Pierfranko Bruni/
Ne Foto: Pierfranko Bruni ne nje fotografi me Kryegjyshin Edmomd Brahimaj/
Kur e takon Pierfranko Brunin, biseda së pari fillon me nostalgjinë e tij për Shqipërinë. Flet për vendet që ka vizituar me një dashuri dhe pasion që do ta kishte zili çdo shqiptar. Në të gjitha konferencat ku kam qënë, bashkë me të, të mahnisin fjalët e magjishme çiltërsisht të zgjedhura që thotë gjithmonë për vendin e Shqiponjave, kujtimet që i ruan të freskëta në memorie, traditat dhe zakonet tipike ballkanike, mikpritja që i rezervohet një miku arbëresh. E ky ekzaltim, që do ta quaja në kuptimin e vërtetë të fjalës, poetik shpirtëror nostalgjik, flet më bukur se kushdo për dashurinë e madhe që ai ruan brenda vetes për rrënjët e paraardhësve të tij shqiptarë, për atë memorie që është trashëguar brez pas brezi dhe për memorien e tij të sotme, kur viziton Shqipërinë. Një memorie e gjallë me nota të theksuara delirante që shprehet mrekullisht me fjalët e tij që nxjerrin në pah kulturën e tij të jashtëzakonshme. Le ta shijojmë së bashku këtë moment idilik mes tij dhe Atdheut të të parëve. (Përkthyesi).
***
Shqipëria është një tregim! Tirana, jo një kujtim, por një e tashme në të tashmen e vet në jetën time. Një qytet që e marr me vete në udhëtimet e mia. Është Adriatiku që dialogon me Mesdheun. Ëshë vallja ballkanike që tregon historinë e tokës sime në tregimet për Skënderbeun dhe koha e çfaqosur në ditët që prekin aventurat e babait tim. Kam qënë më shumë se një herë në Tiranë, Shkodër. Një ecje mes melankolive dhe regëtimave të shpirtit. Kishat dhe xhamitë ku u luta, e ruajnë fjalën e një zoti që gjithmonë na ndriçon. Ato fytyra, ato rrugë, rrugicat janë gërshetime në fjalët dhe në bisedat mes një shqiptari që bashkohet me lashtësinë me theksin e Italisë jugore. Në vendin tim, jug dhe ai, është dhe Shqipëria. Në Shqipërinë time në udhëtimet e lëna gjithmonë përgjysëm ka pjesë të rrënjëve të mia. Dëgjoj muzikën edhe në netët dhe në të ftohtit e vakët nga dielli, ajo Lindje depërton brenda meje. Në fotografitë e ruajtura janë vitet ku kam shkuar në takime dhe konferenca. Shkodra, jo shumë vite më parë, më priti me simpati dhe me buzëqeshje të tendosur në aventurën shqiptare. Të jetosh mund të shndërrohet në një zakon, por shpesh ai thyhet. Të jetosh aty do të thotë të lësh gjithmonë nëpër rrugë një pjesë të jetës tënde. Kujtimet më kujtojnë t’i mbledh shtëpitë e rrënuara dhe lagjet e reja të Tiranës që janë një lojë në një imagjinatë që nuk më braktis kurrë. E kam ditur gjithmonë se në fijet e rrënjosura të origjinës sime ka zëra Shqipërie, qysh nga fëmijëria ime ku jetova në një vend të Kalabrisë që mirëpriti shqiptarët e parë që mbërritën në Itali, dhe u gërshetuan melankolitë. Nga dritarja e hapave të mi atëherë, shikoja në hartën e botës ku ishte Shqipëria. Pastaj e kuptova se tek I moshuari i Tiranës, një tregimi im i shekujve më parë, jetonin metaforat e qënies sime. Nuk e di përse e shkrova, shekuj më parë, një tregim me titull I moshuari i Tiranës. Më pas i zbulova rrugët e mia. Mbërrita në horizontet ku Adriatiku gërshetohet me Mesdheun tim dhe Shqipëria është qëndra e fateve të mia. Pastaj eca nëpër rrugët e Shqipërisë dhe aty në ato valle ku gratë janë, magji e Lindjes në Perëndim, gërshetova shtigjet e shpirtit me shikimet që s’mungonin kurrë. Ngjyrat e verdha dhe të kuqe të fustaneve të grave shqiptare janë një rrotullim mes imazheve të mia. Njëlloj sikur të mbidheshin ditët e festive dhe ata sy, si deti mes jeshiles së kaltër dhe kaltërsisë, janë një ecje mes përthyerjeve të nostalgjisë. Nostalgjia! Nuk e di nëse jam unë që e shoqëroj nostalgjinë, apo nëse është nostalgjia që ndjek fytyrën e atyre grave me lëkurë larashe dhe kënga që ka motive orientale. Joshja e misterit nuk e ka kohën e arsyes. Por unë jetoj me misterin në joshjen e magjisë. Dhe pastaj misteri shqiptar është një magji në fjalët e mia. Fjalët e mia, a kanë nostalgji? Ose nostalgjia i ka fjalët e mia të lidhura në kujtimet e një Shqipërie që e mbaj në zemër. Jam përpjekur të kthehem gjithmonë në Shqipërinë e fjalëve të thyera dhe të gjuhës së rigjetur. Është një këngë që reciton. Është një këngë që përcakton fate. E ruaj Shqipërinë në heshtjen dhe zërat e saj. E ruaj Shqipërinë në rrënjët e mia të memories. Do të kem takime të shumta me të. Të tjera takime ende më presin në diellin që e thyen erën midis Tiranës dhe Shkodrës. Ka tinguj Ballkani dhe copa orientale në Shqipërinë time dhe mes grave valltare që e ruajnë ëndrrën në alkiminë e magjisë. Ekziston gjithmonë një alkimi që lidhet me udhëtimet. Unë që kam udhëtuar shumë, nuk e kam thyer kurrë mozaikun e ditëve. Shqipëria është një mozaik në ditët e mia. Dhe vallet nuk pushojnë së jetuari në ritmet e heshtjes sime.
Përktheu Arjan Th. Kallço