe atdhetaria e figurave kryesore të Luftës Antifashiste Shqiptare dhe e drejtuesve të regjimit komunist shqiptar në vitet 1944 – 1992. Mësimi themelor që transmetojnë shkrimet e këtij analisti, moto e tyre, është: Politikanët dhe historianët e pamoralshëm kanë qenë dhe janë të dëmshëm.
Për vlerat e Mërgimit si analist kanë shkruar pena të spikatura si profesor Ardian Ndreca, shkrimtari i shquar Visar Zhiti, etj.
Ingjinieri i talentuar Mëgim Korça, është djali i vogël i Dr. Xhevat Korçës (1893 – 1959), një intelektual e atdhetar i pavlerësuar ende. Xhevati, mbasi mbaroi gjimnazin në Janinë, më 1911 doli malit si komit me çetat e Rilindjes sonë Kombëtare të Themistokli Gërmenjit e Spiro Bellkamenit. Më 1917 u dërgua për studime në Austri, ku më 1922 doktoroi me një studim për jetën dhe vlerat e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ndërtuar si përgjigje ndaj tri pyetjeve. Mbas kthimit në atdhe, disa muaj më vonë u dërgua prej qeverisë shqiptare të themelonte Gjimnazin Shtetëror të Shkodrës, punë të cilën e kreu me sukses. Në vitin 1925 u largua prej Shqipërisë si antizogist, dhe po atë vit, prof. Barich e emëroi lektor në Universitetin e Beogradit. Më 1928, mbasi Ahmet Zogu dërgoi atje dy herë njerëz për t’i bërë atentat, u largua prej Beogradit dhe shkoi në Austri, ku jetoi si emigrant deri më 1936, vit kur kaloi me gjithë familje në Fiume të Italisë. Në gusht 1939 u kthye në atdhe, dhe kur miku i tij Mustafa Merlika Kruja e ftoi të bëhej Minister i Arsimit, Xhevati pranoi pasi u aprovua kerkesa e tij për heqjen e italishtes nga të gjitha shkollat fillore të Shqipërisë, si dhe për lirimin nga burgu dhe nga internimi në Itali i të gjithë arsimtarëve të dënuar si kundëritalianë.
Më 17 nëntor 1944 atë bashkë me djalin e madh, forcat komuniste e arrestuan duke e cilësuar “profashist, armik të popullit”. Në prill 1945 bashkë me shumë të dënuar të tjerë, e nxorrën para Gjyqit Special me kryetar të trupit gjykues Koçi Xoxen dhe prokuror Bedri Spahiun, i cili në pretencën e tij kërkoi dënimin me vdekje me pushkatim të Xhevat Korçës si fashist. Në fjalën e tij të fundit Xhevat Korça, duke iu drejtuar kryetarit të trupit gjykues, tha : “Zoti kryetar mos i dëgjoni se ç’thotë prokurori. Unë ju them : Gjemani një fjalë të thënë publikisht në favorin e fashizmit, ose një fjalí të shkruar kësisoji dhe pushkatomëni !”. Mbrojtja burrërore që Xhevar Korça i bëri vetes, e detyroi trupin gjykues ta ndërronte dënimin në dënim me burgim të përjetshëm. Në gusht të vitit 1959, për të shprehur protestën e vet ndaj dënimit që i ishte dhënë pa të drejtë dhe ndaj gjendjes së mjerueshme të të burgosurve të Burelit, Xhevat Korça i dha fund jetës me grevë uríje, rast i rrallë, në mos i vetëm deri atëhere në burgjet e kampit komunist.
Ndihmesa e tij në fushën e letrave është e panjohur ende. Fillimet e shkrimeve të tij dokumentohen në revistën Djalëria që botonin studentët shqiptarë në Austri. Por këto shkrime si dhe të tjera të botuara në organe të tjera shtypi nuk janë mbledhur. Rëndësí të madhe padyshim paraqet i gjithë dokumentacioni i marrë në arkiva të ndryshëme europiane, i përkthyer prej tij dhe i titulluar Akte dhe dokumenta Austro – Hungare lidhur me Shqipërinë. Gjithashtu Xhevat Korça përktheu nga gjermanishtja veprën e amerikanit John Reed 10 Ditë që tronditën Botën (gjermanisht: 10 Tage DieDie Welt Erschutterten).
Djali i madh, Genci u lind në Shkodër më 1924 dhe u detyrua që foshnjë të merrte rrugën e mërgimit bashkë me babain dhe nënën. Ky djalë emigranti filloi të merrte formim në shkolla austriake dhe italiane deri më 1943, ku mbaroi edhe vitin e parë të mjekësisë, u kthye për pushimet verore dhe mbeti në Shqipëri. Endërra e Gencit ishte të mbaronte studimet për mjekësi, por nuk mundi ta realizonte për shkak të rrethanave. Më 17 nëntor 1944 ai u arrestua bashkë me babain dhe u lirua, për mungesë faktesh mbas 13 muajsh, pa qenë i dënuar nga asnjë proces gjyqësor. Ai punoi për të mbajtur familjen si ndihmësmjek në Shkodër, por pas ndonjë viti e dërguan me punë në zonën malore të Dukagjinit, ku ai u lidh me disa atdhetarë antikomunistë, me të cilët pas peripecish të ndryshme mundi të arratisej në Jugosllavi në tetor të vitit 1952. Mbas disa muajsh ai mundi të arratisej edhe prej Jugosllavisë në Austri e prej andej shkoi në Greqi, prej ku më 1955 shkoi në SHBA. Këtu vijoi formimin e tij në Wayne State University, Detroit MI në degën Kimi Industriale në profilin Higjenë Industriale. Për rezultatet e larta studentore iu dha një simbol i Universitetit si studenti më i shkëlqyer i vitit. Aty dha leksione për disa vjet. Më tej punoi si ingjinier në kolosin amerikan të industisë, në General Motors Detroit MI, ku për 13 vitet e fundit, derisa doli në pension, ishte Drejtor i Higjenës Industriale për të gjithë Korporatën e General Motors.
