(Në përkujtim dhe homazh për shqiptaren e madhe Nënë Terezën (26.8.1910-5.9.1997), shenjtoren humane të mirësisë njerëzore, krenarinë e përbotshme të kombit shqiptar. Askush në botë nuk mund ta “privatizojë” shenjtoren e botës pasi vetë ajo ka deklaruar: “Jam me gjak Shqiptare, nga nënshtetësia, një indiane, nga besimi jam katolike, përsa i përket thirrjes sime, unë i përkas botës..”).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
*
Në çdo 5 shtator, në këtë ditë të nderimit e shenjtërimit të Nënës së Madhe shqiptare, të Nënë Terezës, shqiptarët përtej ndasive të besimeve sjellin në memorien kolektive një grua të madhe, një ambasadore të kombit që bëri emër të madh me thjeshtësi dhe dashuri të thellë njerëzore. Kombi shqiptar ka nxjerrë gra të përmendura në të gjitha etapat e zhvillimeve historike, në shumë fusha të drejtimit, të luftës, të punës, të ekonomisë të kulturës, por veprimtaria e Nënë Terezës i kapërceu kufijtë e shqiptarizmës. Ajo u bë një simbol i dashurisë njerëzore të botës sonë.
*
Familjarët që i munguan gjatë gjithë jetës
Nënë Tereza ishte lindur më 26 gusht 1910 në qytetin shqiptar të Shkupit dhe që quhej Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Aktualisht e njeh gjithë bota si Nënë Tereza e Kalkutës. Ajo ka qenë një murgeshë dhe misionare katolike indiane që u lind në Shkup, në atë periudhë ishte Vilajeti i Kosovës në Perandorinë Osmane. Ajo jetoi në vendlindje për tetëmbëdhjetë vjet dhe më tej u shpërngul në Irlandë, më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës.
Nënë Tereza kur u bë misionare më vonë e konsideroi “27 gushtin”, si ditën e saj, pasi kjo ishte dita e pagëzimit ose “ditëlindja e saj të vërtetë”. Ajo ishte fëmija më e vogël e Nikollës dhe Drande Bojaxhiut. Babai i saj, i cili ishte i përfshirë në politikën e komunitetit shqiptar në vilajetin e Kosovës, vdiq në vitin 1919, kur ajo ishte tetë vjeç. Babai i Gonxhe Bojaxhiut kishte lindur në Prizren, por me prejardhje familjare ishte nga Fani i Mirditës, ndërsa nëna e saj ishte nga një fshat afër Gjakovës.
Familja e saj jetoi në Shkup deri në vitin 1934, më pas u transferua në Tiranë. Ajo kishte një motër, motra Agia dhe vëllai Lazri që jetuan në rrugën “Hajdar Hidi”, pranë katedrales katolike në rrugën e Kavajës në shtëpinë e Avni Zajmit. Fakt është se familja Bojaxhi kishte pesë fëmijë, dy nga të cilët ndërruan jetë në vegjëli. Dy motrat u ndanë për së gjalli dhe nuk u takuan më kurrtë, ndërsa i këllai Lazër Bojaxhi, ka jetuar në Palermo të Italisë, një ish-kapiten artilerie i kohës së mbretërisë i larguar që gjatë Luftës së Dytë Botërore. (Kjo vërtetohet edhe nga shumë dokumente të kohës së mbretërisë që gjenden në AQSH dhe në Arkivin Qendror të Forcave të Armatosura).
Megjithëse Nënë Tereza nuk mundi të vinte në Shqipëri për t’u takuar me nënën dhe motrën pasi në vendin tonë ishin ndaluar besimet fetare me ligj më 1967. Nënë Tereza i shkruante të ëmës dhe të motrës, “Nuk mund të bëj gjë tjetër, vetëm se të lutem për ju..”. Ndërsa më 14 korrik 1972 Nënë Tereza mori një telegram, nga i vëllai i saj Lazër Bojaxhiu: “Lutu për loken, që ndërroi jetë më 12 korrik 1972”. Nëna e saj Drane Bojaxhi u shua edhe pse nuk arriti të shihte përsëri të birin e mbetur në Itali dhe të bijën misionare në Kalkuta të Indisë dhe që nuk e shihte prej dyzet e pesë vjetësh. Motra e Nënë Terezës Agia, motra e tyre e mbetur vetëm, vdiq një vit pas vdekjes së të ëmës, më 1973. Ka një të dhënë nga shtypi i kohës që në një intervistë të vitit 1979, pasi Nënën Tereza fitoi çmimin “Nobel”, i vëllai i saj Lazër Bojaxhi shprehej: “Motra e vogël, e përulur, ajo e cila u pati ardhur në ndihmë miliona të braktisurve, ajo që u ka dhënë dashuri dhe solidaritet aq njerëzve të dëshpëruar, u ndalua t’i qëndronte mbi krye të shtratit të vdekjes nënës së vet. Dhe ajo grua e gjorë vdiq e dëshpëruar, duke shtrënguar në kraharor një fotografi të njomur me lot”. Është e njohur se vëllai i saj kapiten Lazër Bojaxhiu ndërroi jetë më 1981 në Itali. Nënë Tereza e deshi shumë familjen e saj edhe pse larg saj ju përkushtua tërësisht misionit të bamirësisë dhe humanizmit.
