Zyra e Shtypit (AALEA)/
Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Zbatimit të Ligjit (AALEA) festoi 5-vjetorin e saj me një natë gala ku shpërndau dhe çmimet e saj vjetore, duke nderuar përkushtimin, shërbimin dhe angazhimin e anëtarëve dhe mbështetësve të saj. Ngjarja ishte një dëshmi e arritjeve të organizatës dhe e përpjekjeve të palodhura të drejtuesve të saj për të celebruar arritjet e komuniteti profesional të shqiptaro-amerikanëve në fushën e ligjit dhe për të rritur bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Shqipërisë dhe të Kosovës me homologët e tyre në SHBA.
“Sonte ne festojmë jo vetëm arritjet e organizatës sonë por edhe përkushtimin, shërbimin dhe përkushtimin e të gjithë atyre që kanë kontribuar në suksesin tonë”, theksoi Elton Shametaj, themeluesi dhe kryetari i shoqatës.
Nata ishte gjithashtu një rast për të vlerësuar kontributet shembullore të disa të nderuarve. Olta Bejleri Segura u vlerësua me çmimin AALEA Gruaja e Vitit. Bejleri Segura, një Ndihmës Prokurore e SHBA që nga viti 2021, ka qenë një burim krenarie për komunitetin shqiptaro-amerikan, për sukseset e shumta në fushën e saj profesionale, duke marrë vlerësimin e mjaft drejtuesve të lartë amerikanë në Departamentin e Drejtësisë.
Ndihmës shefi Joseph M. Gulotta mori çmimin AALEA Njeriu i Vitit për përpjekjet e tij proaktive për të trajtuar dhunën me armë në Staten Island. Ndërkohë, gjyqtari i nderuar Thomas Quinones u vlerësua me çmimin AALEA të Lidershipit për rolin e tij pionier si gjyqtari i parë hispanik në stolin e gjykatës së qytetit Yonkers.
Te ndëruarit e tjerë të mbrëmjes ishin Kapiteni Luigi Carrubba, i cili mori Çmimin e Shërbimit Komunitar AALEA; Selim Celmeta me Çmimin e Togerit të Shquar të Vitit; Rreshterja Romina Cekani; Detektivi Dritan Lazami; si dhe Aleksandër Nilaj, i nderuar për punën e tij bamirëse nëpërmjet Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të Dorës së Hapur.
Në celebrim mori pjesë dhe Ambasadorja Suela Janina, përfaqësuesja e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Njëkohësisht, një përshëndetje të veçantë erdhi nga Rabini Mendy Mircznik, presidenti i Këshillit të Organizatave Hebraike në Staten Island. Rabini Mircznik vlerësoi punën e Shametaj dhe të gjithë zbatuesve të ligjit shqiptaro-amerikanë, të cilët kontribuojnë në komunitet dhe në shoqërinë e gjerë amerikane.
Veprimtaria vlerësoi gjithashtu kontributet e anëtarëve të tjerë kryesorë të AALEA, duke përfshirë Zëvendëskryetarin Belis Krisafi, Drejtorin e Operacioneve dhe Thesarit Altin Celoaliaj, Sekretarin Selim Celmeta, Rreshterin e Armëve Adem Sela, Dr. Bahri Ceka, Dr. Imam Tahir Kukaj, si dhe Bordin Kombëtar të Administrimit.
AALEA është një organizatë kombëtare jofitimprurëse me mbi 800 anëtarë nga agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Misioni i organizatës është të nxisë lidhje më të forta midis komunitetit shqiptaro-amerikan dhe forcave të zbatimit të ligjit nëpërmjet shërbimit dhe rrjetëzimit në komunitet.
Duke shfrytëzuar aksesin e lidershipit dhe anëtarëve të saj aktivë, shoqata ka ndërtuar ura me Policinë e Shtetit Shqiptar, Policinë e Kosovës dhe departamente të ndryshme të zbatimit të ligjit në SHBA, duke nxitur bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave.
Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha vlerësoi punën e oficerëve shqiptarë, çmoi organizimet e shoqatës dhe i garantoi për mbështetjen e Vatrës në të gjitha aktivitetet kombëtare e komunitare.