Në vitin 2009 Genci botoi në anglisht vëllimin me kujtime One Man’s Journey to Freedom (Rruga e një burri drejt Lirisë), të cilën e vlerësoi po në anglisht në gazetën Dielli Dr. Gjon Buçaj, kryetari i Shoqërisë Vatra. Kjo vepër të tërheq për rrëfimin e thjeshtë të peripecive që kaloi djaloshi dhe burri Genc në mërgim e në atdhe dhe sërisht në mërgim. Ai u martua më 1958 me z-njushen Margaret dhe ka sot dy djem e një vajzë dhe tetë nipër e mbesa, një bletë e plotë, si themi në Shqipëri. Genci është një nga shqiptaro-amerikanët e pakët që është pritur prej Papë Vojtila, John Paul II.
Nga treshja e familjes elitare Korça, djali i vogël i familjes, Mërgimi, të cilit ia kushtoj këtë ese të shkurtër, shkëlqen për veprën e tij analitike. Ai, që në rininë e hershme u detyrua të punonte e të shkollohej për të mbijetuar me nder e për të pleqëruar nënën, të përvuajturën e madhe të familjes. Kjo zonjë ishte një nga kurajozet e pakta që votoi kundër rregjimit në zgjedhjet e vitit 1945, duke e lëshuar sferën (votën) në kutinë e “armikut”, kuti e pashtruar me kadife gjë që shkaktoi zhurmë dhe zbuloi sekretin e votimit kundër…
Mërgimi e piu të plotë gotën e hidhërimeve gjatë kohës së diktaturës dhe mbas shkërmoqjes së saj u përshtat për bukuri në atdheun e ri, në ShBA, ku krahas punës së paguar për të siguruar jetesën e tij e të familjes, filloi luftën si intelektual me ndjenja të spikatura qytetare për sqarimin e karakterit negativ të diktaturës shqiptare dhe të personaliteteve politikë e shkencorë të saj.
Mërgimi, si e tregon vetë emri, u lind jashtë shtetit, në 30 dhjetor 1932, kur familja e tij ndodhej në mërgim, në Grac të Austrisë. Në vitet e diktaturës, si bir i një të dënuari me damkën “armik i popullit”, dhe vëlla i një të arratisuri, pra për shkak të biografisë, Mërgimit nuk iu dha e drejta për të ndjekur studimet e larta. Por duke përfituar nga një “zbaticë” në luftën e klasave si edhe nga mbështetja që i dha Ndërmarrja Rruga-Ura ku shquhej si punëtor i mirë, ai mundi të ndjekë studimet për Ingjineri Mekanike në kurset pa shkëputje nga puna, (kurset e mbrëmjes), nëntë vite mbasi e kishte mbaruar shkollën e mesme. Mërgimi arriti jo vetëm të mbijetonte, por edhe t’i imponohej qeverisë diktatoriale e cila ishte shumë e varrur nga mekanika bujqësore. Këto suksese ai i arriti përmes punës së tij intensive e këmbëngulëse për të projektuar e zbatuar projekte origjinale për makineri bujqësore, ku spikati talenti i tij prej projektuesi e konstruktori mekanik.
U bënë shumë të njohura makineritë e projektuara dhe krijuara prej ing. Korçës, si makina për rrallimin e pambukut, (për të cilën i kishte urdhëruar vetë Enver Hoxha drejtuesit e rretheve Lushnjë edhe Fier që patjetër ta zgidhnin atë problem duke ngarkuar ingjinierët më të aftë për atë punë, sepse industria tekstile detyrohej të importonte sasira të mëdha pambuku nga që rendimenti i prodhimit të pambukut ishte shumë i ulët).
Ing. Korça e idéoi, e projektoi dhe e ndërtoi agregatin për drenazhimin e tokës me hapje të mekanizuar tuneli me diametër 10 cm. në thellësí 70 cm. nga sipërfaqja e tokës dhe të mbushur automatikisht me zhavor të larë e të fraksionuar në vend të tubave qeramike. Vënja në zbatim e kësaj metode drenazhimi e ulte koston e drenazhimit dhjetë herë krahasuar me vendosjen e tubave qeramike. Gjithashtu ajo e shpejtonte këtë proces nga një hektar që drenazhonte një brigadë prej 10 vetash gjatë një muaji, në katër hektarë në ditë.
Gjithashtu ing. Mërgim Korça projektoi dhe ndërtoi një tjetër makineri për hapjen e vijave kulluese, të cilën vetë Kryeministri Mehmet Shehu kishte vite që ua kërkonte uzinave të Mekanikës Bujqësore. Kjo, sepse makineritë e sjella nga importi dhe që dispononin S.M.T.-të dhe Fermat Bujqësore, e hapnin vijën kulluese me gjerësi në sipërfaqe mbi një metër. Nisur nga ky fakt Kryeministri i kishte dhënë Sekretares së Parë të Lushnjës, Lenka Çukos, një skicë me porosí që t’ia jepte ing. Korçës ku përmasat e vijës kulluese ai kërkonte të ishin në sipërfaqen e arës 45 cm., në thellësí 45 cm. si dhe gjerësí të bazës së vijës 10 cm. Vënja në punë e kësaj makinerije i kurseu ekonomisë bujqësore dhjetra mijëra hektarë toke krahasuar me vijat që hapeshin deri atëherë me makineri të importuara.