*
Misionare bamirësisë botërore
Më 7 tetor 1950, Nënë Tereza mori lejen e Vatikanit për kongregacionin dioqezan, i cili do të bëhej “Misionarët e Bamirësisë”. Më 1952, Tereza hapi bujtinë e saj të parë me ndihmën e zyrtarëve të Kalkutës deri sa u shtri dhe vijon të shtrihet në gjithë botën. Madhështia e saj qëndron në thjeshtësinë dhe bukurinë e jetës.
Nënë Tereza themeloi “Misionarët e Bamirësisë” një kongregacion katolik, i cili në vitin 2012 kishte një numër të konsiderueshëm institucionesh bamirësie. Ato ofrojnë shtëpi për njerëzit që janë duke vdekur nga HIV/AIDS, lebra dhe turbekulozi ato ofrojnë ushqime, klinika të lëvizshme, programe këshilluese për fëmijët dhe familjet, jetimore, dhe shkolla. Anëtarët duhet t’i përmbahen betimit të “dëlirësisë, varfërisë dhe bindjes”, si dhe një kusht të katërt, për të dhënë “shërbime falas e me gjithë zemër për më të varfërit e të varfërve”.
Bamirësia ndërkombëtare Nënë Tereza ka vetëdeklaruar dhe ka shuar çdo dilemë e keqkuptim për përkatësinë e saj ku shprehej: “Jam me gjak Shqiptare, nga nënshtetësia, një indiane, nga besimi jam katolike, përsa i përket thirrjes sime, unë i përkas botës. Sa i përket zemrës time, unë i përkas plotësisht zemrës së Jezusit”. Ajo fliste rrjedhshëm pesë gjuhë dhe bëri udhëtime të shumta jashtë shtetit për arsye humanitare.
Më 13 Mars 1997 Nënë Tereza dha dorëheqjen si kreu i Misionarëve të Bamirësisë dhe ajo vdiq në 5 Shtator 1997 dhe është varrosur në Kalkuta të Indisë me nderime të përbotshme. Në kohën e vdekjes së saj, Misionarët e Bamirësisë kishin mbi katërmijë motra dhe një vëllazëri të lidhur me treqind anëtarë që operonin në qindra misione humanitare e bamirësie në mjaft vende të botës. Misionarët e shenjtërisë Nënë Tereza e vijuan misionin e saj. Kështu deri më 2007, Misionarët e Bamirësisë numëronin rreth 450 vëllezër dhe 5000 motra në të gjithë botën, duke operuar 600 misione, shkolla dhe strehimore në 133 vende të botës.
*
Nderim dhe vlerësim për Nënë Terezën
Nënë Tereza rendi gjithmonë pas misionit të lartë të bamirësisë dhe mirësisë njerëzore dhe nuk kishte menduar kurrë për cmime dhe vlerësime, edhe pse më 1962 u nderua me çmimin e Paqes, më 1962 i akordohet cmimi i Paqes, më 1979 Nobel për Paqe. Fakt është se më 19 tetor 2003, Nënë Tereza u lumturua dhe u quajt “Nënë Tereza e Bekuar e Kalkutës”, por për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Francesku në dhjetor 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet “e shenjtë” nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4.9.2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5.9.1997), ku njihet si “Dita e Shenjtëruar e Nënë Terezës”.
Nënë Tereza është nderuar në të gjithë botën nga shtete të vogla e të mëdha, nga më të fuqishmit e botës. Duke folur përpara katërmijë studentëve dhe anëtarëve të Dioqezës së Skranton për shërbimin e saj ndaj “më të varfërve të të varfërve”, duke u thënë atyre “të bëjnë gjëra të vogla me shumë dashuri”, që ka qenë motivi i saj përgjatë gjithë jetës.Shqiptarja e madhe dhe e rrallë e trupëzuar me mirësinë botërore në shërbimi të njerëzimit ngelet shëmbëlltyra më e veçantë e shqiptarisë në mbarë planetin tonë krahas heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Për Nënë Terezën janë thënë fjalë nga më të rrallat nga personalitete në mbarë botën: Ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Javier Pérez de Cuéllar e ka cilësuar Shën Terezën: “Ajo është Kombet e Bashkuara. Ajo është paqe në botë”.
