Para Muzeut të Qytetit në Lushnje, 21 dhjetor 1994, ora 16:27/

(Kujtime – Lushnje, 21 dhjetor 1994)/
Diku rreth orës 16:30, të mërkurës, së 21 dhjetorit 1994, ne mbërritëm në Lushnje. Përpara Muzeut të Qytetit, na priten shkrimtar, intelektual dhe të interesuar për të asistuar në atë pasdite letrare. Ata na uronin mirëseardhje, ndërsa nga prapa miku im Musa Hajredini, xhironte me kamerë. Musai, është nga Gjilani, por ka 35 vite, që jetojmë në të njëjtin qytet. Ne kishim udhëtuar bashkë për në Kukës. E pasi ai kishte marrë kamerën me vete ne u dakorduam për të filmuar, aq sa mundte edhe aktivitetin në fjalë.
Pasi ishim vonuar për më shumë se 30 minuta, pa hezitim u futëm menjëherë në sallën e Muzeut. Kishin ardhur shumë të interesuar, dukej se edhe ata kishin përjetuar ankth, për vonesën tonë. Atëherë nuk kishim celular e mjete teknologjike si të sotmet, për të ditur, ku jemi dhe sa do të vonoheshim. He nejse, pa vonuar shkrimtari Faslli Haliti, hapi diskutimin krijues, për të cilin ishin përgatitur intelektual e shkrimtar lokal, anëtarë të Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve të cilët në bashkëpunim me Bibliotekën dhe nxënësit e shkollave të qytetit Lushnje, kishin organizuar atë aktivitet të mrekullueshëm.
Qysh në fillim u pa se ishin bërë përpjekjet maksimale për të dal aktiviteti në nivel dhe sa më i realizuar, (pasi siç u zbulua më vonë), ishte hera e parë që prezantohej një autor nga Kosova në qytetin e Lushnjës.
Për librin “LARG PIKON HËNA”, kanë folur krijues, pedagog të gjimnazit, poet e shkrimtar lokal, anëtarë të Degës së Lidhjes në Lushnje, emra të njohur e krijues të profilizuar. Pastaj ishin të angazhuar fëmijë dhe nxënës të shkollimit fillor dhe të shkollave të mesme, të cilët lexuan dhe interpretuan poezi nga libri, disa nxënëse e nxënës kanë ekzekutuar pika artistike muzikore.

Legjenda: Muzeu i Qytetit në Lushnje, 21 dhjetor 1994. (Faslli Haliti, majtas, Shefqet Dibrani, në mes, Visra Zhiti, ngritur duke lexuar, Kadri Fishta, Dalip Greca ehe Elmaz Qerreti)…
Ia vlen për ta theksuar se në Lushnje, më 21 dhjetor 1994, ka ndodhur një ngjarje e mirë kulturore, ndoshta jo e atyre përmasave të ngjarjeve historike, por e rrallë, e papërsëritshme dhe ndikuese në karrierën time, andaj si ngjarje, si diskutim krijues, ka mbetur e paharruar duke më bërë, përjetësisht të lidhshëm me Lushnjën.
Pasi në vazhdim të këtyre kujtimeve, do t’i publikojmë, kuptohet për të parën herë, të gjitha diskutimet asaj dite, fillimisht po përshkruajmë rrjedhën e ditës me tërë atmosferën emocionale, kuptohet për aq sa kanë mbajtur në kujtesë. Më duket se për t’i ikur “mësyshit”, të atij entuziazmi disa herë u fikën dritat?! Shqipëria atyre viteve përballej edhe me krizën energjetike, por për fat të mirë nuk zgjatej aq, e në kuadër të emocioneve më duket se as që është vërejtur.
Vërtetë mbretëronte atmosferë impozante dhe e rrallë, për të mos thënë, edhe për lushnjaret, e papërsëritshme. Për mua, takimi me Faslli Halitin, Fatbardh Rustemi, Kadri Fishten, Dallëndyshe Çupa, Vasil Bozon, Flora Hajdarin, ishte ngjarje që ka mbetur në kujtesën time të asaj dite. Ndërsa me IlirLevonjen, tashmë sikur ishim familjarizuar, por mbaj mend se kishin ardhur edhe familjarët e Visar Zhitit, Eda Agaj, vëllai e ndonjë tjetër.
Pas diskutuesve rreth librit dhe pas ekzekutimeve të mrekullueshme nga nxënësit e shkollave të qytetit, i erdhi edhe fundi atij aktiviteti, ku pashmangshëm vinte edhe ndarja. Lamtumira. Por se ishte në nivel, do të përpiqemi ta dëshmojmë në këto kujtime e prezantime!
Gjendja sociale në Lushnje dhe përgjithësisht në Shqipëri ishte e shkretë, si të themi ishin ato vitet e tronditjeve të mëdha të pasdiktaturës komuniste. E lushnjarëve as 50 vjet diktaturë sistemi nuk ua kishte shkatërruar traditat e zakonet, për ta pritur e grishur mikun, në mënyrë të veçantë një poet që vinte nga Kosova, që për të parën herë prezantohej në Lushnje. Ishin këto zakone pse ata nuk dëshironin ne të iknim nga qyteti i tyre, të paktën pa na shtruar një gotë, një kafe a si themi ne në Kosovë, pa e pirë një gotë me ujë. Unë nuk isha vetëm, me mua ishte gruaja ime Fexhrija, vajza Donika, (atëherë dy vjeçare), Musa Hajredini, kameraman dhe mik imi, ndërsa karvanit tonë nga Tirana, përveç Visarit dhe Edës, iu bashkëngjit edhe redaktorja në gazetën “DARDANIA”, Jeta Gjika e ndonjë tjetër.