Doemos projektimi si edhe ndërtimi i këtyre makinerive në rrethin e Lushnjes bënte të rritej konsiderata e drejtuesve të këtij rrethi nga ana e udhëheqjes së partisë. Por, nga ana tjetër, edhe Dikasteri i Bujqësisë nderohej nga të tillë rezultate. E për pasojë, rritej edhe konsiderata e drejtuesve të vëndit ndaj ing. Korçës. Nuk mund të mos vihet në dukje se si vetë Kryeministri Mehmet Shehu vajti për t’i parë si rralluesen e pambukut edhe agregatin e hapjes së vijave kulluese, (me ç’rast qëndroi mbi pesë orë dhe kryesisht duke diskutuar me ing. Mërgimin). Po kështu, të ngarkuar nga Kryeministri, agregatin e drenazhimit me zhavor, të shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë, shkuan dhe e ndoqën në punë e sipër dy nga zv/Kryeministrat.
Megjithatë, pavarësisht nga arritjet si projektues e krijues makinerish, atë kurrë nuk e afruan të punonte në institucionet qendrore të mekanikës në Tiranë, as i dhanë tituj e grada shkencore. Por për rezultatet shumë dobiprurëse të punës së tij, Mërgimit iu akordua titulli i lartë shkencor Punonjës i Shquar i Shkencës dhe i Teknikës, me urdhër të vetë Enver Hoxhës, i cili në këtë rast e shkeli parimin e luftës së klasave i detyruar nga nevojat e mëdha që kishte bujqësia për mekanikën bujqësore, por doemos edhe i prirë nga informacionet që merrte rreth rëndësísë së agregateve të ndërtuar prej këtij ingjinieri. Ky titull nuk shoqërohej me rritje rroge a privilegje të tjera.
Jetën nën diktaturë, pavarësisht nga sukseset, Mërgimi e jetoi nën shpatën e Demokleut, si shumica e bijve të familjeve të dënuara prej regjimit komunist. Ai fillimisht u muar me punën e tij si punëtor krahu, më tej si teknik e ingjinier mekanik, duke treguar me punë të ndershme aftësitë e veta, pa lajka e servilizëm. Mërgimi punoi me gjithë forcat e veta mendore e fizike, natyrisht jo për forcimin e diktaturës, por sepse ishte edukuar në familje të punonte me përgjegjësi e ndershmëri dhe sepse e ndjente se vetëm duke arritur që të ishte shumë i nevojshëm, mund të mbijetonte, si dhe mbijetoi pa pasojat shkatërrimtare të biografisë së keqe.
Në vitin 1990, Mërgimi, ashtu si babai i tij dikur, mori rrugën e mërgimit, po kësaj radhe për shkaqe të tjera: bijtë e familjeve me biografi antikomuniste, udhëheqja komuniste në fuqi, për të zbatuar planin Katovica për Shqipërinë, nuk i donte t’i kishte në Shqipëri këta bij të ish opozitës së vërtetë të PKSh/PPSh-së, me synimin që proceset e pluralizmit t’i kryenin shërbëtorë besnikë të PPSh-së, ish sigurimsa e ish komunistë të fshehur si antikomunistë… Kështu, familjes Korça, bashkë me shumë familje të përndjekura, në vitin 1990 “iu krijuan kushtet” për të shkuar jashtë shtetit pranë të afërmve të tyre. Mërgimi me familjen e vet shkoi tek vëllai i tij, që jetonte prej vitesh në Detroit MI, USA. Kur mbërriti në Amerikë iu fut studimit të anglishtes, të cilën e përvetësoi shpejt dhe mirë ndonëse ishte 59 vjeçar. Përvetësimi i anglishtes, kësaj gjuhe të vështirë për moshën e tij, u bë i mundur në saje të kujtesës së fuqishme dhe zotërimit në nivele të lartë të gjermanishtes dhe italishtes. Njëherazi ai punoi për përvetësimin dhe përdorimin e kompjuterit, për t’u përshtatur me psikologjinë dhe mënyrën amerikane të të menduarit, hapa këto që e ndihmuan të punësohej fillimisht si nëpunës në një zinxhir restorantesh McDonald ku pronari Z. Ekrem Bardha e punësoi se ishin njohur duke qenë ushtarë në Repartin e Punës para se Z. Bardha të arratisej nga Shqipëria, e në vazhdim pastaj si përkthyes për tri gjuhët që ai zotëron, punë të cilën e vijon dhe sot.
Me të tilla arritje Mërgimi me familjen e tij filloi të bënte një jetë modeste, por komode, në ardheun e ri. Mirëpo brumi atdhetar e intelektual i trashëguar prej familjes së tij Korça nga babai e Angoni nga nëna gjirokastrite, nuk e lejonte që ai të bënte jetën e një njeriu të vetëkënaqur. Ai ia nisi punës shtesë për të ndihmuar zhvillimin e mendësisë së popullit shqiptar duke shkruar artikuj e kumtesa, duke mbajtur biseda e intervista, duke botuar libra. Deri në moshën 59 vjeçare, edhe pse dinte mirë disa gjuhë të huaja, Mërgimi nuk kishte shkruar asnjë artikull në Shqipëri, nuk i ishte dhënë mikrofoni të fliste para dëgjuesve, por ai i kapërceu me sukses të tilla pengesa psikologjike në saje të aftësive të tija të lindura.