Ish Presidenti Amerikan Bill Clinton në qershor 2002 është shprehur: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo qe më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”. Madaleine Albright deklaronte: “Nuk ka nevojë të më prezantojë kush Shqipërinë, sepse Shqipërinë e njoh nga Nënë Tereza dhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Ndërsa Presidenti Amerikan Roland Regan i ka akorduar Nënë Terezës “Medaljen Presidenciale të Lirisë në një ceremoni të Shtëpisë së Bardhë më 20 qershor 1985. Me Shën Terezën krenarinë tonë dhe të botës së humanizmit dhe bamirësisë është përjetësuar njëherësh edhe gruaja shqiptare, ku Nënë Tereza ngelet e shenjtëruara e përjetshme në një planet kaq kompleks me probleme të shumta. Në 1979 Nënë Tereza mori çmimin “Nobel për Paqen” për punën e ndërmarrë në luftën për të kapërcyer varfërinë dhe shqetësimin, që gjithashtu përbën një kërcënim për paqen”.
Tereza e madhe refuzoi një banket ceremonial konvencional për laureate të çmimit Nobel, duke kërkuar që kostoja e tij prej 192000 dollarë t’u jepej të varfërve në Indi dhe duke thënë se shpërblimet tokësore ishin të rëndësishme vetëm nëse e ndihmuan atë për të ndihmuar nevojtarët e botës. Kur Nënë Tereza mori çmimin, ajo u pyet: “çfarë mund të bëjmë për të promovuar paqen botërore?” Ajo u përgjigj: “Shkoni në shtëpi dhe doni familjen tuaj”. Bzuar në këtë temë në ligjëratën e saj për çmimin “Nobel”, ajo tha: “Rreth botës, jo vetëm në vendet e varfëra, por e gjeta varfërinë e Perëndimit aq shumë më të vështirë për t’u hequr. Kur marr një person nga rruga, i uritur, i jap një pjatë oriz, një copë bukë, e kam kënaqur. Unë e kam hequr atë uri. Por një person që është i mbyllur, që ndihet i padëshiruar, i padashur, i tmerruar, personi që është dëbuar nga shoqëria, se “varfëria është ves”, thoshte Viktor Hygo. Për këtë punoi Nënë tereza gjithë jetën e saj për bujari dhe humanizëm, për thjeshtësi dhe dashuri ndaj njerëzve, prandaj dhe thëniet e saj janë gdhendur në pjesën më humane të botës:
Duaje jetën ashtu siç është,/ Duaje pa pretendime,/ Duaje kur të duan apo kur të urrejnë, /Duaje sa herë që lindesh,/ e sa herë që je duke vdekur,/ Por mos duaj kurrë pa dashuri!”. Ndër titujt e shumtë që i janë akorduar Nënë Terezës përmenden: Pamada Shir; Gjoni XXIII për Paqe; Samaritani i Mirë, në Boston; Shpërblimi Ndërkombëtar John Kennedy, në Uashington; Nëna e të Gjitha Nënave, Balzan; Çmimi Nobel për Paqen; Medalja e Lirisë, shpërblimi më i lartë amerikan; Medalja e Paqes, shpërblimi më i lartë i Rusisë; etj. Në vitin 2002, Papa Gjon Pali II gjykoi se shërimi i një gruaje që vuante nga tumori në stomak ishte rezultat i ndërhyrjes së mbinatyrshme të Nënë Terezës. Ajo u shpall e “Lumturuar” nga Papa Gjon Pali II si simbol i ndihmës dhe respektit për “më të varfërit e të varfërve”. Një ndër datat më të rëndësishme që nderon madhështinë e Nënë Terezës së Kalkutës, e cila ia kushtoi jetën përkujdesjes ndaj të varfërve është 4 shtatori i vitit 2014, dita e shenjtërimit të saj, e cila një ditë më pas njihet si ditë zyrtare.
Papa Françesku ka pranuar një mrekulli të dytë që i atribuohet asaj, shërimin e një mashkulli brazilian me tumor në kokë më 2008. Shqipëria i kushton dy ditë festa zyrtare për nder të Nënë Terezës. Vendi ynë e ka nderuar me dekoratën “Nderi i Artë i Kombit” më 1994. Emri i saj është shumë i njohur në sheshe e memoriale, në libra e shkrime, ku sheshi “Nënë Tereza” është ndër më të frekuentuarit dhe shumë i dashur për shqiptarët, por sot nuk ka shqiptar dhe udhëtar i qiellit i huaj apo shqiptar që sa herë shkon e vjen nga Rinasi të parën që takon është emri i rrallë “Nënë Tereza”, sikurse edhe Qendra Spitalore Universitare mban emrin e shenjtëruar “Nënë Tereza”. Përjetësi në zemrat e mbarë shqiptarisë dhe të kombeve të tjera të botës!
-&-