NGA VULLNET MATO/
Dëgjojmë të lakohet fjala “Shqipëri e Madhe”,/
epiteti keqdashës kundër dëshirës për bashkim,/
që na kanë ngjitur gojët e liga të grabitqarëve,/
nga koha kur ata shqyen trojet tona me tërbim. /
Dhe u ranë daulleve me gjëmime të frikshme, /
duke shpërthyer nga armët flakë dhe tym të zi, /
për t’i mbyllur gojën klithmës sonë të ligjshme, /
sa herë padrejtësive të mëdha u kërkuam liri./
Nuk ka dhe nuk ekziston “Shqipëria e madhe”,/
por në hapësirën e lashtë të shtrirjes ballkanike,/
mbijeton në mijëravjeçarë atdheu i shqiptarëve,/
kombi me rrënjë natyrale, Shqipëria jonë etnike. /
Ashtu siç nuk ka në Evropë, Gjermani të madhe,/
Vietnam të madh, e Kore që kërkon rritje në Azi,/
nuk ka e s’mund të ketë pretendime territoriale, /
aty ku kombi me gjuhë dhe troje quhet Shqipëri./
Jo më kot në ndarjen kufitare, i mençuri Telini,/
hidhte mbi turma fëmijësh monedhat e argjendit,/
të vërtetonte te britmat e tyre gjuhën që flisnin,/
deri sa e vranë pabesisht, trojet të na rrëmbenin. /
Kudo ku flitet shqip dhe buka s’ka emra të tjerë, /
nuk quhet “hleb” as “leba”as “psomi”nuk i thonë, /
ku nusen e prin flamuri që ka shqipen me dy krerë,/
gjendet përjetësisht e patjetërsuara Shqipëria jonë. /
Pavarësisht nga piramidat dhe tabelat orientuese,/
që vunë zhvatësit në trojet e të parëve të këtij vëndi, /
nuk mund t’i mohohet shqiptarit gjeneza ekzistuese,/
aty ku bën hije mbi shkëmb, qëkur u krijua shkëmbi. /