Ashtu si në vitet e Rilindjes sonë Kombëtare, arbëreshët e Italisë e të Greqisë, vëllezërit Frashëri, Faik Konica, Pashko Vasa, etj, etj edhe Mërgim Korça bashkë me veprimtarë që punojnë sot në diasporë, janë dëshmi e gjallë e faktit se njeriu mund ta ndihmojë atdheun pavarësisht se ku jeton e punon, se largësia nuk e pengon askënd që të japë ndihmesën e vet në të mirë të popullit të cilit i përket. Njësoj sikur të jetonte në atdhe, Mërgimi jeton me hallet e popullit të tij, shpenzon kohë, energji, shkurton orët e gjumit, lexon materiale të ndryshme në internet dhe me kurajon e vet, pa pyetur se kush janë ata që përpiqen ta mbajnë në vendnumëro mendësinë e popullit shqiptar, sulet me shpatën e tij, me “penën” e intelektualit të pakompromis.
Ish pushtetarë të regjimit komunist, si Nexhmie Hoxha, Ramiz Alia, Liri Gega, Liri Belishova, Rahman Parllaku, etj. i vuri në shënjestër për bëmat e tyre të turpshme e kriminale, duke zbuluar mendësínë e tyre çnjerëzore të shfytyruar prej ideologjisë komuniste. Në anë të kundërt me të tillë politikanë, ai portretizon dhe ish kryetarin e grupit komunist të Shkodrës, Zef Malën, me të cilin pati rast të njihej më 1954, pasi ai kishte dalë prej burgut. Komunisti Malaj kishte njohur në burg kundërshtarë të ideve të tij politike, klerikë dhe antikomunistë si Xhevat Korça. Mbas bisedave me ta, ky ish komunisti i hershëm u kthjellua dhe kuptoi thelbin antinjerëzor të doktrinës komuniste, gjë që nuk mundën ta bënin shumica e ish komunistëve të dënuar prej diktatorit, si Koço Tashko, Liri Belishova, Todi e Liri Lubonja, Fadil Paçrami, etj, etj.
Dëmi më i madh i ideologjisë komuniste që zbatoi diktatori Hoxha, sqaron analisti, ishte krijimi i njeriut të ri socialist, një qenie e pamoralshme, e paskrupull, që ta bën të keqen dhe nuk kërkon kurrë të falur, qënie që ka marrë pushtetin në Shqipëri dhe nuk pyet për hallet e popullit, por si e si të pasurohet për vete. Edhe Dritëro Agolli, poeti i talentuar e shumë i lëvduar në kohën e diktaturës dhe të tranzicionit, i mbiquajturi “Patriarku i Letrave Shqipe”, kritikohet për mungesën e zgjerimit të këndvështrimit të mendësisë së tij, për mungesën e moralit. Në kongresin e X-të të PPSh ky deputet kritikoi ashpër “katër fajet e rënda” dhe disa bëma të partisë së tij, por si anëtar i K.Q. të saj, ku kishte milituar me vite, ai nuk kërkoi të falur për ato që kishte bërë vetë gjatë diktaturës dhe për më keq u kthye në vitet e tranzicionit në një mbrojtës i politikës së PS-së bijës së PPSh-së, pra mbeti një penë që punoi për lëvdimin e politikës së gabuar të partive PKSh / PPSh / PSSh. Në të njëjtën kohë Mërgimi nuk ka lënë pa kritikuar dhe gabime të pushtetarëve të paskomunizmit, si Presidentët Alfred Mojsiu e Bamir Topi, Zv/Kryeminist-rin e Ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, etj.
Vlerat e Mërgimit analist nuk qëndrojnë vetëm në analizat kritike. Ai është po aq i mprehtë dhe tërheqës edhe kur vlerëson shkrimtarë të shquar si Gjergj Fishta, Visar Zhiti, shkencëtarë si Dr. Edor Kabashi, këngëtaren Ermonela Jaho, burra shteti e atdhetarë të përkryer si Luigj Gurakuqi, dhe të mëvonshëm si Safet Butka, Prenk Cali, etj, etj. Shkrimet e Mërgimit të ngjallin respekt e simpati për bijtë e familjes princore të Mirditës, si Gjon Markagjoni dhe djemtë e tij, dhe për më të vuajturin midis tyre, Gjon Markagjonin e Ri, të cilët ai i vlerëson me shumë respekt për ndershmërinë, moralin e pastër shqiptar, burrërinë e tyre. Respekt e dashuri ngjallin te lexuesi edhe shkrimet ku ai vlerëson klerikë martirë si Pater Anton Harapi, Pjetër Mëshkalla, Patër Fausti, etj. Në këtë vazhdë është edhe shkrimi recensional i publikuar këto javë në media prej Mërgimit për vëllimin me kujtime, shkruar më 1966 prej Xhelal Staraveckës “Përpara Gjyqit të Historisë”, botuar më 2015 prej djalit të tij Naim Staravecka. Mprehtësia e artikullshkruesit shfaqet këtu përmes zbulimit të kundërvlerave të vëllimit ku ai tregon mungesën e vlerave të të droguarit prej ideologjisë komuniste, ish komunistit Xh. Staravecka, i cili ngre lart figurën e Enver Hoxhës për vlera të paqena, sikur të ishte një ideolog e strateg i madh dhe jo siç ishte në të vërtetë, shërbëtor i Josif Broz Titos e Stalinit.
