Osman Murati nga Lura e Dibres, në të dytin mandat të tij si ministër i Tregtisë së Brendshmë, deputet i Kuvendit Popullor, në lartësi të detyrës së tij, shkoi me shërbim në një kooperativë bujqësore të një rrethi verior përtej Drinit të Bashkuar.
Aty ishte një e veçantë: gjysma e saj në zonë fushore e kishte krye tufëzimin e gabuar të bagëtive e gjysma tjetër në lartësi malore i trembej kapjes ngërçore prej tij. Kjo ishte një sipërmarrje e tipike e komunizmit enverian. Një “Reformë” tragjike, që sëbashku me Oborrin Kooperativist ishin dërrasa të nji arkivoli të hapur të Komunizmit. Tufëzat e oborri kooperativist ishin si hije vorri të përbashkët. Edhe sot në Demokraci ka “Reforma” të tilla rjepanike, qelbanike, dramatike, si kjo e “KESH-OSHEE” e viteve të fundit.
Dikush nga këta të kryemit e tufëzimit, pra – i gjysmës tjetër të kolkozit verior, çohet e thotë për qejfin e Partisë e fiken e shtëpisë, që t’i mbledhin edhe pulat e koteceve të tyne, sepse ato po damtojnë kopshtije e ara, se përmirësohet higjiena, etj. etj. Ky e kishte fjalën me gjithë mend. Po kur dhe të tjerët, në atë mbledhje, duartrokitën fort, si koreano-jugorët e sotëm, ky ministri Osman Murati mbeti pa mend.
Ai e dinte gjendjen e vështirë të fshatit e aq ma tepër pasojat e tufëzimit të bagëtive dhe të oborrit kooperativist. I avitet kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të atij rrethi e diçka i tha me za të ulët në veshin e majtë: “Si duartrokasin këta njerëz kur iu preket dhe buka e gojës”. E çka t’i thoshte kryetari i Komititetit veçse fjalët pllakat: “E kanë nga dashuria për Partinë”(!) Këtë fakt të asaj kohe shpesh e kena fol ndërveti me kryetarin e Këshillit të Bashkuar të asaj kooperative, kur njerëzit po mbeteshin dhe pa troha buke e donin t’i tufëzonin dhe pulat që iu jepnin vezë e mish, e kur ato pula “florini” ruheshin për miq e raste të rralla. Po çka me bá: kështu, kësisoj, ishte qervishi politik i kohës…Kanceri i komunizmit tonë e kishte kapë dhe shtyllen kurrizore të Partisë-Shtet.
Osman Muratin e Gurë-Lurës, 75 vjeçar, ministrin margaritar të tri qeverive “Çarçani”, e takova për herë të parë bash në Lurë, më 24 maj 2015, atë ditë kur vet i dhjeti u vlerësue “Qytetar Nderi” i Lurës, sëbashku: me biznesmenin lurjanë Dod Doçi i Derës së Parë të Lurës, që e ngriti me fondet e tij Kishën “Shën Maria” në Lurë; me kuadrin lurjan të pushkës, fjalës e penës, Gjon Deda Moriseni (pas vdekjes); dibranen e guximit lartnor Monika Kryemadhi, e të tjerë emnat e të cilëve nuk po i kujtoj në këtë çast shkrimor. Takim i thançin atij rasti, pasi aty tek oborri i shkollës “Dom Nikollë Kaçorri” vetëm dorën e djathtë ia dhashë Osman Muratit me nji urim shqiptar, shpirtnor,prej mysafiri eventi, për pa e dvet çka kie bá për Lurën tande/tonën kur ishe ministër i djehit. E, në koft për dvetje miradije për njeriun dinjitar i përjetshëm, Osman Murati, do i kisha thanë atë ditë maji e në këtë ditë tetori: “Qysh á puna jonë, pasi ende dhe në Liri e Demokraci duartrokasim edhe kur na e prekin bukën e gojës?!”
Tiranë, më 8 tetor 2016