





Adrian Kamberi
Foto: Dritan Haxhia/
“Prifti që me kambanat e kishës lajmëronte iftarin”
Nju Jork – Shqiptarët e Amerikës organizuan një akademi përkujtimore kushtuar jetës, veprës dhe kontributit të Don Kelmendit, klerikut që gjatë periudhave më të vështira të Kosovës u shërbeu qytetarëve pa dallim feje, krahine apo përkatësie.
Në këtë takim morën pjesë figura të njohura të komunitetit shqiptaro-amerikan, përfaqësues të institucioneve shqiptare, veprimtarë, klerikë, profesorë dhe përfaqësues të jetës publike.
Akademia përkujtimore u mbajt në Qendrën “Nënë Tereza”, pranë Kishës Katolike Shqiptare në Nju Jork.
Të pranishmit vlerësuan lart jetën dhe veprën e Don Kelmendit, duke e cilësuar atë si një figurë të rëndësishme të rezistencës dhe qëndresës shqiptare, si dhe një model të rrallë të humanizmit, guximit dhe bashkëjetesës ndërfetare.
Në fjalën e tij, gazetari dhe biznesmeni Adrian Kamberi, i cili ishte dëshmitar i disa prej ngjarjeve të luftës në Gllogjan të Pejës, kujtoi momentet kur Don Kelmendi u doli në mbrojtje mijëra qytetarëve të strehuar në këtë fshat.
“Në fshatin tim, në Gllogjan të Pejës, ishin strehuar mijëra shqiptarë nga të gjitha anët e Kosovës: gra, fëmijë, të moshuar, ushtarë të plagosur dhe njerëz të uritur. Ishte Don Kelmendi ai që i priti dhe i strehoi, së bashku me motrat e nderit dhe banorët e Gllogjanit”, rrëfeu Kamberi.
Ai kujtoi edhe një prej përballjeve më të rënda të Don Kelmendit me forcat serbe.
“Nuk kaluan shumë ditë dhe forcat serbe e pushtuan Gllogjanin. Ato e ndërprenë meshën e shenjtë dhe kërkuan nga Don Kelmendi të dilte jashtë. Kërkonin t’i ndanin burrat nga pjesa tjetër e popullsisë, me qëllim që të pushkatonin çdo mashkull që ndodhej aty. Don Kelmendi nuk e lejoi këtë dhe u tha: ‘Së pari më vrisni mua, pastaj motrat e nderit dhe më pas të gjithë të tjerët’”, tregoi Kamberi.
Sipas tij, kjo nuk ishte hera e vetme kur Don Kelmendi tregoi guxim dhe solidaritet të jashtëzakonshëm.
“Vetëm pak muaj më vonë, në Gllogjan do të strehoheshin rreth 20 mijë persona. Ishte koha e muajit të Ramazanit dhe Don Kelmendi, përveçse kujdesej për strehimin dhe ushqimin e tyre, vendosi që kambanat e kishës të binin për të lajmëruar kohën e syfyrit dhe të iftarit”, shtoi Kamberi.
Për figurën dhe veprën e Don Kelmendit foli edhe hoxhë Tahir Kukaj, i cili e cilësoi atë si një prej modeleve më të mira të një prijësi fetar në shërbim të popullit.
“Don Kelmendi është një vlerë e madhe e historisë shqiptare. Ai është një udhërrëfyes dhe një model se si duhet të jetë një prijës fetar”, tha ndër të tjera hoxhë Kukaj.
Ish-zëvendëskryeministri, prof. dr. Engelbert Zefaj, foli për takimet dhe bashkëpunimin e tij me Don Kelmendin, duke e përshkruar atë si një njeri të thjeshtë, të dashur dhe të përkushtuar ndaj qytetarëve të të gjitha besimeve.
“Don Kelmendi ishte një njeri shumë i dashur dhe i thjeshtë, me të cilin ishte shumë e lehtë të komunikoje. Ai ishte jashtëzakonisht i angazhuar për t’i ndihmuar të gjitha fshatrat, katolike dhe myslimane, në Lugun e Baranit. Për çdo projekt që diskutonim me përfaqësuesit ndërkombëtarë, ai ishte shumë i vendosur dhe këmbëngulës që ndihma të arrinte në ato zona”, tha Zefaj.
Edhe biznesmeni dhe veprimtari i njohur Harry Bajraktari e vlerësoi lart figurën e Don Kelmendit, duke kujtuar takimet që kishte zhvilluar me të në Gllogjan pas përfundimit të luftës.
“Kam pasur nderin që pas luftës ta takoja Don Kelmendin dhe që nga ajo kohë ruaj kujtimet më të mira për të. Ai ishte një veprimtar dhe një njeri me vlera të mëdha, gjithmonë i gatshëm për bashkëpunim dhe një personalitet për të cilin të gjithë kishin respekt”, tha Bajraktari.
Gjatë akademisë përkujtimore folën edhe kandidati për Kongres në Nju Jork, Diamand Hysenaj, profesori Mhill Velaj, kryetari i Federatës Panshqiptare “Vatra”, Elmi Berisha, si dhe personalitete të tjera të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit theksuan se trashëgimia e Don Kelmendit duhet të ruhet dhe të përcillet te brezat e ardhshëm, si dëshmi e sakrificës, guximit, humanizmit dhe solidaritetit ndërfetar të shqiptarëve në periudhat më të vështira të historisë së tyre.