Një nga figurat më të dashura e më të respektuara për Mërgim Korçën është ajo e Baba Rexhebit (1901 – 1995), klerik mysliman i arratisur prej Shqipërisë diktatoriale, themelues dhe drejtues i Teqesë Bektashiane në Taylor, MI, USA. Ai e vizitonte rregullisht familjarisht dy herë në javë Babanë e nderuar. Intelektuali Mërgim nuk druhet të tregojë se në botëkuptimin e vet ka ndikim të ndjeshëm prej predikimeve të këtij Babai, sidomos prej mësimit themelor, sipas të cilit egoizmi është burimi i gjithë të këqiave njerëzore. Baba Rexhebi ishte një nga të përndjekurit e diktaturës komuniste shqiptare, i cili duke vijuar jetën e një kleriku të ndershëm në USA kishte arritur dhe në disa mendime të vetat për të dëshmuar thelbin e së keqes që i erdhi Shqipërisë. Së pari, thoshte ai, prej krimeve të përbindëshme që filluan që gjatë Luftës Antifashiste, pastaj prej luftës së paprincip kundër besimeve fetare dhe më tej prej ngritjes në kult e bindje të verbër ndaj udhëheqjes personale të diktatorit. Kur humbet ndjenja e moralit, theksonte Baba Rexhebi, u hapet rruga gjithë të këqiave të kësaj bote.
Si një moto për mentalitetin e sejcilit, i vlerëson Mërgimi fjalët e këtij predikuesi: “I ndershëm ësht’ ai që i ndryshon mendimet e tij për t’i njësuar me të vërtetat. Kurse i pandershëm ësht’ ai që i ndryshon të vërtetat për t’i njësuar ato me mendimet e tij… Mua nuk më takon gjë tjetër veçse të mëshiroj dhe të fal, kurse shoqërisë i takon të gjykojë në bazë të së vërtetës e të vendosë duke u bazuar në drejtësi.”
Fusha ku shkëlqen me dritë verbuese mprehtësia analitike e Mërgim Korçës është fusha e historisë së Shqipërisë e periudhës së L2B dhe pas saj, përmes një vargu polemikash me profesorë e akademikë, pra me përfaqësuesit e niveleve të larta të shkencave historike shqiptare. Pa pasur formimin shkollor të një historiani, por duke ecur në rrugën e tij autodidakte përmes leximesh të shumta në gjuhët që zotëron, ndihmuar prej logjikës së tij të fortë, ndershmërisë dhe bindjeve solide demokratike, Mërgimi hartoi një varg analizash polemike me akademikët Kristo Frashëri e Arben Puto, me profesorin Paskal Milo, etj. Ai vë në dukje se vlerësimet që këta personalitete dhe të tjerë kishin dhënë gjatë kohës së diktaturës për ngjarjet e ndryshme të popullit shqiptar, ishin të gabuara për shkak të politizimit. Kurse vlerësimet që po këta persona vijonin t’u jepnin atyre ngjarjeve edhe mbas vitit 1992 njësoj si në kohën e diktaturës, për Mërgimin dëshmonin se ata kishin mbetur skllevër të mendësisë komuniste, se u mungonte kurajua për të pranuar se dikur kishin gabuar. Kur fakte të rinj ishin bërë të njohur dhe kur ishin botuar interpretime ndryshe, qëndrimi i njëjtë i këtyre akademikëve dhe kolegëve të tyre, në radhë të parë buronte nga mungesa e karakterit, nga prishja e ndërgjegjes, që këta studjues e kishin pësuar gjatë regjimit komunist.
Variantet e Kolaboracionizmit dhe qëndrimi që duhet mbajtur ndaj tyre.
Një nga temat më të rrahura në shkrimet e analistit Korça është çështja e kolaboracionizmit, interpretimi i të cilit e ndan atë prej gjithë atyre që e kanë përdorur dhe interpretuar para tij. Sqarimi i tij për kolaboracionizmin shqiptar përbën një nga sfidat më të mëdha që ky analist u ka bërë studjuesve tanë të historisë së Shqipërisë. Kurse studjuesve të etnologjisë shqiptare, ky analist i ka bërë të skuqen me analizën e hollësishme që i ka bërë kapitullit “VRASA” të Kanunit të Maleve.
Liderët e PKSh-së / PPSh-së, literatura politike dhe ajo shkencore e kohës së diktaturës komuniste dhe pas saj e shpallën dhe e luftuan dukurinë kolaboracionizëm, bashkëpunim me pushtuesin, si të keqen më të madhe të kohës së Luftës së Dytë Botërore, si gogol për të manipuluar popullin dhe për të fshehur bëmat e tyre të ulta.
Veprimtarë të spikatur të çështjes kombëtare, të cilët shumë e shumë vjet që nga Rilindja punuan për të mirën e atdheut duke rrezikuar jetën dhe duke shkrirë pasurinë e tyre, gjatë L2B për të shpëtuar ç’ mund të shpëtohej nën pushtimin italian, ose atë gjerman, pranuan të bashkëpunonin me pushtuesin duke marrë detyra të larta qeveritare të cilat i ushtruan për një vit, ose dishka më gjatë, por si rregull vetëm në interes të vëndit.
T’i fusësh në një thes qeveritë që u krijuan gjatë pushtimit, si qeverinë e Shevqet Vërlacit (prill 1939 – dhjetor 1941) me qeverinë e Mustafa Merlika Krujës (dhjetor 1941 – janar 1943), apo me Këshillin e Regjencës që krijoi parlamenti shqiptar gjatë pushtimit gjerman (tetor 1943 – tetor 1944) me përfaqësues Mehdi Frashërin, Lef Nosin, Pater Andon Harapin dhe Fuat Dibrën, është miopí shkencore dhe poshtërsi politike. Eshtë miopí shkencore dhe poshtërsi politike, sepse qeveritë e vërteta kolaboracioniste si ajo e Vërlacit e pranuan bashkëpunimin thjesht për interesa kolltuku, kurse Qeveria Merlika dhe Këshilli i Regjencës e pranuan bashkëpunimin me pushtuesin për të mirën e atdheut dhe jo për interesa kolltuku. Anëtarët e këtyre qeverive, biografinë atdhetare të të cilëve, Mërgimi e shpalos me fakte, dëshmon qartë se ata vunë peng nderin dhe atdhetarinë e tyre për të mirën e kombit dhe jo për përfitime personale.