Pavarësisht nga kjo, ne ishim bashkë me lushnjarët, rreth 25 veta. U futem në një restorant aty afër. Ishte një dyqan rishtas i hapur. Një mesoburrë, me origjinë nga Tetova ose Gostivari, nuk mund ta them. Inventari ishte krejtësisht i ri, prandaj gjithçka shkëlqente. Kush ku mundi, e si mundi, zuri vend pranë tavolinave të shumta.
Siç thash më lart gjendja sociale në Shqipëri ishte një mizëri e llojit të vet, gjendje kjo që e kishte mbërthyer më shumë shtresën intelektuale, sidomos shkrimtarët dhe artistët, e cila është një kategori, më sociale kudo në botë. Artistët muzikor, piktorët e skulptorët e bashkë me shkrimtarët duhet të futen në kabinetet e tyre për të shkruar e krijuar vepra artistike, prandaj gjithkund e gjithherë janë shtresë me nevojë sociale të theksuar. Ata sikur ranë në hall, se kush do t’i bartte ato shpenzime?!…
Këtë rast po përpiqem ta shpjegojë, sa për të nxjerr në pah, atë gjendjen e shkatërruar ekonomike që përjetonte Lushnja dhe Shqipëria në përgjithësi, e në veçanti intelektualët. Kam vërejtur se u ndanë në disa grupe, secili për t’i paguar një a dy pije të tjerëve. O Zot sa shqetësuese për mua ka qenë ky rast. Jo, jo nuk ka mundësi të shpjegohen ato ndjenja trishtimi që më kapluan. Më duhej të mos lëndoja mikpritjen e bujarin e tyre, as nuk dëshiroja të krekosesha si gjel deti, prandaj deri sa unë bisedoja me mikun tim Musa Hajredinin, kameramani që më shoqëronte, për t’i bartur ne ato shpenzime, u dëgjua zëri i pronari, siç thash të atij mesoburrit rreth të dyzetave, i cili tha: O miqtë e mi lushnjarë, pasi Ju e keni nderuar këtë poetin e ardhur nga Kosova, unë dëshirojë t’ju nderoj juve, prandaj mos u shqetësoni fare, pasi shpenzimet i heq pronari i lokalit. Nuk ka mundësi të shpjegohet se si u çliruan të gjithë, natyrisht më shumë se ata për vete, edhe unë, sepse nuk dëshiroja të lëndoja sedrën e nikoqirit, të cenoja bujarinë e tyre, mikpritjen shembullore, e cila për mua, më kurrë nuk do të përsërit në përmasat dhe formatin e Lushnjës.
U ndamë bujarisht e burrërisht me të gjithë, por mbaj mend kur pronari më tha se sa herë të ktheja në Lushnje, të kisha parasysh mikpritjen e tij, edhe për të fjetur keni vend u shpreh ai, me një respekt e dashuri të rrallë.
Më pas ne vizituam edhe Lokën e Visarit, pasi babai i tij Hekuran Zhiti, dramaturg, autor dhe i përvuajtur, kishte disa vite që kishte ikur. Nëna dhe vëllai dhe të terët e familjes së Visar Zhiti, na priten në mënyrë engjëllore. Ndenjëm fare pak, se kishim për tu kthyer në Tiranë, pasi të nesërmen do të iknim për në Zvicër.
Eh si ishte ajo kohë, si kanë qenë ato rrethana tejet dramatike, me të cilat përballej Kosova, ndërsa autori i këtyre mbresave, pasi ishte i angazhuar në ato veprimtaritë që i bënin kudo shqiptarët e Kosovës, kurrë nuk arriti t’i nxjerr këto tekste për t’i publikuar gjatë atyre viteve. Përjashtohet vetëm diskutimi i Visar Zhitit, që kishte të bënte me librin e Ida A. Spahiut “Si ta shkruaj psherëtimën”. Prandaj ato diskutime që u thanë dhe u lexuan në atë mbrëmje të mrekullueshme, mbeten në arkivin tim, këtu e 26 vjet me radhë. Tamam një çerek shekulli, linçim demokratik! Natyrisht me rrezikun permanent që gjithçka të kishte përfunduar.
Është kjo një arsye e fort, pse them se thirrja engjëllore e Shpend Sollakut ishte mesazh i fortë për të më inspiruar që t’iu qasur këtij rrëfimi, fillimisht për t’i gjetur e sistemuar ato incizime, pastaj për t’i nxjerr nga shiriti, dhe për t’i kompletuar edhe më mirë me disa materiale të tjera, që i kisha të ruajtura në bibliotekën time.
Tash pas më shumë se një çerekshekulli po shpalosen ato emocione dhe ato diskutime profesionale të cilat padyshim përcaktuan edhe fatin e krijimtarisë sime.
Faleminderit Shpend, faleminderit Lushnje!…(vijon)