Sokol Paja/
Shkollat e gjuhës shqipe, kulturës, historisë, muzikës, këngëve e valleve shqipe në diasporën shqiptare anëkënd botës përbëjnë një trashëgimi të shkëlqyer të veprimtarisë së gjallë të shqiptarëve nëpër botë dhe janë themel i fortë i pavdekësisë së identitetit kombëtar shqiptar në mërgim. Veprimtaria patriotike, kulturore dhe komunitare e shqiptarëve në diasporë sot më së miri përfaqësohet me nder, dinjitet, krenari e lavdi prej shkollave shqipe. Mësues pasionantë, patriotë të flaktë, atdhetar të zjarrtë, mbështetës të pakursyer të arsimit e kulturës kombëtare, prindër e nxënës, dashamirës të huaj të komunitetit shqiptar në diasporë, po japin një kontribut historik për ruajtjen e gjuhës shqipe, nderimin e figurave të shquara të kombit shqiptar, kultivimin e traditave tona kombëtare dhe mbajtjen e pa shkëputur të lidhjes shpirtërore e materiale me Shqipërinë, Kosovën e trojet shqiptare etnike. Kontributi i shqiptarëve në mërgatë ka qenë historik për gjuhën shqipe dhe çështjen kombëtare. Shqiptarët nuk kursyen asgjë sa herë atdheu ishte në rrezik. Amaneti i Filip Shirokës se “Kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet” është bërë një motiv i madh për çdo atdhetar që jep kontribut për kulturën dhe identitetin tonë kombëtar në mërgatë. Me zhvillimin e jashtëzakonshëm të emigracionit e teknologjisë, në kushtet e një multikulturalizmi global, përpjekjet për identitet, gjuhë e kulturë kombëtare janë një akt i madh patriotik i shqiptarëve të mërguar. Shkollat e gjuhës shqipe, kulturës, historisë, muzikës, këngëve e valleve në diasporë përbëjnë krenari kombëtare. Kushdo që ndihmon në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatë, është hero i gjallë i kombit tonë.
Gjuhëtari i shquar Eqrem Çabej shprehej se “Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij” dhe shqiptarët sot na bëjnë krenarë anëkënd botës për motivimin e përkushtimin e tyre autentik. Shkollat shqipe në mërgatë janë themel i vazhdimësisë sonë historike, lidhjes organike, shpirtërore e kombëtare. Shkollat shqipe në Gjermani, Zvicër, Itali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqi, Mbretëri e Bashkuar, Kanada, Australi etj përbëjnë një imazh magjepës kombëtar të shpërndarë në të gjitha anët e globit. Shkollat e gjuhës shqipe, kulturës, historisë, muzikës, këngëve e valleve në diasporë kanë lidhur e forcuar komunitetet tona, kanë krijuar bashkësi patriotike të fuqishme si ekonomike, sociale e kulturore. I kanë dhënë një imazh të fuqishëm, zë dhe forcë komunitetit shqiptar në raport me komunitetet e tjera në vendet ku jeotjnë.
“Themelin e diturisë dhe të atdhetarisë e përbën gjuha shqipe” porosiste Mid’hat Frashëri. Nuk mund të jesh shqiptar nëse nuk mëson shqip, nuk flet shqip, nuk kontribuon për mësimin shqip, nuk e viziton Kosovën, Shqipërinë e viset tona etnike. Mësimi shqip, këngët e vallet, koncertet e ndryshme përveç se janë një investim për përjetësinë e kombit shqiptar, i kanë lidhur shqiptarët në diapsorë, i kanë bërë më të afërt dhe detyrimisht kanë lidhur diasporën me vendlindjen. Shkollat shqipe në diasporë udhëhqiqen prej kapaciteteve të shquara intelektuale në mërgatë, kanë mësues të licencuar, kanë literaturë e teknologji të shkëlqyer, drejtues të pëkushtuar, prindër bashkëpunues e nxënës që janë të etur për mësimin shqip, këngët e vallet e bukura shqipe. Është e shenjtë dëshira dhe përkushtimi i mërgimtarëve për mësimin shqip. Për shqiptarët në mërgatë ashtu siç thoshte Eqerem Çcabej “Gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar”.
Federata “Vatra” e gazeta “Dielli” janë kthyer në promotore të jashtëzakonshme të shkollave shqipe. “Vatra” për disa vite me radhë hapi dyert për zhvillimin e mësimit shqip brenda në Vatër. Në një hark kohor të dy viteve më shumë se 40 shkolla shqipe janë pasqyruar imtësisht në gazetën “Dielli” nëpërmjet trajtesave ekskluzive të intervistave e reportazheve duke paraqitur risi në shtypin shqiptar të mërgatës. Kjo mbështetje do të vazhdojë përjetë. Përpjekjet e mësuesve, prindërve e kontributorëve të mësimit shqip në diasporë duhet të kombinohen edhe më ndihmën e shtetit, të Shqipërisë e të Kosovës. Shtetet tona duhet të shtojnë buxhetin për diasporën, të lidhen më fort më shqiptarët në mërgatë dhe të mbështesin pa kushte arsimin shqip. Diaspora ka një kontribut të jashtëzakonshëm në ekonominë kombëtare dhe vëmëndja institucionale duhet të jetë më efikase. Thënia e Akademik Gjovalin Shkurtaj se “Mbrojtja e gjuhës është detyrë dhe peng nderi për çdo shqiptar” duhet të jetë motivim për mërgatën tonë që këtë zhvillim të jashtëzakonshëm të mësimit shqip në diasporë jo vetëm që ta ruajë në këto nivele por edhe ta zhvillojë më shumë pasi kombi ynë, gjuha jonë, kultura e kombit tonë do të jenë të gjalla ndër breza, të patjetërsueshme, të paharrueshme, të pazëvëndësueshme në mës të kulturave me të cilat përballemi, jetojmë e punojmë çdo ditë. Shqiptaria do të rrojë sa përjetësia për sa kohë në themel të zhvillimit është kultura e gjuhësia…
Foto ilustrim: Shkolla Shqipe Gjenevë