Mbështetur në fjalorë të ndryshëm dhe në të dhëna historike nga historia e shteteve të ndryshme të Europës si Franca, Danimarka, Norvegjia, etj, që përjetuan pushtimin e huaj gjatë L2B, Mërgimi shtjellon termat kolaboracionizëm dhe kuisling, si koncepte dhe duke u mbështetur në të dhëna konkrete historike arrin të sqarojë se në Shqipëri nuk kemi pasur asgjë të ngjashme me Kislingun e Norvegjisë dhe se në jetën shqiptare duhet të dallojmë dy lloje kryesore kolaboracionizmi:
a. Kolaboracionizëm për të mirën e atdheut dhe
b. Kolaboracionizëm për interesa egoiste personale pushtetdashëse.
Dhe këtu analisti ynë nuk ka fare parasysh një kolaboracionist të caktuar por, duke u mbështetur në materiale arkivore, në artikuj e fjalime të liderit kryesor të PKSh-së, shpalos qartë e bindshëm se Enver Hoxha me kërkesat e tij për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë shprehur në plenume të PKSh-së dhe me nënshtrimin total ndaj Bashkimit Sovjetik të diktatorit Stalin dhe ndaj Kinës së Mao Ce Dunit, nuk ka qenë gjë tjetër veçse një kolaboracionist për interesa egoiste personale për mbajtjen e pushtetit me çdo kusht e në çdo rrethanë.
Përfundimi i Mërgim Korçës është i kuptueshëm nga të gjithë: historianët duhet t’i dënojnë parimisht të dy palët e kolaboracionistëve, si Mustafa Merlikën, Pater Anton Harapin, Lef Nosin, të cilet rregjimi komunist i dënoi me pushkatim sepse bashkëpunuan me pushtuesit fashistë ose nazistë për të mirën e atdheut, si edhe Enver Hoxën, që bashkëpunoi për 40 vjet thjesht për interesat e tij egoiste pushtetdashëse me Josif Broz Titon, Stalinin dhe Mao Ce Dunin duke e vënë Shqipërinë nën diktatin e tyre komunist antishqiptar. Por, e gjithënjë ka një “por”, në analizë të fundit, të nxirren përfundime se kush bashkëpunoi për t’i shërbyer vëndit e kush për interesa fillimisht grupi e në vazhdim për interesa thjeshtë personale !
Disa përfundime
Ing. Mërgim Korça është një përfaqësues i intelektualit shqiptar atdhetar e modern. Dje, me veprat e tij ingjinerike ai i zgjidhi shumë probleme mekanikës bujqësore shqiptare në kohën e vështirë të diktaturës. Sot, duke shfrytëzuar mundësitë që i jep jeta e lirë në ShBA, ai ka krijuar një tërësi veprash me vlerë, rezultatet e të cilave duhet të merren parsysh prej atyre që po rishikojnë dhe do të rishkruajnë historinë e Shqipërisë.
Ky analist bie në sy për njohuri enciklopedike, punë prej studiuesi sistematik, kujtesë te veçantë, guxim, etj; veti që i ka vënë shumë mirë në dukje dhe hartuesi i parathënies së librit të dytë, profesor Ardian Ndreca.
Mërgim Korça, si e ka karakterizuar Visar Zhiti, në parathënien e librit të tretë, “u fut fuqishëm dhe i sigurtë në fushën e shkrimeve analitike me bagazh të plotë dijesh dhe përvojë të njëmendët, jo si një trill i vonë i tij, që ia siguronin kushtet e lirisë, por u ndje i thirrur nga koha për të thënë të vërtetën, aty ku ajo nuk dihej, ishte e mbuluar apo ishte e harruar me qëllim ose jo, të zbulonte të panjohura me rëndësi kombëtare, që i japin dinjitet historisë sonë, atje ku ajo ishte bjerrur.”
Vlerësimi i vëllezërve Genc dhe Mërgim Korça me titullin NDER I KOMBIT, të cilin e kanë merituar prej kohe, do të ishte thjesht një nder që qeveria e sotme shqiptare i bën vetes dhe jo vetëm këtyre bijve të shquar të diasporës sonë.
Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë këto 25 vjet tranzicioni, ka kryer krahas disa punëve të mira edhe një krim kombëtar, një punë antikulturë duke mos treguar asnjë interes për veprat që shkruajnë e botojnë bijtë e shquar të diasporës së re shqiptare, si Prof. Sami Repishti, Mërgim Korça, Eugjen Merlika, Pëllumb Kulla, Lek Pervizi, Ruben Avxhiu, Roland Gjoza, Idriz Lamaj, Andon Dede, Dalip Greca, etj, etj. Sipas meje, ajo duhet të krijojë sa më parë një grup pune për të realizuar një kolanë me vepra të zgjedhura prej penave të spikatura që janë shquar gjatë këtyre 25 vjetëve duke sjellë mendime të rinj për evoluimin e mendësisë shqiptare paskomuniste dhe për të korrigjuar gabime të ndryshme që i janë bërë historisë sonë kombëtare nga të huajt dhe nga historianët tanë të politizuar. Botimi i kësaj kolane në disa mijëra kopje dhe shpërndarja e saj në mbarë vendin do të ndihmnte lexuesin e gjerë, sidomos studentët e degëve të shkencave humanitare për t’i shfrytëzuar si literaturë plotësuese për një formim më të shëndoshë shkencor.

Filed Under: ESSE Tagged With: esse per Mergim Korca, Thanas L Gjika

Përkujtimore për personalitetin e Genc Kortshës

February 22, 2016 by dgreca

(16 Shkurt 1924 – 18 Shkurt 2016)/

Nga Gjon Buçaj/

Zoti e pruni në jetë Genc Kortshën si pinjuell dy familjesh të mirëfillta intelektuale edhe patriote, prej Babet Korçar e prej nanet prej Gjinokastre.Mos me shkue mâ gjatë, gjyshat e Tij ishin, Ai prej babës drejtor shkolle në Korçë, kurse Ai prej nânës kirurg në Shkodër.Sa i tokon t’Et, Xhevat Korça ishte êmnue në vjetën 1923 si drejtor themelues i Gjimnazit të Shkodrës, gjytet ku edhe u lind Genci. I Ati, qysh 17-vjeçar luftëtar i Çetës së Themistokli Gërmenjit e cilla i luftoi turqit pushtues si edhe grekët t’cillët rrekeshin m’e pushtue krahinën; në vazhdim Ai shkoi për studime në Vjenë ku u diplomue në Filozofí e Histori me “Summa cum Laude”.

Ndër veprat e Tija shquhen mbi 5000 faqe përkthimi dokumentacioni politik ndërkombëtar i cili ka lidhje me Shqipninë dhe rrethanat e saja në periudhën e pavarësísë si edhe gjatë edhe mbas Luftës së Parë Botnore, (Acta et Diplomata Austro-Hungarie).

Me ardhjen në Shqipni të diktaturës komuniste në pushtet për Xhevat Korçën, në t’ashtuquejtunin “Gjyqi Special” i Prillit 1945,  prokurori Bedri Spahiu kërkoi dënimin e Tij me pushkatim si fashist. Xhevat Korça në fjalën e fundit drejtue trupit gjykues, (për me kërkue mëshirë), u tha : “Zoti kryetar e zotërinj gjyqtarë, gjemëni një fjalë thënë prej meje pro fashizmit ose një fjalí të tillë dhe ju ftoj të më pushkatoni pa ndroje!” Dhe dënimin ia kthyen në burgim të përjetshëm kurse Ai mbas disa vjetesh i dha fund jetës në burgun e Burrelit me grevë urije lidhur me shkeljen e të drejtave të burgosurve! E po ai ish prokuror në vjetin 1991 në Gazetën Republika tha ndër të tjera “… Më vjen turp që kam qenë prokuror i Gjyqit Special …”. Kaq sa për nji hjedhje drite rreth shêmbujve atdhetáre me të cilët ishte brumosë Genc Kortsha prej prindit të Tij.

Vetë Genci shkollën e mesme e kreu pjesërisht n’Austri edhe e përfundoi në Itali. Në shkollë, gjatë gjithë vjeteve shkollore, ka kênë nxânsi mâ i dalluem i klasës. N’Itali kreu dy vjetet e para edhe të mjeksisë e mandej erdhi për pushime në Shqipni. Në vjeten 1944 shkoi me Batalionin Besnik Çano me luftue në Kosovë. Në librin e shkruem rreth Halim Begesë e botue vjetën qi shkoi, âsht fotografia e Batalionit në Kosovë ku Genci në fotografi figuron edhe si mbajtës i Flamurit të Batalionit në fjalë. Me 17 nëntor 1944 Gencin e arrestuen së bashku me t’ Ánë ku e mbajtën të burgosun 13 muej, ditë më ditë!  Kur e liruen prej burgut periudhën mâ të madhe të kohës, derisa u arratis prej Shqipnije në vjetin 1952, ai punoi si puntor krahu i detyruem me thye gurë!

Mbas peripecíshë prej Jugosllavije në Austri e Greqí, mâ në fund Genci erdh edhe u vendos në Sh.B.A. ku Amerika iu bâ nji Atdhé i dytë i cilli ia dha të tâna të drejtat e nji gjytetari të lirë!

Këtu Ai filloi punë në nji uzinë shkrimje çeliku si infermier ndihme të shpejtë, (si student mjeksije qi ish kênë përparandej), edhe pa vonesë u regjistrue në universitet në fakultetin e Kimisë Industriale tue punue me orë të plota natën e tue e ndjekë shkollën ditën.  E doemos tue jetue e punue në kët vênd shêmbull liríje e demokracije, në Sh.B.A.  puna e Tij kâmbëngulëse iu shpërblye se kur u diplomue iu dha ndër dhjetmijë studentë si simbol Çelësi i Artë !

Në vazhdim u punsue në gjigantin industrial General Motors ku mbas 38 vjetesh pune edhe doli në pension.  Mirpo me kët rasë nuk mundem mos me ia xânë n’gojë edhe faktin se si ai në Sh.B.A. jo vetëm q’e gjeti atê e cilla i mungoi në Shqipni, mirëpritjen në gjiin e Saj, por edhe se si puna e Tij cilësisht shum’e naltë, iu shpërblye me të njajtën vlerë: Atij erdhën tue ia vlersue shkallë mbas shkalle livelin e punës së tij cilsore sa qi 13 vjetet e fundit të punës së Tij Ai kje Drejtor Ekzekutiv i Higjenës Industriale për të gjithë Korporatën e General Motor-it !  Kjo sa u tokon marrëdhânjeve me punën kryesore të Tijën, General Motors-in.

Veç ktyne relatave, Genci dha mësim si Profesor i Jashtëm edhe në General Motors Institute, në University of Michigan si edhe në Wayne State University.  M’ânë tjetër Ai kje zgjedhë për nji periudhë kohore katërvjeçare edhe President i Akademisë së Shteteve të Bashkueme për Higjenën Industriale në të cillën detyrë Atij i nepet edhe nji vlersim i posaçëm për punën e zhvillueme në krijimin edhe në Europë të Akademive të ndryshëme të Higjenës Industriale si në Itali, Britani e Madhe e të tjera shtete.

Kuptimplotë me kët rasë âsht edhe pritja q’i kushtoi Genc Kortshës Papa Gjon Pali i II-të ku Gencin e shoqnote ai qi në vazhdim u bâ edhe K/Ministër i Italisë, Romano Prodi!

Se sa e kishte në qêndër të vemêndjes blloku Perëndimor Shqipninë fillë mbas shpërbâmjes (çapërlitjes) së diktaturës komuniste, e difton fakti se si qysh në vjetin 1991 Gencin e nisne me shërbim në Shqipni me shikjue kushtet e në bazë të tyne m’i dhânë Ai edhe pikpamjet e Tija se si m’e organizue edhe Higjenën Industriale në livele bashkëkohore n’at vênd të porsadalë prej diktaturës së egër komuniste. Mirpo atje kjene gërshetue nji varg pengesash të ndryshme, megjithse ekzistote nji Institut i Higjenës, e doemos trajtimi i kësaj teme del prej kuadrit të kësaj bisede përkujtimore.

Nuk mundem m’u dhânë fund ktyne rreshtave për pá e kujtue të ndjemin Genc Kortshën edhe lidhun me nji hjedhje drite rreth personalitetit të Tij sa u tokon normave të etikës edhe të moralit qi gjithklush e ka pasë fatin m’e njoftë prej s’afërmi Gencin nuk kishte se si mos me i vûe ré kah ai pohote se “… Njeriun duhet ta shquajë karakteri i papërkulshëm, ndershmëría, besnikëria si edhe mosdhënja aspak rëndësí qoftë pushtetit si edhe pasurísë! Besimi në Zotin duhet të jetë forca si edhe ngushëllimi i gjithsecilit në ditë të mira e të këqíja !” 

Me kto pikpamje kuptimplote rreth etikës si edhe moralit të Genc Kortshës due m’i dhânë fund edhe un fjalës s’ême t’sodit për tê tue ia urue Atij me gjithë shpirt,

Âmshimin e Bekuem !           

Filed Under: ESSE, Vatra Tagged With: e Genc Kortshës, Gjon Bucaj, për personalitetin, Përkujtimore

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT